Enver Petrovci: E nisa aktrimin
duke vjedhur çarçafët e nënës

Enver Petrovci: E nisa aktrimin<br />duke vjedhur çarçafët e nënës
TIRANE- Emri i tij lidhet me dyert e teatrit klasik, teatrit modern, teatrit të pantomimës, me dyert e Akademisë së Arteve, me formulën e aktrimit, regjizurës dhe ligjërimit. Rolet tij të shumta, e lartësojnë atë duke e bërë gjithandej të njohur si aktor teatri dhe filmi. Personazhet e tij do të ruhen në arkivat mendore të brezave mbase dhe gjithë breznive në ecje.

Enver Petrovci është autor dramash, skenarësh, është regjisor shfaqjesh. Ai mbetet model i pakapërcyer prej pedagogu, ligjërues esencial për aktrimin dhe diksionin. Ai është dhe prind i mirë. Me bashkëshorten e tij Valbona Petrovcin, pianiste, kanë krijuar një familje, e cila numëron pesë anëtarë. E takon dhe të thotë se emri i aktorit lidhet me skenën. Për Enver Petrovcin sikur mos të kishte ekzistuar skena, s’do ekzistonte aktori. “Kjo është ideja për skenën, përderisa ju thoni se emri im lidhet me skenën, kjo është një epitet më shumë për skenën. Sepse, atë që bëj unë ngelet në themelet e artit të vendit tim. Më vjen mirë kur brezat e rinj e ndjejnë ose e nuhasin atë ndjesinë time artistike”, thotë ai. Është e kuptueshme që jeta e tij është e njësuar me aktrimin, ndaj e pyesim pikërisht për të.
 
 Profesor i dashur mendoni se skena e teatrit të vendit tonë do të ishte funksionale pa emrin tuaj?
 -Patjetër që po, ajo ekziston para meje, me mua, dhe pas meje. Në të njëjtën kohë, unë para se me ditë çfarë është skena, e kam shpikur ose ndjerë atë përbrenda vetes sime. Pra, e kam nisur me çarçafët që ia vidhja nënës sime dhe me litar improvizoja perdet skenike. Ta them kështu mes nesh, dhe si përfundim, në sarkagjik (rrugicë e vogël) kam lozur pa e kuptuar akoma se çka në të vërtet është loja. Po mos të kishte ekzistuar skena garant, unë do ta shpikja atë.
 
Jeni ligjërues i aktrimit dhe diksionit, ju e keni sfiduar patetikën skenike dhe e keni përafruar të folurën skenike me atë jetësore?
 -Po ardhja ime këtu dhe hapja e këtij fakulteti, (duke mos harruar që para këtij fakultetit ka pas një shkollë të lartë, dhe para asaj shkolle, ka pasur edhe një shkollë tjetër për aktor) gjegjësisht katedrës për aktor, them se kemi nxjerrë rezultate në vazhdimësi, dhe nuk mund t’i mohoj ato rezultate, sepse ato po reflektohen në horizont. Aktori sot është më natyral, më real, më bashkëkohor. Ideja është se, nuk është çështja me përcjell kohën. Një aktor natyral, ngelet gjithmonë bashkëkohor. Pra, aktori duhet të tentojë ta imitojë jetën, për të mbetur i përjetshëm përjetësisht.
 
Prof. Faruk Begolli ju pati ftuar për t’iu kthyer Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve, është e vërtetë kjo?
 -Po, ai ka qenë edhe profesor i imi. Kontributi i tij dihet botërisht. Ai kishte pranuar që të ishte pedagog këtu në Prishtinë, përderisa, unë në atë kohë isha shumë i zënë në Beograd, dhe, nuk ishte interesimi im me u kthye prapa. Mirëpo, me kohë filloi njëfarë idealizmi njerëzor, si të thuash, dhe u ktheva, ku për fillim ligjërova lëndën e aktrimit, më vonë edhe diksionin.  
 
Emri juaj lidhet edhe me pantomimën, jeni ndoshta i vetmi aktor që e kultivoni këtë lloj arti të çmuar, të cilin e hasim tek Chaplini?
 -Chaplini ka qenë më i njohuri. Ai qe aktori më i suksesshëm në historinë botërore, në artin e pantomimikës. Ai qe i pari që e popullarizoi këtë lloj arti. Nga ky kontekst, them se, ambicia ime ka qenë që të gjitha llojet e instrumenteve artistike me qenë në mua dhe me mua. Megjithatë, është njëra nga ato që nuk pata fatin ta zotërojë, dhe ajo ishte pianoja. Mosinterpretimi i një instrumenti shkakton turbullirë në intuitën e një artisti.

Por, them se pantomima është shkollë për një kategori elitare. Shikojeni, në botë ka aktorë të paktë që e kultivojnë këtë fushë kaq të çmuar dhe të shtrenjtë. Në Kosovë kam pasur fatin ose fatkeqësinë që të identifikohem me këtë lloj arti porse, nuk e kam shfrytëzuar aspak. Në fakt, nuk ka pasur mundësi që të shfrytëzohet nga askush, nuk ke profesionist asnjë të vetëm në Kosovë që kanë bërë ndonjë zhvillim profesional për këtë zhanër. 

Do të doja ta takoj dikë që do ta kishte këtë prirje. Aktor sot ke sa të duash, pantomimist nëse do të kërkonte dikush që do të vinte nga jashtë nuk e gjen ndoshta asnjë. Megjithatë, unë besoj se ka me këtë prirje të rinj, por ata duhet me i kërku dikush. Përse nuk bëhen spektakle të tilla që të hulumtohet kjo kategori artistësh. Të flasësh me gjuhën e trupit dhe fytyrës e mendjes pa e përdorur fjalën është arti më i shtrenjtë.
 
Emri juaj lidhet me kritikën dhe kritikët e artit teatror?
-Është e vërtetë, ka pas emra kritikësh që më kanë përcjellë. Në karrierën time jashtë Kosove nuk kam marrë kurrë kritikë të dobët. Në Prishtinë po! Pra, ideja është se, artisti dhe arti i mirëfilltë, kritika është ajo që e ka diktuar pantomimën në mua, prandaj, artisti ka nevojë për zërin e kritikut, nga ky prizëm, tani më vjen ndërmend, filmi “Parullat” i cili është filmi më i mirë në këto 20-vitet e fundit, dhe them se, nuk e ka zënë vendin e merituar në rrafshin vendor nga kritika, përkundrazi, është tejkaluar në formë heshtjeje.
 
Sa vite kënaqësi njëherësh, pakënaqësi përbrenda gjithë këtyre viteve skenike?
-Kënaqësia është e lidhur ngushtë me pakënaqësinë! Unë nuk kam pasur fat që të lobonte dikush për artin dhe vlerat e mia. Dhe nëse një artist i madh, nuk e ka këtë mbështetje, atëherë, ai nuk mundet me u lartësu, karshi atyre që e kanë këtë lloj mbështetje. Thjesht, unë nuk kam qenë aktor i oborrtarëve dhe oborrtarisë politike. Kjo, mundet me qenë arsyeja, që nuk jam artist mbretëror sot.

Pra, të jesh përbrenda një oborri mbretëror d.m.th. të jesh i privilegjuar, të kesh benifite të ndryshme, duke u nisur nga të jetuarit dhe të trajtuarit njerëzor dhe artistik. Në anën tjetër, të jesh artist i mbretit nuk d.m.th. që je shkëlqesia e tij. P.sh. Salieri, ka qenë i mbështetur nga shteti, dhe të gjithë, kanë menduar se ai është artist i jashtëzakonshëm, por, në fund, ai përmendet vetëm se ka jetuar në kohën e jashtëzakonshmërisë Moxartiane.
 
T’i kthehemi shkollimit tuaj, gjendjen financiare e keni pasur shumë të keqe, keni fjetur nëpër trena, keni shkaktuar edhe probleme me vetëdije për të gjetur strehim fjetjeje në stacione policore?
-Po është e vërtetë, policia më burgoste duke e justifikuar që të më burgoste për faktin se nuk merrja dokumente me vete. Ky ishte një motiv goxha i fortë, që ata më burgosnin. Në anën tjetër, unë kisha nevojë me pushu dhe me u ngroh, kur po bënte acar rrugëve të Beogradit, dhe si rezultat, më mirë ishte në korridore të policisë sesa në rrugë.

Pra, kam fjet kudo; në fakultet, në rrugë, njëherë kam fjetur në hotel dhe jam pastruar mirë, kisha nevojë. Por është edhe një e vërtetë tjetër se, unë kam qenë studenti më i mirë i asaj kohe, sepse, nuk kam pas punë tjetër përveç mësimit. Ato lloj aventurash,në biografinë time, nuk do t’i përshkruaj asnjëherë si vuajtje, përkundrazi, ato kanë qenë dhe ngelen si gjërat më të bukura në jetën time, duke ja bashkangjitur asaj kënaqësie edhe ndonjë femër aty-këtu.
 
Mbi gurin e varrit të nënës qëndron një mesazh të cilin ju vet e keni thurur, çfarë i keni thënë asaj?
-Unë jam besimtar, e para, dhe mbi gurin e nënës sime pata shkruar një epitaf: “Ah moj nënë,ja erdha pas teje vetëm ta pi një kafe”. Kaq është jeta e mbetur në mes saj dhe meje, sa ta pish një kafe. Dhe vërtetë kaluan 20 vite, e unë atë kafe akoma s’e kam pi!
 
 Ju jeni i martuar me Valbona (Pula) Petrovcin pianiste, keni tre fëmijë; Hanën, Astritin dhe Vanesën. Ka harmoni në mesin tuaj në rrethana të një bashkëshortësie të ndërsjellë karshi fëmijëve dhe profilit tuaj prej aktori?
-Nuk kam pasur aq kohë për të qenë baba i mirë karshi fëmijëve të mi. Unë jam baba i mirë për aq sa ka qenë babai im ndaj meje, në këtë sens, them se, nëse do të kem jetë, do të jem gjysh i mirë. Si edukator, konsideroj se, nuk kam pasur kohë që të bëhem mësues i dalluar, në anën tjetër, meqë s’kam pas kohë, shpresoj se, fëmijët e mi e kanë kuptuar jetën time dhe ma merr mendja se ata do ta jetojnë jetën e tyre ashtu si e kam jetuar unë.
 
Të flasim edhe pak për edukatën?
-Të jesh baba praktik dhe teorik, për mua ka kuptim dhe është më bindës koncepti i parë. Këtë koncept e ka praktikuar babai im me mua. Ai më ka mësuar mos me rrejt, mos me vepru kundër vullnetit tim, apo për hir të vullnetit të dikujt tjetër. Pra, është e kot me qenë i mirë për fëmijët tu dhe i pandershëm me veten tënde. Akoma më keq, kur një baba, veprimet e tij karshi  botës tenton që t’i fshehë në gjirin e fëmijëve të tij. Dhe si përfundim, unë besoj se fëmijët e mi, do të jenë të ndershëm, të moralshëm dhe punëtor për aq sa kam qenë unë. Pra, ata edukohen duke më parë sesi jetoj dhe jo se si flas. Kjo është ajo që dëshiroj në raport me ta dhe me familjen time në përgjithësi.
 
 A do të luani më, apo mendoni se nuk ka hapësirë për ju dhe për intuitën tuaj artistike?
-Ka shumë ftesa, por janë jo serioze. Nuk kam nevojë bëj shfaqje me ambicie të vogla, edhe mund të ndodhë shfaqja e vogël, por ambicia duhet të jetë e madhe, sepse, për këto ambicie kam punuar krejt jetën. Edhe ju po e thoni këtë në pyetjet tuaja; se unë qenkam i vlefshëm për skenën, për akademinë, dhe për vendin. Pra, projekti teatror nuk është shumëçka, por ambicia në kuptimin profesional është gjithçka. Si përfundim; do të luaj nëse ka ambicie të tilla.
 
 Mos po ndjeheni i ligështuar para të ligjve, apo ligështia e atyre që nuk e përballojnë dot zhegun ju ka ligështuar dhe juve?
-Pyetje shumë e mirë. Pyetje që kërkon përgjigje të menduar. Unë kam dhënë shumë si edukator për këtë skenë, dhe nuk kam marrë ndoshta asgjë. Kam prodhuar breza aktorësh, dhe kjo është pasuri e vërtetë. Me edukatën që iu kam dhënë atyre, ata sot janë bërë të zot për vetveten e tyre. Janë bërë njerëz,të dalluar nga të tjerët. Në këtë kontekst, unë nuk kam prodhuar aktorë, por njerëz! Aktori lehtë bëhet aktor, edhe gomari bëhet aktor kur futet në film. Pra, është me rëndësi me prodhu njerëz, sepse këta njerëz, edukojnë breza të tërë, dhe ajo hallkë zgjerohet dhe shndërrohet në pasuri. Duhet pasur kujdes se ka të atillë sot, që prodhojnë shtazë duke besuar se po prodhojnë njerëz.
 
 Sa para duhet që t’ju ofroj teatri për të lozur “Mbretin Lir” dhe cili do ishte regjisori ideal për ju në këtë rast?
-Unë jam aktori më i lirë në botë, sepse e garantoj suksesin. Nëse një shfaqje kushton edhe 100 Eu. është shumë e shtrenjtë nëse është e dobët, sepse prodhon kundër-kulturë, dhe nga ajo kundër-kulturë, infektohen të gjithë, si shikuesit po ashtu dhe krijuesit, dhe ky lloj virusi, vetëm sa vjen e zgjerohet në mendësitë artistike. Por këto lloj trendesh si duket janë të pëlqyera për kohën.
 
 
Cili është koncepti juaj për Zotin. Ju keni thënë publikisht se keni komunikuar me Zotin!
-Jo nuk lidhet asgjë me skenën. Ajo që ju pyesni më ka ndodhur! Valbona (bashkëshortja ime) më ka thënë mos me fol për këtë, me justifikimin se, masa nuk është e gatshme për ta perceptuar këtë. Por ajo ka ndodhur! Para ca viteve m’u shfaq ajo lloj drite e fuqishme në mes nate.

Dhe si përfundim; i jam drejtuar me zë atij ndriçimi, por nuk dua që ta bëj publike atë që kam thënë, por ka pasur vezullim dritësor të pa përjetuar kurrë më parë as më pas. Zoti, është diç universal nuk kuptimin ekzistues për njerëzimin, mbase është edhe naive që të diskutohet vërtetësia e tij. Dhe për ta vërtetuar idenë, karshi atyre që kanë dilema ndaj asaj vërtetësie, është njësoj, si me thënë fëmija: “A thua a kam unë nënë?!” Mua më vjen keq për ata njerëz që nuk kanë bindje absolute ndaj Zotit.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar