Misioni EURALIUS në Tiranë përgënjeshtron Partinë Demokratike dhe mediat pranë saj, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet për ndërprerjen në mes të shefit të misionit Rainer Deville dhe komandimin e austriakes, Agnez Gergard, në vend të tij. Rainer Deville, makthi i fronit anti-reformë në Shqipëri, jo vetëm që do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të mandatit, pra deri në dhjetor të vitit 2017, por ditët e fundit ka intensifikuar takimet dhe konsultat në kuadër të asistencës teknike për hartimin e paketës së plotë të ligjeve, për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Burime zyrtare nga misioni i EURALIUS thanë për Shqiptarja.com se, Rainer Deville vijon punën në përmbushje të misionit dhe në zbatim të projektit “EURALIUS IV”, duke i konsideruar sajime të gjithë lajmet e prodhuara nga linja anti-Veting për largimin e tij. Madje, burimet zyrtare shtuan se, shefi i misioni EURALIUS, Rainer Deville, do të largohet nga Shqipëria vetëm gjatë Krishtlindjeve, për t’u kthyer sërish në Tiranë, kohë e cila do të përkojë me shqyrtimin dhe miratimin e rreth 40 projektligjeve nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve ose komisioni për Reformën në Drejtësi.

Gjatë ditëve të fundit, misioni EURALIUS, përpos asistencës në hartimin e projektligjeve të parashikuara në strategjinë për reformën në sistemin e drejtësisë, ka organizuar një sërë seminaresh dhe trajnimesh për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, ku prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokurori të tjera janë trajnuar dhe njohur me praktikën e BE në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky është përgënjeshtrimi i katërt për Partinë Demokratike, e cila sulmoi shefin e misionit të EURALIUS, Rainer Deville, duke e akuzuar për përkthim të gabuar të ligjit të Vetingut, me qëllim për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Por, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënuan akuzat e opozitës shqiptare, duke i quajtur mashtrime të atyre që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi. Fillimisht ishte zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, ajo e cila përgënjeshtroi pretendimet e Partisë Demokratike për Vetingun, ndërsa shtoi se edhe pretendimet se, drejtuesi i ekipit EURALIUS IV është larguar nga posti i tij, janë krejtësisht të pasakta. Më pas erdhi një reagim i fortë nga zëdhënësja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Maja Kocijançiç. “BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar”, tha ajo. Një reagim edhe më pezmatuese erdhi nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili tha se PD po e vonon Vetingut nga frika e Reformës në Drejtësi.

Ndërprerja në mes e mandatit të shefit të misionit të EURALIUS, Rainer Deville, do të legjitimonte akuzat dhe pretendimet e Partisë Demokratike sa i takon rolit të tij në përkthimin gabim të ligjit të Vetingut, për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, largimi i tij i parakohshëm do të vinte në pikëpyetje edhe kontributin e EURALIUS për hartimin dhe miratimin e Reformës në Drejtësi. Ndaj, jo rastësisht, për herë të dytë, Partia Demokratike pretendon për një largim të mundshëm të Deville, duke e lidhur gjithnjë këtë lëvizje me pretendimet e saj.

Pretendimet e opozitës 
“Përkthimi i dërguar në datën 16 tetor në Komisionin e Venecias nga një autoritet shtetëror shqiptar, është ai që më pas vërteton edhe Gjykata Kushtetuese, që është përkthimi i bërë nga EURALIUS. Duhet ta zgjidhin ata që e kane dërguar dhe ta gjejë kushdo që ka interes, cila është e vërteta pas këtij manipulimi. Ne kemi konstatuar faktet, kemi pritur për më shumë se një javë pa e bërë publike që të gjendet zgjidhja e kësaj çështjeje, dhe ka një tentativë shumë të fortë që në mënyrë publike apo edhe nën rrogoz, të manipulohet opinioni publik sikur gjoja Partia Demokratike po përdor një version më të vjetër, por kjo nuk është e vërtetë. Në ligj, siç të gjithë e dimë, vlen jo fjala, por vlen presja. Dhe një fjalë e vetme përpara Gjykatës Kushtetuese, mund të përfshije paragrafë të tëra interpretimi kushtetues. Për rrjedhojë, gabime kaq të rënda përpara një organi kaq autoritar si Komisioni i Venecias, nuk bën gjë tjetër veçse e çon këtë Komision në drejtim të gabuar”.
 
Reagimi i Bashkimit Evropian 
“Transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias. BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias. Shqiptarët mbështesin në shumicë dërrmuese reformën tërësore të drejtësisë që përfshin procesin e rivlerësimit (Vetingut). Veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. BE-ja është e vendosur të vazhdojë të sigurojë gjithë asistencën e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të kenë qasje në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të përgjegjshëm”, thuhet në reagimin e saj”.
 
Deklarata e ambasadorit të SHBA 
“Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë. Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar. Shohim prova se këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme. Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor. Të gjitha partitë kryesore politike e kanë vënë besimin e tyre në gjykimin e Komisionit të Venecias. Jemi në pritje të opinionit të tij, i cili do të ndihmojë në udhëzimin e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com