Protestat paqësore janë një e drejtë themelore demokratike dhe një instrument, përmes të cilit qytetarët shprehin pakënaqësitë, kërkesat dhe aspiratat e tyre. Megjithatë, kur protestat zhvillohen çdo ditë për një periudhë të gjatë kohore, ato mund të sjellin edhe pasoja ekonomike që prekin bizneset dhe qytetarët.
Për faktin që të 23 protestat ditore gjatë periudhës 31 maj-22 qershor 2026 kanë qenë mrekullisht paqësore, ato ende nuk kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ndaj turizmit shqiptar, industrisë numër një vendit me 5.5 miliardë euro të hyra në vitin 2025. Edhe pse protestat janë mbuluar gjerësisht nga mediat ndërkombëtare.
Dëmi në turizëm: ende i vogël
Protestat mund të kenë krijuar shqetësime të kufizuara për lëvizjet e vizitorëve të huaj në Tiranë(çdo muaj në dy vitet e fundit kryeqytetin e vizitojnë mesatarisht 250-300 mijë të huaj) dhe një efekt të caktuar në perceptimin ndërkombëtar, por ndikimi real mbi sektorin turistik mund të vlerësohet vetëm përmes statistikave zyrtare mbi numrin e turistëve, rezervimet, anulimet dhe të ardhurat nga turizmi për qershorin 2026. Prandaj dhe dëmi i shkaktuar është ende i vogël, në nivel 13-15 milionë euro në më pak vizitorë të huaj nga protestat.
Turizmi shqiptar ende po reziston, pasi pjesa më e madhe e turistëve gjatë verës vizitojnë Rivierën Shqiptare, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Ksamilin, Shkodrën dhe Beratin dhe Gjirokastrën. Ngaqë protestat janë zhvilluar kryesisht në Tiranë, ato nuk kanë penguar drejtpërdrejt aktivitetin në këto destinacione.
Gjatë viteve të fundit Shqipëria është promovuar gjerësisht si destinacion mesdhetar me rritje të shpejtë. Një periudhë protestash paqësore nuk është domosdoshmërisht e mjaftueshme për të ndryshuar këtë tendencë.
Nga ana tjetër, përvoja ndërkombëtare tregon se protestat paqësore, kur nuk shoqërohen me dhunë ose destabilizim të rendit publik, zakonisht kanë një ndikim të kufizuar dhe afatshkurtër mbi turizmin, ndërsa faktorët kryesorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni mbeten siguria, cilësia e shërbimeve, infrastruktura dhe reputacioni i përgjithshëm i vendit.
Mirëpo, nëse protestat shkojnë disa muaj, gjendja ndryshon. Dëmi në turizëm mund të rritet, nëse protestat vijojnë gjatë korrikut dhe gushtit, muajt me më shumë ngarkesë turistike tek ne. Anulimet e pronotimeve mund të bëhen masive dhe të prekin deri në 10 përqind të kërkesave.
Tabela 1. Prurje valute më pak nga turizmi, për shkak të protestave
Dëmi më serioz dhe i parikuperueshëm: nëse dy investimet në Zvërnec dhe Sazan anulohen
Nëse projektet e mëdha turistike të planifikuara për zonat e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit do të anuloheshin, si pasojë e investimit të madh të mediave ndërkombëtare kritike ndaj Presidentit amerikan Trump (CNN, MSNow, Reuters, Deutsche Welle, France 24, etj) për të portretizuar protestuesit në Tiranë si kundërshtarë të flaktë të projekteve të nxitura nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, e pasigurisë politike, kundërshtimeve të vazhdueshme ose ndryshimit të klimës së investimeve, atëhere pasojat negative ekonomike mbi të ardhmen e zhvillimit tonë të qendrueshëm do të ishin shumë më të thella dhe afatgjata.
Investimet e planifikuara në Zvërnec dhe Sazan konsiderohen strategjike, pasi tërheqin turistë në Shqipëri, me shpenzim të lartë(dhe jo turistë “të byrekut”, që jemi mësuar të shohim deri tani në rrugët tona), rrisin investimet e huaja direkte, krijojnë vende të reja të punës, zgjerojnë me muaj të tërë sezonin turistik, shtojnë të ardhurat fiskale të shtetit tonë dhe e promovojnë ndërkombëtarisht Shqipërisë si destinacion turistik premium.
Sipas kësaj logjike, humbja e investimeve të tilla nuk do të përfaqësonte vetëm humbjen e kapitalit fillestar, por edhe të efekteve ekonomike që ato mund të gjeneronin për vite ose dekada, sikurse investimi në Malin e Zi me perlën Porto Montenegro për vitet 2010-2018 e ka treguar..
Investimet e mëdha turistike zakonisht sjellin qindra miliona euro, madje edhe miliarda euro, kapital të ri në ekonomi. Nëse një projekt i tillë anulohet, këto fonde mund të zhvendosen drejt vendeve të tjera konkurrente në rajon. Greqia është gati t’i “gëlltisë” ajo shanset tona, me ishujt e saj. Anulimi i projekteve në Zvërnec dhe Sazan do të nënkuptonte humbjen e këtyre mundësive. Në këtë rast, protestat do të “shërbenin” si “kumbari” i këtyre anulimeve.
Sinjali negativ për investitorët e tjerë
Një nga pasojat më të rënda është ndikimi në perceptimin e investitorëve të tjerë potencialë ndërkombëtarë. Nëse një projekt i madh anulohet pas një procesi të gjatë planifikimi dhe autorizimesh, këta investitorë mund ta interpretojnë këtë si një shenjë pasigurie për investimet e ardhshme.
Në projektet anulohen, Shqipëria humb momenti e favorshëm i tregut, investitorë specifikë si ata të Gjirit Persik mund të mos rikthehen më dhe mund të shtyhen për vite e dekada përfitimet ekonomike të pritshme.
A ia duam këtë fat ekonomisë dhe xhepit tonë?
Komente








Donje analize se sa ka kushtur keq-qeverisja nuk ka?
PërgjigjuPo korrupsioni,padrejtesia, sa i kushtojn ekonomise sone? 1 Miliard Euro!
PërgjigjuPo Rilindja sa i kushton valle???
Përgjigjupo rilindja + rilindjen demokratike te '91 + liria e LSI + kusuri i minjve politike + ... = sa kane kushtuar? e po kushotjne e do kushtojne, sido qe te ecin punet.