Faik Konica: Tu mësosh
gomerëve ç’është liria

Faik Konica: Tu mësosh<br />gomerëve ç’është liria
(Vijon nga numri i shkuar e diel 19 janar 2013)
 
 
Takimi me Mehmet Konicën në Tiranë Dy dajkot e Xhevahiresë
 
Ajo vajza që pamë në satelitin shqiptar ditën kur u kthyen eshtrat e Faikut në Tiranë dhe që mori një mirënjohje nga dora e Sali Berishës ishte e mbesa e tij, e Mehmet Konicës. Një nga vajzat e dy bijave të tij që u martuan dhe jetuan në Itali. Nëna nuk më lejoi se sot do të isha në Amerikë. U kthyem në Pejë. U regjistrova në gjimnaz të Pejës. Isha sigurisht nxënësi më I vjetër në të. Mandej Ramiz Sadiku, Nexhdet Basha, Esad Mekuli që erdhi më vonë…
 
Hamza Begollit nuk i kujtohet sot, saktësisht, deri as viti, le pastaj dita e muaji, kur ai bashkë me 16 pejanë të tjerë, të gjithë të rinj atëbotë vendosën të linin vendlindjen, të iknin nga “Jugosllavia e vjetër” dhe të shkonin në Shqipëri. Sipas mendimit tonë, po të lidhen ca “fije” të rrëfimit të tij, do të ketë ndodhur kjo nga mbarimi i vitit 1931 ose nga fillimi i vitit 1932, d.m.th. në kohën kur nuk ish më shumë se rreth 20 vjeç.

- Vendosëm të iknim nga Shqipëria, – tha. Ishim gjithsej 17 vetë. Mbaj mend të ketë qenë me mua Nazmi Belegu, Shyqri Belegu, Shaban Berisha dhe…këta po… të tjerët? Kujt i kujtohen sot, pas mbi 60 vjet? Vëllain e madh, Samiun e kisha atëherë në Shqipëri. Ai ishte nënoficer në xhenio të Tiranës. (Ti e di se e kanë pushkatuar në Rugovë, e vrau Bogolub Radiqi më 1952). Atëherë janë takuar me Beqir Kastratin dhe Xhevat Shkrelin, dy mësuesit që do të kthehen në Pejë në ditët e para të viteve 40, në “kohën e Shqipnisë së Madhe”. Vëllai kish vetëm një dhomë, ndaj unë u vendosa te Qerim Begolli, bir i axhës Asllan. (E kanë vrarë edhe këtë më 1945 në Mal të Zi). E kam pasur deri vonë një fotografi të tij: Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Qerim Begolli.

Dhe do të jetë ky Qerimi, ai që do të takoj Hamzën me njërin nga dajot e s’ëmës: me Rrustem Konicën. Ishte i moshuar, pensionist. I erdhi në shtëpi dhe gëzimi i tij qe i papërshkrueshëm se po shihte të nipin e së motrës. Të diel për të diel u takua me të. Pa vonuar shumë i tregoi se në Tiranë jetonte dhe ish me “poste të larta” në qeveri, madje edhe këshilltar i Zogut, vëllai i madh, Mehmet Konica.

- Një të diel më tha daja Rrustem: “Hamza, vishu mirë se sot do shkojm ke im vëlla për vizitë. Ta njohësh edhe atë!” – shkuan në shtëpi të Mehmet Konicës. E kish aty ku ish varri i Cana Begut, te Xhamia, ballaballë me pallatin mbretëror. Ish një burrë i gjatë. Kish sy të mprehtë. Pa një qime të zezë në flokë, e flokët kaçurrel. I thotë Rrustemi vëllait të vet të madh – Mehmeti ishte më i madhi, mandej Faiku, mandej Hilmiu – I thotë: E di kë të solla?” “Jo.” “Të solla të birin e Xhevahiresë!” U habit Mehmeti: “Cilës Xhevahire?! Nuk di të kemi pasur ndonjë Xhevahire në familje.” Atëherë ia shpjegoi Rrustemi: “Është nipi i motrës sime ore, nipi i Xhevos”. Më shikoi. “Ja që edhe i ngjaka ca”, tha Mehmeti. U ngrit në këmbë, më përqafoi dhe, i emocionuar, i shkuan lotët. U ul. Më mori në prehër.

Do ta vizitojë bashkë me dajon Rrusten pa le edhe sa herë. Mehmet Konica, thotë, ishte njeri me kulture, fliste disa gjuhë të huaja, si frëngjishten, italishten, greqishten, turqishten, dhe sa i kujtohet edhe gjermanishten. Një ditë, Mehmet Konica do ta befasojë Hamzanë shumë. Do t’i thotë se ka biseduar me Faikun në Amerikë dhe të dy kishin vendosur që Hamza të shkonte te ai në Boston. Më pastaj do t’ia bëjë pasaportën shqiptare, do t’ia nxjerrë vizën amerikane, do t’ia sigurojë paratë për rrugë, por do të jetë e ëma ajo që nuk do ta lejojë largimin e të birit për te Faiku në Boston.

Në vitin 1933 edhe Xhevahireja vajti te dy djemtë e saj në Tiranë, të shihte Samiun dhe Hamzanë. U takua me “dakjon” Rrustem a madje, bashkë me të, edhe me “dakjon” e madh, Mehmetin. Një takim që do penë të veçantë për ta përshkruar.
Tregon Hamza: Mehmeti ka pasur vetëm dy vajza dhe të dyja u martuan me oficerë italianë.
 
Vëllai i Faik Konicës në Pejë Një surprizë: vëllai i Faik Konicës në Pejë!
 
Një kuriozitet i pashënuar deri sot: Peja ka të ngjarë të ketë marrë dhe një kontakt të drejtpërdrejtë me njërin nga katër vëllazërit Konica!
Hamza sot nuk e mban mend aq, më 1937 apo më 1938, por e di mirë se qëndroi bukur do ditë në shtëpi të tyre, derisa e dëbuan xhandarët, Rrustem Konicën, “dakjo” Rrustemin. Gëzimi i nënës Xhevahire dhe i fëmijëve qe i pafund.

Rrustemin ajo e kishte parë katër vjet përpara në Tiranë. Edhe Mehmetin. “Dajkon” Faik në Boston, dhe “dajkon” Hilmi në Stamboll, nuk i kish takuar as parë kurrë. Me këtë të fundit mbase mbante edhe njëfarë korrespondence. E dinte që kish qenë një kohë të gjatë drejtor i postë – telegrafëve atje. Do të jetë ky takimi i fundit me të, sepse Mehmet Konicën, bashkë me të birin e vetëm, do t’i pushkatojë sistemi i ri komunist…Faiku do të vdesë më 1942… Për fundin e Mehmetit dhe të Hilmiut nuk ka njohuri as Hamza…
 
Një për Faikun, një faikiane
Në mbyllje të këtij fejtoni dhe para gjashtë temave që kërkojnë autorin, meqë gjithë ç’u shkrua deri tash ka një “fërgim” a shkas të mirëfilltë kryekreje pati Faiku, s’ka sesi të mos shkëpusim për kërshëri edhe ndonjë “reference”: një portret për Faikun dhe një “paraqitje” faikiane:
Portretin për Faikun e bëri Ernest Koliqi në revistën e tij “Shejzat” qysh më 1967:

“I thjeshtë e i hollë, i lëvizun e i qartë…herë plot andje e gaz, herë plot sarkazëm e maraz, këtu i urtë e i kthjellët, aty papritmas idhnak e sulmues…nji natyrë buzëhollë, e pakënaqun, grindavec së cilës i u shtonte një paqëndrueshmëni e çmeritëshme në mendime dhe nji prirje idhnake qi shpërthente me mujshti (prepotencë) të pafreshme tue kapërcye çdo cak jo vetëm t’arsyes e t’urtis por edhe të dejzis e të njerzis. Në polemika, i prente drut shkurt…
Përdorte në shkrim thanje smakulotash. S’barte qymën, nuk duronte të prekej as me popull. Ndyeskeq ke s’ve, i kërcejshin dreqni për ma të voglin kundërshtim…Por mos u veni vesh pezmatimit të tij: rrebet i vijnë e i shkojnë…”

Ja edhe një faikiane, e dalë pas “pritjes” që iu bë nga disa keqdashës revistës së tij, sigurisht më të mirë të gjithë kohës dhe, për rrjedhojë, edhe ndonjë “thënie sonkulotash”:
“Dua ta marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, dhe në vend të trurit, të këllas këtë: ç’është liria? Të mos kisha nisur fletën (vaftë në djall!) s’do të humbja kohën time t’u mësonj gomarëve ç’është liria. Dy muaj janë që u nis kjo punë, dhe që tani jam i lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shes pleh njeriu se të nisje punë për Shqiptarët. Jan nj’a 50 Shqiptarë që kuptojnë ç’është liria. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes … (e shkruan fjalën rrumbullak!) në vend që të mbanj të përkohshmen: më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët!”
 
Gjashtë tema që kërkojnë autorin Pirandelo dhe Faiku
 
Gjashtë persona të Pirandelos kërkuan prej motesh një autor. Dhe vijojnë gjithandej ta kërkojnë. Gjashtë tema faikiane dhe faikiste kërkojn sidomos sot (më se) një autor.
 Tema e parë: përse Faiku nuk foli kurrë për vëllezërit dhe motrat e veta, ndonëse rrahte gjoks me prejardhjen e tij familjare? Objektivat: një debolesë të veçantë shprehu (vetëm? për vdekjen e nënës, më 1919 sa gjendej në Romë (“Më vjen keq për nënën t’ime, për plakën e mierë që ka dhjetë vjetë që po më prêt kot me lotë e hidhërime, e qi ndofta kurrë më s’më ka për të parë…”)

Dhe një dëshmi nga miku i tij se, sapo dëgjoi lajmin për vdekjen e s’ëmës, aq u prek sa nuk doli plot një javë nga hoteli. Me Mehmetin edhe u pa ndonjëherë. Të dy qenë edhe misionarë e anëtarë delegacionesh për çështje kombëtare dhe për mbrojtjen e Shqipërisë etnike në më se një “kancelari” të botës. Ç’ka thënë ndonjë gjë për Mehmetin? Përse, pas dy motarve – njërës në Shkodër (Xhevos) dhe tjetrës në Stamboll (?) – nuk la (apo ka lënë?) ndonjë gjurmë për RRustemin në Tiranë dhe për Hilmiun në Turqi?
Tema e dytë: përse biografët e tij të derisotëm dhe sidomos faikistët heshtin, nuk kthejnë vëmendjen dhe as “prekin” jetën familjare të Faik Konicës? Objektivat: prejardhja (deri?) kastriotiane, gjyshi, gjyshja, baba, nëna, motrat dhe vëllezërit (“dy çupa dhe katër djem”).

Motra në Shkodër, Xheva, me dy bijat e saj që tash i mësuam, Xhevahirenë, të martuar në Pejë, dhe Xhemilen, të martuar në Shkodër. (Hamza Begolli: “Xhemileja, motra e nënës, ishte e madhe, kurpulente dhe – diktatore. Të katër djemtë detyroheshin t’i binin në gjunj dhe t’ia puthnin dorën. Ishte e martuar për një hoxhë. Hoxhë Milla i thoshin. Jetonte në Shkodër. Edhe sot ia di shtëpinë. E kam vizituar. Dy javë kam qëndruar në shtëpi të saj. Kam qenë edhe një here tjetër te ajo”).

Motra në Stamboll: si quhet? Sa jetoi? U martua? Pati fëmijë?
Vëllezërit: Mehmeti, Rrustemi dhe Hilmiu.
Mehmet Konica: më 1913 kryeson delegacionin zyrtar, në emër të qeverisë, vajti në Londër “që të mbronte tërësinë tokësore shqiptare” e kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve (Londër, 12 dhjetor 1912-22 mars 1913) që la jashtë kufijve etnikë Kosovën dhe Çamërinë. Këtij delegacioni iu bashkua, pos Faikut, edhe Noli. Në dhjetor të vitit 1918 vjen nga Roma në Shqipëri “për të formuar një këshill, një organ, I cili do të kishte kryesisht karakterin e një delegacioni për të shprehur dëshirat e kombit shqiptar në Konferencën e Paqes. Në këtë këshill bënte pjesë edhe Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja etj. Në janar të vitit 1920, në Kongresin kombëtar të Lushnjes, në qeverinë kombëtare shqiptare, të kryesuar nga Sylejman Delvina, minister i punëve të jashtme u zgjodh Mehmet Konica, Sotir Peci – i arsimit, Hoxha Kadriu – i drejtësisë, Ahmet Zogu – i punëve të brendshme.

Kjo konference caktoi edhe delegacionin për Konferencën e Paqes: Mehmet Konica, Mihal Turtulli dhe Imzot Bumçi. Mehmeti zgjidhte për shumë vjet edhe këshilltar i mbretit Zog (për herë të fundit i përmendet emri në “Historinë e popullit shqiptar” II, të ketë mbajtur një fjalim më 6 prill 1939 në Tiranë)… Jeta në Romë…Dy vajzat në Itali…Mbesat…Njëra në maj 1995 në Tiranë… Ditët e mbrama të Mehmetit?… Vdekja: ku? Kur?…
Rrustemi: pensionist në Tiranë. Djali i vetëm me të cilin do të pushkatohet. Jeta (dhe puna) në Tiranë. Po më shumë se kaq?
 
Jeta intime e Faikut
Tema e tretë: përse biografët e tij të derisotëm dhe sidomos faikistët heshtin, nuk kthejnë vëmendjen dhe as “prekin” jetën intime, sentimentale, erotike, dashurore të Faik Konicës. Objektivat: pyetje a pati ai ndonjë të dashur, me emër e mbiemër? (Burimet arkivore të Brukselit: “Gjatë kohës kur jetonte në Francë, kishte njohur një grua të quajtur Sophie Annette Hygo” … në Londër: “Bija e Marie-Forbes Rodhna para një kohe ishte njohur me Konicën” dhe “është duke u përgatitur të shkojë për të jetuar me të dashurin e vet. Apolineri: “Ky shqiptar kishte një mikeshë angleze që e bënte të vuante…Modi kalonte jetën e saj ashtu e zhveshur në apartamentin e mikut tim”.

Jup Kastrati: “Megjithse mund të ketë pasë kaluar shumë marrëdhënie dashurie…”; pyetja 2 – a ka pasur grua, a u martua a jo ndonjëherë? (Apolineri: “Në Londër kalova edhe ca kohë te Faik beg Konica, i cili ishte martuar (nënvizoi – R. K.) dhe banonte në Chingford”; Jup Kastrati: “Faiku nuk u martua asnjëherë, ndonëse poeti francez Gijom Apolineri, kur e njohu në Londër më 1903, thotë se ishte martuar dhe banonte në Chingford” ) ; pyetje 3 – a pati fëmijë?
(Arkivat e Brukselit: “Gjatë kohës kur jetonte në Francë kishte njohur një grua të quajtur Sophie Annette Hygon me të cilën më 1897 kishte një djalë me emrin Henrik”! Ç’dimë për Henrikun 98 vjet pas lindjes: sa jetoi, la fëmijë, ka nipa e mbesa?

Tema e katërt: ç’e lidhte Faikun me Apolinerin? A janë vetëm letrare, artistike, raportet e ndërsjellta aq të ngushta dhe aq miqësore e dashamirëse mes tyre? Objektivat: tregimi i Apolinerit, kushtuar Faik Konicës, “L’Albanais” (Shqiptari) – përkthyer nga Luan Rama, personazhi i Kanurit (Konicës) dhe “karakteri shqiptar i Kanurit”, këtij burri në dukje “si edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, ndërmjet të cilëve shquhen burra të hijshëm”, në romanin e tij “La venue assise” (Gruaja e ulur).
Dënimet me vdekje dhe instiktet vetëvrasëse.
 
Tema e pestë: a është e vërtetë se Turqia dhe deri vetë sulltani e dënoi Faik Konicën me vdekje?
Disa referenca për sa më sipër bëri edhe Isak Shema në shkrimin e tij “Të dhëna të reja lidhur me botimin e revistës “Albania” në Bruksel (1897-1902)”, në “Gjurmime Albanologjike” më 1975.

Tema e gashtë: a provoi ndonjëherë dhe a mos pati prirje a instikte për vetëvrasje Faik Konica? Objektivat: më i pari, Apolineri në tregimin e tij “Shqiptari”, në këtë shkrimin kryekëput kushtuar mikut të vet Faik Konicës (“Një ditë miku im më tha: “duhet të iki nga bota. Nesër do ta vras veten” – nënvizoi R. K.) e mandej edhe në romanin e tij “Gruaja e ulur” (“Në dukje ka qenë si edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, ndërmjet të cilëve shquhen burra të hijshëm, por të predisponuar për vetvrasje” – nënvizimi R.K.)
Pas tij edhe Pashk Bardhi në shkrimin për Faik Konicën në “Hylli i Dritës” të vitit 1942, në njërën nga letrat që merrte nga ai: (“Kam një plagë… e ajo është vobeksia…Më vien keq për popullin shqiptar që s’më ka nonji faj! Pra, a duhet ta vras veten, a të përpiqem të fitoj jetën em nj’anë në dhe të huaj?” – nënvizoi R. K.)
Gjashtë tema, që kërkojnë edhe sot, sidomos sot, autorin.
Gjashtë pyetje, përkrah aq të tjerash politike, shoqërore, kulturore, letrare, artistike etj që presin edhe sot, sidomos sot, përgjigje…
 
Rilindja, 23 qershor 1995 – 31 qershor 1995
 
 
Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në suplementin Rilindasi të  gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane