Zëri dhe vitet përballë një publiku që do muzikën “live” e kanë bërë të shijoj suksesin në muzikë. Kjo është Ertila Koka, vajza e cila u diplomua për Kanto, por prej dhjetë vitesh këndon “live” nëpër skena dhe për një publik që dëshiron muzikën e vërtetë.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Ertila, tregon rrugën e saj të suksesit në muzikë, ku nga një e diplomuar për Kanto dhe që ka luajtur rolin e Zerlinës tek opera “Don Zhuani”, këndon dhe në lokalet e natës muzikë të lehtë, duke treguar një shtrirje të fortë të reportorit të saj muzikor, si zëri më i ëmbël lirik dhe i “shartuar” me muzikën e lehtë që e luan paralelisht. Me tej, ajo na tregon edhe për projektet që do ta ndjekin gjatë këtij viti.
 
 
E diplomuar për kanto dhe e talentuar përsa i përket muzikës së lehtë, një duel i vështirë. Si qëndron ky raport tek zëri juaj?

Muzika klasike është hyjnore dhe unë e ndjej në vena atë. Skena e muzikës klasike me muzikën e lehtë kanë të përbashkët adhurimin që kam për muzikën, por ndryshojnë tmerrësisht shumë nga njëra- tjetra. Unë vërtet jam diplomuar për Kanto, por ama muzikën e lehtë e kam aplikuar dhe gjatë viteve të studimeve, duke punuar dhe studiuar paralelisht. Muzika e lehtë nuk erdhi si zgjedhje pas diplomimit, por si vazhdimësi e diçkaje që rezultoi e suksesshme dhe vazhdon të rezultojë e tillë.
 
Të kënduarit “live” në lokalet e Tiranës është një sfidë, pasi tregu muzikor është pushtuar nga muzika komerciale. Po a është e tillë për një këngëtare lirike?

Nuk mendoj që është një sfidë, pasi jam rritur me muzikën e lehtë dhe duke e kënduar me teknikë, në mënyrë profesionale, nuk ka qënë e vështirë. Përkundrazi ka qënë një shkollë e vërtetë që më ka ndihmuar shumë.
 
Edhe pse përkushtimi juaj këto vite ka qenë muzika e lehtë, regjisori Gurakuqi ju besoi një rol mjaft interesant në operan "Don Zhuani" të Moxartit...?

Ka qënë roli im i parë në skenë dhe e kam dashuruar rolin e Zerlinës jo vetëm për ngjashmërinë vokale, por dhe për ngjashmërinë e vetë personazhit me Ertilën. Ka qënë një eksperiencë shumë e bukur dhe e paharruar. Jam gëzuar shumë për besimin që treguan prof. Nikolin Gurakuqi me dirigjentin Tan Lumshi, duke më dhënë këte rol. Dhe me shumë përkushtim e vullnet arrita ta realizoj këtë rol në skenë, që u prit shumë ngrohtë me shumë duartrokitje dhe vlerësime.
 
Notat ritmike janë pjesë e fundjavave tuaja, po partiturat çfarë vendi zënë?

Realisht më mungojnë shumë partiturat e mia të dashura dhe ndonjëherë shfletoj disa nga ariet sidomos të Moxartit, të preferuarit tim dhe i këndoj me nostalgji. Shpesh këshillohem me pedagogen time të mrekullueshme Emine Gjatën, e cila më është gjendur pranë gjithmonë dhe më ka ndihmuar pafund. Kështu që pasioni për muzikën klasike nuk shuhet kurrë.
 
Të bësh karrierë në muzikën e lehtë duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, një ndër këto janë edhe mediat rozë. Ju e evitoni këtë fakt, ndryshe nga koleget tuaja?

Personalisht mundohem t’i evitoj lajmet në faqet e shtypit rozë dhe nuk e shikoj si reklamë, sikur e mendojnë disa.
 
Në klipin e fundit u shfaqët me një look ndryshe, ishte ideja juaj apo kishte ardhur koha për t’u shfaqur ndryshe për publikun?

Mendoj se isha koha e duhur për të ardhur pak ndryshe dhe me koreografi, për të shpalosur dhe dëshirën time për të kërcyer. Plus që këngës i përshtatej shumë ky look. Për ide, këshillueset e mija në look janë dy motrat e mija, të cilat më mbështesin gjithmonë.
 
Cilat janë projektet që do t’ju ndjekin gjatë këtij viti?

Shumë shpejt do të vij me klipin tim të ri “I vetmi që unë dua” dhe do të pasohet dhe nga të tjerë pas tij. Do të punoj shumë këtë vit që të sjell bashkëpunime të reja dhe këngë sa më të bukura për publikun shqiptar.


Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)