Eksperti i ekonomisë, Arbi Agalliu garon për deputet, i katërti në listën e PD-së në qarkun e Vlorës.
Në një intervistë për Report Tv, ai tha se gjatë fushatës ka vënë re dëshirën e njerëzve për të sjell ndryshimin më 25 Prill. Sa i përket investimeve, Agalliu shprehet se në 8 vite qeveria socialiste ka investuar vetëm në Lungo Mare, ku janë derdhur miliona për 3 kilometra bulevard. "Vlora sot ka humbur bulevardin e saj që e kishte me 6 korsi, sot është kthyer me një korsi të vetme që ka nxjerr jashtë loje biznesin. Janë vjedhur paratë e taksapaguesve për të hedhur beton dhe nuk ka sjell asgjë pozitive për qytetin".
Ndërsa shprehet se "janë lënë jashtë vëmendjes të rinjtë dhe e ardhmja e tyre të cilët po ikin nga vendi. Vlora nuk ka investime që gjeneron të ardhura për komunitetin".
Sakaq, kandidati demokrat hodhi akuza për blerje votash nga të majtët. "Në Lukovë shpërndahen ushqime në këmbim të votës por banorët nuk kanë refuzuar". Ai foli edhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia, duke hedhur sërish kritika ndaj qeverisë.
INTERVISTA E PLOTË
Jemi me një nga kandidatët e PD-së për qarkun Vlorë, ekspert ekonomie, pedagog Arbi Agalliu, i cili garon për herë të parë në qytetin e Vlorës, në listën e PD-së.
Garoni për herë të parë në listën e PD-së. Si e shikoni një fushatë të tillë në kohë pandemie?
Atëherë, fushata patjetër që po zhvillohet në kushte jo normale. Askush nuk do të donte të ishte një situatë e tillë. Besoj se dihet që kjo situatë sjell kufizime të lëvizjes, mbyllja para kohe apo kufizime të tjera. Gjithsesi sot, falë teknologjisë, falë zhvillimit të mënyrave të reja të komunikimit, PD-ja në përgjithësi dhe ne në qarkun e Vlorës në veçanti, jemi duke komunikuar dhe duke zhvilluar fushatën në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më intensive të mundshme, duke zhvilluar takime të ndryshme qofshin këto në grupe të vogla apo qofshin këto në ambiente të hapura, të cilat na bëjnë të mundur zhvillimin apo përcjelljen e informacionit që ne duam të japim sipas kësaj situate. Por në fund të ditës, dëshira e njerëzve për t’u bashkuar me ndryshimin, është aq e madhe sa, po themi, ka mposhtur çdo lloj frike apo çdo lloj pikëpyetje që krijon kjo situatë pandemie.
Sa e vështirë është kjo për të bindur elektoratin tuaj apo edhe elektoratin gri apo qoftë edhe votuesit nga PS-ja në këtë kohë pandemie? A është mjaftueshëm për ju për të realizuar këtë fushatë?
Nuk jemi në situatën që ne duam të bindim. Qytetarët e Vlorës, qytetarët në mbarë Shqipërinë, të gjithë shqiptarët tashmë kanë kaluar dhe kanë provuar në kurrizin e tyre bëmat që kjo qeveri dita-ditës pu u bën, vjedhjen që po u bën xhepave të shqiptarëve, kanosjen që po u bën bizneseve të ndershme. Pra, ne nuk kemi nevojë të bindim. Janë qytetarët që bashkohen dita-ditës me PD-në, me Aleancën për Ndryshim, të cilët shprehin pakënaqësitë e tyre dhe denoncojnë, sikurse këto 8 vite PD-ja ka qëndruar në krah dhe ka denoncuar çdo aferë korruptive, ka qëndruar në krah të konsumatorit, të qytetarit, të tregut. Po kështu edhe në këtë fushatë ne po vijojmë të shpalosim platformën tonë, por kurrsesi ne nuk kemi asnjë përpjekje për të devijuar perceptimet reale të qytetarëve. Janë ata, të cilët bashkohen dita-ditës me PD-në sepse janë ata që po vuajnë pasojat e keqqeverisjes në këto 8 vite.
