Edison Ypi: Xhaja nga Zavalina

Edison Ypi: Xhaja nga Zavalina

Çifligjet qindra hektarë në Luginën e Vjosës nuk m'i kthejn. Të mos çmendem nga padrejtësia kolosale, u vërsulem çifligjeve imagjinare si fukarejtë vetrinave të birrarive ku ngopen me aromën e qofteve.

Këtë herë u nisa Elbasan, Gjinar, Zavalinë, Holtë.

Në Zavalinë nuk i gjeta si herët e tjera, të dehur. Por as esëll. I gjeta të munguar. Nuk i gjeta fare. Kishin ikur. Kishte mbetur vetëm 1 kafexhi me asnjë kafepirës.

Duke u sillur nëpër Zavalinën e braktisur dhe të boshatisur, se nga doli një Xhajë. Serioz, shtatlartë, veshur mirë, Xhaja. Në momentin kur sapo do i lutesha të këndonte një këngë trimërie të atyre nahieve, iku, u zhduk. Vazhdova të kullot sytë nëpër malet dhe gërrxhet rrotull Zavalinës. Xhaja doli përsëri. Këtë herë me një shkop në dorë u ul te një stol rrëzë murit.

Xhaja nga Zavalina quhej Hysen. Çudi. Në Zavalinën kristiane meshkujt nuk quhen Hasan e Hysen, por "Mark".

Hyseni the se ishte mbi 90. E kishte harruar në ç'vit kishte lindur.

Kur sapo do hapja gojën për t'ju lutur Kaur Hysenit të këndonte një këngë të vjetër, ma zuri llafin në fyt:

-Merre këtë shkop, tha Hyseni nga Zavalina, ta kam fal, është i yti.

E mora shkopin që më dhuroi Xhaja nga Zavalina.

Duket si shkop nga ata që mbajnë në dorë rapsodët e verbër kur ecin me shkop para, qen nga pas.

Nga format dhe përmasat, shkopi në fjalë është edhe krrabë çobani, edhe shkop plaku

E falenderova dhuruesin, dhe ika.

Xhaja nga Zavalina më pa që s'kisha nevojë për shkop. Atëhere, pse ma fali ? Shkopinj ka plot në treg. Dhe janë lirë. Ndoshta ma dhuroi shkopin e drurit të fortë dhe elastik si qefli i sendeve natyrale, si vegël që nuk ka dalë nga fabrika por nga Xheheneti, pra nuk më dha shkop por dajak për të rrahur ata që meritojnë të rrihen. Aty nisa të kuptoj. Xhaja inteligjent nga Zavalina, pasi ma kishte lexuar mendimin, nuk më dha shkop, por dajak, dru, hu', për të bërë pestil komunistat e rrugicës së zero shpresës që me llapaqënërinë e tyre po flliqin Doktorin, veten, demokratët, Shqipërinë.

Kisha kohë që mendoja si bëhen zap dreqërit e rrugicës. Kur ja, rasti erdhi. Rastin ma solli Xhaja vizionar nga Zavalina e thellë.

Dajakun shpëtimtar po e ruaj si sytë e ballit.

Do vete një mbrëmje te rrugica e turpit kur Doktori që e katandisi Partinë Demokratike sa një kokërr carac të jetë duke bërë rrezil nga penxhereja Amerikën dhe Anglinë dhe Botën për hesap të vet, për Non Gratën.

Të parin që do rrah paq me shkop do jetë ai surratskuthi që bën si aktor i njohur, sikur i vjen keq për shembjen e Teatrit, por në fakt digjet nga brenda për historitë e komunistave, atentatorëve, kriminelave, që luheshin në atë hale që e quanin Teatër, dhe tani mallin zhuritës që ka për komunizmin e teatrit, vjen e vjell te rrugica e budallallëkut.

Pastaj do i hy n'hu disa çunave të rinj që dërdëllisin broçkulla në gjuhën e Zërit të Popullit dhe të Sigurimit. Ku e mësuan gjuhën e Shejtanit këta dreqër ? Dhe fut e bjer, derisa të më kërkojnë falje që kanë lexuar librat e qelbët të babit oficer dhe rrenat e gjyshit partizan, dhe të më premtojne se tash e tutje do lexojnë vetëm libra seriozë.

Pas të rinjve të dashuruar me gjuhën e komunistave, do e ketë rradhën një budallaçkë që s'di ç'llafos. Ajo që një mbrëmje tha se kishte respektin më të madh për shokët dhe shoqet që vijnë çdo mbrëmje te rrugica e zero perspektivës. Pra, sipas kukumjaçkës që i duket vetja oratore, kaçakët e Doktorit që vinë te teatri i budallallëkut poshtë penxheres, jo vetëm janë pak, por janë çdo mbrëmje të njëjtët.

Pas llapaqenes gojëçthurur do e kenë rradhën për tu rrahur me dajakun që ma fali Xhaja i Zavalinës ca që i njoh dhe e di mirë që nuk janë aty për t'i shërbyer fitores, por në pritje të kapjes së kockës. Bam-bam-bam do i shemb në dru edhe këta.

Kur ta kem nxjerrë dufin me oratorët e neveritshëm që meritojnë dajakun dalë nga Xheheneti i mendjes vizionare të Xhajës së Zavalinës, shkopin e drurit do ja thyj në kurriz një gazetari surratslike që bën si i ndershëm, si i paanshëm, por është i shitur për një vilë një milionë euro.

Copën e dajakut që pas rrahjeve do më mbetet në dorë, do e var në mur si relike në kujtim të nderit që më bëri Xhaja nga Zavalina duke më dhuruar veglën e duhur për të bërë zap çmendinën e rrugicës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pena: 19/06/2024 17:51

    E dhjeve fare Gjekmarkaj me budadalleqet e veta qe ai shkruan, bej Pak meshire per kete fashisto- komunist te oreve te fundit!!! Te lumte per satiren evbukur!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje