Data 4 korrik ka një domethënie të veçantë në historinë botërore. Është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokracisë më të madhe dhe të fortë në botë, një shteti që prej më shumë se një shekulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe 4 korriku 2026 përkon me Jubileun e 250 Vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.

4 korriku: vëmendje ndërkombëtare për protestën?

Sot është edhe dita e 35-të e protestave të përditshme rinore në Tiranë dhe organizatorët mund ta kishin lënë protestën kombëtare të rradhës, një mobilizim më të gjerë se protestat e ditëve të tjera, për datën 5 korrik, e dielë.

Por nuk e bënë. Pse? A është ky një vendim i tyre me mesazh politik? Në politikë, simbolika ka rëndësi. Datat, vendet dhe mënyra e organizimit të një aktiviteti publik mundet lehtësisht të interpretohen si pjesë e mesazhit që synohet të përcillet.

Si do ta pasqyrojnë protestën rinore kombëtare të 4 korrikut gjigandët mediatikë kritikë ndaj Presidentit Dolad Trump, si CNN, MSNow, CBS, Deutsche Welle, Reuters, France 24, etj.? “Me dhjetra mijëra në bulevard në Tiranë kundër projekteve të luksit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump, në 250 Vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve”? Tituj të ngjashëm do të kenë?

Të gjithë ne në Shqipëri e dimë se protestat 35 ditore në Tiranë kanë pak, ose aspak të bëjnë me shqetësimin për të ardhmen e zonave natyrore të mbrojtura në Zvërnec, Nartë dhe Pishë-Poro. Ato janë plotësisht të drejtuara ndaj largimit të qeverisë që sot kemi mbi kokë. Atëhere përse një protestë kombëtare(më e gjerë) pikërisht më 4 korrik? Vetëm pse bie e shtunë?! Apo pse shumica e mediave ndërkombëtare do ta lidhin menjëherë me 250 Vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve dhe protesta do të marrë më shumë vëmendje?

Marrëdhënia me SHBA-të, e lidhur me ekzistencën tonë 

Për Shqipërinë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është një marrëdhënie e zakonshme diplomatike. Ajo është e lidhur me momente vendimtare të historisë kombëtare.

Presidenti Woodrow Wilson, në vitet 1919-1920  kundërshtoi me forcë copëtimin e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, duke mbështetur parimin e vetëvendosjes së kombeve dhe duke kontribuar në ruajtjen e shtetit shqiptar. Po të mos ishte ai, shteti shqiptar do të ishte coptuar më tresh dhe nuk do të dihej fati i tij më vonë.

Shtatë dekada më vonë, administrata amerikane dhe NATO, nën udhëheqjen politike të Presidentit Bill Clinton, luajtën një rol vendimtar në ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, e cila ndihmoi në ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe hapi rrugën për realizimin e ëndrrës së Kosovës shtet i pavarur nëndë vite më vonë, në 2008.

Edhe në vitet pasuese, SHBA-të kanë mbështetur fort integrimin euroatlantik të Shqipërisë, reformën në drejtësi, forcimin e institucioneve dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Madje ishin sponsorizuesit kryesorë, së bashku me Bashkimin Evropian, të reformës në drejtësi, në vitin 2016.

Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim politik që përkon me 4 korrikun mund të perceptohet në mënyra të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Në politikë, perceptimi ka shpesh po aq peshë sa edhe qëllimi.

Organizatorët e protestës kombëtare u detyrohen sot qytetarëve një sqarim publik

Organizatorët e protestës mbajnë sot përgjegjësinë për të qenë të qartë në komunikimin e tyre. Nëse zgjedhja e 4 Korrikut ishte rastësore, një sqarim publik do të shmangte keqkuptime të panevojshme. Nëse, përkundrazi, data është zgjedhur për të dërguar një mesazh simbolik, atëherë ky mesazh duhet të shpjegohet hapur.

Shqipëria ka ndërtuar për dekada një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara. Ky partneritet nuk përjashton të drejtën e qytetarëve për të protestuar ndaj institucioneve të vendit të tyre, por kërkon kujdes, që simbolikat të mos krijojnë interpretime të gabuara ose tensione të panevojshme me aleatin tonë më strategjik.

Në demokraci, liria e protestës dhe përgjegjësia për mënyrën se si ushtrohet ajo, duhet të ecin gjithmonë së bashku.

Pyetja kyçe sot nuk është vetëm pse u zgjodh 4 korriku?. Pyetja më e rëndësishme është se çfarë mesazhi synon të përcjellë protesta dhe si do të kuptohet ai nga qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Në rradhë të parë nga vetë SHBA-të. Se nga mediat ndërkombëtare kritike me presidentin Trump dihet se si protesta do të përcillet.