Mbrëmja e të martës në Champions League solli një prej historive më të veçanta të sezonit, 'shpërthimin' e talentit brazilian të Chelseat, Estevao Willian, i cili la në hije yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, në fitoren e pastër 3-0 të londinezëve. Goli i tij spektakolar, një goditje e fuqishme nën traversë pas një aksioni personal, vulosi një paraqitje për t’u mbajtur mend.

Emri i Estevaos, i lindur në vitin 2007, ishte thjesht një tjetër mes shumë talenteve të blerë nga Chelsea në vitet e fundit. I transferuar nga Palmeiras për rreth 45 milionë euro, ai iu bashkua zyrtarisht klubit në korrik, mes pritshmërive të mëdha dhe konkurrencës së ashpër për një vend titullari.

Megjithatë, sulmuesi i djathtë ka ditur të bindë trajnerin Maresca që në javët e para. Më 4 tetor ai shënoi golin e parë në Premier League, duke u futur nga stoli dhe vendosur fitoren 2-1 ndaj Liverpool. Vetëm disa javë më vonë, më 22 tetor, shënoi edhe në Champions, në triumfin 5-1 kundër Ajax, duke u bërë goleadori më i ri në historinë e 'Bluve' në këtë kompeticion.

Forma e tij e jashtëzakonshme u konfirmua me golat ndaj Qarabagut dhe kulmoi në supersfidën ndaj Barcelonës, jo vetëm për vlerën e kundërshtarit, por edhe për përplasjen direkte me një nga talentet më të lakuar të botës, Lamine Yamal. Edhe pse Chelsea përfitoi nga superioriteti numerik, fakti që Estevao spikati me një perlë teknike mbetet historik.

Për të, krahasimet nuk mungojnë. Pas dopietës kundër Ekuadorit në Botërorin U-17, disa e quajtën madje “Messinho”, një paralelizëm i madh për një lojtar të një moshe kaq të re. Vetë Estevao ka qëndruar i përulur dhe i përqendruar te puna.

Trajneri Maresca e ka përshkruar si një lojtar “të shkollës së vjetër”, një talent që nuk i kushton shumë rëndësi rrjeteve sociale dhe që ruan profil të qetë, vetëm me foto nga fusha e lojës.

Chelsea dhe Palmeiras e dinë mirë potencialin e tij. Klubi brazilian madje ka përfshirë në kontratën e shitjes edhe një klauzolë të veçantë; nëse Estevao fiton 'Topin e Artë' para vitit 2033, Palmeiras do të përfitojë edhe 4 milionë euro shtesë.

Nëse ritmi i zhvillimit të tij vazhdon kështu, kjo klauzolë nuk duket aspak e pamundur. Estevao po duket gjithnjë e më shumë si talenti që është gati të pushtojë futbollin europian.