Efraim Shefki Gashi, fati
i keq i aktorit në diktaturë

Efraim Shefki Gashi, fati<br />i keq i aktorit në diktaturë
TIRANE - Një njeri që unë nuk kam qejf me ia përmendë emnin për arsye të  lidhjes së afërme familjare, më thoshte se aktorët prej veti kanë diçka tragjike. Arti që prodhojnë, âsht i ndërtuem drejtpërsëdrejti me mishin dhe frymën e ekzistencës së tyne. Ata krijojnë me zâ, me gjeste, me frymë dhe me mushkni saqë, shpesh në teatrot tona të vorfna e pa ngrohje, dimnit, plateja ua heton aktorëve edhe avullin e gojës.

Ata djersiten, gulshojnë, gërvallen, sillen si të marrë, luejnë mbretin e në kamerin kanë vetëm nji kuti cigaresh të rrudhun e pak cigare të shtrembta gati për me skopjue; lozin maskarain, zhelamanin e mjeranin kur shpirtin e kanë plot me dritë e në atë gjoks të ngushtë që dihat dyfish prej aritmive të zemrës e të mushknive, ka pallate të sedefta e pemë qershish që rrinë përjetësisht në lule......

Por, në errsinen e skenës, i fshehun mbas kuintash dhe pëlhurash të tendosuna vertikalisht, nji sŷ i pamshirshëm, nji sŷ “që shef gjithçka”, syni i nji perëndie tinzare vigjilon në heshtje mbi aktorët. Ai sŷ i paknaqshëm i ndjek dhe i përndjek, i shigjeton dhe i shporon.

Ky sŷ nuk ka poshtë vetes nji gojë që mund të buzëqeshë në ndonji rast.Ai ka rreth vetes vetëm rrudha të imta që shtrihen dhe thellohen dhe gjuha e tyne nuk âsht kurr e sigurtë. Asnji prej aktorëve nuk e din atë gjuhë, asnji s’e ka msue e, ndoshta, nuk mund ta msojë kurr. Ai ndodhet mbas çdo kuinte si nji kokudh i shumzuem dhe i kudondodhun: regjisori. Jeta e madhe dhe e vogël e çdo aktori përshkohet nëpër bebzën e tij të synit dhe aktori ndihet përjetsisht i syrvejuem, i paplotë dhe i kufizuem në liritë e veta biologjike dhe hovet individuale.

Kam bindjen se Efraim Gashi e përshkoi të tanë këtë kalvar të gjatë për shkakun e teatrit. Ia njofti stacionet, u çue dhe u rrzue disa herë, iu hap para sŷve indiferenca dhe shpotia e botës, provoi situatën e të qenit mezi njeri prej përbuzjes dhe verbnisë njerzore, e ktheu në rezistencë biologjike energjinë e andrrës së madhe me sipar dhe spektatorë dhe shkoi në nji skutë të botës të plakej sa mâ shpejt që të delte prej evidencave dhe të dëshmonte se nuk ishte mâ i rrezikshëm.
 
Aktori që i ngjante Gérard Philippe-it
E kam njoftë Efraimin në vjetin 1963 në provat e gjata të teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Atëherë isha gjimnazist dhe mosha si nocion ishte gjâja mâ e parandsishme e botës. Efraimi ishte i ri si unë atëherë dhe vetëm e ndjeja se ishte mâ i madh se unë. Efraimi ishte djalë i pashëm. Me shtat mesatar dhe fizik elegant, Efraimi ishte zgjedhë si efektiv i trupës së teatrit për të plotsue  potencialin rinor të kësaj trupe. Me portretin e tij mashkullor, por edhe pashinë mashkullore si në nji seri përshkrimesh të folklorit tonë, ku ideali mashkullor i bukurisë luhatet mes vrazhdësisë dhe tipit féminé, Efraimi kishte nji portret që prirej kah pashia formale.

Me flokët e dendun dhe të ndamë në anë, fytyrën e kjartë dhe lkurën cipëhollë, dhambët e njomë dhe të qeshunën e kollajshme dhe shpërthyese, Gashi qe marrë në teatër për të luejtë role dashnorësh dhe personazhesh rinorë. Megjithse tip në vete, ai mund të përqasej me aktorë të njoftun botnorë sidomos, sa i takon përqasjeve fizionomike  dhe destinacionit të përshtatshmënisë së roleve. Mbaj mend se regjisori e thrriste Efraimin “Fan-Fan” në të gjitha tonalitetet e mundshme, nga qortueset deri te miklueset, tue pasë parasŷsh aktorin e famshëm të teatrit dhe kinematografisë frenge, Gérard Philippe.

Me ket aktor Efraimi kishte nji aura të përbashkët, ndoshta te galanteria e tij, tek e qeshuna shpërthyese dhe njifarë   “donzhuanizmi” i pasherr që emanonte prej portretit të tij. Por Efraimi ynë ishte ku e ku mâ formoz, lvizte me nji hir oborrtar që shpesh regjisori ia kritikonte, sepse roli i tij duhet te ishte mâ “proletar”, mâ “brutal”. Kalorsiak dhe erotik,  elegant dhe naiv, i sinqertë deri në tejdukshmëni dhe naiv deri në paurtì, Efraim Gashi u faktorizue mes trupës “SKAMPA”, teatrit mâ të ri shqiptar të asaj kohe, sidashnori për ekscelencë. Mbas teatrit MIGJENI, TEATRIT POPULLOR dhe atij të Korçës, puthja si tabu morale e shoqnisë shqiptare, hypi në skenë edhe në Elbasanin  “fanatik” dhe salla ra mbrendë prej ovacionesh.

Teatri dhe Efraimi me partneren e tij, Artën, po nisnin edhe në ket qytet konservator agun e liberalizmit seksual. Me siguri, Efraimi po bâhej miti i nji qyteti që përveç zgjimit industrial, po fillonte me realizue edhe zgjimin e vet ekzistencial. Dritat e skenës dhe shkëlqimi i pazakontë i rinisë së tij po e lbyrnin qytetin deri në verbim. Qerthulli i ngushtë i qytetit të mbyllun nuk mund ta pranonte njizani ardhjen e nji miti prej mbrenda rropullive të tij. Efraimit i mungonte misteri dhe koka e tij nuk mund të mbante aureolë.

Në nji prej kangëve të mbrame të Iliadës shofim Helenën që mallkon bukurinë e vet si shkak i gjithë asaj lufte, kurse te Fausti Greta pohon se ajo âsht dënue dhe po ekzekutohet për shkak se ishte e bukur. Shoqnitë e mbylluna prodhojnë mjerim shpirtnor dhe shëmtì morale. Sendet e bukura vijnë si pasqyra të mdha dhe paditëse. Teatri âsht nji prej ktyne lloj pasqyrash. Teatri dhe aktorët janë pasqyrat, në të cilat bie ftyra e ligë e shoqnisë dhe amplifikohet. Teatri âsht anmik i së shëmtuemes, aktorët janë e bukura që propozohet, e bukura që shpesh nuk mund të arrihet. Për nji vetndjesi të çuditshme, sigurisht me bazë metafizike, diktaturat nuk e tolerojnë të bukurën, e urrejnë dhe mundohen ta shkatërrojnë.

Mbase intuita ia sjell të bukurën si pasqyrë  ku bie edhe shëmtia e saj, ku bâhet krahasimi dhe ndodh qarku i shkurtë me xixa e me djegie, me shkrumbosje e me kutërbim të ashpër. Diktaturat i tërbon e bukura, sepse ajo i kujton shëmtinë e vetes. Të jesh i bukur në diktaturë, dmth të adhurohesh prej gjithmonë e mâ të shumëve, e , prej se diktatura e lyp për vete adhurimin, dashuninë dhe dobsinë, të bukurit, në formë ose edhe në përmbajtje, i hŷjnë asaj në hise dhe ajo idhnohet fort, egërsohet dhe godet  me  bisht simbas stilit të kulshedrave. Prandej në diktaturë âsht belà me qenë i ri, me qenë i bukur, me qenë beqar, me qenë i preferuem....
 
Arrestimi i aktorit në vitin 1968
E pra, në ket shteg i kishte zanë pusì fati i keq Efraim Gashit në at vit sot të largët të 1968-s, kur duert e tij u puthën me buzët e zeza të prangave dhe jeta e tij u përmbys. Diktatura nuk duronte firo në vëmendje dhe e prangosi aktorin që i ngjante Gérard Philippe-it, në mënyrë që  ajo të ishte  gjithnji mâ e bukura, mâ  rinorja, mâ interesantja, bile ndoshta edhe mâ sensualja. Ndër ne, në mesin e shek.XX po përsëritej si realitet e jo si fiction prralla me të Përhitunën, pasqyrën dhe shtrigën e zezë...

Në atë kohë, kur erdha te prindërit e mi në Elbasan, qyteti vlonte dhe dridhej. Kishin arrestue nji aktor. A e morët vesht? Kanë kapë atë...atë more... si quhet ai aktori që puthej në skenë... etj, etj. Kur e pyeta tim atë, regjisorin e teatrit SKAMPA, se kë kishin kapë, më tha me dhimbje se e kishin marrë Efraimin. Dhe, kshtu, filloi kalvari i tij i marrëdhënieve me shtetin e vet, për të cilin, thuhej, se paskësh folë keq. E, meqë në atë kohë të gjithë na flisnim keq për tê, u ndiem drejtpërsëdrejti të kërcnuem dhe ky kërcnim kishte nji shije të përzieme ndjenjash, ku e idhta mbante parësinë...

Mbasi do ta ketë kalue  Stiksin, pra periudhën e vështirë të hetuesisë, Efraimi kishte mbetë përsëri vetëm dhe, në vegimin e tij mbashetimor, kishte fillue me u shfaqë e tmerrshme hija e teatrit dhe dashunia e tij fatale për tê. Do të ishte ky vetëm hamendsim i imi e jo realitet,nëse nuk do të kishim sot në dorë ketë pjesë teatrore, të cilën Arsa, bija e tij e vetme, thotë se Efraimi e shkroi në burg dhe, kur doli, vetëm sa i dha nji dorë të fundit. (Ky shkrim është parathënia e dramës historike “Mali i Vashës” i aktorit Efraim Shefki Gashi.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë