Ekskluzive/ Prova, ja si shteti liron një super të kërkuar dhe ndëshkon një polic të ndershëm

Nga ARTAN HOXHA dhe ELTON QYNO

Një skandal i paprecedentë ka përfshirë prokurorinë e Kukësit dhe drejtorinë e policisë së qytetit verior duke sjellë erën e rëndë të korrupsionit deri në Tiranë. Kjo është historia e një trafikanti droge të dënuar në formë të prerë nga gjykata e Tiranës, i ndaluar nga policia e Kukësit në mes të tetorit, ndërsa tentonte të arratisej në Kosovë me dokumente fallse dhe në mënyrë të pabesueshme lihet i lirë brenda 24 oreve nga një grup policësh që thonë se kanë vepruar me urdhër të një prokurori. Por kjo është edhe historia e një oficeri policie të guximshëm, i cili denoncoi skandalin dhe që në vend që të mbrohej nga eproret e tij, u pezullua nga detyra dhe i nënshtruar ndaj një procedimi disiplinor. Trafikanti i ndaluar dhe më pas i lënë i lirë quhet Naser Adem Gashi, 58 vjeç nga Mitrovica, dhe ndërsa shkruajmë këtë investigim është ende i lirë në ndonjë zonë të rajonit. “Shqiptarja.com” lexoi një pjesë të dosjes së kësaj historie që dëshmon në të gjithë skandalin e saj se sa e vështirë dhe e largët është akoma lufta fitimtare ndaj kriminalitetit. 

Arrestimi dhe lirimi i trafikantit të drogës Naser Gashi në Kukës, ka sjellë përshtjellim mes rradhëve të policisë së Kukësit dhe në Ministrinë e Brendshme, pasi ky person që kërkohet prej 5 vitesh nga drejtësia Shqiptare, është liruar duke kapërcyer pragun e komisariatit të Kukësit, në mënyrë të pabesueshme dhe aspak ligjore. Naser Gashi vijon të jetë ende me “kartelë të kuqe” si person që kërkohet nga drejtësia Shqiptare dhe që duhet të vuajë 2454 ditë në burg. Për lirimin e paligjshëm të tij tashmë kanë marë dijeni Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, dhe një sërë struktura të tjera në polici dhe ministri. Për këtë rast të paprecedentë aktualisht ka nisur një hetim nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në ministri, ku në fokusin e verifikimeve janë vënë Drejtori i Qarkut Kukës Zef Laska, Shefi i komisariatit Kukës Agim Basha, Alfred Mazreku, shef seksioni i hetimit pranë komisariatit të Kukësit dhe Shkëlqim Kola, me detyrë shef i sallës së komandimit dhe Drejtimit në Kukës. Njëkohësisht nga e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pritet të nisë një verifikim për prokuroren e Kukësit e cila ka firmosur lirimin e Naser Gashit, duke nxjerë ndalimin e tij nga policia e Kukësit si të paligjshëm.

Lirimi i Kosovarit ndëshkon denoncuesin
Por skandali i nxjerrjes nga qelia të trafikantit të drogës Gashi dhe lënies së tij të lirë duke ja kthyer dhe pasaportën e kartën e identitetit kosovare të falsifikuar me emrin “Saimir Buli”, ka bërë “kurban” der tani vetëm zv/drejtorin e hetimit në Drejtorinë e Kukësit Shkëlqim Pepkolaj, i cili prej 1 muaj e gjysëm është pezulluar nga detyra, duke u vënë në procedim disiplinor. Në fakt Pepkolaj nuk ka përpiluar asnjë dokument për dosjen e Naser Gashit, por fakti që ai një muaj pas lirimit të Gashit të zbuluar rastësisht, ka filluar të hetojë të gjithë procedurën dhe ka nxjerrë zbuluar veprimet e kundraligjshme të disa drejtuesve të policisë Kukës, e ka pësuar vetë në shpinë, pasi shefat në drejtorinë qëndrore, janë munduar t’i mbyllin gojën për këtë skandal, duke e pezulluar nga detyra që prej muajit dhjetor 2018. 

Kush është Naser Gashi dhe ndalimi në Morinë
Gjatë verifikimeve të kryera nga “Shqiptarja.com“ mësohet se kosovari Naser Gashi, i cili prej qershorit 2013 vijon të jetë person në kërkim ndërkombëtar pasi rezulton se me vendimin nr. 41 të datës 13 qershor 2013 është dënuar me 11 vite burg për akuzën e “Trafikut të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gashi ka përfituar ulje dënimi duke u dënuar përfundimisht me 7.4 vite burgim. Gashi është orvatur të marrë pafajësi në Gjykatën e Lartë, por çështja e tij nuk është pranuar të gjykohet, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda. Gashi ka qëndruar në arrati duke u fshehur nën identitetin e shtetasit Kosovar Saimir Buli, ku me këtë emër ka hyrë disa herë në Shqipëri. Por në mbrëmjen e 17 tetorit 2018, Gashi së bashku me shokun e tij Ron Nimani, kanë tentuar të dalin nga Shqipëria në Kosovë, me një makinë Audi duke përdorur pikën e kalimit kufitar Morinë. Pikërisht në këtë pikë kufitare, ata i janë nështruar kontrolleve, ku Gashi ka paraqitur dokumenta identifikuese me emrin Saimir Bula. Si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi këto dokumenta, është vendosur nga policia kufitare që kosovari të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë Kukës, ku t’i nënshtrohet identifikimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave.

Gjurmët e gishtave të Naser Gashit

Kosovarin në kërkim e tradhtojnë gishtat
Për të kryer këtë proces verifikimi është thirur operatori i laboratorit kriminalistik në Kukës Zaim Muçmata. Nga verifikimi i dorës së djashtë i shtetasit të shoqëruar që pretendonte se ishte Saimir Bula, ka rezultuar se në skanerin e gjurmëve daktiloskopike ky person ishte i rregjistruar në sistem me nr. Kriminal 20120926017, me gjeneralitetet Naser Adem Gashi i ditëlindjes 20 nëntor 1960 lindur në Mitrovicë, Kosovë. Për të verifikuar plotësisht këtë rast janë skanuar dhe gishtat e dorës së majtë, ku rezultati ishte se personi që policia kishte shoqëruar, quhej Naser Gashi dhe jo Saimir Bula. Gjatë kontrollit të këtij emri në sistemin TIMS është konkluduar se Naser Gashi ishte në kërkim. Nga ana e policisë Kukës është kryer arrestimi i Naser Gashit, por nuk është njoftuar në asnjë moment policia e Tiranës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda që kishte nxjerë urdhërin e arrestimit qysh në 2013.

Raporti i shërbimit

Gafa me ngatërrimet e emrave në prokurori
Oficerët e policisë së Kukësit, kanë referuar materialet hetimore në prokurori duke paditur Saimir Bulajn dhe jo Naser Gashin të identifikuar nëpërmjet shenjave të gishtave për akuzën e “falsifikimit të pasaportës dhe letërnjoftimeve”. Por nga ana tjetër prokurorja e shkarkuar pak vite më parë nga ish-kryeprokuroja Ina Rama, dhe rikthyer në sistemin e prokurorisë nga Adriatik Llalla, ka vendosur të nxjerrë të paligjshëm arrestimin e Saimir Buli allias Naser Gashi, me argumentin se nuk kishte vepër penale në këtë rast. Pra nje gafë krejtësisht formale nga ana e policëve është përdorur nga prokurorja për të liruar një supertrafikant. Prokurorja kështu ka urdhëruar komisariatin e policisë Kukës që të lironte nga qelia të ndaluarin Saimir Bula, urdhër ky që është ekzekutuar menjëherë nga shefi i komisariatit të Kukësit Agim Basha, i cili nuk ka njoftuar as verbalisht, por dhe në rrugë shkresore shefat e tij. Për këtë çështje “Shqiptarja.com” kontaktoi disa herë në telefon prokuroren por ishte e padisponueshme për t’u përgjigjur.

Asnjë njoftim në Tiranë për Naser Gashin
Por ky skandal mer përmasa akoma dhe më të rënda, pasi krerët e policisë së Kukësit, përfshirë dhe drejtorin e qarkut Zef Laska, nuk kanë përpiluar asnjë shkresë, ku të njoftonin policinë e Tiranës, Policinë e Shtetit apo dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për arrestimin e Naser Gashit, të kërkuarin e dënuar me 7.4 vite burg për trafik droge. Naser Gashi i kërkuari i drejtësisë Shqiptare është liruar dhe është larguar në Kosovë pa asnjë shqetësim, ndërkohë në sistemin TIMS ky person vijon të jetë ende me “kartelë të kuqe” si person që kërkohet nga drejtësia Shqiptare dhe se i mbeten 2454 ditë për të vuajtur dënimin me burg.

Policia e Kukësit inekzistente
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që njollos punën e policisë së Kukësit,salla operative e Drejtorisë Kukës, nuk ka njoftuar zv/drejtorin e Hetimit të Drejtorisë Kukës, Shkëlqim Pepkolaj, i cili për nga hirarkia është njëherazi drejtues i strukturave të hetimit në qark. Po kështu edhe shefi i komisariatit në Kukës Agim Basha, që ka qënë drejtpërdrejt në ndjekje të situatës, nuk ka njoftuar zv/drejtuesin e hetimit, me qëllim që ky i fundit të angazhonte me këtë problem strukturën e specializuar që është sektori i krimit ekonomiko-financiar. Po kështu nga ana e shefit të komisariatit nuk është njoftuar fare zv/drejtori i hetimit për lirimin e personit të arrestuar Naser Gashi, e për rrjedhojë ka urdhëruar vetë oficerët e tij që të bëjnë lirimin e menjëhershëm të personit, duke ditur se ky person ishte shumë i kërkuar dhe minimalisht duhet të njoftohej Drejtoria e Policisë së Tiranës,e cila ishte ngarkuar për ekzekutimin e urdhërit të arrestimit të lëshuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda në 21 qershor 2013.

Hetimi i verifikimeve nga zv/drejtori
Për të zbuluar fijet dhe shkaqet e këtij skandali zv.drejtori Shkëlqim Pepkolaj, ka filluar të kryejë verifikime për shërbimin e oficerëve të policisë. Pepkolaj ka marrë një takim me drejtorin e qarkut Zef Laska duke e informuar mbi situatën dhe se duhet të nxirreshin patjetër përgjegjësit e këtij skandali, por ka vënë re se drejtori i qarkut nuk është impenjuar fare për të identifikuar përgjegjësit e këtij skandali. Për këtë situatë absurde Pepkolaj atëhere ka vënë në dijeni Drejtorin e Departamentit të Hetimit Eduart Merkaj, dhe zv/drejtoren e përgjithshme të policisë së Shtetit Aida Hajnaj. Madje Pepkolaj ka plotësuar tre formularë ku denonconte veprimet arbitrare të Shefit të komisariatit Kukës Agim Basha, Alfred Mazreku, shefit të seksionit të hetimit pranë komisariatit të Kukësit dhe Shkëlqim Kola, me detyrë shef i sallës së komandimit dhe Drejtimit në Kukës, duke kërkuar nisjen e procedurave të masës disiplinore. Por çuditërisht, Pepkolaj është thirur të nesërmen në zyrë nga drejtori i qarkut Zef Laska, ku ky i fundit e ka vënë në dijeni se ndaj tij kishte nisur procedura disiplinore për shkelje të rënda, pasi sipas drejtorit të qarkut Pepkolaj në shkelje të kompetencave të tij, i kishte kërkuar drejtorit fillimin e procedurës disiplinore për punonjësit e sipërcituar.

Debate me Aida Hajnaj në zyrë
Nisur nga kjo situatë, Pepkolaj ka kërkuar një takim me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ky i fundit e ka deleguar tek këshilltari i tij Hilë Lushaku. Pas paraqitjes së situatës tepër të rëndë mbi mënyrën se si u lirua nga ambjentet e policisë i kërkuari Naser Gashi, në 3 dhjetor 2018 në Kukës ka shkuar zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, e cila në mbledhjen me krerët e policisë në Kukës, ka diskutuar për ankesën problematike që Pepkolaj kishte çuar në veshin e ministrit Lleshaj. Në këtë mbledhje Hajnaj i ka kërkuar Pepkolaj se ai ishte gabim dhe nëse nuk tërhiqej nga gabimet e bëra, do ta pësonte rëndë, duke u ndëshkuar. Por zv/drejtori i hetimit Shkëlqim Pepkolaj ka këmbëngulur se për skandalin e lirimit të Naser Gashit, duhet patjetër të këtë një ecuri disiplinore ndaj tre zyrtarëve të policisë Kukës, pasi duke abuzuar me detyrën që i është ngarkuar, kanë sjellë probleme të rënda, duke liruar nga qelia Naser Gashin, të kërkuar për trafik droge. Nuk kaluan shumë ditë, nga ky takim kur në 13 dhjetor 2018 Shkëlqim Pepkolaj është njohur me urdhërin e pezullimit nga detyra. Në pamundësi për të çarë në organet policore, Shkëlqim Pepkolaj në 8 dhjetor 2018 i është drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke kërkuar nga kjo e fundit të hetojë veprimet arbitrare të vartësve të tij në Drejtorinë e Policisë Qarkut Kukës.

Të dhënat për Naser Gashin, akuzat dhe dënimi

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Enveri: 16/02/2019 18:52

    Pepsikola mund te jete negativ por ne kete rast i ka rene pikes per proceduren.

    Përgjigju
    • Ops: 20/02/2019 09:28

      Nuk ka marre pjese me perfitim..kjo eshte arsyeja .vetem kjo

  • Ops: 07/02/2019 08:24

    Pepkola eshte shume rob negativ.pyesni ata qe Kane punuar shume vite me te se do ju tregojne shume gjera

    Përgjigju
  • Populli: 27/01/2019 22:26

    Po e mirrni vesh qe luhet me para te madhe apo jo.Po pse hidrocentralin e Holtes kush e ka DAMIANI TOPJA e ka

    Përgjigju
  • Lol: 27/01/2019 17:31

    Po akoma eshte be polici ky sh.pepkola?..

    Përgjigju
    • Ramiu: 16/02/2019 18:41

      Epo piallekun e bere nga prokuroroja ta haje policia kjo eshte tmerr. Dhe kush pa nje prokurore e cila eshte perzene dy here nga sistemi

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Atentat avokatit në Memaliaj, i shpëton breshërisë së kallashnikovit! Arrestohet autori

Atentat avokatit në Memaliaj, i shpëton breshërisë së kallashnikovit! Arrestohet autori