Pasditen e sotme është mbajtur Ceremonia e Dorëzimit të Flamurit nga Presidenti Bajram Begaj për ekipin shqiptar që do të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore që nisin në 6 shkurt në Cortina të Italisë.

Shqipëria do të përfaqësohet me 4 skiator në lojërat olimpike, të cilët janë Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Në fjalën e tij, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, premtoi dhe u zotua që këtë vit do të kalojë ligji për sponsorizimet në sport. Po ashtu Gonxhe tha se do të vijet në zbatim edhe ligji për lojërat e fatit.

Gonxhja shtoi se qeveria e kryeministrit Edi Rama ishte stopuar disi në mbështetjen e duhur për sportin, për shkak të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Ai premtoi se ky vit, por edhe vitet që do të vijnë, do të jenë me rëndësi për të gjitha sportet në Shqipëri.

“Doja të shprehja një vetëdije të plotë dhe një bindje që e ndajmë të gjithë këtu, që është bërë shumë për Shqipërinë, për rimëkëmbjen e vendit. Kjo ka qenë një dekad shumë e vështirë punësh, ku ne përveç gjithë transformimit që duhet të punonim për të arritur për gjithë vendin, na duhej të përballeshim edhe me dy sfida shumë të mëdha, që ishte ajo e tërmeteve dhe ajo e pandemisë dhe kjo bëri që të kishim një ulje shpejtësie në shumë aspekte, që lidhet me atë energji dhe fuqi që shtetet kanë nevojë për të mbështetur dhe për të bërë për të gjithë ata sektorë, një ndër të cilët është sporti, më shumë. Shumë shtete të tjera kanë qenë me sportin shtyllë kurrizore të tyre.

Por kjo nuk mund të vazhdojë në këtë përpjekje titanike për mbijetesë, por kjo duhet të kalojë tani në atë pikën e kthesës. Prandaj sivjet me lumturinë më të madhe e anonçojmë këtë gjë. Kemi lajmin e mirë që po konsultojmë në publik ligjin e ri të sponsorizimeve, që është shumë i rëndësishëm. Do i hapë një dritare krejt tjetër dhe një mundësi krejt të re për të çliruar ato energji të munguara në favor të sportit. Do të kemi edhe një instrument tjetër, i cili do të jetë një fond special në shërbim të artit, kulturës, sportit. Ne gjithashtu sapo kaluam në qeveri në javët që jemi, aktet nënligjore për lojërat e fatit, që do të bëjnë që të kemi shumë shpejt zbatueshmërinë e një ligji që do të sjellë një divident të sigurt, të menjëhershëm për sportin. Jemi në prag të ditëve shumë të mira”, tha mes të tjerash Gonxhja.

Ndërsa Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në ceremoni, teksa uroi përfaqësuesit në Olimpiadë, tha se shteti duhet t’u kushtojë rëndësi edhe sporteve të tjera, pra jo vetëm Futbollit.

Begaj tha se është bërë një punë e jashtëzakonshme për përfaqësimin e Shqipërisë ndërkombëtarisht, jo vetëm në diplomaci, por edhe në sport.

“Jemi mësuar që të bëjmë shumë tifozllëk dhe nderime për futbollin. Në fakt është një sport më masiv, e meriton, sepse Kombëtarja jonë na ka përfaqësuar denjësisht, por kemi harruar atë që është thelbësore. Janë disa sporte të tjera që kanë më pak mbështetje, por kanë më shumë përkushtim dhe dashuri. Këto sporte, si sporti i skive, i mundjes, apo i peshëngritjes, të cilat janë sporte që duhet të na bëjnë krenar njësoj si futbolli. Kështu që unë mendoj se duhet ta fillojmë me një duartrokitje të fortë për ekipin tonë që do të na përfaqësojë në Olimpiadë. Sot ne jemi mbledhur sëbashku për të përcjellë delegacionin tonë sportiv në lojërat olimpike dimërore, por sot gjithashtu dëshmojmë se ajo që kemi arritur është një ndryshim rrënjësor, një transformim i madh në rrugëtimin tonë kombëtar për përfaqësimin e Shqipërisë ndërkombëtarisht, jo vetëm në diplomaci, por edhe në sport. Dorëzimi i Flamurit sot, nuk është thjesht një akt ceremonial, por një akt solemniteti, force, nderimi e besimi. Në lojërat olimpike të Milanos dhe Kortinës, ju do të përfaqësoni Shqipërinë, vendin tuaj. Do të mbani ambicien e Shqipërisë që po garon me më të mirët, aty ku deri dje ishim thjeshtë vizitor”, tha mes të tjerash Begaj.