Partia Demokratike do vijojë të lobojë në SHBA, pavarësisht nga skandali me lobuesit e lidhur me rusët në 2017, të cilëve u janë paguar shuma të konsiderueshme nga selia blu, ndërsa në hetim nga prokuroria vijon të jetë burimi i tyre. 

PD ka arritur marrëveshjen me një tjetër kompani lobuese në SHBA. Report TV siguron detajet e kontratës me kompaninë lobuese. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka firmosur me kompaninë "Sonoran Policy Group" me qendër në Uashington. Ndërsa për kompaninë amerikane ka firmosur Christian Bourge. Kontrata e PD me "Sonoran Policy Group" është lidhur këtë muaj dhe është e vlefshme deri në 11 tetor 2018.




(Kontrata e firmosur nga Basha me kompaninë lobuese)

PDF/ Kontrata e PD e firmën lobuese amerikane (klikoni që të hapet dokumenti)

Firma është rakorduar 17 ditë para se Bashkimi Europian të marrë vendimin mbi çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Teksa vendi gjendet mbi “tehun e shpatës” për të bindur ndërkombëtarët që të hapin “dritën jeshile”, një lobim i tillë mund të ndikojë në vendimmarrjen e shteteve të BE-së që mund të vendosin veton ndaj Shqipërisë.

Sipas pikave të kontratës, PD do t'i paguajë kompanisë amerikane 40.000 USD për lobimin në Uashington. Në kontratë parashikohet që kompania lobuese amerikane të organizojë takime mes përfaqësuesve të PD dhe kongresmenëve e autoriteteve të larta amerikane. Fokusi është promovimi i strategjisë së demokratëve në SHBA për luftën kundër krimit të organizuar. 

Konsulenti do të punojë me opozitën shqiptare për të ndërtuar një strategji anti-narkotike dhe kundër krimit të organizuar për Shqipërinë. Marrëveshja do të lehtësojë takimet dhe bashkëveprimet me Shtetet e Bashkuara. Do të mundësohen takime me zyrtarët e administratës për angazhimin e Klientit (Basha), Kongresit dhe Ekzekutivit, si dhe çështjet ekonomike. Do të punojë me agjencitë e zbatimit të ligjit vendas dhe ndërkombëtar për të luftuar epideminë e krimit të organizuar, si dhe të kryejë çdo detyrë shtesë mbi një marrëveshjen e rënë dakord”, shkruhet ndër të tjera në kontratën e nënshkruar. 

Thuhet në kontratën e PD me kompaninë lobuese

Fatura financiare: 40 mijë dollarë
Klienti (Basha) do të paguajë konsulentin amerikan dyzet mijë dollarë amerikanë ($ 40.000.00) për katër muaj lobim në Uashington. 

Përveç kompensimit, klienti duhet të rimbursojë kompaninë për të gjitha shpenzimet e arsyeshme dhe zakonore jashtë xhepit të shkaktuara nga Konsulenti në lidhje me përmbushjen e kësaj marrëveshjeje.

Nënvizohet në marrëveshje

Kompania në hetim për tregti armësh dhe biznese të dyshimta në Zelandën e Re
Kompania e kontraktuar për të kryer lobimin, në bazë të investigimeve nga media amerikane, rezulton që të jetë marrë me tregti armësh dhe biznese të dyshimta me Zelandën e Re, për ç’ka është vendosur nën hetim.

“Sonoran Policy  Group, LLC” është një kompani e vogël lobimi e cila ju afrua fushatës së presidentit amerikan Donald Trump përmes njohjeve me kongresmenët Dana Rohrabacher dhe M. Flynn.

Rohrabacher njihet për afrimitetin e tij me liderin e opozitës Lulzim Basha, ku vitin e shkuar gjatë protestës në çadër ai përcolli një letër “pro-opozitare”, në të cilën vinte në pikëpyetje funksionimin e qeverisë dhe bënte thirrje për oponencë nga qytetarët.