Dje, për herë të parë, doli në skenë një nga organizatorët e protestës, i cili deri tani kishte mbetur në hije. Bëhet fjalë për Dritan Goxhajn, një figurë komplekse që ka luftuar fillimisht në Kosovë dhe më pas në Luginën e Preshevës si patriot shqiptar kundër serbëve. Një histori personale që shpjegon, të paktën pjesërisht, praninë masive të protestuesve të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Goxhaj ka punuar për disa vite si specialist i sigurisë ajrore pranë Autoritetit të Aviacionit Civil në Tiranë, por në shtator të vitit 2017 u pushua nga puna nga Belinda Balluku pasi botoi shkrimin “Aviacioni Civil, si bahçe private”. Largimi i tij u justifikua me motivacionin: “Ke thyer etikën zyrtare”. Që prej asaj kohe, megjithëse është ankuar disa herë në gjykatë, nuk ka arritur të fitojë të drejtën për t’u rikthyer në punë. Kjo mund të shpjegojë edhe pakënaqësinë e tij personale ndaj Ballukut dhe ndaj qeverisë.
Në shumë artikuj të publikuar në faqen e tij në Facebook, por edhe në një sërë ndërhyrjesh si analist në televizione, Dritan Goxhaj është pozicionuar hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtetit të Izraelit për luftërat në Gaza, Iran dhe Liban, duke shprehur mbështetje për kundërpërgjigjet e armatosura të Iranit dhe Hezbollahut. Kjo zbulon qartë pozicionimin e tij politik dhe disa tone ekstremiste që, të paktën në pamje të parë, kanë edhe sfond fetar.
Por surpriza e vërtetë është të zbulosh projektin politik që Dritan Goxhaj ka për Shqipërinë, të publikuar prej tij dhe të konfirmuar pjesërisht edhe në listën e kërkesave të lexuar mbrëmë në bulevard, por që vetëm pjesërisht zbulon detajet e utopisë së tij. Sepse pikërisht për një utopi bëhet fjalë.
Nuk e dimë ende nëse Dritan Goxhaj përfaqëson vërtet vullnetin e organizatorëve të protestës – të cilët askush ende nuk i njeh plotësisht – por ajo që ai kërkon nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Ai synon një çmontim të sistemit aktual dhe një rindërtim të plotë të shtetit sipas modelit të Athinës së lashtë, e cila përdorte shortin popullor për përzgjedhjen e qeveritarëve.
Ne publikojmë sot planin e Dritan Goxhajt, i cili shpjegon pse ai nuk ka ndërmend të negociojë me Edi Ramën dhe pse nuk dëshiron të themelojë asnjë parti politike: thjesht sepse dëshiron të shkatërrojë sistemin ekzistues dhe të krijojë një tjetër, ndoshta ideal në teori, por krejtësisht të parealizueshëm në praktikë dhe juridikisht të pamundur.
Ja çfarë, sipas Dritan Goxhajt, duhet të arrijë kjo protestë pas dorëheqjes së qeverisë dhe shpërndarjes së Parlamentit aktual:
Hapi 1: Propozimi i emrave për Asamable Kombetare Transicioni
Çdo qytetar propozon emra njerëzish që nuk kanë qenë pjesë e sistemit 36-vjeçar, me kritere të qarta përcaktuese ku mund të jenë: të mos kenë qenë kryetarë partish e kryetarë degesh partie. Te mos kene mbajtur detyra tê larta ne institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore (Ministra; Zv/ministra; Sekretar të pergjithëshëm e drejtor drejtorish, kryetar bashkie e anëtar këshillash bashkiak e qarku, deputet) dhe që kanë kontribuar në fushën e tyre për shtetin e për Atdheun (mësues, mjekë, punëtorë, artistë, bujk, etj).
Hapi 2: Shorti, jo zgjedhjet
Nga kjo listë, me short të pastër (para publikut e para kamerave, me vëzhgues vendor e ndërkombëtarë) zgjidhen 101 persona.
Pse short dhe jo zgjedhje?
Sepse zgjedhjet krijojnë fushatë, fushata krijon para, paraja krijon lidhje, lidhja krijon korrupsion. Shorti është i pastër. Shorti nuk mund të manipulohet. Shorti nuk krijon liderë.
Hapi 3: Mandati i shkurtër dhe i kufizuar
Kjo Asamble qëndron për 12 muaj. Pastaj shpërndahet. Me kusht që çdo anëtar i kësaj Asambleje nuk mund të kandidojë në zgjedhjet që organizon. Askush nuk mund të qëndrojë më shumë se 12 muaj.
Detyrat e Asamblesë Kombetare Transizioni:
Të emërojë po me zgjedhje me short nga profesionistë të fushes nje Qeveri Tranzicioni 12 mujore
Тё hartojë një Kushtetutë të Re.
T'ia paraqesë popullit në referendum.
Nëse miratohet, të organizojë zgjedhjet e para të lira sipas kësaj Kushtetute.
Pastaj të shpërndahet.
Qeveria e Tranzicionit të ketë për detyrë vetëm të manaxhojë Shqipërinë për këto 12 muaj, e të kujdeset për dritat, ujin, taksat, doganat, policinë, ushtrinë, arsimin e shëndetësinë. Pa kopetenca për të realizuar tendera e nënshkruar kontrata, thjesht një qeveri manaxhuese deri në zgjedhjet e ardheshme, dhe ku anëtarët e saj të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet që ajo do organizojë. Vetëm kështu thyhet e shkërmoqet sistemi, e ndërtohet një Demokraci''.
Ky plan, i cili përjashton çdo formë dhune, shpjegon pse protestuesit vazhdojnë të refuzojnë çdo dialog me qeverinë dhe përjashtojnë mundësinë e krijimit të një force të re politike, dy hapa që sipas Goxhajt do ta pengonin shkatërrimin e sistemit dhe do të rrezikonin t’i shndërronin vetë protestuesit në një komponent të tij. Një qëndrim radikal, i shprehur edhe në pjesë të tjera të botës, por që deri më sot askush nuk ka arritur ta realizojë në praktikë.
Postimi i plotë i Dritan Goxhajt për protestën më 14 qershor
Sërish për Protestën
Protesta nuk po kërkon një utopi, e as një botë perfekte që nuk ekziston.
Protestuesit kanë dalë me kërkesën - Qeveria të dorëhiqet tani.
E gjithë klasa politike 36-vjeçare të largohet. Që nënkupton se edhe Parlamenti duhet të shpërndahet.
Dhe këto kërkesa, edhe pse kjo e fundit nuk është artikuluar qartësisht por nënkuptohet, nuk janë të negociueshme
Pse nuk janë të negociueshme?
Sepse për 36 vjet kemi negociuar.
Çdo herë që protestuam, ata na thanë: "Uluni, bisedojmë, do të japim ca, do të marrim ca." Dhe ne u ulëm. Ata na mashtruan me ndonjë copëz. Dhe ne shkuam të lumtur në shtëpi. Dhe sistemi vazhdoi.
Negociatat me sistemin që duhet të shkërmoqet nuk janë zgjidhje. Janë anestezi.
Edhe kësaj rradhe do të ofrojnë dorëheqjen e vetëm Kryeministrit por jo të qeverisë.
Do të ofrojnë një hetim të ri. Ose
Do të ofrojnë një "qeveri teknike" me të njëjtat lidhje.
Dhe ne do të ndihemi sikur kemi fituar diçka.
Por në realitet, do të kemi humbur përsëri.
Prandaj themi: Jo më negociata.
Largohuni tani. Të gjithë.
Do ketë nga ata që mund të thonë: "Po kjo është hakmarrje. Po t'i dëboni të gjithë, ku është drejtësia?"
Hakmarrja do të thotë: "Ju na bëtë keq, tani do t'ju bëjmë keq."
Protestuesit në sheshe e nëpër rrugë nuk thonë këtë.
Protestuesit po thonë : Ju ndërtuat një sistem që është i pamundur të jetojmë brenda tij. Për hir të fëmijëve tanë, ai sistem duhet të shkrihet. Dhe ju, që e ndërtuat, nuk mund të jeni as ata që do të ndërtojnë të riun, e as ata që do të miratojnë të riun.
Kjo nuk është ndëshkim e as hakmarrje.
Është thjesht ndarje.
Imagjinojeni si një zjarrfikës që vjen e të nxjerr nga shtëpia jo sepse të urren. Të nxjerr sepse shtëpia po digjet, dhe ti nuk mund të qëndrosh brenda ndërsa ai e shuan zjarrin.
Protestuesit janë zjarrfikësit e shtëpisë sonë të përbashkët – Shqipëri- që po digjet që 36 vjet.
Prandaj kjo nuk është hakmarrje.
Është mbijetesë.
Çfarë është ky sistem që duam ta shkërmoqim — dhe pse nuk mund të reformohet?
Për 36 vjet na thanë: "Ky është kapitalizmi. Kështu funksionon tregu."
Gënjeshtër.
Tregu i vërtetë ka rregulla: konkurrencë e ndershme, ligj i njëjtë për të gjithë, mundësi për të nisur nga e njëjta vijë.
Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk është treg. Është një zinxhir i mbyllur:
Politikani jep leje - Oligarku ndërton - Krimi mbron - Pastaj të tre e ndajnë bashkë atë çka na grabitën neve.
Dhe nëse ti, si qytetar i thjeshtë, përpiqesh të hapësh një dyqan, një biznes, një shkollë, a të ndërtosh një shtëpi — zbulon se konkurron jo me tregun, por me të lidhurit.
Me ata që njohin një deputet, një kryetar partie, një sekser gjykate, me ata që kanë një kushëri në ministri, një shok në prokurori, një partner në polici.
Kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është pengmarrje kolektive e popullit dhe e shtetit.
Dhe për 36 vjet, çdo qeveri — majtas, djathtas, "teknike", "reformuese" — e ka forcuar këtë zinxhir, nuk e ka prerë, nuk e ka këputur, e ka trashëguar dhe e ka rritur.
Pse nuk mund të reformohet?
Sepse zinxhiri nuk varet nga një hallkë. Mund të ikë sot kryeministri, të vijë një tjetër — po i njëjti oligark, i njëjti krim, i njëjti prokuror e i njëjti gjykatës i lidhur vazhdojnë.
Reforma do të thotë të ndryshosh disa hallka, por të lësh zinxhirin në vend.
Nuk duhet reformë. Duhet shkërmoqje.
Por kjo shkërmoqje nuk bëhet me peticione që i drejtohen institucioneve që i ngritën ata që duam t’i shporrim.
Nuk mbledhim firma për të kërkuar drejtësi.
Sepse prokuroria dhe gjykatat janë krijuar nga i njëjti sistem.
Prokurorët janë emëruar nga politika. Gjyqtarët janë zgjedhur nga parlamenti i vjetër. Ata nuk janë të pavarur. Ata janë pjesë e zinxhirit.
T'i drejtosh atyre një peticion është si t'i kërkosh vjedhësit të hetojë veten.
Ai mund të hajë një dosje, të marrë një ryshfet, ose thjesht ta lërë të kalojë koha derisa të harrohet.
Ne nuk kemi kohë për këtë, boll pritëm 36 vjet që "institucionet të bëjnë punën e tyre". Nuk e kanë bërë e nuk do ta bëjnë - Sepse janë të njëjtët.
Prandaj themi: Asnjë peticion. Asnjë listë me firma. Asnjë kërkesë drejtuar institucioneve të tyre. Kërkesa e vetme që për shkaqe gjuhësore e quajmë Kërkesë, në të vërtetë është një – Ultimatum që i drejtohet atyre që kanë pushtetin: Largohuni.
Dikush mund të thotë: "Mirë, por pasi largohen ata, kush do të na udhëheqë? Ne duhet të kemi partitë tona!"
Jo.
Partitë, nga natyra e tyre, krijojnë liderë. Liderët krijojnë hierarki. Hierarkitë krijojnë klientelizëm. Dhe klientelizmi na kthen atje ku nisëm.
Ata që krijojnë parti nga protesta dhe në kulmin e protestës nuk janë liderë të rinj.
Janë thjeshtë të infiltruar të sistemit të vjetër për të mos lejuar protestën të shkërmoqë sistemin. Sepse ata po përpiqen të bëjnë atë që sistemi i vjetër bëri më së miri: të kapin energjinë popullore dhe ta kthejnë në një mjet për karrierën e tyre.
Ne nuk kemi nevojë për parti të reja. Kemi nevojë për një sistem të ri ku partitë nuk janë më zotërit e popullit, por shërbëtorët e tij — dhe ku populli vendos drejtpërdrejt për çështjet e mëdha përmes referendumeve.
Prandaj: Nëse dikush nga ju po mendon të themelojë një parti, një lëvizje, një grupacion të ri — mos e bëni në emër të kësaj proteste.
Sepse kur presioni bëhet i madh, sistemi thotë: "Le të ulemi në tryezë. Le të diskutojmë. Le të gjejmë një zgjidhje të negociuar." – për këtë i duhen partitë
Dhe pastaj, ata japin një copëz — një dorëheqje të këtij, një postim të atij, një premtim të ri — dhe protesta qetësohet. Dhe sistemi vazhdon. Vetëm me fytyra paksa të ndryshme.
Kjo quhet rotacion. Dhe rotacioni nuk është ndryshim. Është mashtrim i ri me metoda të vjetra e fytyra të reja.
Ndaj nuk duhet të negociojmë me sistemin që duam ta shkërmoqim. Nuk duhet të ulemi në tryezë me ata që na kanë grabitur për 36 vjet. Nuk kërkojmë "koncesione" nga dora e tyre.
Ndaj lëshojmë ultimatum për dorëheqje të plotë dhe shpërbërje të plotë. Jo pas 6 muajsh. Jo "tranzicion të drejtuar nga ju". Jo "garanci nga ju për ne".
Le të jemi të qartë. Ka tre grupe që duan të përfitojnë nga devijimi i protestës:
1. Politikanët e rinj në hije
Ata duan të krijojnë parti të reja me veshje të reja, por të njëjtën logjikë të vjetër. Ata kërkojnë të bëhen "zëri i protestës", të ndajnë turmën, të mbledhin emra për listat e tyre.
2. Oligarkët dhe krimi
Ata duan t'i mbajnë gjërat të qeta. Nuk u intereson kush është në pushtet, për sa kohë që biznesi i tyre vazhdon. Ata financojnë grupacione "të moderuara" që kërkojnë "bisedime" dhe jo shkërmoqje.
3. Agjentët e sistemit të vjetër
Ata janë dërguar nga sistemi për të shuar protestën. Nxisin peticione, lista, kërkesa drejtuar institucioneve që ata kontrollojnë. Dhe kur protestuesit të lodhen, do i hedhin ato letra në kosh.
Të tre duan të njëjtën gjë: që protesta të mos e prekë thelbin. Që sistemi të vazhdojë, me disa rregullime kozmetike.
Këtë herë sërish dikush thotë: "Po të largohen të gjithë, kush e merr pushtetin?
Do të ketë kaos.
Ka një përgjigje për këtë dhe nuk është utopi. Është një mekanizëm që funksionon.
Protestuesit duhet të propozojnë një Asamble Kombëtare Tranzicioni.
Por si funksionon:
Hapi 1: Propozimi i emrave
Çdo qytetar propozon emra njerëzish që nuk kanë qenë pjesë e sistemit 36-vjeçar, me kritere të qarta përcaktuese ku mund të jenë: të mos kenë qënë kryetar partish e kryetar degësh partie. Të mos kenë mbajtur detyra të larta në institucionet e qeverisjes qëndrore dhe vendore (Ministra; Zv/ministra; Sekretar të përgjithëshëm e drejtor drejtorish, kryetar bashkie e anwtar kwshillash bashkiak e qarku, deputet) dhe që kanë kontribuar në fushën e tyre për shtetin e për Atdheun (mësues, mjekë, punëtorë, artistë, bujq, etj).
Hapi 2: Shorti, jo zgjedhjet
Nga kjo listë, me short të pastër (para publikut e para kamerave, me vëzhgues vendor e ndërkombëtarë) zgjidhen 101 persona.
Pse short dhe jo zgjedhje?
Sepse zgjedhjet krijojnë fushatë, fushata krijon para, paraja krijon lidhje, lidhja krijon korrupsion.
Shorti është i pastër. Shorti nuk mund të manipulohet. Shorti nuk krijon liderë.
Hapi 3: Mandati i shkurtër dhe i kufizuar
Kjo Asamble qëndron për 12 muaj. Pastaj shpërndahet. Me kusht që çdo anëtar i kësaj Asambleje nuk mund të kandidojë në zgjedhjet që organizon. Askush nuk mund të qëndrojë më shumë se 12 muaj.
Detyrat e Asamblesë:
Të emërojë po me zgjedhje me short nga profesionistë të fushës një Qeveri Tranzicioni 12 mujore
Të hartojë një Kushtetutë të Re.
T'ia paraqesë popullit në referendum.
Nëse miratohet, të organizojë zgjedhjet e para të lira sipas kësaj Kushtetute.
Pastaj të shpërndahet.
Qeveria e Tranzicionit të ketë për detyrë vetëm të manaxhojë Shqipërinë për këto 12 muaj, e të kujdeset për dritat, ujin, taksat, doganat, policinë, ushtrinë, arsimin e shëndetësinë. Pa kopetenca për të realizuar tendera e nënshkruar kontrata, thjesht një qeveri manaxhuese deri në zgjedhjet e ardhëshme, dhe ku anëtarët e saj të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet që ajo do organizojë.
Dhe kjo
Kjo nuk është utopi. Është një urë. Dhe urat, kur të kalosh në anën tjetër, lihen pas.
Vetëm kështu thyhet e shkërmoqet sistemi, e ndërtohet një Demokraci.
Vetëm kështu i tregojmë brezave që do lëmë pas e atyre që do na lënë pas, se nuk protestojmë për pushtet, por protestojmë për të bërë shtet.
Protestojmë për të bërë Shqipëri
Komente












Po ata qe do bejne shortin me short do zgjidhen? hahaha!
PërgjigjuO shpellar jetojme ne shekullin e 21 nuk jemi primitiv qe te vendosni ju shpellar e ta beni kete popull dele e dhi malesh. Zhdukuni nga ky vend i shpellar. Shkoni ne pañestib , Siri ose Afganistan.
PërgjigjuEDHE KUSH DO I BEJE GJITHE KETO?
Përgjigju