Ervin Salianji i është përgjigjur Sali Berishës për akuzat e tij se ai hante dreka e darka me Ergys Agasin. Salianji i thotë se nëse ka guxim, duhet të publikojë dosjet dhe jo të fshihet pas fjalëve.
Postimit i bashkëngjiti edhe një pjesë nga dosja duke hedhur dyshime për heshtjen e Berishës lidhur me Ermal Beqirin pasi ngre pyetjen mos kryetari i PD “ka marrë ndonjë llokmë.”
Salianji thotë se Berisha po bëhet qesharak për një karrige dhe po kthehet në simbol të kapjes e degradimit, ndërsa i kujton se nuk mundet as ta blejë e as ta kërcënojë.
"Sali kolltuku, je tmerruar sepse po humb privilegjet.
Lëri llafet si llaxor lagjeje dhe dil, nëse ke guxim, publiko dosjet. Ja ku i ke, fakte jo halucinacione prej frikës!
Sepse faktet janë kokëforta.
Ja ku e ke një pjesë të dosjes Agasi–Beqiri:
Në dokumente rezulton se shtetasja gjermane M.Sh. është kërcënuar se kishte hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe për këtë i është kërkuar të paguajë fillimisht 1 milion euro. Ky nuk është opinion, është vendim gjykate.
Po ti pse hesht?
A ke marrë ndonjë “llokmë” që nuk e përmend asnjëherë Ermal Beqirin? Apo të mungon guximi?
Sepse kur përballesh me të vërtetën, zhduket trimëria e rreme.
Ja ku e ke dosjen. Publikoje të plotë, nëse nuk ke frikë.
Sali kolltuku, për një karrige po bëhesh qesharak, po kthehesh në Sali fatkeqësia jo vetëm për demokratët, por për gjithë shoqërinë!
Po kthehesh në simbol të kapjes dhe degradimit, jo vetëm për demokratët, por për gjithë shoqërinë.
Por ke harruar një gjë, mua nuk më blen dhe as kërcënon dot askush, as ti!
Demokratët nuk janë dele. Janë guximtarë.
Dhe këtë regjim Rama–Berisha do ta çmontojmë, pjesë-pjesë", thotë Salianji.
Komente











