Partia dhe shteti duan që të ruhet kufiri. Por ai nuk ruhet tek kloni, nuk ruhet tek vija kufitare. Kufiri ruhet në thellësi, ruhet me zbulim e kundërzbulim, me masa organizative. Këto veprime e bëjnë të panevojshme përdorimin e armës në kufi, sepse duke lënë elementin keqbërës të vijë deri tek kufiri.
Por, mos vallë në mënyrë kategorike nuk do përdoret arma në kufi? Jo. Arma është mjet mbrojtës dhe duhet dhe do të përdoret sipas ligjit dhe rregullave të vendosura. Në se ka ndonjë rast, që komanda jep urdhër të veçantë, kjo nuk do tëthotë të mbyllen sytë, të liberalizohet ruajtja e kufirit, të hapet kufiri. Mundet, për një oportunitet të caktuar të jepet një urdhër, por kjo absolutisht nuk do të thotë “duhen mbyllur sytë.
Edhe për këtë çështje, unë kam dhënë porosi të bëhet ligji kur mund të përdoret arma, sepse edhe në kufi mund të përdoret arma. Pse mund të përdoret? Sepse kur kufitari nuk di, ky që po vjen a është kriminel, a është kontrabandist, a është njeri me drogë, a është diversant, apo është thjesht një njeri që po don të arratiset, apo është ndoshta një i luajtur mendsh, sepse asnjë nuk e ka të shkruajtur në ballë.
Prandaj kufitari sipas rregullave, se ka një rregullore, i thotë “Ndal”, nuk ndalet, mbas rregullores që thotë “duhet të qëllosh, jo ta vrasësh por ta plagosësh”, aty hajde ndaje ti se sa nishanxhi ka qënë, kuptoni. Është shumë e vështirë. Pra edhe mund të ndodhë një incident, dhe kur të qëllon që ky ishte një bari, ose kur ky ishte një djalë i ri, të vjen keq, “si dreqin u vra në kufi ky”, ë?
Se po të vritet ndonjë kriminel, ndonjë diversant, i thua kufitarit “Të lumtë, mirë ja bëre”, ë? Pra, këtë specifikë e ka kufiri, dhe nuk mundet ne të japim një urdhër kategorik, të themi “kurrë nuk qëllohet”. Jo. Por duhet me ligj të përcaktohet qartë, si duhet bërë paralajmërimi, qysh duhet bërë paralajmërimi, etj., etj.
Themelore është që kufirin duhet ta mbrojmë në thellësi, jo në vijë të kufirit. Por, në raste të veçanta, kur për një situatë të caktuar mundet komanda të japë urdhër që mos të përdoret arma, e para kjo nuk do të thotë që kjo parullë të hapet në popull. Se, më erdhi dje sekretari i Sarandës, tha “të tërë populli e ka marrë vesh”. Po, e ka marrë vesh se në Sarandë është thënë. Se nuk besoj Komandanti i kufirit t’i thotë tërë popullit të Sarandës “O popull i Sarandës, kam dhënë urdhër të mos qëllohet”.
As nuk besoj që shefi i sigurimit të Sarandës ka thënë aty “o popull”, ë? Nuk besoj, s’ka logjikë. Po atëhere, kush e ka thënë? Po ja, kshtu e ashtu, e mora vesh nga erdhi ky urdhër, e mora vesh ... dhe ja, ato thash e themet fillojnë e dalin që nga ne, atë që tha Hajredini, kuptoni, ë?
Por, e kisha fjalën këtu që këto absolutisht veç nuk duhet të çojnë në liberalizimin e punës tonë. Ligjet, rregullat, urdhrat të zbatohen, por gjithmonë duke patur kujdes që çështja e mbrojtjes së kufive është një nga detyrat tona themelore.
Pra, shokë, si konkluzion i kësaj, duhet të kemi parasysh që qoftë sigurimi i shtetit, qoftë policia, qoftë kufiri, kanë punë, e punë shumë të madhe. Kërkohet një punë e kualifikuar, bile shumë më e kualifikuar nga deri tani. Kërkohet vendosmëri, kërkohet shkathtësi.
Situatat e sotme janë të tilla, që nga secili nga ne kërkohet të punojmë më me energji, kërkohet të punohet më me mend. Duhet të respektojmë ligjet, të respektojmë rregulloret, të respektojmë të drejtat e qytetarit, të respektojmë normat e Partisë, por, mbi të tëra na duhet të mbrojmë lirinë, pavarësinë e Atdheut. Në shërbim të lirisë e të mbrojtjes së atdheut e të socializmit duhet të vëmë të tërë energjitë tona.
Dhe në këtë konteks t’i kuptojmë drejt edhe direktivat e ndryshme të Partisë, edhe ligjet e shtetit dhe lidhur me këto të shikojmë ndryshimet që duhet të bëjmë në punën tonë. Ndryshime jo për t’u lehtësuar, të jemi të bindur për këtë që asgjë nuk lehtëson punën tonë, përkundrazi e komplikon, e rëndon, e bën më të sofistikuar, n.q.s. mund ta bëjmë të sofistikuar.
Pra asnjë nga ligjet, asnjë nga vendimet, nuk i ka heq atributet sigurimit të shtetit, as policisë, as kufirit, por i ka shtuar. I ka shtuar sepse kërkon që këto atribute që kishte deri tani, po ato ka, por në mënyrë më të rafinuar, më të përpunuar, më të kualifikuar. Kjo është edhe vështirësia juaj. Dhe në qoftë se do të thonim, që e thashë atë “boshllëkun” që u gjet, ish pikërisht ky ishte boshllëku që u gjeti puna e armikut.
Dhe jo vetëm sigurimin, këtu e gjeti dhe Partinë, se e gjeti në këtë fazë tranzicioni të interpretimit dhe të ndërtimit të punës së vet mbi bazën e këtyre vendimeve. Pra, pa e marrë si duhet këtë kurs të veprimtarisë së vet, u fut në mes puna e armikut dhe e gjeti bosh edhe Partinë, edhe organet e sigurimit. Këtë boshllëk ne duhet ta plotësojmë menjëherë.
Prandaj ju thashë në fillim, nuk ka kohë për të bërë analiza e stëranaliza. Këtu duhet të punojë mendja si të ndërtohet, si të veprohet me energji, me shpejtësi për të patur situatën nën kontroll.
Sigurisht, armiku nuk shfytëzoi vetëm këto dobësi në punën e Partisë ose të organeve të sigurimit, dhe nuk shfrytëzoi vetëm këtë boshllëk që u gjend nga kalimi nga këto ligjet e nga vendimet e ndryshme të Partisë një praktikë pune që t’i përshtatesh kohës, por shfrytëzoi edhe disa mungesa të tjera tonat, p.sh. shfrytëzoi vështirësitë në informacion, që u fol këtu.
Dhe kjo është shumë e vërtetë. Neve në informacion jemi jashtëzakonisht dobët. Hajredini me të drejtë kritikon që nga lart, që nga Komiteti Qendror i Partisë, d.m.th. nga ana e Komitetit Qendror të Partisë mungon informacioni për poshtë, se mungon edhe nga poshtë deri lart. Për ç’arsye mungon?
Është ndoshta edhe ajo arsye që tha ai, ka një shtresë ozoni që është krijuar që nuk filtrojnë informacionet, vijnë deri në një farë niveli, pastaj më lart nuk shkojnë.
Pra, është e domosdoshme që të përpunohet më mirë ky, sistemi i informacionit. Por, këtu ka një gjë, duhet të pranojmë hapur, kjo është edhe një sëmundje e vjetër jona. Kur them “e jona” them një sëmundje e vjetër e Partisë edhe e shtetit tonë. P.sh., ju e dini, ka një urdhëresë të Këshillit të Ministrave, është disa faqe, çfarë quhet “sekret”. Po ta shihni atë me vëmendje, çdo gjë është “sekret”, çdo gjë, edhe sa pula ka në kooperativë është “sekret”, edhe sa është vlera e ditës së punës është “sekret”. E, në qoftë se e konceptojmë jetën kështu, që çdo gjë është sekret, nuk ka informacion.
Kurse unë mendoj që informacioni duhet të jetë shumë më i gjerë. Sekreti shtetëror është një gjë tjetër. Por, çdo ndodhi, që bën vaki tek neve duhet të bëhet e njohur, sepse mbi të thuren sa të doni legjenda. “40 veta janë vrarë e janë varrosur në Malin me Gropa”, më thanë ata, kur u mblodha me ato të inteligjencës. “Po juve, i besuat?” i thashë. “Jo”, thanë, “nuk i besuam” (flet me tallje) (qeshin).
“E”, i thashë, “Jo, besojeni, besojeni, por juve s’e dini ku është Mali me Gropa, se po ta dini, ai tërë gropa është dhe jo 40, por aty mund të futen edhe 40 mijë, dhe këto “fluturon gomari” mos i besoni.
“E nejse, ne s’i besojmë, por pse nuk thuhen gjërat”. Kishin të drejtë. Do ti, një të mbaruar atë mbledhjen, më thotë Hekurani, në telefon, sa e mbarova, “në Skrapar, ka ndodhur kështu, kështu, një ushtar vrau 2-3 veta e se çfarë vrau. Më në fund fshatarët e Skraparit e rrethuan dhe e vranë”. Ja populli, ë? E shikon ti? D.m.th. populli, kur është çështja për të mbrojtur interesat e Atdheut, ta kërcet!
Ai, është brenda ligjit ai, e di ai se është vrasës! Por edhe unë i thashë Hekuranit, “po mirë, o Hekuran, pse e mbani sekret? Çfarë të keqe ka këtu? Se kjo do thuret tani. Vrau 30 veta! U ngrit një repart i tërë në këmbë, edhe sulmuan Çorovodën.
Hekuran Isai (?): U bë luftë.
R. Alia: U bë luftë, më në fund, etj., etj. Pse i duhet lënë shteg këtyre gjërave. Po si të bëjmë?! Po, fundi i fundit, gazeta e Çorovodës nuk e boton dot?! E ç;u bë, që një ushtar lojti mendsh, në një krizë ashtu, vrau një, dy, tre, e rrethuan fshatarët, e vranë, tungjatjeta! Edhe këtë lajm, ta botojë edhe gazeta Adriatiku që ta marri vesh edhe familja e tij. Edhe mbaron, s’ka thashetheme.
Shiko, nga kjo anë, duhet të mësojmë një çikë nga të tjerët. Nuk e di a e lexuat, (mbasi s’i lexoni të tëra, por tani radjot i dëgjoni të tërë kjo dihet), po s’besoj tek _____ e ashtu) po lexoja një njoftim nga Kosova.
E jepte ______ dhe _______ thoshte që “Dy veta, dy shqiptarë, me maqinë desh shtypën një polic. Polici ishte serb, dhe polici serb për t’u mbrojtur qëlloi dhe plagosi rëndë filanin, i cili u çua në spital dhe atje vdiq”. Nga hetimet që bëri ajo drejtoria e milicisë së tyre rezultoi që polici ka zbatuar rregullat, se në bazë të rregullave, etj., etj., u gjend përpara rrezikut të jetës, u plagos dhe ky ka shkuar më spital, qëlloi, u vra, në rregull, informacion, ë?
Por, thotë, dhe vazhdon ______, “Partia Demokratike (apo ç’është ajo), Alternativa Demokratike e Kosovës, në të kundërtën, nëpërmjet zëdhënësit të vet, filanit, deklaroi që ky ishte një sulm kundër shqiptarëve, që polici duke abuzuar mbi detyrën e vet qëlloi e vrau këtë. Edhe jep versionin e tij.
Kaq, pikë. D.m.th. shiko, duke dhënë këtë lajm, ata e vranë shqiptarin, e vranë. E rregulluan lajmin në një mënyrë të tillë, opinionit ja thanë, i tha edhe atë ç’tha milicia, tha edhe ç’thotë “Alternativa”. Ti milet, beso kë të duash, por në fund të fundit, fjala bëhet për Azis Islamin, ë? Nuk bëhet fjala për 100 veta, ë? Për një!
Prandaj, me këtë s’dua të them si bëjnë ata, të kuptohemi, por problem ka disa gjëra që...
Hekuran Isai (?): Përmbyset maqina, vriten 20 vetë!
Ramiz Alia: Po le të përmbyset, (kur thotë ky) një maqinë, vriten njerëz, ne nuk e themi. Pse lëmë kot, pse lëmë kot që të bëhet gjurulldi. Ja, na ndodhi aksidenti me helikopterët, ë? E shpallëm – u sqarua tërë opinioni i popullit!
Hekuran Isai: Po, u sqaruan.
R. Alia: Po mirë, po n.q.s. nuk do ta shpallnim, të jeni të bindur që do të dilte: E para, gabuan pilotët; e dyta, kush dha urdhërin që të nisen në atë kohë të keqe ato duhen dënuar sepse është sabotim; e treta, “çfarë helikopterësh kemi ne mor vëlla, ne kemi teknike të keqe, të mbytur. Ato sa ngrihen menjëherë bien, ja, ranë! E kuptoni? Pra kjo teknika luftarako ajrore s’vlen një grosh”.
Sa të doni, parulla të tilla do të hapeshin. Ne e dhamë zyrtarisht, si ndodhi e qysh ndodhi, dhe në popull pati një qartësi, s’pati asnjë thash e them edhe asnjë fjalë, asgjë.
Pra, e kisha këtu fjalën, shokë, që armiku shfrytëzoi ngathtësinë tonë në informacion dhe e shfrytëzon edhe sot e kësaj dite, se ne nuk jemi mësuar që të japim informacion. Se thashë, edhe ligje kemi bërë ose urdhëresa të qeverisë, që çdo gjë është sekret. Kjo është sekret, kjo është sekret, kjo është sekret, kjo është sekret. Ç’do me thënë kjo është sekret? Domethënë, mos jepni gjë! Kurse nuk është e udhës, por veç, duhet të jemi të shpejtë.
Prandaj, këto drejtime të gjitha që thashë, duhet të punojmë edhe duhet t’i ndreqim. Unë fola për anët negative të punës deri tani, për mësimet që duhet të nxjerrim, sepse ajo edhe na preokupon, por, në të keqen, ka edhe të mira. Edhe ktë të mos e harrojmë. Përvoja e 2 korrikut tregoi edhe një gjë shumë të mirë, tregoi që kuadrot tona, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe të organeve të punëve të brëndëshme, si dhe oficerët e ushtrisëm inteligjenca dhe të tjerë, ishin të lidhur ngushtë me Partinë dhe me pushtetin.
Pra, kjo tregoi dhe që i kemi njerzit besnikë, që kemi njerëz të devotshëm për çeshtjen e popullit, për çështjen e Partisë, tërë punonjësit e organeve të punëve të brëndshme e të policisë, të sigurimit, të kufirit etj., etj., se nuk pati asnjë që të ketë si të thuash, të bënte ndonjë gabim në këtë situatë. Kjo është një gjë e madhe. Kjo tregon forcën tonë.
Dhe kjo jo vetëm na gëzon, por kjo na inkurajon që të hidhemi ne në sulm. Në qoftëse armiku na sulmoi, tani e kemi ne radhën të kundërsulmojmë. Dhe duhet ne tani, të ngremë peshë masat kundër armikut të huaj dhe kundër atyre që duan të na rrëmbejnë fitoret e popullit, të pushtetit e socializmit.
Këto fitore ne duhet t’i mbrojmë dhe do t’i mbrojmë me të tëra forcat tona,dhe për t’i mbrojtur, po të jetë nevoja do godasim fort dhe fort mbi armiqtë. Pasivë nuk do qëndrojmë. Këtu është edhe puna, që kërkojmë të ghallërohet puna e organeve të sigurimit, të ghallërohet në një mënyrë revolucionare.
Prandaj, nuk ka arsye që të jenë njerëzit tonë si, si të thuash nën peshën e ndonjë ngjarjeje që rëndon, përkundrazi, duhen ngritur shpirtërat, forcat e njerzve, të hidhemi neve në sulm. Po të hidhemi në sulm duke pasë për bazë gjithmonë ligjet edhe duke shikuar me kujdes interesat e popullit, interesat e pushtetit, interesat e socializmit.
Unë mendoj që, nga kjo pikpamje shokë, organet e punëve të brendëshme duhet ta marrin veten shpejt, shumë shpejt. Prandaj ju thashë në fillim, e përsëris prapë, nuk ka kohë për analiza të mëdha. Çështja është për të mobilizuar punët mirë. Duhen ndërtuar punët mirë, qoftë ajo zbuluese, qoftë ajo e informacionit, që të jetë shumë e shpejtë. Sigurimi i ahtetit, policia, kufiri, zbulimi, të gjithë duhet të jenë në lëvizje në mënyrë që t’u dalim pë t’u dalim përpara të papriturave. Të mos rrijmë në rolin e zjarrfikësit, ku bie zjarr të shkojmë ta shuajmë. Jo! Përkundrazi t’i dalim përpara.
Thashethemet të mos na hutojnë, se kanë filluar të hutohen edhe njerzit.”Uu, çdo të bëhet në shtator”! Çfarë do bëhet në shtator? Pse vijnë studentët? Pse? Reaksioni kujton se studentët janë kontigjent i tyre. Jo! Studentët janë tonët! “Në shtator do bëhet, po do bëhet gjurulldia!”. Mbi kokat e armiqve – kjo do bëhet! Këtë duhet të themi ne, jo, “u ç’do bëhet”. Po, po, do bëhet, por do bëhet mbi “ju”, d.m.th. mbi ata që do të guxojnë të ngrenë dorë kundër pushtetit, kundër Partisë, kundër socializmit. Prandaj mos të rrijmë pasivë.
Studentët janë një kontigjent i madh i joni, janë një mbështetje e madhe e partisë. Të nisim me këtë mendim, dhe me këtë mendim të luftojmë armiqtë, parullat e tyre, thashethemet e tyre dhe të ngremë moralin e njerzve tonë, jo kot formalisht, por është realiteti. Po ju e dini si i zgjedhim. N.q.s. ka kontigjent të zgjedhur nga ne – janë studentët. Kështu, me pikatore i zgjedhim nga çdo pikpamje.
Por edhe faktet treguan, asnjë student s’pati që të iki. Prandaj, nëqoftëse hidhemi ne në sulm, armikut “vrima e miut një mijë grosh!”. Këtë mos e harroni. Nëqoftëse dalim ne në fushën e betejës, armiku s’gjen vrimë ku të futet. Prandaj këtë kërkojmë sot nga çdo komunist, nga çdo patriot, nga çdo luftëtar dhe veçanërisht nga organet e specializuara, siç është Ministria e Punëve të brëndëshme, siç janë organet e kufirit, të sigurimit, të policisë, e kështu me radhë.
Krahas kësaj natyrisht duhet të forcojmë ekonominë, dhe këtu synojnë siç thashë, vendimet e plenumeve të Komitetit Qendror, këtu synojnë edhe marrëdhëniet me jashtë. Flas për ato mardhënie ekonomike të cilat do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë sa më shumë për ta ngritur nivelin e ekonomisë të vendit tonë.
Duhet patur parasysh një gjë, që kushtet e zhvillimit tonë na detyrojnë edhe të bashkëpunojmë me forma të huaja. Natyrisht, ne do të përpiqemi në radhë të parë të bashkëpunojmë me forma shqiptare, me shqiptarët që janë jashtë. Por, na intereson që të bashkëpunojmë edhe me firma të huaja, sepse raportet ndërkombëtare kanë ndryshuar shumë.
Tani forma e kredive të vjetra ka marrë fund, s’të jep njeri më kredi, edhe s’është më ajo kohë. Tani, çdo gjë është ndërtuar mbi bazën e interesave. Ja, siç qe ai njoftimi që dhamë për çështjen e naftës. Kërkime në naftë, në det neve edhe për 20 vjet, s’jemi në gjendje të bëjmë. Por ne kemi nevojë të shfrytëzojmë atë pasuri.
Por, shfrytëzimi i asaj pasurie nuk mund të bëhet pa rakorduar interesat tona me interesat e partnerit që kërkon. Se ai i kërkon, po s’gjeta, thotë, asnjë shpenzim s’duapër vete, po gjeta, është logjike, po gjeta dua edhe unë pjesë në fitim. Dhe duhen vendosur raporte, sa do të fitojmë ne, sa do të fitojë ai, dhe me siguri do të fitojë.
Po çdo të thotë do të fitojë? Do të thotë, d.m.th. edhe ai do të marri një përqindje të sasisë të fitimit të naftës.
Tani, ta pranojmë apo të mos e pranojmë. E kemi diskutuar një vit të tërë këtë muhabet, ta pranojmë, të mos e pranojmë, herë e pranojmë, herë s’e pranojmë. Kuptoni? Dhe kështu e kemi shtyrë. Por, më në fund vendosëm ta pranojmë. Duke marrë parasysh perspektivën e mundësive tona për të çpuar në det, jemi të detyruar ta pranojmë.
Të detyruar! S’na bën kush, por është një pasuri që na intereson. Se në fund të fundit, neve do të marrim si shtet drejtpërsëdrejti nga sasia e naftës që del 10% të saj si taksë, d.m.th. nga pikpamja e shtetit. Pastaj, nga ajo që mbetet do të hiqen shpenzimet.
Shpenzimet mund të jenë të tyret dhe tonat, se do të punojnë puntorët tonë, edhe energjia elektrike jona etj., etj., të tëra shpenzimet do të hiqen mënjanë, pjesa që mbetet do të ndahet, (për palën tonë më vete) nga 80% që merr pala shqiptare, deri në 60% sipas nivelit të sasisë së prodhimit. D.m.th., kjo është pak a shumë ideja. Tani, të mbetemi pa 80 përqindshin?
Zëra, reagime: ...............
R. Alia: Eh! Po 80, edhe 10 marrim si taks na vete rreth 90%, kuptoni?! Prandaj, nga kjo pikpamje ne e gjykuam që është në interesin tonë. Natyrisht, këto do të nxjerrin problemet e veta, ë? Sigurisht në atë kontratën, ne parashikojmë që kjo firmë e huaj në fillim do ketë vetëm disa specialistë, 10 specialistë, 12 specialistë maksimumi, kurse në kohën e shfrytëzimit, kjo sasi njerëzish mund të vejë deri në 20 veta.
Tani, çdo të bëhet me këto 20 veta, si do të bëhet me këto 20 veta, pastaj fillon sektori juaj, kuptoni, ë? Po mirë, po a do t’i dali dot ai sektor atje, ajo drejtoria e dytë atje? Ja, e shikoni që del një detyrë tjetër! Del një nevojë e riorganizimit, e një fushe të re veprimtarie, të cilës duhet t’i përgjigjen organet e sigurimit. N.q.s. nuk fillojmë e mendojmë që tani, prapë do të gjendemi zbuluar. E kuptoni? Ja, kjo është që duhet.
Hekuran Isai: T’i paraprijmë.
R. Alia: T’i dalësh përpara punëve, që n.q.s. do të organizohet ajo, si do të organizojmë edhe ne. Bën hesap, më pyeti një dje në shokët e ushtrisë, “si do të funksionojnë organizatat bazë të Partisë, në këto ndërmarrje”. I thashë, për nder, s’e kemi menduar akoma këtë gjë (qesh).
Zëra: ...........
R. Alia: Po mirë, xhanëm, shiko, çdo gjë lejohet, mos u shqetësoni! Për të pyetur, çdo gjë njeriu mund të pyesi, se s’është keq të pyesësh. Dhe në fakt ai kishte të drejtë, se ai e kishte hallin, mos vallë duke bërë këtë, s’do ketë organizatë partie fare? Jo, ne do kemi, se ja, edhe në Elbasan, p.sh., punojnë specialistë të huaj, e megjithatë, organizata e Partisë, është; sa e bën punën është tjetër, por aty e ke organizatën.
Pra, qëllimi i këtyre marrëdhënieve, ja, kjo është, që të mundet t’i japim një frymëmarrje dhe mundësi zhvillimi ekonomisë tonë, duke ruajtur parimet themelore të ndërtimit socialist, parimet themelore të zhvillimit tonë. Nga ana e politikës së jashtme, ka synuar e synon politika jonë që të rrisim autoritetin ndërkombëtar të vendit. Çfarë po bëjmë në këtë fushë?
I thanë shokët, i dini ato vendimet e plenumit të 10-të, po përpiqemi të vëmë në vend, por, duhet thënë që aktualisht, ka një farë presioni politik mbi vendin tonë. Jo vetëm presion ekonomik, por edhe presion politik. Dhe është e lidhur pikërisht me atë ngjarjen e 2 korrikut, sepse ajo dyndje që u bë në ambasadat tona, nuk ishte e favorshme për imazhin politik të Shqipërisë. Përkundrazi, ishte e disfavorshme për imazhin politik të Partisë.
Dhe ja, këtu del prapë një çështje e madhe. Kujt i interesonin ato ngjarje? Kujt i interesonte që të frenohej imazhi politik mbi Shqipërinë? Kjo është një çështje, një pikpyetje e madhe, që mbetet për ta zbuluar, por për ta zbuluar me fakte. Nuk mjafton të themi “të huajt: Të huajt” po! Po brenda? Kush ishin ato forca brenda që ishin të interesuar që të frenohej ky zhvillim i vendit tonë, ky imazh i Shqipërisë? Mua nuk ma merr mendja që kjo është vetëm punë e atyre, thuaj...
Zë: Ambasadave.
R. Alia: Jo, e ambasadave po e po, por nuk është as e atyre që u futën në ambasada, d.m.th. të atyre njerëzve të çoroditur, njerëz pa moral, pa ashtu, që ishin të papunë një pjesë, të burgosur ish një pjesë e tyre! Por, ka edhe forca të tjera.
Sidoqoftë, duhet thënë, thashë, që ka tani një farë rënie në këtë drejtim. Natyrisht, ne do të punojmë. Dhe këtu është edhe detyra e diplomacisë sonë, që të veprojë për të ngritur autoritetin ndërkombëtar të vendit dhe do të ecim në këtë rrugë, në atë rrugë që kemi përcaktuar në vendimet e plenumeve të Komitetit Qendror.
Qarkullojnë parullat, “pse u lidhën mardhënie me Bashkimin Sovjetik e nuk u lidhën edhe me Amerikën, mos vallë ka edhe nostalgji për çështjen e Bashkimit Sovjetik?”.
Nuk ka asnjë nostalgji, se bashkë u bënë ato të dyja, në daç për Bashkimin Sovjetik, në daç për atë. Por, sovjetikët u interesuan më shpejt. Ne vumë në dijeni edhe amerikanët, që shiko se “Sovjetikët kanë propozuar bisedime. Do të zhvillojmë edhe bashkë bisedime?”. Kemi filluar dhe me amerikanët, pastaj amerikanët lanë një takim të dytë, ndërkohë që lamë ne edhe takimin e dytë me sovjetikët. Sovjetikët e përfunduan, amerikanët, për arsye pikërisht të këtyre ngjarjeve të 2 korrikut, thanë “ta lemë një çikë më vonë ne takimin”, jo në atë kohë që e kishim lënë.
Kështu që shtyrja është bërë nga amerikanët dhe jo nga ne. Pra, nuk ka punë nostalgjie këtu, por ka punë presionesh, që janë presione politike që bënë këto. Kjo është pak a shumë situata në plan të jashtëm. Përsa i përket Tregut të Përbashkët, dhe Sigurimit Evropian, aty jemi! Akoma Tregu i Përbashkët gjithashtu pas kësaj, 2 korrikut, i ka frenuar marrëdhëniet me ne.
Përsa i përket asaj të Konferencës së Tregut Evropjan, siç e keni parë, e pranojnë vendin tonë si vëzhgues. Por është kërkesa dhe e jona si vëzhgues, duke marrë parasysh, se mjaft nga vendimet që parashikon kjo Konferencë e Sigurimit Evropian, bie në kundërshtim me disa ligjet tonat, ose kërkojnë ndryshime në ligjet tona, për të cilat ne nuk jemi, si të thuash, të bindur dhe nuk jemi dakord që duhen bërë ndryshime, sepse ndryshime të atilla që mund të kërkonte ajo, mundet të prekin çështjen e sovranitetit. Dhe ne këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë.
Prandaj, o do të pranohemi duke patur parasysh dhe duke respektuar këto norma e këto ligje që kemi ne, ose ndryshe, do vazhdojmë vëzhgues. N.q.s. s’duan, atëhere le të jenë ata që të na thonë që s’ju pranojmë edhe vëzhgues, mos të thonë që Shqipëria nuk don. Neve mund të qëndrojmë vëzhgues, dhe s’na prish ndonjë gjë. Tani, në këto kushte, shokë, përpara Partisë, përpara organeve të ndryshme shtrohet çështja të forcojmë punën e Partisë, punën bindëse, punën sqaruese. Shtrohet çështja që çdo komunist dhe çdo punonjës të reagojë ndaj thashethemeve, ndaj parullave të armiqve, të mos biem viktima të tyre. Se po i kthehem edhe një herë: nuk është ajo çështje, parulla që u hap gjoja për 40 të vrarët, që qenkan varrosur në Malin me Gropa, nuk është çeshtja siç e paraqitën.
Këtu fshihet, ose bëhet analogji me ato varret masive që po zbulohen gjoja në Republikën Demokratike Gjermane e vende të tjera. Me një fjalë, me një fjalë, që është bërë kërdia, dhe krime të mëdha ka bërë ky pushtet, kaq sa varret janë masive! E kuptoni? Tani thuhet, që demek, u vranë këtu, kto ditë dhe janë varrosur atje, por ideja është tjetër: Është të zbulohet ku ka varre masive në Shqipëri? Pra, kush janë kriminelët që i kanë vrarë këta, sigurimi i shtetit? Pra të hedhin, si të thuash, dyshim mbi një organizëm të tërë. Partia, pushteti? E kuptoni? Këtu shkon ideja e këtyre armiqve.
Prandaj edhe duhet mos me ra viktima të këtyre, por duhet kundërshtuar dhe Partia duhet të jetë e zgjuar në luftimin kundër këtyre lloj parullave. Së fundi, çështja që kërkohet nga shokët është forcimi i unitetit; forcimi i unitetit të Partisë, forcimi i unitetit rreth Partisë, duke patur parasysh që armiqtë shpifin. Shpifin sepse e dinë që vetëm duke çarë popullin, duke çarë kombin, mundet të fitojnë kundër Shqipërisë Socialiste. Tek ne, e kundërta, uniteti ke qënë dhe është forca jonë. Uniteti në Partinë tonë ekziston dhe është i çeliktë.
Në Komitetin Qendror të Partisë, po ua them zyrtarisht, që është uniteti çelik. Nuk ka asnjë antar të Komitetit Qendror të partisë që të jetë në kundërshtim me vijën, me pikpamjet, me vendimet që kemi marrë. Përkundrazi, të gjithë antarët e Komitetit Qendror të partisë, një për një, janë dakord dhe luftojnë për zbatimin e vendimeve të Komitetit Qendror të Partisë. Neve kemi një rregull që në Komitetin Qendror të Partisë nuk i marrim vendimet kështu “A jeni dakord? Po jemi dakord”, por një për një: “Për këtë çështje, a jeni dakord të vendosim kështu? – Jemi dakord”, “Për këtë gjë, a jeni dakord të bëjmë kështu? Për këtë tjetrën, a do bëjmë kështu?”, d.m.th. një për një të tëra pikat e vendimeve i diskutojmë, biem dakord të tërë, diskutojmë kur kemi për të diskutuar për ndonjë çështje.
Por kur marrim vendimet, i marrim dhe janë marrë të tëra vendimet e Komitetit Qendror në unanimitet. Prandaj, nga kjo pikpamje, çdo shpifje e armiqve është pa vlerë, ka për qëllim të ngjallë mjegull dhe dyshime në rolin udhëheqës dhe në unitetin e Partisë, sepse e dinë që uniteti është forca jonë.
Këto gjëra kisha, shokë!Ne e shikojmë të ardhmen me besim dhe me optimizëm. Situatat, sigurisht, i ndjekim me vigjilencë të madhe dhe duhet t’i ndjekim me vigjilencë, veçanërisht n.q.s. kemi parasysh jo vetëm ngjarjet tani në Lindjen e Mesme, por veçanërisht po të kemi parasysh ngjarjet në Kosovë dhe në kufirin me Greqinë.
Nuk janë situata të qeta. Kosova është përpara një situate tepër të vështirë, por gjëndet edhe përpara një provokacioni të madh që po thurin serbët, të cilët kanë synim që të bëjnë gjakderdhje në Kosovë. Në qoftë se i futen kësaj rruge, kjo do të ishte më shumë rreziqe për vetë Kosovën dhe Jugosllavinë, por edhe për vendin tonë, por edhe për paqen në Ballkan. Prandaj ne na duhet të jemi shumë vigjilentë. Nuk varen nga ne zhvillimet në Kosovë, varen nga populli i Kosovës, varen nga veprimtaria e serbëve.
Por nga ne, varet qëndrimi që do mbrojmë në kufi, vigjilenca që duhet të tregojmë në kufirin verior, sepse mund të gjendemi përpara të papriturash dhe të papriturave duhet t’i dalim përpara. Duhet t’i mendojmë më përpara, të shkojmë në mendje të gjitha variantet të cilave duhet t’i bëjmë ballë me sukses. Por, po e njëjta gjë duhet të shikohet me kujdes nga ju, sepse çdo veprim i reaksionit në Veri, medoemos do të nxisi orekset në Jug. Orekset në Jug mund të nxiten jo vetëm nga ana e grekëve, por mundet të vihen në lëvizje edhe forcat e minoritetit. Kur them forcat e minoritetit, shokët e Gjirokastrës dhe të sarandës të kenë kujdes. Minoriteti është i lidhur ngushtë me pushtetin tonë. Nuk duhet parë minoriteti, sikur është një shtresë ose një pjesë popullsie jashtë trupit tonë.
Jo. Minoriteti është pjesë e trupit tonë, është i lidhur me pushtetin. Po, “ka elementë të këqinj atje”, po pse në Shkodër nuk ka elementë të këqij, po pse, në Korçë nuk ka të tillë? Pse në Tiranë s’ka të tillë? Po në Dibër nuk ka? 70 veta janë arratisur gjatë këtij viti në Sarandë, kështu? Pa pyete atë kolegun tënd të Shkodrës, pyete, do të thotë ai sa, më shumë i kanë ikur atij. Pra, nuk është e vërtetë që gjendja në minoritetet është më keq, nuk është kështu. E them këtë, shokë, mos të nisemi me paragjykime, se paragjykimi është i rrezikshëm. Paragjykimi ruan një popullsi të tërë, dhe athere lind ajo ideja, “ta mbuloj sa ta kem në dorë”, dhe atherë bëhen gabimet.
Prandaj, gjendjen ne nuk e shikojmë me pesimizëm, e shikojmë me optimizëm. Vigjilencë duhet të ketë, sepse situatat janë të rrezikshme. Dhe thashë, që arimu nga veriu, mund të ngrejë veshët dhe reaksionji grek nga jugu, i cili pa dyshim do të përgjigjet të gjejë dhe aktivizojë bazat e veta në minoritet, ashtu si edhe ktej nga veriu do përpiqet të aktivizojë bazat e veta në Shkodër, në Kukës, në Dibër, në Tropojë, e jo vetëm këtej, por edhe në Durrës e në Kavajë, që të mos them edhe në Tiranë. Prandaj, vigjilencë duhet, por optimizëm duhet të ketë.
Duhet të kemi, sepse mundësitë e zhvillimit tonë ekzistojnë. Ne jemi një vend që kemi resurse, kemi mundësi zhvillimi të mëdha, popullin e kemi top të bashkuar. Prandaj edhe të luftojmë të tërë me iniciativë, me vendosmëri dhe kurdoherë të mbajmë parasysh që mbi lirinë, mbi pavarësinë, mbi socializmin, as kemi vënë as do të vemë asgjë. Këto kisha. Ju uroj suksese të gjithëve në punë.
Edhe filloni menjëherë, me vrull të madh, atë, forcimin, përmirësimin e punës, ndërtimin e punës tuaj që me të vërtetë organet tona të punëve të brendshme të jenë në ballë të luftës, ashtu siç u duhet, siç u përket, siç i kërkon, siç i do Partia t’i ketë.
Hekuran Isai: Sh. Ramiz, ardhja juaj dot këtu dhe problemet e rëndësishme që na shtruat janë një ndihmë e madhe dhe në kohën e duhur për ne, që të reflektojmë më thellë, ashtu siç thatë ju në materialet e plenumeve të fundit dhe fjalimet tuaja për probleme të rëndësishme.
Kritikat e drejta që na bën Partia, bëjnë të mundur që ne si Ministri e Punëve të Brëndëshme, të gjejmë dhe të ndreqim gabimet tona të cilat bëhen shkak që ne të mos jemi në rolin e duhur në ngjarjet që kanë ndodhur. Unë, duke parë përpjekjet e të gjithë shokëve, për të gjetur më ________ e punës sonë në situatën e tanishme, ju them me bindje, që do të vëmë të gjitha forcat tona në metodë dhe në të gjitha forcat tona në metodë dhe në stil në mobilizim, për të parandaluar dhe për të përballuar ato probleme për të cilat jemi ngarkuar nga Partia, dhe Partia do të na ketë gjithnjë në vijën e parë të luftës.
Ne do të bëjmë siç na porositët, që duke punuar të reflektojmë dhe të veprojmë pa pritur. Ne do të marrim të gjitha masat që fryma e këtyre porosive të përshkojë gjithë organizmin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, nga qendra dhe në bazë. Dhe ne këtë do ta bëjmë, se kemi Partinë tonë që na udhëheq, Komitetin Qendror dhe ju kemi ju shoku Ramiz, që na udhëhiqni.
R. Alia: Mirupafshim.
[gallery]23472[/gallery]
Redakisa Online
D.T/Shqiptarja.com