EKSKLUZIVE/ Si e shiti Zaho
Koka Ramize Gjebrenë

EKSKLUZIVE/ Si e shiti Zaho<br />Koka Ramize Gjebrenë
A e shiti Zaho Koka Ramize Gjebrenë në gjyqin që u zhvillua në Ramicë kundër saj dhe pse?
Dokumentet e proceseve gjyqësore, nëse do t’u besonim deri në fund dëshmojnë se të katër proceset janë zhvilluar brenda një dite me 4 mars 1944 dhe se në këto procese Zaho Koka që në fillim e fajëson Ramizenë se ajo ka influencuar të lërë pas dore punët organizative dhe se ka qenë pikërisht ajo që ka insistuar për marrëdhëniet dashurore.
Por le ta shohim të gjithë procesin në tërësi dhe se çfarë kanë deklaruar Zaho dhe Ramizeja. 

Procesi i parë (nuk shënohet ora, sikurse ndodh në tre proceset në vijim) është i gjithi me përgjigjet e Ramizesë dhe përballjen e saj me Xhaken (Ramadan Xhangollin). Këtu mungojnë pyetjet që i drejtohen asaj. Thuhet vetëm: “U muar në pyetje. Ramizeja deklaron sa vijon..”
Ramizeja mohon gjithçka që në fillim. Nuk pranon se ka influencuar tek Zaho për të penguar punët e Partisë dhe se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie mes tyre veçse ngacmime pa të keq.

Por Xhaka, personazhi që nuk i ndahet hap pas hapi Ramizesë (ai që i ka shkruar  para këtij gjyqi edhe Nexhmije Xhuglinit për skandalin që ka ndodhur mes Zahos e Ramizesë), ndërhyn  me pyetje për Ramizenë dhe sjell dëshminë e tij, duke i përmendur netët kur ai ka qenë pranë tyre: Natën e dytë kur jam ngritur kam parë këmbët e Ramizes në shalë të Zahos. Ditën kam parë që Zahua të verë kokën në gji të Ramizes dhe xheste të tjerë….” Ai e pyet mandej Ramizenë nëse ka përmendur emra shoqesh dhe pse i ka përmendur (këtë fakt ai, ia ka theksuar në letër edhe Nexhmijes). Por Ramizeja mohon të ketë bërë diçka me qëllim.
Ky është procesi i parë. Mes fletëve duket se diçka mungon, pasi një faqe nuk lidhet me të tjerat.

Ndërsa procesi i dytë lidhet me deklarimet e Zahos. Deklarime të ulëta, me akuza për shoqen e tij, e cila sipas tij ka insistuar për dashuri dhe se e ka penguar në çështjet e luftës. “Ka influencuar Ramizeja te unë që nuk jam marë vesh me Komisarin për shpërndarje të forcave dhe nuk kam treguar kujdesje për të sëmurë…” Deklarata të rënda për rrethanat që flasim. Ndërsa Zaho është marrë në pyetje në orën 6:00 deklarimet e tij kanë përfunduar në orën 8:30.

Procesi i tretë është i shkurtër. Të paktën aq shënohet në procesverbal. Ramizeja vijon të mohojë se ka bërë diçka të dënueshme. Procesi i tretë mbyllet në orën 9:40 minuta.
Procesi i katërt është një ballafaqim mes të dyve. Siç edhe ishte planifikuar, Ramizeja rrëzohet me deklarata të njëpasnjëshme të Zahos, ai e akuzon që nga prekjet intime që kishin ardhur nga ana e saj, tek insistimi që ai të lante dhëmbët, madje ajo i kishte porositur edhe një furçë dhëmbësh atij.
Ndërsa Ramizeja pranon se ka patur ngacmime, por nuk e ka dashuruar Zahon dhe se nuk ka influencuar për punë partie dhe as për shpërndarjen e forcave.
 
Me deklarat e Ramizesë përballë Zahos mbyllet edhe procesi nr.4. Por çuditërisht në fund të dokumentit pas firmës së Ramizesë ora shënon sërish 9:40’.!!!

Por pse Zaho Koka e shiti kokën e Ramize Gjebresë, gruas që siç thoshte edhe në procesin gjyqësor, “e dashuronte, por s’kish guxim t’ia thoshte?”
Ndërsa e lexojmë dëshminë e tij na vjen në mend letra  e 16 shkurtit (pra 16 ditë para këtyre dëshmive të Zahos) që Zenel Hamiti, Komisari i Batalionit III-t i shkruante Hysni Kapos ku e këshillon: “Unë mendoj që Zahua kur të pyetet të merret në një mënyrë të pa kuptueshme nga Ramizea…”. Ndërsa i ka theksuar se “këtë gjë (skandalin) do ta ket par dhe shoku Xhake e Lefter Kasneci prandaj kur të merren në gjyq të pyeten dhe këta shokë pse munt të japin ndonji skjarim”.

Ndërsa gjyqi zhvillohet në mars, ekzaktësisht 4 mars,(16 ditë më vonë) këta personazhe, Zenel Hamiti, Xhaka (Ramadan Xhangolli) që i shkruan Nexhmije Xhuglinit, partizani Tanush Shyti dhe Lefter Kasneci që i shkruan Manush Myftiut, që në momentin e denoncimit të skandalit, pra që në kohën kur ata shkruajnë se po ndodh një skandal, ata janë në dijeni se do të zhvillohet një gjyq ndaj Ramize Gjebresë. Madje japin këshilla edhe se si duhet të pyetet Zaho, veç Ramizesë dhe pa dijeninë e saj…
Kjo të çon në dyshimin, se Zaho Koka deklaron në gjyq, ato çka duhej të deklaronte, ose i kishin thënë të deklaronte. Dhe shpërblim për këtë duhej të kish qenë vendimi i gjyqit, siç do ta shohim në dokumentin që do të botojmë nesër, ku trupi gjykues vendos pushkatimin e Ramizesë dhe faljen e Zahos duke u mjaftuar me përjashtimin nga Partia dhe dërgimin e tij në një rajon tjetër.  
 

Dokumenti i plotë i procesit gjyqësor
 
Procesi i parë i Ramizes i nënëshkruar në anën e majtë të faqes 3 – riga e shtatë. Thëniet e Xhakes prej faqes 3 – riga 7 deri në fletën Nr. 4 në fund.
U muar në pyetje. Ramizeja deklaron sa vijon:
Më 29/I/ kam flet në Vuno, më 30 kam flet me Xhaken dhe Zahon në një shtëpi afër Himarës, më 30 deri në d. 5 kam qëndruar ne Koço Cali bashk me Xhake e Zaho – d. 5 deri 11 kemi qëndruar në shpellë. Prej andej kemi ikur për Himar, në shtëpi të F. Bollanit kemi fjetur, fjet 2 net në Jal të Vunoit – 1/2 natë në fshat dhe gjysmën në fushë – pastaj kemi fjetur në Vuno, jemi nisur për këtu por nga arësye e borës fjetëm në një stan deri në dt. 26/II/44 prej asaj date nisim për Kallarat.
Në ditët e fundit Zahua ka qenë i sëmurë dhe Ramizeja është interesuar për kujdesin e tij.

Një gjë tjetër që mund të më ketë kompromentuar thotë Ramizeja është mbulimi që më ka bërë Zahua me kapotën e tij në shpellën Hilqes dhe në ngjalë të Vunoit ku jemi mbuluar me një kapotë mbasi unë skishja. Ramizeja dekllaron se Zahua me mua këshillohej gjithnjë për çdo punë. Bashkë kemi vendosur shpërndarjen e kompanive.
Shpërndarja e forcave është bërë në njësite duke shkuar përgjegjësit me njësite dhe Zahua qëndroi me një njësit të përbërë nga djelm vunjotas bashkë me ta qëndrova dhe unë.

Ramizeja mohon që të jenë ngacmuar me Zahon rugës kur shkonin e pohon se qeshnin e luanin me duar në shpellë me Zahon po jo me qëllim. Më datën 15/II mohon të ketë qenë në shtëpin Kozma Cali. Kam qënë një her tjetër në atë shtëpi bashkë me Zahon e të tjera shoqe dhe kemi punuar Historin e Partis. Nuk pohon që të ketë hedhur Zahua këmbën mbi trup.

Pohon se ka fjetur me Zahon në një krevat në një shtëpi ku kanë qënë dhe partizanë të tjerë e u mungonin robat gjatë fjetjes me Zahon nuk kemi bërë as një lëvizje veçse unë mbasi smësoheshja ngrihesh shpesh dhe kur ishja shtërnguar i shtyja që të liroja vënd.
Pyetjes Xhakes mbi fjetjen pranë Zahos në Vuno i përgjigjet me mohim Ramizeja.
 
Deklarat e Xhakes.
Mbas pyetjeve të sipërme u kënduan raportet e ardhur prej shokëve mbi akuzën e Ramizes me Zahon dhe Ramizea i mohon kategorisht duke thënë s’përfaqësojnë realitetin.
 
Mer fjalën shoku Xhake dhe thotë se:
Kemi qenë në shtëpin e Kozma Çalit bashkë.
Sa kohë që kemi fjetur në shpellë duke qenë dhe unë kemi fjetur bashkë në shpellë sigurisht pranë njëri tjetrit. Natën e dytë kur jam ngritur kam parë këmbët e Ramizes në shalë të Zahos. Ditën kam parë që Zahua të verë kokën në gji të Ramizes dhe xheste të tjerë. Duke formuar dyshim një natë tjetër kam vënë re se Zaho me Ramzien kanë fjetur afër duke i kthyer gjin njëri tjetrit.

Natën kam digjuar një bisedë të ngadaltë por nuk digjova veç disa emra shoqesh, atë natë Zahua që kish rënë pranë meje ish larguar dhe mbas pakë kohe u ngrit Zahua dolli jashtë dhe Ramizeja u ngrit e ngrohej. Kjo gjendje vazhdoi dhe natë tjetër dhe unë vendosa ti shkruaj shoqes të mos vazhdonin më e mëtejë se do shkonin në skandal. Këtë e kam bërë duke ditur se shokët ishin me përgjegjësi. Gjatë qëndrimit tonë në shpellë fjetjen e bënin bashkë duke mbuluar me një pallto.
Në ngjal vërteton thëniet e shokut Komisar që bën në Raport duke thënë se kanë fjetur në një krevat dhe krevati natën lëkundej.
Në shtëpin e Kozma Calit kanë fjetur bashkë duke patur vend boll.
 
 
Nuk mba mënd kush shoqe o shok ka qenë me të.
Duke zbritur prej Vunoit Zahua më ka thënë se shumë vajza të fshatit më kanë dashur si mua dhe gjithë djemt po këto mi ka thënë për të barazuar gjendjen e moralit Rinis para fillimit punës Partis. Çdo relasion me Zahon e mohon duke thënë se unë jam e fejuar.

Pyt shoku Xhake se a ka zënë ndonjë herë emra shoqesh ngoje duke qenë rën përgjumë. Ramizea pohon duke thënë mundet po smbaj mënd.
Kur pyetet se ç’rezultat nxier një bisedë e tillë? Mbasi s’kam patur qëllim, s’di si të them, thotë.
Kur pyetet se kini kënduar këngë dashurie pohon duke thënë po.
Tanush Shytin e kemi dërguar në Himarë për bukë duke e porositur ti dërgonte dhe kompanis Lafos. Ka qënë qëllimi vetëm i nevojës bukës dhe asgjë tjetër.

