Robert Ndrenika është një nga ato figura që nuk kanë nevojë për prezantim në kulturën shqiptare. Për dekada me radhë, ai ka qenë pjesë e kujtesës kolektive të shqiptarëve, përmes roleve që kanë kaluar nga skena e teatrit në ekranin e kinemasë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme emocionale në disa breza.

Me një karrierë të gjatë dhe të pasur në teatër dhe film, Ndrenika i përket atij grupi të rrallë artistësh që nuk e kanë ndërtuar famën vetëm mbi talentin, por mbi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme me publikun. Ai ka qenë shpesh zëri i njeriut të thjeshtë, i personazheve të zakonshme, i dramave dhe gëzimeve shqiptare, të përkthyera në art me një ndjeshmëri që pak të tjerë e kanë arritur. Ndrenika ka qenë nga ata pak aktorë që nuk i përket vetëm skenës, por edhe rrugës, kafenesë dhe kujtesës popullore.

Por ditët e fundit, emri i tij doli nga kjo hapësirë e njohur dhe u fut në një terren krejt tjetër, shumë më të ashpër: atë të politikës dhe gjykimit publik.

Prania e Robert Ndrenikës në gjyqin e Erion Veliajt dhe gjesti i tij — një puthje në ballë dhe fjalët “Ç’të ka mbetur, e bëj unë për ty”, që u interpretuan si nënkuptim i vuajtjes së burgut — u shndërruan menjëherë në objekt debatesh dhe leximesh të forta. Një akt i thjeshtë njerëzor u transformua brenda pak orësh në një ngjarje me ngarkesë emocionale dhe politike

“Puthja e mallkuar” u kthye kështu në një etiketë të kohës sonë. Një gjest që në rrethana normale do të kalonte pa shumë zhurmë, u bë material interpretimi publik. Secili e pa dhe e lexoi sipas bindjeve të veta, duke e larguar ngjarjen nga dimensioni njerëzor dhe duke e futur në territorin e gjykimit.

Në këtë pikë, “Puthja e mallkuar” nuk është më vetëm një gjest. Ajo shndërrohet në një metaforë të kohës sonë — të një shoqërie që shpesh nuk arrin më të ndajë njeriun nga roli, emocionin nga ideologjia dhe gjestin nga gjykimi moral.

Robert Ndrenika është një figurë e një brezi tjetër, me kode sjelljeje dhe komunikimi emocional që shpesh nuk përputhen me mënyrën e sotme të leximit publik. Pavarësisht se çfarë mendohet për Erion Veliajn politikisht apo personalisht, nuk mund të gjykohet apo “kryqëzohet” një njeri si Robert Ndrenika për një gjest të tillë, pasi është e padrejtë.

Debati që u krijua rreth tij thotë më shumë për shoqërinë sesa për vetë individin. Në vend që të lexohej konteksti njerëzor i një gjesti, reagimi u zhvendos shpejt drejt gjykimit moral dhe politik. Një artist që për dekada ka dhënë emocione të forta në kulturën shqiptare, u gjend papritur në skenën e opinionit të polarizuar.

Në Shqipërinë e sotme, duket se nuk mjafton më të jesh një figurë e madhe por kërkohet edhe një “përshtatje morale” me klimën e momentit. Përndryshe, rreziku i linçimit publik bëhet i menjëhershëm.

Një puthje në ballë nuk është program politik, nuk është ideologji dhe as vendim gjykate. Puthja e Ndrenikës as e liron dhe as e burgos, as e pastron dhe as e nxin figurën e Veliajt. Është thjesht një gjest njerëzor, një shenjë afeksioni, besnikërie apo dhembshurie sipas mënyrës së një njeriu.

Në fund kur një popull zemërohet më shumë me një gjest sesa me problemet reale të jetës së përditshme, atëherë diçka e rëndë ka ndodhur me shpirtin tonë si shoqëri. Sepse kur ne nuk dimë më të shohim njeriun nga profesioni, atëhere kemi humbur pak nga vetja jonë.