Ekskluzive / Rrëfimi i pazakontë i kryegjyqtarit të Shkodrës: Më mirë të më thonë frikacak se sa të më shkarkojnë e perceptojnë si i korruptuar  

Ekskluzive / Rrëfimi i pazakontë i kryegjyqtarit të Shkodrës: Më mirë të më thonë frikacak se sa të më shkarkojnë e perceptojnë si i korruptuar  

Arben Zefi

Arben Zefi ka drejtuar Gjykatën e Shkodrës. Në 10 janar të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut), me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, vendosi ta shkarkonte nga detyra, me arsyetimin se ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia. Përpos të tjerave, trupi gjykues, në vendimin e shkarkimit, theksonte se Zefi nuk kishte deklaruar në deklaratën për Vetingun edhe një shumë prej 100 mijë USD që ia kishin hedhur në llogari. Ditën e shkarkimit, kryegjyqtari Arben Zefi ka paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në një kohë kur Komisioni për Zhvillimin e Karrierës pranë KLGJ kishte përgatitur një relacion për të pranuar dorëheqjen, në 26 mars të 2019, Arben Zefi bën një tjetër kërkesë, ku tërhiqet nga dorëheqja. Kërkesën për dorëheqje nga tërheqja, Arben Zefi e bëri katër ditë para se t’i kërkonte Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij.

KLGJ ka vendosur të mos shprehet në lidhje me këto kërkesa të gjyqtarit Zefi, deri sa të shprehet me vendim të formës së prerë Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por, para vendimmarrjes, Arben Zefi është ftuar në mbledhjen e KLGJ për të mbajtur qëndrimin e tij para anëtarëve, në 24 prill të 2019. Gjatë fjalës së tij, Zefi shprehet para anëtarëve të KLGJ se kishte depozituar dorëheqjen para se të merrej vendimi nga Komisioni i Vetingut pasi moralisht nuk donte të ikte nga sistemi i drejtësisë me shkarkim. Kryegjyqtari ka pohuar se më mirë t’i thonin frikacak, duke dhënë dorëheqjen, se sa të shkarkohej dhe të hidhej baltë mbi të, duke e perceptuar si të korruptuar.  

“Për mua rëndësi më të madhe ka, si i themi ne andej nga Shkodra, erzi (fytyra), mënyra në të cilën jetoj në atë komunitet, se sa detyra ime e gjyqtarit”, thotë ai.

Po pse Arben Zefi është tërhequr më pas nga dorëheqja?

Ai thotë se është tërhequr pas zbardhjes së vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij. Kryegjyqtari thotë se vendimi i arsyetuar KPK-së lë shumë për të dëshiruar, ndaj ka vendosur të ankimojë Kolegj. Kolegji i Apelimit ka caktuar trupën gjykuese me në krye Luan Daci, Albana Shtylla relatore si dhe me anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj për shqyrtimin e çështjes së Arben Zefit. 


Rrëfimi i kryegjyqtarit Arben Zefi në Këshillin e Lartë Gjyqësor 

-Arben Zefi: Unë i jam nënshtruar procesit të Vetingut dhe në datën 8 janar 2019 është bërë seanca dëgjimore. Në atë seancë dëgjimore megjithëse unë kisha bërë relacionin me shkrim në kundërshtim të gjetjeve që kishin bërë gjatë hetimit administrativ... Më falni, ndoshta është pak gjatë, por do përpiqem maksimalisht t’i bie pak shkurt...dhe disa gjëra që ishin krejtësisht të dukshme, pashë që raporti nuk i kishte mënjanuar dhe dukej qartë se ishte një tendencë, të paktën në vlerësimin tim, për shkarkimin tim. Prandaj dhe unë paraqita kërkesën përpara se të merrej vendimi administrativ, në mënyrë që të pezullohej vendimi nga ana e KPK-së dhe të jepja
dorëheqjen para jush. Dhe depozitova ankimin përpara se të shpallej vendimi dhe të mbyllej procesi administrativ. Megjithatë, nga ana e KPK-së nuk u mor parasysh, atëherë unë kërkesën për dorëheqje e dhashë në bazë të aneksit kushtetues të ligjit për vetingun dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra nuk iu referova ligjit “Për statusin e magjistratit”. Duke qenë se punët rrodhën ashtu si rrodhën, unë në fakt e ndjeva moralisht si një lloj detyrim që të largohesha nga sistemi jo, me shkarkim. Kjo ishte zgjedhja ime personale, pasi balt u hodh mbi figurën time si gjyqtar, pasi vetëm 3 minuta pasi kishte përfunduar relatori i çështjes relacionin në seancë dëgjimore, në datën 8, domethënë 2 ditë përpara, mediat kishin dhënë që kryetari i Gjykatës së Shkodrës shkarkohet për korrupsion, për lidhje me krimin, etj., etj., dhe vendimin që nxori KPK-ja rreth 1 muaj e gjysmë pastaj nuk u tha më asnjë fjalë nga kjo. Pra ishte qartë dukshëm një lloj tendence dhe për të mbrojtur një lloj, si të thuash të shpejtojmë çfarë të shpëtojmë, por të paktën moralisht nuk doja që të ikja nga sistemi me shkarkim, pasi unë mendoj se kam punuar me dinjitet, me ndershmëri dhe nuk kisha asnjë shkak për përjashtim, unë dhashë këtë dorëheqje, por kjo nuk u mor parasysh.... Kjo u bë si të thuash, tërheqja nga dorëheqja, u bë edhe për një fakt të tillë se, edhe vendimi i arsyetuar i cili doli nga KPK-ja lë shumë për të dëshiruar dhe unë e kuptoj se fati im si gjyqtar, në një mënyrë a tjetër ka përfunduar. Nuk jam më gjyqtar në thelb. Jam i pezulluar dhe nuk kam ndonjë shpresë të madhe. Më vjen keq bile, që mund ta them përpara trupës tuaj të nderuar, por ndoshta kjo është detyra juaj më e vështirë, që ju të refuzoni ose të përpiqeni të bllokoni një proces i cili nuk është i drejtë, i ndershëm dhe ligjor. Unë i kam kërkuar edhe organeve të vetingut të zbatohet vetëm ligji për të cilin nuk ka rëndësi kam qenë apo s’kam qenë unë dakord.... Njëzet e pesë vjet gjyqtar në të njëjtin qytet në Gjykatën e Shkodrës nuk ka pasur asnjë ankesë. KPK-ja nuk ka pasur asnjë ankesë. Sikur të kisha qenë unë prifti apo hoxha i qytetit, për 25 vjet do të isha i sigurt që dikush do të kishte dalë. Të lutem, më falni, u zgjata, por mendoj se problemi është thjesht ligjor, teknik. Përderisa është një kërkesë e imja, nuk lidhet me interesin publik të cilin e vendosni ju. Unë tërhiqem nga kjo kërkesë.

-Ilir Toska anëtar i KLGJ: Do desha t’ju pyesja sepse në kërkesën tuaj për tërheqjen e dorëheqjes referoni se deklaratën e dorëheqjes që keni paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor më datë 10 janar të viti 2019, e keni bërë thjesht për dijeni apo për njoftim, çfarë keni parasysh me këtë sepse tek teksti nuk ka diçka të tillë formalisht të shkruar? 

-Arben Zefi: Këtu ka ndodhur një keqkuptim. Unë kur e kam bërë, e kam bërë në dy kopje për t’u paraqitur edhe në KPK edhe për dijeni në KLGJ. Është bërë edhe një tjetër. Meqenëse ato u firmosën, unë aksidentalisht kam paraqitur... Unë me atë tekst në fakt, nuk e mbaj mend që është dorëzuar kjo. U njoha pak me vonesë. Më falni, kjo mund të jetë shqetësim për punën tuaj se mund të këtë ngjallur ndonjë lloj keqkuptimi, por sinqerisht kjo nuk është bërë me dashje. Përfundimisht, kjo është një çështje ligjore. Nuk mendoj që ne duhet të përpiqemi tani të kapemi ‘u tha, s’u tha’. Ne jemi në këtë pikë. Mua më vjen keq në qoftë se ju jeni shqetësuar, se ndoshta ju kam konsumuar kohë për të bërë këtë seancë. Kjo është, mendoj unë.

-Ilir Toska: T’ju pyes: Kur paraqitët deklaratën për dorëheqje nga detyra para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kush ishte vullneti yt, të vazhdonit detyrën apo jo?

-Arben Zefi: E shpreha. Ndoshta tingëllon pak utopike ose idealiste, por unë nuk kërkoja që të ikja nga sistemi gjyqësor me shkarkim dhe unë jam i bindur se nuk e meritoja këtë gjë. Atë që tregoi pastaj dhe vendimi i arsyetuar i KPK-së. Pra ishte mënyra e vetme të cilën unë mendova të largohem. Më mirë të thonë frikacak se sa të hidhet baltë. T’u thuhet 1000 apo 2000 të burgosurve që janë duke vuajtur burg, që shumica e tyre janë me burgim të përjetshëm, që juve ju ka gjykuar një gjyqtar i korruptuar, i lidhur me krimin, e ku ta di unë. Minimumin të shpëtoja punën e gjyqësorit. Këtë sinqerisht e bëra thjesht... ndoshta është pak idealizëm e s’doja të perceptohesha në këtë situatë ku jetojmë ne sot. Po unë jam nisur vetëm nga kjo. Ky ishte qëllimi im.

-Ilir Toska: Pyetja e fundit që kam është: Ju e keni depozituar deklaratën e dorëheqjen në datë 10 janar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendim po në datë 10 janar, ndërkohë keni bërë tërheqjen e kësaj kërkese në datë 26 mars. Referuar nenit 65, pika 2 të ligjit të statusit, sipas të cilit “dorëheqja prodhon efekte në fund të muajit pasardhës nga dita kur Këshilli merr deklarimin me shkrim të dorëheqjes”, mendoni që ka prodhuar efekte deklarata juaj?

-Arben Zefi: Unë mendoj se nuk ka prodhuar sepse ajo prodhon pasi të marri vendim organi dhe për më tepër që baza ligjore mbi të cilën u bë, u bë duke u nisur nga këto kritere sepse gjyqtari nuk mund ta lërë punën ashtu siç mund ta lërë punën një ministër, pa u shprehur organi kompetent sepse normalisht janë interesat publike ato që prevalojnë. Unë nuk jam një kopshtar që dhashë dorëheqjen dhe nuk dal në punë dhe punëdhënësi është i detyruar të më ndërpresë rrogën. Unë kështu të paktën e mendoj dhe kjo është fryma e ligjit .. Nëse nuk ka .. nëse mund të këtë interpretime të ndryshme, kjo vjen ose nga pasaktësia se si e shpreh ligjvënësi ose nga mënyra se si arsyetojmë ne mbi atë. Por ama ky është parimi i përgjithshëm. Një gjyqtar nuk mund ta lërë punën pa marrë miratimin e organit epror. Ashtu siç nuk mund ta lërë një ministër, nuk mund ta lërë Guvernatori i Bankës, Shefi i Shtabit të Ushtrisë. Janë poste të cilat janë në hierarki të lartë shtetërore dhe normalisht personat të cilët fitojnë këto poste kanë besueshmëri të lartë dhe kanë një lloj devocioni shoqëror dhe shtetëror më tepër se sa një njeri i zakonshëm.

-Brikena Ukperaj, anëtare e KLGJ: Në fakt vullneti juaj ka qenë pak i paqartë personalisht për mua sepse ju në të njëjtën ditë me ditën e shpalljes së vendimit keni dhëne dorëheqjen dhe siç e argumentoni, dorëheqjen e kishit nga procesi, por që në fakt, Kushtetuta dhe ligji flasin për dorëheqjen nga detyra. Pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, keni ushtruar ankim dhe në përmbajtje të ankimit, të paktën nga materialet që ne kemi, ju kërkoni të ndryshoni vendimin e Komisionit të Pavarur dhe të konfirmoheni në detyrë. Pra ju kërkoni që të ktheheni përsëri në detyrën tuaj funksionale si gjyqtar. Kjo logjikë nuk më qëndron. Në qoftë se ju doni, vullneti juaj ishte që të ndërpritej procesi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të largoheshit me atë ndalimin 15 vjet për të mos ushtruar funksionin, të njëjtin vullnet nuk konfirmohet në ankimin që keni bërë te Komisioni i pavarur. Përkundrazi, ju kërkoni prapë të jeni gjyqtar. Kjo është arsyeja që edhe vullneti juaj për të hequr dorë nga detyra apo jo është i dyshimtë. Kur thoni, unë kam dhënë dorëheqjen, nga kush keni dhënë dorëheqjen? Një fjalë e shkurtër. 

-Arben Zefi: Gjithmonë kur ka mendime të ndryshme, gjithmonë ka dhe arsyetime të ndryshme. Ju thashë dhe më përpara, arsyetimi ishte se procesi ishte... Të lutem, të mos ndërhyjmë te procesi, të mos flasim më për procesin sepse jam shumë i indinjuar në lidhje me procesin.

-Brikena Ukperaj: Lëre procesin. Këtu jemi për diçka tjetër.

-Arben Zefi: Sepse unë jetoj në një komunitet dhe unë ndryshe jam i shkarkuar dhe ndryshme jam i dorëhequr. Unë nuk e kuptoj pse ju nuk e kuptoni këtë arsyetimin tim. Me sinqeritet. Sepse dorëheqja me shkarkimin ka impakt tjetër, jo tek unë e tek ti, jo tek të gjithë njerëzit këtu, por tek publiku ka impakt të madh dhe ajo që është për mua më e rëndësishmja është se unë jetoj në një qytet të madh verior, nuk është metropol, dhe për mua rëndësi më të madhe ka, si i themi ne andej nga Shkodra, erzi (fytyra), mënyra në të cilën jetoj në atë komunitet, se sa detyra ime e gjyqtarit. Unë kam 25 vjet gjyqtar. Në një mënyrë a tjetër unë nuk kam çfarë kërkoj më nga jeta si karrierë dhe unë mendoj që karrierën e kam pasur të suksesshme, të mirë, të rregullt. Jo ndonjë ngritje të madhe në detyrë. Nuk kam bërë kurrë kërkesë për të ardhur as gjyqtar në Tiranë. Dhe pse nuk bëhet një pyetje tjetër, që 25 vjet unë nuk kisha një ankesë zonjë? Një ankesë nuk kisha në KPK. Kam ushtruar detyrat e kryetarit të gjykatës dhe 4 vjet. Në pikun e sulmeve që u bënë gjatë gjithë procesit të vetingut. Thjesht unë e hoqa në mënyrë që KPK të mos bënte atë gafë që bëri, po të flasim kështu. Ata e bënë atë gafë dhe unë tashti ligjërisht do ta ndjek deri në fund. Nuk mund të hedhin balte dhe të përdorin në mënyrë kaq të pamoralshme sulmet ndaj një gjyqtari. Nuk jam duke mbrojtur..., jam duke mbrojtur kryetarin e Gjykatës së Shkodrës. Një gjyqtar që ka punuar 25 vjet në një vend. Kjo është logjika ime.

-Brunilda Kadi, anëtare e KLGJ: Ju çfarë prisnit ka Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në momentin që paraqitët dorëheqjen para tyre? Pra cila do ishte vendimmarrja e tyre me të cilën ju do ishit dakord?

-Arben Zefi: Unë prisja pushimin e gjykimit dhe mbarimin e mandatit.

-Brunilda Kadi: Ju çfarë kërkoni nga KPA-ja sot? T’ju konfirmojë në detyrë apo t’ju ndërpresë procesin...? T’ju konfirmojë në detyrë sepse në themel vendimi i KPK-së ishte i padrejtë, apo kërkoni që të ndërpritet procesi juaj i rivlerësimit me penalitetin që për 15 vjet mos të ushtroni funksione në sistemin e drejtësisë? Cila është pritshmëria juaj për vendimin e KPA-së? Sepse kjo është shumë e rëndësishme.

-Arben Zefi: Pritshmëria... Kërkesa imë është konfirmim në detyrë, sepse KPK-ja mua më ka shkarkuar nga detyra në mënyrë... 
-Brunilda Kadi: Pyetja ime e trete - të lutem zoti gjyqtar – është: Ju e dhatë dhe e shpjeguat shumë qartë arsyen pse bëtë dorëheqjen, sepse për ju është më mirë një vendimmarrje pushimi me atë penalitetin se sa me shkarkim. Kjo arsye sot nuk ekziston më përballë nivelit tjetër, te KPA-ja? Sot nuk e keni më këtë arsye?

-Arben Zefi:: Jo, nuk e kam më këtë arsye.

-Brunilda Kadi: Nuk e keni me këtë arsye?

-Arben Zefi: Nuk e kam më këtë arsye sepse KPK e shpalli vendimin në mënyrë krejtësisht të paarsyetuar, domethënë e shpalli të paarsyetuar dhe në seancën dëgjimore timen kanë bërë një raport aq mizerje, saqë të gjitha mediat kanë hedhur baltë pa fund. Tashti, ju më kërkoni mua ta pushoj dhe të mos laj faqet e mia? Do ta ndjek

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rudi: 29/12/2019 12:08

    Ky dhe gjith lloji i tij duhet te burgosen dhe jo te japin dorheqjen dhe te dalin te lare

    Përgjigju
  • Tani Shkoder: 29/12/2019 09:58

    Gjith ajo padrejtsi qe a ba n Shkoder e ti je i paster. Sepse komuniteti te njeh per gjykates te ndershem??

    Përgjigju
  • O beni: 29/12/2019 09:14

    Mas tan atyne lekve qe do tkesh marrë,tesh dashke me jetu me ftyre hahahah ik mar se pleha jeni tan

    Përgjigju
  • Hahahahaha: 28/12/2019 22:24

    Jeton per fytyren tani, ik or legen burre se tan shkodra te njeh se cfare llumit je

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë