Ende 31% e shqiptarëve duan të emigrojnë, 18% me valixhe gati, më i larti në Ballkan

Ende 31% e shqiptarëve duan të emigrojnë, 18% me valixhe gati, më i larti në Ballkan

Foto ilustruese

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipëria duhet të alarmohet nga potencialet e larta të popullatës që kërkon të emigrojë në mënyrë të përhershme, duke sinjalizuar një rreth vicioz të një krize demografike, ekonomike dhe politike, tha Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), pas analizës së rezultateve të anketës së Barometrit të Sigurisë për vitin 2023.

Rezultatet e anketës që u zhvillua në maj-qershor 2023 në 6 vendet të Ballkanit Perëndimor evidentuan se Shqipëria megjithëse ka përjetuar deri më tani emigracion më të fortë se Rajoni, ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi sidomos për të rinjtë e arsimuar.

Anketa që u zhvillua në rreth 6000 persona në Ballkan tregoi se, 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur.

Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në të vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht por përgjithmonë. (shiko grafiqet e mëposhtme).

Nga pjesa e shqiptarëve që kanë shprehur dakord për të ikur, pothuajse 44 % duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme niveli më i lartë në Rajon.

Ata që synojnë të largohen, në përgjithësi, përqendrohen në grupin aktiv të punës 18-44, ndërsa ata që nuk duan të largohen dominojnë grupin 45-65+ të popullatës.

Pavarësisht një tkurrjeje nga viti 2022, planet për emigracionit vazhdojnë në Rajon dhe kryesisht në Shqipëri, duke shndërruar fenomenin e largimit në një prirje të qëndrueshme. Analiza e RCC tregon se një prirje e tillë padyshim do të thellojë krizën demografike, për shkak të një kombinimi të rrezikshëm të migrimit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë.

Kjo situatë krijon kushtet për më shumë mungesa të fuqisë punëtore, i konsideruar tashmë si një emergjencë për Shqipërinë.

Në Shqipëri faktorët shtytës që nxisin emigracionin lidhen me arsyet ekonomike dhe mosbesimin në institucione. Në të njëjtën kohë zgjerimi i rrjeteve familjare dhe numri i atyre që mund të përdorin këto lidhje përforcohen, duke nxitur më tej flukset dalëse të migracionit.

Nga ana tjetër, prirja migratore e të anketuarve të mirë-arsimuar në mënyrë të pashmangshme përforcon problemet e ikjes së trurit tashmë të pranishme në ekonomitë rajonale.

Ky kontingjent është i prirur të kalojë në shoqëri tashmë të qëndrueshme në vend që të luftojë për të siguruar kushte më të mira në vend. Largimi i tyre po çon në performancë të dobët në të gjitha fushat dhe gërryerje të përgjegjësisë në vend./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?