Edhe pse Sali Berisha dhe Partia Demokratike janë përpjekur të krijojnë një narrativë revolucionare dhe konfliktuale në raport me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, në të vërtetë, marrëdhëniet midis dy forcave politike kryesore në Shqipëri janë mëse normale dhe instucionale, dhe kjo është një gjë e mirë. E gjithë retorika e Berishës, e shoqëruar me protesta të cilat paralajmërojnë fundin e qeverisë sa herë që zhvillohen, nuk përputhet aspak me realiteti politik. Kjo narrativë publike krijohet vetëm me idenë për të manipuluar militantët e Partisë Demokraiek dhe për të krjiuar një realitet i cili nuk ekziston. Fakt është se Edi Rama nuk do të largohet as me revolucion dhe as me protesta, por vetëm nëpërmjet votës dhe zgjedhjeve. Edhe kësaj here Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhje po me Edi Ramën Kryeministër dhe nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as revolocione që premtohen në protestat e kthyera tashmë në statistikë.
Në këtë kuptim, retorika dhe sjellja de fakto e Partisë Demokratike në raport me shumicën në qeveri nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën duke krijuar një inkoherencë politike që me shumë gjasa krijon më shumë konfuzion te militantët e saj se sa besim. Rasti më i fundit i kësaj inkonherence është votimi i rezolutës parlamentare bashkë me Partinë Socialiste për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga njëra anë Partia Demokratike mendon se Shqipëria me Edi Ramën nuk e meriton integrimin në BE, nga ana tjetër voton një rezolutë për këtë qëllim bashkë me Edi Ramën.
Por ky nuk është rasti i vetëm ku ka një inkoherencë midis narrativës që ka ngritur Berisha në raport me Ramën dhe sjelljes faktike të tij dhe Partisë Demokratike. Opozita dhe mazhoranca janë duke bashkëpunuar në mënyrë institucionale për të bërë Reformën Administrativo-Territoriale, madje kanë ndërmarrë një tur të përbashkët në të gjithë Shqipërinë për këtë qëllim, dhe shumë mirë që është kështu. Gjithashtu janë duke bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore. Me të gjitha gjasat, duke parë deklaratat publike mund të bashkëpunojnë edhe për reforma kushtetutese për numrin e deputetëve apo edhe për Reformën në Drejtësi. Madje edhe për rregulloren parlamentare gjetën një dakordësi dhe ajo do të votohet sot në parlament.
Pra, faktikisht fryma që ekziston midis PS dhe PD është një frymë bashkëpunese dhe aspak konfliktuale , dhe aq me tepër revolucionare. Kjo është një gjë e mirë në interes të Shqipërisë sepse bashkëpunimi midis opozitës dhe mazhorancës duhet të jetë I tillë, institucional dhe brenda garës normale demokratike.
Fryma revolucionare që kërkon Sali Berisha të përcjellë te militatnët e tij nuk përputhet me realitetin politik. Ajo bëhet vetëm për qëllime të brendshme, dhe fakt është se tashmë askush nuk beson më që kjo qeveri do të rrëzohet me protesta apo me revolucione imagjinare. Problemi qëndron se kjo inkoherencë qëndrimesh dhe sjelljesh e bënë strategjinë politike të Partisë Demokratike të paqartë dhe aksionin e saj të pabesueshëm në sytë e qytetarëve shqiptare. Sjellja instuticionale e Partisë Demokratike do të ishte një sjellje krejtësisht normale nëse nuk do të ishte për retorikën e saj që shkon në kundërshtim më të. Është gjë mirë që opozita bashkëpunon me mazhorancën për reforma të caktuara dhe interesin e Shqipërisë, por revolucioni nuk ekziston, aq më tepër përmbysja e qeverisë nëpërmjet tij. Ai është thjesht një mjet komunikimi për të justifikuar betejat e humbura të njëpasnjëshme të Sali Berishës që kur është rikthyer në krye të Partisë Demokratike. Qëllimi është të krijohet ideja e një situate politike dhe marrëdhëniesh me mazhorancën konfliktuale dhe aspak normale, sepse humbjet e betejave duhet të konsiderohen të tilla për të qenë të justifikuara. Në të kundërtën, llogaridhënia do të ishte normale ashtu sikurse janë marrëdhëniet e Berishës me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën.
*Ky artikull është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare*
Komente