 
Deklaratat e Zahos kur u muar për herë të parë në pyetje.
Procesi Nr. 2.
 
Deklaratat e I të Zahos Meret në pyetje ora 6
 
Kemi bërë lëvizje për arsye ushtarake bashkë me Ramizen.
Në shtëpin e Petro Çalit kemi qenë bashkë për tre ditë dhe bisedonim mbi punë të Batalionit. Kur më thërrisnin mua ndo njeri nuk më lint të largohesh.
Në shpellë kemi fjetur në një pallto dhe Ramizeja natën më ka hedhur duart përqafe. Netët e tjera në atë shpellë kam fjetur me të dhe ajo një natë më është afruar dhe më ka vënë buzët e saj në buzë të mia. Kjo vazhdoi kështu deri sa qëndruam në shpellë. Ikmë prej shpellës  e vam në Gjalë ku fjem në një krevat dhe Ramizea më ka hedhur dorën në kokë e më çkulte flokët. Gjatë qëndrimit në Vuno nuk kemi bërë asnjë lëvizje se ishnin shokët.

Para një dite se të nisej për Mesaplik ka ardhur në shtëpin ku kishja rënë shtrir dhe ra mbi mua ku ishja shtrirë. Mua nuk më pëlqente një sjellje e tillë po smora dhe guximin ta largoj. Kur do të iknin shokët e kjo për Mesaplik unë mbasi ishja i sëmurë qaja që svija dot dhe ajo erdhi duke u këputur prej shokëve mu afrua dhe më fërkonte faqet.
Shtoj se kur kemi qenë në Ngjalë kam dashur të shkoj në aksion dhe smë ka lënë.
 
Pyetje. Me kë ka qëndruar Ramizea gjatë reaksionit. Përgj. Me mua.
Për sa kemi qëndruar me Ramizen nuk jam marë vesh me Komisarin për punë ushtarake.
Emra shoqesh nuk kemi zënë.
Ka ndodhur në shpellë të kem vënë kokën mbi gjurin e saj.

Mbledhje me partizanë nuk kemi bërë veç unë dy herë.
Kemi kënduar këngë dashurie që vinin mirë dhe kemi luajtur me duar.
Ka influencuar Ramizeja te unë që nuk jam marë vesh me Komisarin për shpërndarje të forcave dhe nuk kam treguar kujdesje për të sëmurë.
I kam thënë se më kan dashur shumë vajza por unë skam dashur.

Ramizea ka influencuar për dërgimin e Tanushit në Himarë për paksim të shokëve nga frika e ekspozimit.
Në shtëpin e Lefter Zhamllodës më ka thënë eja të flem. Vajta dhe filluam lëvizje duarsh.
Kemi filluar të puthurat deri në shpellë e pastaj gjatë qëndrimit vazhdimisht. Lëvizjet kanë mbritur deri këtu dhe unë e kam pasur me qëllim dashurie por nuk mora guximin tja çfaqja. Shtoj se e kam kruar në krahë dhe më thosh gjithnjë fërkomë. Më kujtohet se në shpellë më ka futur këmbët në shalë.  Po vërtetoj me firmën time të gjitha thënjet e mësipërme.
(Firma)

Data 4/III/44 ora 8.30

Deklarata të Zahos
1) Jemi trazuar që në mes e lart.
2) Më ka prekur Ramizeja posht përmbi rroba.
3) Ka larguar partizanin Axhem nga shpella për të qënë afër mua.
4) Përpara skam ndier dashuri, më von po, por nuk kam pasur guxim.
5) Ajo më ka shtytur që edhe unë të bije në grackë mbasi unë nuk jamë i formua kurse ajo ish më e formuar.
6) Unë nuk di që ajo të jet e fijuar.
7) Në shtrat ka fletur me mua e më ka zën për leshë e kemi lozur.
Koka
 
Procesi nr.3
Zahua më ka puthur, më ka fërkuar, por pa qëllim, dhe vetëm nga ana e tij e jo nga ana ime.
Ramize Gjebreja

4/III/44
Ora 9.40’
Procesi Nr. 3
Ramizea pohon vetëm sa përshkruhet më lart.

Procesi Nr. 4
Ballafaqimi dhe nënshkruar prej të dyve.
 
Ballafaqimi Zaho – Ramize
Zahua:
Ajo më ka afruar buzët.
Jeshëm të dy zgjuar.
I ka futur këmbët në shalë të miat.
Në shtëpi të Piro Dhimitrit ajo më kapi për flokë e pastaj filluam të putheshim e të trazoheshim. Jemi gacmuar që në mes e lart, dhe shoqja ka qenë zgjuar. Edhe një herë më ka takuar ditën në këtë shtëpi.

Kur më ka prekur posht mbi rroba ka qën zgjuar. Asnjë herë nuk ka qënë në gjumë. Kam kuptuar që më dashuronte dhe unë e dashuroja, por pa thën njëri tjetrit.
Kam kruajtur shoqen që në mes e lart.
Largimi i partizanit Axhem, shoqja e ka bërë me qëllim për t’a larguar, pse po rrinte në vendin t’im, d.m.th. afër saj.
Sikur të kishim pasur mundësi do kishim kaluar më tej. Për këto ka influencuar shoqja.
Puthjet kanë qënë të vazhdueshme, veç se ku nuk ka patur mundësi.
Më ka shtrënguar të laj dhëmbët dhe kjo ka porositur për furçë.
Më ka thënë: “këto buzët e tua të bëjnë merak”.
 
Këngët e dashuris nuk kanë qënë me qëllim.
Tek Lefter Zambllota flinte Ramizeja e shoqja e Lefterit. Deri sa ajo iku nuk bëmë gjë, pasi iku shoqja e Lefterit filluam të lozim.
Nuk dija që shoqja ësht e fijuar. Shoqja e dinte që unë nuk isha i fijuar, pse kishim rënë në fjalë që kanë dashur të më fijonin, por nuk kam dashur unë.
Nuk ja raportova Partis mardhënjet e mia, pse kam patur turp, ndryshe do të kisha raportuar.
 
Ramizeja:
Nuk ësht e vërtet që në shpellë e kam puthur, dhe nuk kam qën zgjuar.
Në shtëpi të Lefterit nuk e kamë thirrur. Kur ka ardhur Zahua kamë qenë në gjum.
Nuk kamë influencuar shokun për punë partie, bile kemi diskutuar në mënyrë më të hollë se si të shkoj mirë puna e partisë.
Nuk kamë influencuar aspak për shpërndarjen e forcave.
I kam futur këmbët në shalë të tija.

Në shtëpi të Piro Dhimitrit i kam shkulur flokët, e asgjë tjetër. Jemi gacmuar në mes e lart, asnjë herë ditën.
Mundet t’a kem fërkuar posht mbi rroba.
S’ësht e vërtetë që të kem qën gjithmonë zgjuar.
Nuk e kam dashuruar.
Më ka krujtur që në mes e lart.
Nuk kam larguar partizanin Axhem me qëllim.
Jemi puthur.
Vurçë e dhëmbët është e vërtet dhe e buzëvet ësht e vërtet. Tek Lefter Zhambllota kemi lozur.
Dija që shoku nuk ish i fijuar.
Ramize Gjebreja
4/III/44
Ora 9.40’
 
LEXO ME SHUME


 Pse shtatë burra e çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë
 Ramize Gjebreja, letra që e spiunoi tek Nexhmije Hoxha
 Letrat e spiunëve që çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë


Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Joe Biden i gatshëm për debat me Donald Trumpin

Joe Biden i gatshëm për debat me Donald Trumpin