Çfarë është ndryshe në këtë fushatë? Çfarë premton PD-ja për të ardhur në pushtet dhe me çfarë programi po prezantoheni përpara qytetarëve?
Programi i PD-së është një program, i cili ka më se rreth dy vite që po punohet në të. Është konsultuar në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike me grupet e interesit. Është punuar dhe hartuar nga ekspertët më të mirë të fushave përkatëse, sikurse ka marrë edhe mbështetjen, suportin dhe konsulencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët mbështesin PD-në, mbështesin tregun e lirë, mbështesin zhvillimin e Shqipërisë. Kështu që në këtë kontekst, programi që PD-ja po ofron në mbarë Shqipërinë është një program i thjeshtë, është një program i cili ngrihet mbi filozofinë e së drejtës, mbi filozofinë e tregut të lirë, mbi filozofinë e mbështetjes sociale për të gjitha komunitetet që kanë nevojë dhe, mbi të gjitha, kthimin një orë e më parë në normalitet të këtij vendi, që është marrë peng nga një kupolë klienteliste që keqmenaxhon dhe keqqeveris këtë vend prej 8 vitesh.
Ju ushtroni profesionin tuaj si pedagog në Tiranë, ekspert ekonomie. Si po organizoni ju në fushatën tuaj në këtë fushë, duke qenë se qeveria ka bërë disa projekte. Si e gjykoni ju në idenë tuaj?
Projekte, nuk e di se për çfarë projektesh e ke fjalën, por nëse do të marrim qarkun e Vlorës, i gjithë investimi i bërë në qarkun e Vlorës në këto 8 vite, flitet dhe përflitet rreth një bulevardi, asaj që quhet Lungomare, sikur është bërë çudi dhe sikur është bërë një investim i cili ka ringjallur qytetin e Vlorës dhe ka sjellë vetëm begati në këtë qytet. Por është krejt e kundërta. Të pretendosh që ke bërë një bulevard, jo më të gjatë se 3 km, për 8 vite, ky është mjerim. Vlora sot, jo vetëm që e ka humbur bulevardin e saj, një bulevard i cili ka qenë kënaqësi të lëvizje në të, me 6 korsi, ku makinat jo vetëm mund të qarkullonin, por edhe mund të parkonin lirisht, sot është kthyer në një korsi të vetme që jo vetëm ka nxjerrë jashtë loje bizneset përgjatë këtij bulevardi, jo vetëm janë shpenzuar para dhe janë vjedhur nga taksapaguesit, para e cila është e pamatshme në betonin që është hedhur aty dhe patjetër që nuk ka sjellë asnjë perceptim pozitiv në të gjithë qytetin, për sa i përket zhvillimit që sjell. Të betonosh një rrugë, të ngushtosh rrugë të cilat bota shpenzon sot për të zgjeruar, ne i kishim këto rrugë komunikimi të gjera dhe i ngushtuam. Pra, në këto 8 vite, të mburresh me një bulevard apo me një Lungomare, e cila për fat të keq, ka marrë para nga buxheti i shtetit dhe në raport me ato para, investimi apo e ardhura që ka sjellë mbrapsht nuk ka të krahasuar, unë do të them që është fatkeqësi për qytetin e Vlorës dhe për qarkun e Vlorës. Vlora është një qytet që duhej të gumëzhinte nga jeta, nga jeta studentore. Ka një universitet me shumë traditë në shumë fusha të caktuara. Por po të pyesni, këtij universiteti po i mbyllen degë dhe programe studimi çdo ditë, pse? Sepse të rinjtë shqiptarë, të rinjtë vlonjatë zgjedhin që të largohen nga ky vend. Është fatkeqësi e madhe që gëzimi i prindërve shqiptarë e i prindërve vlonjatë është kur fëmijët largohen nga ky vend. Ne nuk mund të gëzojmë kur largohen fëmijët nga ky vend. Ne duhet të gëzojmë kur fëmijët kthehen nga jashtë, investojnë në Shqipëri, qëndrojnë në Shqipëri, qëndrojnë në Vlorë. Pra, Vlora nuk ka asnjë investim domethënës dhe asnjë investim që të gjeneronte të ardhura për komunitetin. Ne nuk kemi një investim të huaj të rëndësishëm në Shqipëri, aq më tepër në Vlorë. Ne nuk kemi familje që kthehen, siç ktheheshin në vitet 2005, 2006, 2007, 2010 nga jashtë shtetit. Unë si pedagog kam pasur shumë studentë, të cilët janë kthyer nga emigrimi. Familjet e tyre, prindërit, kanë hapur një furrë buke, një markatë, një restorant. Një zanat të fituar në emigrim kanë ardhur dhe e kanë vendosur në jetë në vendin e tyre. Sot auditoret janë bosh, sot universitetet po mbyllen, sot ne kemi gjithmonë e më pak të rinj, sot ne kemi gjithmonë e më shumë dëshirë për t’u larguar. Në të gjithë pyetsorët që bëhen, apo në të gjitha raportet zyrtare, Shqipëria është një vend që po vuan. Në këtë kontekst, të flasësh për Vlorën, një qytet që nuk ka një kinema. Është një qytet ku të rinjtë e kalojnë pasditen te kafja e lagjes duke u marrë, me çfarë do të merresh në një kafe.
A janë këto në programin e PD-së?
Kështu që këto janë problematika që solli kjo qeveri. Rinia vlonjate u orientua nga struktura të korruptuara, të inkriminuara të qeverisë dhe të Policisë së Shtetit, në shfrytëzimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Rinia vlonjate u përdor dhe u keqpërdor. Sot ne kemi dhjetëra e dhjetëra të zhdukur nga të rinjtë e Vlorës. Sot ne kemi dhjetëra e dhjetëra të rinj nëpër burgje, të cilët janë përdorur dhe shfrytëzuar nga mjerimi që ata kanë pasur, nga struktura të inkriminuara të Policisë së Shtetit dhe të qeverisë dhe sot nënat qajnë fëmijët e tyre. Kështu që kjo nuk është Vlora që duam, kjo është Vlora e mjerimit. Vlora është qytet që duhej të kishte jetë të gjallë, qoftë aktivitete sociale, qoftë aktivitete kulturore, qoftë aktivitete artistike. Vlora sot vuan një ekspozitë, vuan një muze, Vlora sot vuan një teatër aktiv, jo se nuk ka talente, jo se nuk ka njerëz. Vlora ka nxjerrë historikisht sportistë, mjekë, artistë nga të gjitha fushat e sektorët. Vlora mbahet për njerëz vitalë, njerëz sanguinë, njerëz që çojnë përpara, por Vlora u mbyt dhe vlonjatët nuk u lanë, u nxitën që të largohen nga ky vend dhe po nxiten dita-ditës që të mos kthehen më. Kështu që PD-ja me programin që ka, në radhë të parë rikthen normalitetin në këtë qytet që ka aq vlera dhe në këtë qytet që krenohemi jo vetëm ne si vlonjatë, por krenohet e gjithë Shqipëria dhe është një qytet i cili jep jetë dhe sjell ndryshimin gjithmonë atëherë kur është i nevojshëm. Dhe unë jam shumë i bindur që në datën 25 prill qyteti i Vlorës, vlonjatët, i gjithë qarku i Vlorës, duke vijuar në Radhimë, Tragjas, Orikum, Dukat, duke vazhduar më pas në Palasë, në Himarë, në Borsh, në Piqeras, në Nivicë, në Shën Vasil, Lukovë, duke zbritur poshtë deri në Sarandë e më tej, e gjithë Shqipëria do të ndëshkojë këtë keqqeverisje. Kështu që unë jam i bindur që vlonjatët do të flasin sikurse ata dinë të flasin.
Si e ndien veten PD-ja në qytetin e Vlorës së bashku me aleatët e saj dhe çfarë mendimi keni për kundërshtarët tuaj politikë.
PD-ja si kurrë më parë, ka sot një aleancë, e cila është një aleancë me vlera, por mbi të gjitha është një aleancë e madhe, e bashkuar më shumë se kurrë drejt një objektivi madhor, që është largimi i kësaj qeverie dhe ringjallja, kthimi i shpresës për të gjithë shqiptarët. Kështu që në këtë kontekst, PD-ja dhe ekipi i saj është duke punuar në vijueshmëri, në përditshmëri për këtë ndryshim të madh. Për kundërshtarët politikë unë nuk dua të them asnjë gjë, veçse t’u kërkoj të vijojnë fushatën e tyre në konceptimin e tyre dhe të paralajmëroj këdo që të qëndrojë larg deformimit të vullnetit të qytetarëve. Në zonën që unë mbuloj, kemi pasur denoncime të individëve, të cilët luajnë dhe përdorin zyrat e shtetit për të manipuluar vota apo për të blerë votat, sikurse janë hipotekat, zyrat e Ujësjellësit, zyrat e OSHEE-së, e kështu me radhë. Sot në Lukovë, në takimin që unë kam pasur paradite, ka pasur njerëz të cilët janë të lidhur ngushtë me struktura të caktuara të qeverisë që shpërndanin ushqime, një pako makarona apo një pako oriz dhe banorët e Lukovës kanë reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i larguar nga fshati këta individë. Nuk jemi ne sot Shqipëria, e cila ka nevojë për një pako makarona. Ne sot jemi Shqipëria që duam të integrohemi në BE. Sot shqiptarët nuk shiten, sikurse nuk janë shitur kurrë për një pako makarona. Kështu që në këtë kontekst, thirrja që unë u bëj të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë të të gjitha kaheve, është që të bëjnë një fushatë të ndershme dhe pozitiviste, një fushatë të cilën PD-ja është zotuar ta bëjë dhe po e bën. Ne do të themi të vërtetën dhe do të denoncojmë çdo aferë korruptive, në krah të qytetarëve, për të krijuar hapësirën e nevojshme që qytetarët të shprehen lirisht në datën 25 prill.
Po thoni që ka një fushatë nga ana e PS-së ose blerje votash ose presion për të votuar ata. Do të bëni një kallëzim ose do të ketë PD-ja një kallëzim për këtë?
PD-ja dega Vlorë dhe të gjitha degët e tjera të PD-së në rang kombëtar, janë duke denoncuar, duke bërë kallëzime penale për çdo rast të evidentuar dhe për çdo rast për të cilin ne kemi sinjale nga qytetarë të ndryshëm. Kështu që nuk do të ketë asnjë rast, i cili nuk do të denoncohet publikisht, nuk do të kallëzohet në Prokurori nëse është nevoja, në funksion të situatave që krijohen. Kështu që patjetër, çdo qytetar do të ketë mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve të PD-së për të denoncuar çdo tentativë për deformimin e votës së lirë.
E përmendët edhe pak më lart lidhur me investimet. Ju thoni se janë investime 3D, janë projekte 3D, ndërkohë që ana e qeverisë mburret me Lungomaren, me bulevardin Vlorë-Skelë dhe me projekte të tjera.
Të mburresh për 8 vite për një bulevard apo për Lungomaren që e thashë, nuk i kalon 3 km, më vjen keq, por është ofendim për intelektin e qytetarëve të Vlorës që të jap përgjigje për këtë gjë. Nuk mundet një qeveri të mburret për një investim 3 km. Dhe në thelb nuk është investim, është vjedhje që i është bërë buxhetit të shtetit, është vjedhje që u është bërë taksapaguesve shqiptarë dhe është vjedhje e tallje me qyetarinë vlonjate. Të vendosësh në rresht për 1, një popull si Vlora, është një tmerr që nuk e ka parë kurrë, askush. Të kërkosh të nxitësh falimentin e bizneseve, duke mos u favorizuar asnjë lehtësi, nuk ke një parkim publik në të gjithë gjatësinë apo në të gjithë qytetin. Është e pamundur që gjatë bulevardit Vlorë-Skelë të parkosh në ata xhepa betoni që janë krijuar. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kur ti parkon një makinë, të bllokosh trafikun në të gjithë qytetin. Provojeni, dhe të gjithë vlonjatët e dinë, të parkosh një makinë në bulevard do të thotë që të bllokosh të gjithë lëvizjen. Ne nuk kemi në bulevar dhe në Lungomare një korsi të dedikuar për transportin publik. Ne e kemi parë kur autobusi i linjës Ujë i Ftohtë – Vlorë ecën, çfarë karvani makinash bëhet nga pas. Ne nuk kemi një korsi të dedikuar për ambulancat, ne nuk kemi një korsi të dedikuar për emergjencat, për zjarrfikësen e kështu me radhë. Nuk kishte vend që në këtë bulevard të dedikohej një korsi? Kishte vend, por asaj iu hodh beton, u krijua një lloj perceptimi që do të bëhet një investim gjigant, u la dhe u rila për kohë të gjatë hedhja e inerteve, hedhja e mbeturinave, hedhja e dherave dhe e rërës së importuar në atë zonë, duke nxjerrë jashtë loje të gjithë atë vijë bregdeti. Ne e dimë të gjithë, kush ka kaluar fëmijërinë në Vlorë, e di shumë mirë çfarë plazhi zhvillohej në atë zonë aty. Dhe sot, jo vetëm që nuk zhvillohet plazh, por sot është kthyer në një aks, ku duhet të kesh nerva të çelikta për të ecur. Askush nuk është kundër investimit, askush nuk është kundër zhvillimit. Të gjithë i themi bravo një investimi që ka vlerë dhe të gjithë i themi bravo një investimi që gjeneron të ardhura. Të hedhësh para në një aks të caktuar, duke degraduar zhvillimin e zonës, ky nuk është investim, për mua kjo është vjedhje.
Garoni i 4-ti në listën e PD-së në qytetin e Vlorës. Sa mandate pretendon që të marrë PD-ja dhe sa mendoni që do të marrin aleatët apo kundërshtarët?
PD-ja në rang kombëtar do të marrë aq mandate sa të qeverisë në mënyrën më të mirë të mundshme për 4 vitet e ardhshme. PD-ja ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të ndershëm qofshin këta të djathtë apo të majtë. Ka, ka pasur dhe do të ketë mbështetjen e të gjitha bizneseve të ndershme, të cilat sot në qarkun e Vlorës kanë aq kohë që nuk marrin një fond nga buxheti i shtetit, jo për të vjedhur por për të qarkulluar paranë dhe për të investuar, ashtu siç është e nevojshme të investohet. Sot investimet janë në duart e dy apo tre individëve që janë afër qeverisë dhe që janë klientelë e qeverisë. Kështu që në këtë kontekst, PD-ja qoftë në Vlorë, qoftë në rang kombëtar, do të marrë mandatet që meriton, do të marrë frenat e tatëpjetës që ka marrë ky vend, për ta kthyer Shqipërinë aty ku duhet të jetë, për t’i rkthyer Vlorës buzëqeshjen dhe entuziazmin që ky qytet e ka pasur, por fatkeqësisht e ka humbur në këto vite.
Duke qenë se jeni edhe një ekspert ekonomie, si mendoni se duhet menaxhuar, qoftë për turizmin apo edhe ekonomia, duke qenë se pati problematika edhe për shkak të pandemisë.
Shikoni, ekonomia në Shqipëri është një problem tejet i madh. Pse e them këtë? Sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi e brishtë. Fatkeqësisht, e rithem, në këto 8 vitet e fundit nuk ka pasur zhvillim ekonomik, jo ai i kërkuari, jo ai brenda mundësive, por as më minimali i mundshëm. Pse e them këtë? Po të shikoni rritjen ekonomike të Shqipërisë në këto vite, është krejtësisht qesharake. Ne kalojmë nga një rritje 7%, 8%, 8,5% që ka qenë në mandatin e PD-së 2005-2009 apo 2009-2013, sot në një rritje ekonomike 0,1% apo 0,2% apo 1% në rastin më të mirë. Justifikohemi me tërmetin, justifikohemi me pandeminë. Patjetër janë, fatkeqësi natyrore tërmeti dhe pandemia është një situatë globale, e cila ka frenuar zhvillimin ekonomik të shumë vendeve. Por mos harroni, asnjë vend, jo vetëm në botën e zhvilluar, por edhe në rajon, nuk ka pasur qasjen e Shqipërisë. Nëse sot qeveria të thotë duhet të mbyllet jeta në orën 20:00, dhe unë jam totalisht dakord për kurfizimet e orareve, të cilat frenojnë përhapjen e pandemisë. Janë mbyllur shtete më të mëdha, është mbyllur Gjermania, është mbyllur Amerika, por nuk mundesh ti si qeveri që nga njëra anë të mbyllësh jetën dhe nga ana tjetër t’u marrësh detyrimet bizneseve, sikurse punojnë 24 orë në 24. Dhe jo vetëm kjo. Fuqia blerëse në Shqipëri në këto vite është ulur ndjeshëm, si rezultat i një mijë e një arsyeve, ku peshën më të madhe të fajit dhe përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Kështu që në këtë kontekst, sot bizneset po paguajnë sikur punojnë 24 orë dhe sikur po punojnë në një ekonomi ku qarkullon kapitali në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj është një fatkeqësi, jo vetëm situata e krijuar nga pandemia, por është fatkeqësi mbi fatkeqësitë menaxhimi që qeveria po i bën kësaj situate. Asnjë nga ne nuk shkon në spital për t’u vizituar, asnjë nga ne nuk shkon në spital për të bërë një check up, asnjë nga ne nuk shkon në spital për t’u ndjekur nga covid. Ju e dini dhe nuk ka qytetar shqiptar që nuk e di këtë gjë dhe nuk e ka kaluar. Momentin e parë kërkojnë që të marrin ndihmën në shtëpi dhe në spital shkojnë vetëm në momentin kur ata nuk kanë më shpresë. Pse ndodh kjo? Nëse spitali në një vend të zhvilluar është një vend shprese, është një vend ku shkohet për t’u shëruar, në Shqipër spitali është një vend i refuzuar masivisht, spitali është një vend ku shkohet në frymën e fundit. Dhe kjo jo për faj të atyre mjekëve që janë heronj, të cilët përballen dita-ditës jo vetëm me pandeminë, por me kushtet mizerje që kanë spitalet sot, por për faj të mënyrës së menaxhimit të spitaleve. Vazhdon sot ende koncesioni dhe paguhet firma që bën check up-et. Ndërkohë nga ana tjetër, ka mbi një vit që shqiptarët nuk shkojnë spitaleve për të bërë check up. Shqiptarët janë mbyllur, shqiptarët janë terrorizuar dhe shqiptarëve u është bërë presioni për të mos shkuar nëpër spitale. Kështu që në këtë kontekst është momenti dhe thirrja që të gjithë së bashku e kemi në përditshmëri, e shoh te njerëzit që takoj, e shikoj te çdo qytetar, e shoh te studentët, tek ish-studentët e mi, të cilët kërkojnë një orë e më parë të shkojnë në kutitë e votimit, në datën 25. Kështu që situata ekonomike është e rëndë. PD-ja e rikthen normalitetin në ekonomi pikësëpari, duke vendosur taksën e sheshtë. Ç’do të thotë kjo? Qytetarëve u është bërë lavazh truri duke u thënë që ai që fiton më shumë nuk ka pse të paguaj njëlloj me atë që fiton më pak. Por nuk është e vërtetë. Kur themi taksë e sheshtë, do të thotë që në përqindje është e njëjtë, por në vlerë është krejt e ndryshme. Nëse ju fitoni 1.000.000 lekë, atëherë do të paguani një detyrim, sikurse ka qenë taksa 10%, por tani do të bëhet 9%, një detyrim 90.000 lekë. Nëse unë fitoj 100 lekë, do të paguaj 9% të kësaj. Pra në këtë kontekst vlera është e ndryshme. Nga ana tjetër, nuk mundet që sot të kemi një taksë 20-23% për pagamarrësit dhe 9% apo 8% për shpërndarjen e dividentit. Pra firmat e mëdha, që fitojnë miliona euro në vit, tatohen 8%, ndërkohë që një pagamarrës, i cili e ndien shumë mungesën e 50.000 lekëve të vjetër në xhep në fund të muajit, të tatohet me 10%, 15% apo 23%.
Si ekspert ekonomie më thoni tri gjërat kryesore që duhej të ndërmerrte qeveria apo tri gjërat kryesore që do të bëni ju për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ekonomike.
Qeveria ka pasur 8 vite për të ndërmarrë masa për të zhvilluar ekonominë. Nga ana tjetër, PD-ja ka një filozofi të qartë të zhvillimit të ekonomisë, që është tregu i lirë dhe ballafaqimi i kërkesës me ofertën, duke pasur një ent rregullator të fuqishëm për monitorimin dhe ndëshkimin e abuzuesve; duke ulur barrën fiskale; duke ulur sot ditët e inspektimit në biznese. Aktualisht mesatarja e inspektimit nëpër biznese është 45 ditë. E kuptoni çfarë u bëhet bizneseve të jugut, që në kulmin e turizmit, që zgjat jo më shumë se 45 ditë, u shkohet dhe u rrihet me javë të tëra nga inspektorët aty, u ulin inventarin për t’u bërë inventarin pikërisht në kulmin e sezonit. Pse ndodh kjo? Për të marrë ryshfet. Ndërkohë, në programin e PD-së nga 45 ditë shkohet 2-6 ditë për biznesin e vogël dhe jo më shumë se 15 ditë për biznesin e madh. Për të gjitha bizneset, të cilat kanë një xhiro vjetore maksimumi në 140.000.000 lekë, që është pikërisht shtresa më e madhe e bizneseve të vetëpunësuara apo e bizneseve të vogla, nuk do të paguajnë asnjë cent më shumë se 0,5% të xhiros së tyre vjetore, duke u hequr të gjitha tatimet dhe taksat që janë, edhe taksat vendore. Dhe bizneset pajisen me atë që quhet pullë fiskale. Vendoset në hyrje të biznesit të tyre dhe nuk do të guxojë asnjë instancë apo asnjë individ përfaqësues i sektorit publik, përfaqësues i tatimeve, përfaqësues i inspektoriateve të ndryshme të shkelë në këtë biznes. Nga ana tjetër, është vendosur një moratorium 12 muaj i mosvendosjes së gjobave nga inspektimet për çdo biznes. Dhe kjo për çfarë bëhet? Bëhet pikërisht për t’i dhënë kohë biznesit që të rikonceptojë dhe të riformatojë tashmë vetëm me rregullat e reja dhe me rregullat e ndershme të tregut. Sot bizneset punojnë në terror. Më besoni, asnjë biznes nuk do të punojë në atë që quhet në të zezë apo në informalitet. Të gjitha bizneset duhet të punojnë me ndershmëri. Por, çfarë të shtyn që të punosh në informalitet? Të shtyjnë kushtet e vështira për të përballuar jetesën dhe për të përballuar ciklet e biznesit. Kështu që në këtë kontekst, PD-ja në të gjithë programin e saj ka në thelb kthimin e normalitetit dhe kthimin e tregut të lirë.
Cila është pika më e fortë e PD-së ose e juaja si PD dega Vlorë dhe cila është pika më e dobët në këtë fushatë elektorale.
Unë nuk besoj që ka një pikë të fortë apo një pikë të dobët. Unë besoj që PD-ja në këto 8 vite është reformuar mjaftueshëm dhe tashmë ka një alternativë shumë të mirë dhe ka një program akoma më të mirë dhe programi konsiston pikërisht në çdo qelizë të jetës së qytetarit shqiptar, të biznesit shqiptar, për të kthyer normalitetin dhe për të zhvilluar, duke i dhënë frymëmarrjen e nevojshme çdo sektori. Ne besojmë fort tek ekonomia e tregut, ne besojmë fort te fermeri, ne besojmë te shëndetësia, tek arsimi i mirë. Ne besojmë fort te kthimi i Vlorës në një destinacion turistik ndërkombëtar. Nuk vijnë turistët duke bërë një artikull në një revistë ndërkombëtare. Nuk vijnë turistët në Shqipëri apo në Vlorë duke bërë një kronikë në një media ndërkombëtare. Turistët vijnë këtu kur ka infrastrukturë, kur ka shëndetësi sepse në të gjithë jugun ne nuk kemi një qendër shëndetësore. Ne kemi vetëm pika ku kemi braktisur një mjek aty dhe i themi: shëro çdo individ që të vjen. Nuk ka infrastrukturë shëndetësore i gjithë jugu, nuk kemi një qendër të mirëfilltë. Ne nuk kemi siguri, nuk kemi infrastrukturë. Ne nuk kemi një kontroll për sa i përket sigurisë së ushqimit. Ne e lëmë konsumatorin dhe biznesin të përballet me vështirësitë e tregut, kështu që në këtë kontekst PD-ja të gjitha këto i kthen në avantazhe ndaj biznesit, në avantazhe ndaj konsumatorit, duke bërë të mundur atë që quhet frymëmarrje dhe kthim në normalitet.
Sa deputetë do të marrë PD-ja në qarkun e Vlorës? Kush është Arbi Agalliu dhe pse duhet të votohet?
PD-ja në qarkun e Vlorës do të marrë aq deputetë sa t’i tregojë jo vetëm Vlorës, qarkut të Vlorës, por të gjithë Shqipërisë që vlonjatët dhe i gjithë jugu di të reagojë kur duhet dhe si duhet. Ne në Vlorë mbahemi për gjaknxehtë. Por unë nuk e quaj gjaknxehtësi, unë e quaj reagim qytetar dhe vlonjati di të reagojë në mënyrën e tij, në formën e tij, atëherë kur duhet. Kështu që Vlora do të jetë surpriza e madhe, sikurse ka bërë gjithmonë. Vlora gjithmonë nuk është pajtuar me askënd që i ka rënë në qafë. Dhe Vlorës sot e prej 8 vitesh po i bihet në qafë në mënyrë të vazhdueshme. Nga ana tjetër, Arbi Agalliu kush është? Arbi Agalliu është një djalë Vlore, vjen nga një familje qytetare vlonjate, nga Agallinjtë e Vlorës, një djalë që është lindur dhe rritur në këtë qytet. Këtu përballë kemi shkollën time dhe jo më kot u dakordësuam për ta zhvilluar edhe këtë intervistë këtu, pasi ky shesh është sheshi simbol i të gjithë shqiptarisë dhe aq më tepër i ne vlonjatëve. Është sheshi ynë i krenarisë. Ka qenë edhe vendi ku jemi rritur, kemi luajtur të gjithë vlonjatët. Mbaj mend në ato vitet e arta të qytetit të Vlorës, për festat e nëntorit ky vend gumëzhinte nga fëmijët, nga rinia, nga qytetarët vlonjatë. Qyteti ka qenë entuziast. Sot ka vdekur entuziazmi. Arbi është një individ që ka dhënë mësim në universitete, që prej vitit 2008 e deri më sot jami angazhuar në jetën akademike. Mundohem në mënyrën time të jap kontributin sa më shumë të mundem. Nuk kam punuar një ditë të vetme në administratën publike. Këtë nuk e them as për krenari as për mburrje, as për fatkeqësi. E them si një qytetar që e kam parë angazhimin në administratën publike deri në këtë moment nga jashtë, por kur fatkeqësisht kam parë drejtorë, drejtues të instancave të larta të administratës publike që kanë qenë edhe ish-studentë të mi dhe fatkeqësisht lënë shumë për të dëshiruar, atëherë mendoj që është koha që gjithsecili që ka në vlerë, të bëjë diçka më shumë për këtë vend. Ndaj unë i ftoj të gjithë vlonjatët, të gjithë dashamirësit jo vetëm të PD-së, por ata që e duan qytetin, ata që e duan Shqipërinë, në datën 25 prill të votojnë nr. 9, që është PD-ja dhe Aleanca për Ndryshim. Patjetër që ne po bëjmë një fushatë larg emrave personalë dhe të fokusuar te vota e PD-së dhe te vota e aleancës. Ne duam të maksimalizojmë votën për PD-në, ne duam t’i kthejmë Shqipërisë atë që meriton.
Arbi, faleminderit!
Faleminderit edhe juve!
Nese kripporja e Nartes funksionon,kripjani pak trute ketij specialisti te njohur te ekonomise
Përgjigju