Protesta e opozitës zgjati 5 orë. Ishte paralajmëruar të ishte një rrethim pa afat i kryeministrisë. Kjo ishte çka demokratët dhe LSI dëshironte. Por gjithçka shpërtheu në dhunë, nga persona që opozita tha se ishin njerëz të nxitur nga qeveria për skenare dhune. E quajtën këtë protestë kapitullimin e kryeministrit Edi Rama çka u shfaq edhe në deklaratat euforike të liderëve të opozitës.
Pati dhunë dhe gjithçka u kthye në kaos. U shpërnda falë ndërhyrjes së forcave të policisë dhe gardës që lëshuan gaz lotsjellës. Nga ana e protestuesve u hodhën kapsollë, bomba molotov, u vu zjarr dhe u shkatërruan instalacioni mbi derën e kryeministrisë dhe kërpudha në lulishte.
U dogjën pemë dhe pati të lënduar mes radhëve të policisë, përfaqësuesve të medias dhe vetë protestuesve. Por dëshira e tyre për të pasur sa më shumë njerëz dhe rrethim të kryeministrisë, është shfaqur në Rilindjen Demokratike, organin zyrtar të PD-së.
Ka publikuar një foto që sipas saj tregon pjesëmarrjen e vërtetë në tubimin e opozitës. Është vërtet një rrethim masiv i kryeministrisë. Vetëm se fotoja në fjalë, është një montazh. Është botuar këtë të enjte nga gazeta "Koha Jonë", ende pa nisur protesta. Është publikuar më tej nga RD-ja si imazhi i protestës. Por mbetet një montazh. Një imazh filmuar me dron nga protesta e sotme, e sjellim më poshtë përmes kësaj fotoje. Është nga protesta e sotme, dhe nuk është montazh
Komente

