Enigmat e veprës së Biçikemit
autorët e 'Historisë së Skëndërbeut'

Enigmat e veprës së Biçikemit<br />autorët e 'Historisë së Skëndërbeut'
Elementi i parë që bie në sy në veprën “Historia de Vita et gestis Scanderbegi...” dhe e bën atë një publikim jo normal ka të bëjë me aspektet tipografike e ikonografike të lidhura me ambientin venecian (Essling: “les bois et les initiales dont il est orné étant de facture toute vénitienne..) kur ndërkohë na është paraqitur si një produkt roman. Në mbyllje të veprës (colophon) editori shënon vetëm gërmat fillestare të emrit të tij dhe shmanget përcaktimi i datës së botimit: Impressum Rome per B.V.

Harresa të cilat nuk duhen konsideruar kurrësesi të paqëllimshme. Bile edhe letrën e Marko Marulit që e botoi në të njëjtën kohë po në Romë ai e paraqet gati në të njëjtën mënyre Impressa Romae per B.V., vetëm se në këtë edicion shton edhe datën e botimit: Anno .D(omini) M.D.XXII. pridie kalendas maii feliciter explicit.((Në)Vitin e Zotit 1522 përfunduar me sukses ditën e parë të muajit maj.)
 
Një paraqitje të tillë nuk e gjejmë p. sh., më 1507 dhe më 1508 kur De Vitali boti dhe riboti veprën e Ptolomeut në Romë. Në të dyja këto raste në colophon gjejmë: Romae: nouiter impressum per Bernardinum Venetum de Vitalibus, expensis Euangelista Tosino Brixiano bibliopola, die VIII Septembris M.D.VII(Romë. Shtypur rishtmas prej Bernardino Venecianit të Vitalve, me shpenzimet e Evangjelista Tosino-s librar më 7 shtator 1507). Pra dy vizita nga Bernardino de Vitali në Romë dhe dy mënyra të ndryshme paraqitje të veprave. Me gjithë këtë edhe në mënyrë instiktive nga intelektualë të shquar venecianë Historia e Skëndërbeut nuk është vlerësuar si një vepër që i përket ambientit roman por atij venecian. Më 1847 E.A. Cicogna në veprën e tij bibliografike mbi editorinë veneciane fut mes tyre si një përjashtim edhe veprën e Skënderbeut me komentin e veçantë se: Jeta e veprat e Skëndërbeut janë të lidhura me mjra fije me venecianët.
 
Përsa i përket editorit sot ngjan një fakt i thjeshtë dhe i ditur prej të gjithëve se B.V. do të thotë Bernardino De Vitali. Mirëpo për të aritur në këtë pikë u deshën të kalonin gati dy shekuj e gjysëm nga botimi i veprës që studiuesi arbëresh Pietro Pompilio Rodotà (1707-1770) të vendoste një paralele mes editorit të Rrethimit të Shkodrës në Venedik dhe B.V.-së të Historisë të Skënderbeut në Romë.

 Maskimi i kësaj vepre duket tek tendenca për të paraqitur atë si një vepër të kompletuar me portretin e autorit në faqen e parë ku është dedikimi i veprës. Kjo formë paraqitje krijonte për lexuesin e thjeshtë por edhe tek ndonjë ndonjë studiues përshtypjen se ka përpara imazhin e vërtetë të një autori, që duhej të ndodhej diku në Romë si famulltar. Me vdekjen e Marin Beçikemit(1468-1526) autorit të vërtetë të veprës “Historia de Vita et gestis Scanderbegi...” editori i saj Bernardino de Vitali që e dinte se ai portret nuk kishte pasur të bënte fare me imazhin e ndonjë personi por ishte thjesht një ksilografi simbolike e kalon atë më 30 shtator 1526 edhe në veprën e Aloyse Cynthio degli Fabritii mbi proverbat popullore.

E pra edhe në këtë rast Bernardino de Vitali deshte t'i bënë një farë maskimi autorit mirëpo Alvise Cincio ishte një person i njohur publikisht dhe u bë objekt ndjekjesh nga ana e klerit. Ishte pikërish kjo vepër që shtyu Signorinë të vendosë më 29 janar 1527 censurën mbi editorinë në Venedik si mbi librat e shtypuara aty si mbi ato të importuara. Ky vendim prekte edhe veprën tonë që po qarkullonte aty si një vepër importi.

 Çështja tjetër akoma më enigmatike ka të bëjë me dy autorët që na prezantojnë veprën e Historisë të Skënderbeut të paraqitur në ballinën e saj me nga një vjershë të shkurtër. Është fjala për Petro Regulus Viçentino dhe Domenik Alcinjano Padovani-n. Në këtë rast është normale të bëhet pyetja: Kush janë këta persona? Sa të njohur kanë qënë ata kur u botua vepra dhe sa mundësi kishte dikush që nëpërmjet tyre të arrinte tek autori i vërtetë i saj?

Dh. Shuteriqi i ndodhur para faktit mbi pamundësinë e mbledhjes të të dhënave biografike për Barletin nëpërmjet veprave të tij, mbasi ato paraqiteshin hermetike në këtë drejtim, sugjeronte që të ndiqeshin jetët e këtyre dy personave, për të cilët mendonte se duhet ta njihnin Barletin. Po aty tërheq vëmëndjen se ata ishin injoruar gati krejt nga historiografia shqiptare(Shuteriqi-1979).

Të njëjtat probleme i parashtruam edhe në vepra “Barleti apo Beçikemi?”, dhe tashmë duket se në këtë drejtim kanë filluar kërkimet e para të cilat nuk duket se e kanë qetësuar këtë çështje. Ata vazhdojnë të paraqesin akoma vështirësi identifikimi apo njohje të veprimtarisë së tyre në mënyrë të tillë që të mund të gjejmë kontaktet me autorin e veprës sonë.
Mbiemri Alzignano (Alcinjano)i përdorur në shekullin e XV duket se ka filluar të lihet pasdore dhe ai evulon në fund të këtij shekulli dhe në fillim të shekullit të XVI në formën Olzigniano(Olcinjano). Kështu një student në Padova në aktet kuries e gjejmë: d.(om) mag.(ister) Iacobi Alzignani Patavii art. doct.(Divers. 44. f. 109) po të njëjtin person më 1488 fillojmë ta takojmë në aktet e këtij universiteti me emrin mag. Jacobi f.(ilius) ser Gasparis de Olzignano civis Pad.(ova) por edhe në formën: Iacobus de Olzignano de Padova f(ilius) ser Gasparis (Baldasris) doct., art. (doctoris in artibus)

Ndërsa një tjetër Iacob me mbiemrin Arzignano (Arzignana) do ta takojmë më 4 shkurt 1474 në variantin Iacopi de Supatis Jordanis de Arzignano f.(ilius) ser Nascimbeni doct. i. civ. por edhe në variantin d. Jordani de Arzignano Vicentini.
Për periudhën 1500-1550 nuk takojmë në Universitetin e Padovës asnjë student me mbiemrin Arzignano apo Alzignano por ndërkohë kemi dy studentë që venë mbas emrit të tyre de Olzignano (nga Olcinjano) dhe që të dy janë nga Padova. Kështu kemi Heironimus de Olzignano de Padova e po kështu edhe Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius q.(unadam) Antoni.

Ja pra është me se e qartë që mbiemrat Alzignano (= Olzignano) dhe Arzignano nuk mud të shkrihen tek njëri tjetri mbasi janë dy lokalitet te ndryshme larg nga njëra tjetra. Njëra është në afërsi të Padovës mos lagje e saj (kemi edhe Palazzo Olzignani ndërtuar qysh më 1466 nga Pietro Lombardo) dhe tjetra në Vincenza.
Kështu Dominicus de Alzegnano Patavius i Historisë të Skënderbeut nuk mund të jetë i njëjtë me mjekun Domenico Massari( Dominici Vincentini Arcignanei) aktiv në shek. XV-XVI lindur në Arzignano provinca e Viçencës.

Mbi jetën e këtij humanisti dihet shumë pak. Emri i tij del si autor në dy vepra. Në të parën ai është kujdestar i veprës të Aristotelit: Problemet(1505) e cila edhe pse konsiderohet një vepër e dyshimtë e Aristotelit pati një popullaritet në gjithë Evropën. Ajo është e ndërtuar nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve të 900 çështjeve (problemeve) të ndryshme.
Libri i dytë i Domenico Massari-t ka të bëjë me peshat dhe mastat mjekësore, i cili u botua fillimisht më 1511 dhe më pas pati edhe dy ribotime të tjera në Itali një në Pavia(1516) e një në Bologna(1516). Në këto vepra ai prezantohet me emrin: Dominici Vicentini Arcignanei por edhe më thjesht: Dominici Arcignanei. Dy botimet e fundit janë të bashkuara me vepra të autorëve të tjerë.

Në këtë pikë duket më interesant të gjyrmohet Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius i të ndjerit Antonio për të cilin folëm më lart. Ky e nis karierën e tij univesitare disa muaj pas vdekjes të Marin Beçikemit dhe është pranuar në universitet mbasi ka dhënë prova për aftësitë e tij. Nuk është çudi që në mënyrë private ai të ketë pasur si profesor Beçikemin. Pas disa vjetësh të një kariere të shkëlqyer universitare Doimus që duhet të jetë Domenik ka aritur të bëhet primar i Kolegjit të Shënjtë të Juristëve në Padova.

Çështja duket sikur është zgjidhur me Petrus Regulus Vicentinus me që emri i një Petro Regola del së fundi në aktet arkivale të kuries së Padovës dhe ngjan që të ketë qënë sekretar qysh në kohën e peshkopit Jacopo Zeno(1460-1481) mirëpo nuk duket të ketë mbajtur të njëtin ofiq gjatë peshkopatës të Pietro Barozzi-t (1487-1507) dhe riaktivizohet me ardhjen e peshkopit të ri Pietro Dandolo(1507-1509). Në këtë periudhë ai duhet të ketë qënë mbi 60 vjeç.

Duke ndjekur gjithmonë studentët që kanë studjuar në Padova takojmë disa prej tyre që mbajnë mbiemrin Regulus apo Regulinus me prejardhje udineze, veneciane apo toskane. Pra mbiemri nuk ka qënë dhe aq i rallë siç menduam kur botuam veprën Barleti apo Beçikemi?...
Sidoqoftë në lidhje me Petron që del në dokumentat e kuries të Padovës del pyetja a ishte gjallë ai kur u botua Historia e Skëndërbeut më 1522? Pastaj sa i gatshëm ishte ai të na informonte për këtë Marin Barleti që në duket si një person nga Roma e që në realitet ishte Marin Beçikemi nga Padova?

Me gjithatë ka rëndësi fakti se diçka ka filluar të lëvizë edhe në shkencën albanologjike për të gjetur të vërtetën. Fillimisht u provua për ruajtjen e anakronizmave. Emri Barleti bënte pjesë në ADN-në e kombit e të shkencës albanologjike. Ndryshimet e saj prishnin shumë ekulibra e rëzonin shumë mite. Jo më kot në shtypin e kohës u përdorën fjalët: rikthim tek Barleti, rishikim, rivlerësim i figurës të Barleti apo rigjetje e Shqipërisë të humbur.

Të gjitha duan të thonë ruajtja e Barletit. Shpresojmë e urojmë të bëhen tentativa të tjera. Hulumtime apo diskutime të cilat kanë edhe anën pozitive mbasi sa më shumë variante të hamendësohen për ekzistencën historike të Barletit aq më shumë do të bindemi se prapa këtij emri qëndron profesori dhe oratori zyrtar i Republikës të Venedikut Marin Beçikemi. Njeriu që njihte nga afër dhe larg sekretet, skenat dhe prapaskenat që luheshin në pallatet e dozhëve.
 
 Firenze 31.I.2014
 
Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane