Po, a është edhe “EQUUS” një eksperiment i tillë? Vetë forma e dramës duket si diçka normale: një mjek psikiatër zhbiron pareshtur dhe zbulon botën shpirtërore të një adoleshenti që ka si pasion vetiak të verbër kuajt, krejt i shkëputur nga realiteti që e rrethon. Ky hetim shtjellohet sipas një strukture krejt të veçantë, në retrospektivë dhe, sa më tepër që psikiatri depërton në psikologjinë e jetës e bëmave të këtij djaloshi që punon në një stallë kuajsh, aq më shumë tronditet nga ky pasion e afërsi denatyrore midis njeriut e kafshës. Djaloshi Alan është i magjepsur nga sytë e kalit dhe me fantazinë e tij (e jo më vetëm me fantazi!) ai dëshiron të “hyjë” në brendësi të qënies së tij, bile edhe të njësohet me kafshën që e adhuron , deri në sferën qiellore të Perëndive, nga njera anë e të mëkatit, nga krahu tjetër. Regjisori Mustafiç dhe skenografi Dragutin Brozi, depërtues edhe ata në këtë mister spektakolar, e paraqesin kokën e kalit të zmadhuar, si të ishte një shtëpizë misterioze, ku djaloshi do të “trokasë” e do të hyjë në brendësi, mandej edhe i zhveshur. Djaloshi Alan, krejt i dashuruar me kalin e adhuruar si një Perëndi, është tani në një përjetim instiktesh që i provon për herë të parë dhe pikërisht në brendësi të kësaj të fshehte hyn e kërkon të dijë psikiatri Martin Dysard, si të kapte kështu argumetin e vetëm denatyror e për ta shkëputur djaloshin nga ky ritual i përjetuar brenda e jashtë natyrës njerëzore.
Dhe, e fshehta nuk është më anormale, po diçka normale, si një ritual i qënies, i instikteve që nuk mund të përjashtohen nga jeta e njeriut të shkëputur nga realiteti, për të cilat merret edhe Frojdi shkencërisht e Shaffer artistikisht. Sa më tepër që depërton psikiatri i Shafferit përbrenda kësaj historie të pazakontë, aq më shumë do të zbulojë se raportet shoqërore në jetën sociale shpesh janë te kufizuara e nuk shkojnë më përtej caqeve të normales, se jo pak herë krijohen “kallëpe” të moralit e jo një moral i vërtetë, se erotizmi shpesh kufizohet vetëm tek seksi e jo më përtej marëdhënieve midis mashkullit e femrës. Gjithçka ka të bëjë me ndjeshmerinë, spontanitetin dhe prirjet që ka individi kur ndeshet me të panjohurën, me jo normalen, si edhe me atë që është e ndaluar… Si një version afetar me historinë e Adamit dhe të Evës para dilemës së ngrënies së mollës e pastaj të “heqies së gjetheve të fikut” nga organet seksuale. Një regjisor si Dino Mustafiç na e sjell këtë gjykim në trajta kontraverse e me emocione të mëdha skenike… Me një mesazh të madhërishëm të lirisë së veprimit drejt të pamundurës njerëzore, të vetëdijes e të ëndrrave të një individi, apo të një shoqërie të tërë, kundër çdo lloj robërimi e pushteti.
Dramaturgu Pettër Shaffer (1926-2016), na ka dhënë kështu një nga dramat më të pazakonta të Teatrit Bashkëkohës. Ajo u vu në skenë për herë të parë në Teatrin Kombëtar Anglez, në OLD VIC THEATRE më 26 gusht të vitit1973, bëri bujën e vet, fitoi çmimin prestigjioz “Tony Aëard” dhe pastaj “udhëtoi” nëpër skena të botës. Vetëm në teatrot e rrugës “Broduej” u shfaq më shume se njëmijë herë, pa u mbyllur sipari, për të mbërritur në Tiranë më në fund pas 44 vjetësh.
Katër vjet më vonë nga shfaqja e parë në Londër Shaffer shkroi skenarin për film, që do të realizohej prej regjisorit Sidney Lumeta dhe do të “rrëmbente” tre çmime OSKAR, ku përfshihet edhe ky autor me ambicje të jashtzakonshme. Nga struktura e dramës, nga dialogu i shkathët e i mbingarkur me jetë aktive, emocione të fshehta e filozofi ekzistencialiste, autori ngre e shemb perëndi që vërtiten në kokën e një djaloshi, i cili ka qëndruar në “strofkat” e veta, mënjanë prindërve, shoqërisë dhe moshatarëve te vet (sidomos të vajzave), ruhet trajta klasike e kompozicionit, gërshetuar me digresione të teatrit bashkëkohës, midis të cilave hyjnë edhe raporte skenike të tragjedive të antikitetit grek, me korin, mitet e perëndite e hershme pagane. Vete EQUUS merr domethënien e perëndise që nuk mund të “shkallmohet” lehtësisht, as nga një psikiatër me përvojë, si Martin Dysard.
Qysh në remarkat e para dramaturgu bënë spiegimet e veta, ku nenvizon se personazhi i tij kryesor, që i jep tonin kësaj historie të marrë nga jeta,“Alani, djaloshi 17 vjecar, përball kalit Nugget, mbështet shpatullat tek kali e i përkëdhel kokën me dashuri. Ai përqafohet me kalin e kali ia zhytë ballin e djersitur në faqe dhe ata qëndrojnë në errësirë për një orë, ashtu të përqafuar, si dy të dashuruar”. Përballë kësaj historie të mistershme, autori ka vendosur pikërisht një personazh qendror, me të njejtën peshë, për të mësuar enigmën se çfarë fshihet tek kali e çfarë tek djaloshi. Bëhet kështu njëfarë gjyqi i egër e i tensionuar, ku duhet hetuar edhe fakti i tmerrshëm, që po ky djalosh edhe i verbon kuajt, “perënditë” që adhuron e që arrin me ta në inceste seksuale të pazakonta, jashtë rrjedhës normale që sugjeron jeta, realiteti, shoqëria, bile edhe feja. Dhe ne që jemi në salle, së toku me psikiatrin që është në skenë, na duhet të penetrojmë në “psenë e madhe” të verbimit të 6 kuajve, kur djaloshi Alan do të kryejë më në fund aktin seksual me vajzën, para syve të tyre të kristaltë, që të mos e shohin prej tij zbulimin e një tjeter mrekullie, të mbuluar deri atëhere nga misteri i së panjohurës.
Regjisori nga Bosnja, 48 vjecari Dino Mustafiç, i lindur në Sarajevë (me origjine familjare shqiptare), është një nga figurat më të përgatitura të artit skenik europian, me dy fakultete të mbaruara me ekselance (për regji e letërsi), fitues i 27 çmimeve ndërkombtare. Autorë të shquar botrorë si Shekspiri, Molieri, Sartri, Ionesko, Tenes Ëiliams, kanë gjetur shprehjen më të plotë në spektaklet e realizuara prej tij, ku u jepet rëndësi parësore simboleve, konvecioneve skenike, kontrasteve të forta dhe imazheve të fuqishme. Te ky spektakël modern, duke respektuar edhe autorin, regjisori i lë aktorët në skenë gjatë gjithë kohës, si të ishin njëherësh pjesë e një kori, ku përfaqësohet meditacioni i publikut dhe i autorit, i njësuar paralelisht me personazhet veprues, që hyjnë e dalin nga roli, duke qenë mandej edhe “puntorë skene” në zhvendosjen e ndrimin e objekteve e të skenografisë që pason. Regjia i jep një rrjedhë natyrale këtij “coptimi” të jetës skenike.
Duke shtuar nëpër intervalet e ndërmjeme edhe disa levizje të koreografisë moderne (ku gjithmonë e më tepër gjen shprehje puna krijuese e mjeshtrit të koreografisë Gjergj Prevazi), si edhe skenografinë funksionale të po atij vend veprimi, që, nëpërmjet konvesionit skenik, me objekte kubiste që lëvizin e i japin funksione të ndryshme mizanskenës, krijojnë atë unitet për të cilin ka nevojë tërësia e spektaklit përbrenda syrit të qetë të spektatorëve në sallën e madhe. Ndërkohë, jeta skenike, do të bëjë të pranueshme edhe lakuriqësinë e dy të rinjve, kur kjo është e nevojshme (nga fundi i spektaklit), kur edukata seksuale e personazhit kryesor ka qenë e mangët, e kufizuar, në atë afërsi ngacmuese incestesh me kafshën, për ta çliruar gradualisht nga mistika e një dashurie të denatyruar, nuk do të na duket më si një “thyerje e tabusë” se mëparshme. Dhe kështu, afrimi i kokës së kalit, si një “shtëpizë” në kudrin e këtij konvecioni, ku Alani do të hyjë më në fund në trajtën lakuriqe, sikundër e ka bërë nëna e vet, nuk do të stonojë, edhe pse publiku ynë nuk është mësuar me kësi paraqitjesh, të cilat përbënin moralin strikt të një kohe të dikurshme, jashtë normës dhe traditës. Po Dino Mustafiç e rrëfen veten si mjeshtër në trajtimin artistik të kësaj tërësie jete të mistershme, ku realja me irealen, janë pjesë e së njejtës “botë shpirtërore” që ai di ta zbulojë e ta shprehë me vërtetësi e jo pa u rrëqethur nga e papritura e nga spontaniteti i të veçantës.
E kjo ndodhë sepse, regjisori i Sarajevës, punon bukur me aktorët e i drejton ata psikologjikisht në “hullinë” që hap e mbyll natyra e njeriut dhe e aktorit që leviz brenda kësaj natyre konvecionale. Prandaj edhe e ndjekim spektaklin e tij tepër të gjatë si një rrëfim tepër të shkurtër, ku imazhi, figurshmëria e filozofia janë në të njejtin unitet universal. Por nuk do të shprehej kështu, me kaq forcë tronditese, sikur të mos ndërthurej aty muzika e frymëzuar e Endri Sinës, si një komponent që del e vrullshme nga “skëterra”, për t’iu rikthyer njeriut, shpirtit të tij të munduar nga “djajtë”. Pas kësaj shfaqjeje të pazakontë, tronditëse, më duhej të braktisja gjumin, ëndrrat e deritashme e vizionet që fal me begati ditë-nata dhe do të zhytesha në internetin e mistershëm, për të gjetur këtë shkrim dramatiko-tragjik të Shefferit, si edhe atë distancim e lartësim artistik të regjisorit të nderuar e do të përpëlitesha ca më keq në vetminë time… E do të vija re se Mustaffiç, krahas nënvizimeve regjisoriale, kishte bërë edhe disa shtesa teksti, sidomos ndër monologjet e personazheve kryesorë, për ta afruar ca me tepër anglezin Shaffer me publikun shqiptar, me nivelin e tij botkuptimor, duke nënvizuar edhe më shumë, me laps të zi, imazhet ideore, mesazhet e këmbanat e alarmit. Nuk do të pranoja një gjë të tillë te askush që cënon të drejtën e autorit për tu shprehur ndryshe e ti të bësh ndryshimet e tua. Nje vit pas vdekjes së këtij autori të shquar, është njëlloj si të bënim një sakrilegj, as më shumë e as më pak, sikur bënim “operime” të tilla me Shekspirin, Ibsenin e Çehovin.
Po janë edhe katër aktorë, që mbështetin Dino Mustafiçin, që të jetë sa më i plotë e i vërtetë e për ta bërë të pranueshme platformën e punës së tij krijuese, si të ishte një shkollë e domosdoshme për aktorët tanë të talentuar, sikundër janë Timo Flloko, Arben Dehremi, Ema Andrea dhe më i riu e më interesanti në fillimet e veta, Igli Zarka. Pa aktorë të talentuar është e pamundur të krijosh shfaqje të mire dhe anasjelltas, pa regjisor dinjitoz e me vizion. Krijimtaria skenike është si një magji e stugjestionuar nga natyra krijuese e artistëve të aftë që dinë të konturojnë botën që na rrethon. Ky i fundit, Igli Zaka, do ta provonte ca më tepër nga të gjithë dramën e dramave të “rruzullit, me një pështjellim sfilitës midis mosnjohjes e njohjes së të fshehtave të natyrës njerëzore. Mosnjohja e të fshehtave të “Rruzullit”, e shtyn instiktivisht përpara syve të bukur të një kali, i cili e magjeps, e afron aq shumë saqë ai do ta bëjë më pastaj Perëndinë e vet të natyrshme, të cilin arrin ta prekë, ta ledhatojë, ta dojë çmendurisht, deri në shkallën e një verbimi të dyanshëm. Igli Zarka, një aktor fare i ri, vë në “pjatancën e kristaltë” gjithë naivitetin e moshës së tij të adoleshencës, tulatjen e pafajshme, ndijesinë e sinqertë dhe atë shkëputje nga rrethi shoqëror e familjar. Kjo e bën që ta refuzojë atë zhbirim që kërkon të bëjë dhe bën, psikiatri mbi trurin e tij, si edhe atë shqetsim të familjarëve (të nanës e të babës) që i merr për bezdisje të kota. Interpretimi i Igli Zarkës ndjek një kurbaturë që thyhet vazhdimisht, duke e ngjitur veten drejt botës, me ato marrdhënie ndryshe, që ka vendosur njerzimi në shtimin e vet të natyrshëm, larg instikteve e mardhënieve sensuale denatyrore. Dhe është i vërtetë.I virgjër.Krejt i pafajshëm. I bukur, sikundër është, edhe i xhveshur, edhe i veshur thjeshtë, për tu bërë kështu heroi real i një drame që s’di si ka “shkrepur” në mëndjen e këtij dramaturgu djabolik anglez që arriti të rrëmbeje edhe “OSKARIN” (me skenarin për filmin me të njejtin titull), për këtë kompleksitet ndjenjash njerëzore!
Të dy prindërit e Alanit janë të kaplluar nga i njëjti shqetsim, për ta shliruar birin e tyre nga makthet që e kanë pushtuar, nga jeta e mistershme në stallën e kuajve dhe nga ay distancim i lemerishm nga realiteti shoqëror e familjar. E ëma, DORA STRANG, e interpretuar me nivel artistik nga Ema Andrea, është e pushtuar tërësisht nga ky ankth drobitës që e shoqëron në krejt veprimet e saj. Përkushtimi për të birin e mbyllur në një “rreth vicioz” nuk ka qenë aq i madh sa përkujdesja e tanishme për t’a nxjerrë prej këtij izolimi të tmerrshëm që po ndodh para syve të tyre. Dora-Andrea nuk arinë ta kuptojë të birin, i cili magjepset pas fotografsë së kalit të bardhë, që i duket sikur fletë me të dhe, në vend që të lexojë Biblën lexon parreshtur histori kuajsh.
E bindur se tek mendja e të birit vepron djalli ajo e var shpresën e vet tek psikiatri Dysard dhe kërkon ta takojë atë parreshtur, e veshur edhe ajo prej një makthi që e bën gati anormale. Ema Andrea aktron bukur në qëndisjen e kësaj figure midis normalitetit dhe absurdes, që e ka kaplluar, e futur tashmë edhe ajo brenda këtij “rrethi vicioz”. Duke qenë edhe vetë e kushtëzuar nga nje mardhënie bashkëshortore e rëndomtë, e trajtuar si amvisë shtëpiake e si “mjet” të shfryrjes seksuale nga i shoqi, ajo ndjen neverinë e qënies si femër. Se ç’bën edhe disa gjeste, sikur i kruhet edhe i gjithë trupi e mëndja i “rrëshqet” aq sa do të dukej edhe vet si një e sëmurë psikikisht. Andrea i bën kështu figures se saj njëfarë veshje satirizonjëse. Kemi të bëjmë me një nga rolet më të bukura të saj, ku inversiteti ështe kaq i dukshm. Se, në vend që ta shlirojë të birin nga “kthetrat e djallit”, do të futet vetë brenda tyre!
Në të kundërtën, i shoqi Frank Strang, i interpretuar po me kaq talent nga Arben Dehremi, do të duket më i përmbajtur, sikundër është edhe në bindje, një ateist i palëkundur. Në një pozicion afetar ai synon shkëputjen e të birit nga adhurimi i fesë dhe afrimin e tij me jetën reale, me gëzimet që fal natyra e njeriut, vecanërisht me seksin. Por edhe fodull në superioritetin e tij si mashkull, aq sa do ta neverisë së tepërmi atë që ka në shtëpi e shfrynë me të epshet mashkullore! Franku-Dehremi, nga pozicioni komod i një botuesi, revoltohet po njësoj, si nga i biri i mënjanuar nge jeta reale, po ashtu edhe nga bashkëshortja që ka brenda mureve të kësaj shtëpie , ku ai është e pamundur që të mbyllet dot.
Ndaj, sado i kulturuar e i përmbajtur që është, rrëfehet jo pak herë ironik, deri në përbuzje e revoltë të drejtëpërdrejtë ndaj te dyve! Dehremi aktron me lirshmëri të madhe, si para ndodhish te zakonshme, ku veprimi i tij është konkret e brenda kornizës së familjes.Po është edhe më i thellë ky burrë, i cili ka kuptuar më mirë nga e shoqja “rënien “ e asaj çmendurie te verbër të të birit, të cilit i mungon edukata elementare seksuale dhe nuk e ka fare idenë e lindjes së njeriut në rrjedhën e gjenealogjise.
Po në epiqendër do të jetë i përhershëm psikiatri Martin Dysard, i interpretuar nga Artisti i Merituar Timo Flloko mjeshtërisht, duke përjetuar edhe ky dramën e dramave, cakun e një marrëzie që i kalon sinoret e mëndjes. Ai merr përsiper një proces klinik që do të kaloje para syve tanë në tri faza: 1,-Ndroja para një komplikacini të rezikshëm psikik, që shkon më përtej imagjinatës së tij… 2,-Zhbirimi e gjetja e fundit të një gjëndjeje pa rrugëdalje të pacientit të tij dhe 3,-Përpjekja e dhimbshme njerëzor e profesionale, si metodologji, për ta risjellë pacientin në kuptimin e drejtë, natyror, të jetës e të mardhënieve shoqërore.
E gjithë kjo linjë vepruese është fort e mundimshme për personazhin e psikiatrit, po është një TIMO FLLOKO që e përballon , aktor tashmë i dimensioneve të mëdha, i denjë që të lozë pa frikë edhe Hamletin e Shekspirit, me atë botë që thyhet e rilind aq bukur në shpirtin e tij prej artisti te përgatitur profesionalisht në pesë dekadat që shkuan. Bile do të thoshnja se është i vonuar! Duhej ndeshur më përpara me këtë figurë të madhërishme! Një aktor që ka lozur Edi Karbonen e Milerit, me një pathos qytetar, të cilin e revoltojnë rrethanat e vështira të jetës reale, tani është në pozicionin meditativ të dyzuar të kuptimit universal të jetës e të natyrës. Po le të rrikthehemi tek kjo figurë komplekse e dramaturgut Shaffer që ra në duart e një artisti si Timo Flloko, që di të interpretojë, të vërë aty shpirtin e vizionin e tij e jo të lexojë tekstin në skenë, sikundër bëjnë rëndom shumë aktorë të tjerë të mërzitshëm… Që në hapjen e skenës ne e shohim Dysard-Fllokon në këndin e tij të vëzhgimit e të meditacionit, për të kuptuar se ç’farë fshihet tek kali e çfarë tek djaloshi e për të zhbiruar enigmën e kësaj afërsie në të dyja qëniet e kundërta, të kafshës e të njeriut. Aktori duket paksa i lodhur e i kërrusur, ecën ngadalë dhe sytë e tij bredhin në brendësinë e botës së pacientëve të tij, kafshë e njeri dersa vijnë e përplasen tek vetvetja.
Është pikërisht kjo mbingarkesë psikologjike që e shqetson edhe në gjumë, sa të shohë ëndrrën e tmerrshme, të përgjakur, si të ishte shndruar në një prift të Greqisë së Lashtë, i cili vret një femijë e ha rropullitë e tijë të përgjakura! Kjo pështirosje e hatashme e shoqëron ate edhe kur duhet të hetojë alucinacionet e ankthet e këtij djaloshi që ende nuk ka provuar të bëjë seks me një vajze, po e krijon afinitetin e lemerishm me një kalë që e magjeps! Aktori Flloko vërtitet në skenë i shqetësuar, jep e merr, herë me djaloshin e herë me pridërit e tij, herë me ndihmësat e vet e herë me pronarin e stallës, për të zhbiruar në këtë të fshehtë universale të natyrës. Dysard-Flloko ka në skenë një trauma që i ngjan përpëlitjeve psikike, ca më tepër edhe se ato të djaloshit Alan, që deri diku e ka të qartë trajektoren e vet, po njëlloj si të kishte edhe ai frengjitë, anësoret kufizuese të vështrimit te kalit!
Duket i tronditur tashmë, sa here që zhytet tek enigma me veshje perëndish dhe fantazia e shpie përsëri në Greqinë e Lashtë, tek Demat e Kretës, tek ato mite të Pallatit Minoan ku vërtiteshin qëniet gjysmë kafshë e gjysmë njeri, e krijuan përfytyrime perëndish, që mbetën Hyjni të vdekura e rishtazi të gjalla, deri sa arijnë të krijojnë adhurime edhe për njerëzit e mëvonshem. Psiqiatri-Flloko e rrit shkallën e depërtimit psikologjik tek djaloshi,sidomos kur e vë atë në një provë të sforcuar të imagjinatës, duke e detyruar që ai të vështrojë në një pikë, me hapje-mbyllje të syve, duke ndryshuar ritmikën e jashtme të zhurmave e të dritës. Ai kërkon të dijë nëse: “është e rëndomta e lartësuar deri në bukuri, por dhe e zakonshmja e kthyer në vdekje-prurëse….”?!
E më pas do të zgjojë tek djaloshi të njëjtin ritual, në stallë, në intimitetin e djaloshit me kalin e tij Nugett, duke provuar ngojëzen, herë tek goja e kalit e herë tek e vetja(!), derisa adhurimi të arijë ndaj perëndisë së tij me zhveshjen e trupit, duke u shprehur me ngazëllim”Unë dua të hyj tek ti! E dua te jem ti për jetë të jetëve! Equus, unë të dashuroj”. E më pas, si në një enfazë çmendurie e bën djaloshin t’i thërrasë kalit : “Tani merrmë me vete”!...Pas këtij penetrimi në vetëdijen e djaloshit Alan, në aktin e dytë të dramës, Mjeku psikiatër i Fllokos, do të kalojë, nga njeriu i meditacionit në njeriun e veprimit, që synon shkëputjen e te riut nga ëndrrat, makthet, perënditë e instiktet që ka rrënjosur në botën e tij rinore, jashtë realitetit konkret. Po jo vetëm kaq.
Ai kërkon të kuptojë tani domethënien e këtij fenomeni, në shtrirjen kohore që kur lind fëmija e derisa arrin të ndërgjegjësohet në këte gamë të trazuar jete. Ne ballin e Fllokos sikur bie një dritësim hyjnor, sidomos kur i drejton vetes pyetjen :”A mund t’i bësh njeriut një te keqe më të madhe se sa t’ia shembësh idhujt?!” Dhe do të bindet se për Alanin shoqëria nuk ekziston më, se ka qënë e është akoma i veçuar prej saj, nga fëmijët e tjerë, nga leximi, nga muzika, piktura, filmi e teatri, nga kënqësite që falin femrat. Ai do të riprodhojë edhe atë kënaqësi trupre që ka ndjerë djaloshi për herë te parë me vajzën, që mrekullon shpirtin e djaloshit, i cili bëhet i vetëdijshëm se seksi nuk është më një kënqësi trupore, po edhe një akt dhurimi jetësh të tjera, duke e bërë atë të thërrasë nëpër skenë për ktë”zbulim”, prej të cilit edhe ai ka prejardhjen e vet!
Ky zhbirim fundor në jetën e djaloloshit, sikur i jep një kënaqesi triumfi e Flloko, tani e ka të tijën gjithë skenën, bëhet më energjik, po njëherësh bëhet edhe xheloz që ai,Alani, di ca gjëra më tepër se ai, njeriu i emancipuar i shkencës, që më në fund e ka ndërtuar një jetë më vete, që ndjen të fshehta të tjera të natyrës, që di të kalërojë aq bukur mbi kuajt e kali i bindet atij, ndërsa ai, psikiatri është tkurur tërë jetën mbi librat për Greqinë e lashtë! Këto janë ca “të fshehta të shpirtit” që tashmë do ta mundojnë dyfish edhe psikiatrin e Fllokos e do të shohim se si tronditet ai dhe ne që jemi në sallë, të mbërthyer në karriket, me frymën pezull. Pas një monologu të mrekullueshm, aktori Flloko, ndjen se ka triumfuar mbi ketë “shembje idhujsh” e gati thërret : “Ai s’ka për të prekur më kurre kalin!”. Super detyra e psikiatrit, që tashmë u bë edhe superdetyrë aktimi, është e kryer përsosmërisht!
Po në një shfaqje të tillë, plotësisht të arrirë profesionalisht, kanë meriten e tyre edhe aktorët e tjerë, që nuk po i përmendim gjërësish për mungesë vendi, duke qënë i paralajmëruar prej botuesit strikt, i cili, sido që është miku im, mi ka vënë “këmbët në një këpucë!”…
Po s’ka sesi të mos përmend këtu Krist Lleshin në rolin e vajzës,e cila u zhvesh në skenë (sepse kështu i’a donte roli) e“derdhi” këtu gjithe pasionin, mençurinë, dredhinë e moshës, erosin e saj, për ta magnetizuar djaloshin Alan, deri sa ta shtrijë mbi dëngjet e kashtës e ta “çvirgjërojë”, për t’i mësuar kështu zanafillën e shtimit të racës njerëzore. Dhe e gjitha kjo, e bërë realisht thjeshtë, si një natyrësi e zakonshme jete, pa shtirrje e pa as më të vogëlën filozof! As ata aktore që plotësonin stafin, apo pyetësorët e psikiatrit, që ndihmuan në dhënien e plotë të kësaj atmosfere jashtë të së zakonëshmes. Sidomos Erjona Kakelin, qe loz infermjeren pedante të Alanit, që është padyshim një nga ato aktore që rritet nga roli në rol, në pistën e saj të roleve të karakterit, e saktë dhe e kompletuar, në çdo dimension të personazheve që i janë besuar nga regjisoret tanë. Që i lakmojnë e i duan të tillë aktorë qëndistarë të roleve të vogëla! Që të gjithë këta, me në krye protogonistët e regjizorin Mustafic, na dhanë një spektakël të rallë, dramën e dramave të një njeriu të shkëputur nga rrjedha e vrulli i një jete të plotë shoqërore. Për të na thënë përfundimisht pikëmbërritjen e teatit tonë në magjinë e vet!
dy.b/shqiptarja.com