Parlamenti i rikthehet traditës së miratimit me konsensus politik të rregullores. Pasi javën e shkuar, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për një tekst të përbashkët të rezolutës për integrimin europian të vendit, palët arritën të gjejnë gjuhën mes tyre edhe për ndryshimet në rregullore.
Në dakordësinë e arritur gjatë së mërkurës, në prag të seancës parlamentare të kësaj të enjte, propozimet e socialistëve pësuan ndryshime në shumë nga pikat e kundërshtuara nga opozita, që nga raportimi i institucioneve të pavarura, te votimi në komisionin e etikës për përjashtimet, mbyllja e seancave në orën 22:00, ndërsa komisionet parlamentare mbeten 11, duke mos ndryshuar.
Raportimi i institucioneve të pavarura në parlament, ka qenë një ndër pikat më të debatuara. Socialistët kishin propozuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare duke e kufizuar këtë vetëm për në komisionet parlamentare. Por gjatë negociatave, palët kanë rënë dakord që institucionet të cilat duhet të bëjnë bilancin e tyre vjetor, në sallën e Kuvendit, të kufizohen, me vetëm ato për të cilat në kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë. Me këtë ndryshim, në sallën e parlamentit do të duhet të japin llogari vetëm Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Institucionet e tjera do të duhet të paraqiten vetëm në komisionet përgjegjëse parlamentare. Por dhe këtu, janë socialistët që kishin propozuar ndryshime të cilat praktikisht u pranuan, me modifikime të vogla nga opozita. Në komisione thuhet se do të raportojnë “institucinet”, pra jo domosdoshmërisht titullarët e tyre, sikundër ka ndodhur deri më tani. Komisionet përgjegjëse hartojnë një projektrezolutë, e cila më pas i kalon Komisionit “Xhafaj”, fusha e kompetencave të të cilit fuqizohet, duke qenë se vetëm këtu do të paraqiten drejtuesit e institucioneve të pavarura, për të diskutuar, në prani dhe të relatorit të komisionit përgjegjës, tekstin e projektrezolutës, e cila mund të pësojë ndryshime.
Ndryshime pësoi dhe formula e propozimeve të kandidatëve për institucionet e pavarura, ku tani e tutje, një deputet ka të drejtë të mbështesë me firme vetëm 1 emër.
Në propozimin e PS thuhej se të gjitha ligjet e integrimin duhet të kalonin me procedurë të përshpejtuar, duke shmangur në këtë mënyrë konsultimin publik, ndërsa PD thoshte se kjo pikë duhej të hiqej. Të mesmen e artë e gjeti kryetari i Parlamentit Niko Peleshi i cili dha propozimin e pranuar nga të gjithë që, ligjet e integrimit të kalonin në Kuvend me procedurë normale përveç rasteve kur kërkohej nga qeveria me kërkesë të arsyetuar.
Demokratët nga ana e tyre kishin kërkuar rikthimin e formulës së mëparshme me një komision të Jashtëm dhe një tjetër për Europën, ku ajo në të kaluarën kishte drejtimin. Por pas këmbënguljes së socialistëve për të lënë në fuqi, një Komision të vetëm, siç është aktualisht, PD bëri hapa pas.
Edhe numri prej 11 komisionesh parlamentar, mbeti i paprekur. Po ashtu dhe koha në dispozicion për fjalimet e deputetëve, do të vijojë të jetë 10 minuta e jo më 5 sikundër kishte propozuar shumica në ndryshimet e saj.
Në negociatat mes palëve u pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.
Gjithashtu, u pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Shumica ka pranuar propozimin e PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike ndërsa Sekretariati i Etikës do të jetë me numër të barabartë anëtarësh, një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Për të zhbllokuar ngërçin, në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e Sekretarit është përcaktuese.
Një tjetër pikë për të cilën kanë rënë dakord palët janë këshilltarët politikë ku PD kishte kërkuar që këshilltarët të jenë bazuar në numrin e komisioneve. Aktualisht PS ka 11 këshilltarë dhe PD vetëm 8, ndërsa tanimë të dy grupet më të mëdha do të kenë nga 11 këshilltarë.
1. Pikat nga të cilat u tërhoq PS
a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.
2. Propozimet e PD të pranuara nga PS:
a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
- Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
- në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.
b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.
d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.
PD diskutoi në grup ndryshimet në rregullore, deputetët e PS i mësuan vetëm sot paradite!
Të dy kampet politike duket se janë gati tanimë të votojnë ndryshimet. Ajo që bie në sy është se kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi mësohet se të mërkurën pasdite ka mbledhur grupin parlamentar duke e informuar në detaje me të gjithë procesin e negociatave me PS-në dhe dakordësitë e arritura.
Në krahun tjetër deputetët e PS-së ishin në errësirë të ndryshimeve dhe rezultatit të bisedimeve me opozitën. Vetëm sot, 45 minuta para nisjes së seancës parlamentare, atyre u janë vënë në dispozicion ndryshimet konsensuale të rregullores.
Socialistët ndryshuan në mënyrë të njëanshme rregulloren e parlamentit në nisje të sesiont të ri, vjeshtën e kaluar. Ato u kundërshtuan me forcë nga opozita e cila e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, gjeti shkelje në procedurat e ndjekura nga shumica. Në pritje të vendimit të zbardhur të Kushtetueses, socialistët, fillimisht përmes kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, e më pas, kryetarit të parlamentit Niko Peleshi, propozuan ndryshime të tjera, duke pranuar në fund të ulen për një zgjedhje të përbashkët me opozitën.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente









