Sa naftë ka Shpiragu?

Sa naftë ka Shpiragu?

Mali i Shpiragut, Berat

Ne nje takim me investues potenciale ne Hollande me 5 korrik 2022, kryeministri i vendit shpalli se gjendemi pranë një zbulimi të madh, një vendburimi nafte, që “do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë dhe, në një shkallë më të vogël, të vetë Evropës”. Bëhet fjalë për naftën e zonës naftëmbajtëse në Berat deri në Përmet, në të cilën janë kryer në vitet 1957-1988 35 mijë metra lineare gërmime, por nuk është realizuar nxjerrje e naftës për prodhim industrial. 

Shell dhe Shqipëria

Kryeministri ynë është në kontakte me drejtuesit më të lartë të kompanisë Shell dhe pritet që zbulimin ta bëjë publik kjo kompani, që ka harxhuar deri tani me dhjetëra milionë euro në kërkime dhe studime për zonën. Gjigandi i naftës, kompania britanike dhe hollandeze “Shell Plc.”, me vëllim punësh mbi 261 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021, e pranishme në 99 vende të botës dhe e renditur ndër dhjetë kompanitë më të mëdha në botë, për nga prodhimi dhe shitjet, hyri në Shqipëri në vitin 2012.

Tabela 1. Profili i Shell

1.      Themeluar në vitin 1907. Kompani me filiale në 99 vende të botës

Grataçieli i zyrave qendrore të Shell Plc., Londër

2.      Ndër dhjetë kompanitë me xhiron më të madhe në botë

3.      Prodhon mbi 3.7 milionë fuçi nafte në ditë. Ka rreth 44 mijë pika shitje me pakicë në botë

4.      Kapitali: 404 miliardë USD(viti 2021)

5.      Të ardhurat: 261.5 miliardë USD(viti 2021)

6.      Fitimi neto: 20.6 miliardë USD(viti 2021)

Shell u bë partner në projekt në 2012 dhe tani ka 100% të kapitalit neto në lejet e shfrytezimit te Blloqeve 2, 3 dhe 4 ne zonen qe nga Berati dhe deri ne Permet. Sipërfaqja e kombinuar e Blloqeve 2, 3 dhe 4 është 4084 km2.

Shell ka në pronësi të saj vendburime pusesh nafte kudo në botë, në nivele të 11.1 miliardë fuçive naftë. Ajo di ku kërkon naftë. Vetë kompania në puset e saj prodhon 3.7 milionë fuçi nafte në ditë dhe ka 44 mijë pika të shitjes me pakicë të naftës dhe gazit në të gjithë botën.

Historiku i trishtë e arit të zi tek ne

Në vitin 1975 prodhonim 2 milionë e një çerek tonë naftë, por e shisnim lirë, në tregtinë me klering(po të jap naftë ty borgjez i ndyrë perëndimor, të të marr makineri). Në vitin 2006 ia dhamë naftën tonë për ta shfrytëzuar një kompanie të huaj, të cilës ende edhe sot nuk ia dimë kush janë pronarët, ngaqë ishte e rregjistruar në parajsat fiskale.

Tabela 2. Prodhimi i naftës në Shqipëri. Historiku dhe shifrat

·        Rezervat gjeologjike të naftës gjykohen 437.6 milionë tonë naftë, nga të cilat 81 milionë tonë konsiderohen rezerva të nxjerrshme

·        Deri më 01.01.2021 janë prodhuar rreth 63 milionë tonë nafte. 

·        Sot, industria e prodhimit të naftës është eksportuesja e dytë më e madhe dhe punëson më shumë se 3,000 vetë.

·        Shumica e puseve janë të amortizuara. Ka vetëm rreth 700 puse aktive, ku rreth 70% janë puse prodhues(pjesa tjetër puse injektimi dhe depozitues)

Burimi: https://www.infrastruktura.gov.al/prodhimi-i-naftes/

Në vitet me çmimin më të lartë të naftës në tregun botëror, vitet 2011-2014, kompania e huaj, edhe pse shfrytëzonte mbi 89 përqind të naftës sonë, fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, dorëzonte në tatimet tona bilance ku dilte gjithnjë me humbje, për të shmangur pagesën 50 përqind të fitimit tek shteti shqiptar.

Në vitin 2012 hyn tek ne gjigandi Shell dhe standardet e tij të transparencës na garantojnë që nuk do të ketë më lojra me shpenzime të fryra, për të fshehur fitimin, nëse kompania vendos të nisë shfrytëzimin e Shpiragut për prodhim industrial.

Shell dhe Shpiragu

Tre vjet më parë, në maj 2019, Shell zbuloi një zonë të rëndësishme naftëmbajtëse dhe gazmbajtëse në 800 metra thellësi, në Pusin Shpiragu-4.  Shell vepron në një terren prej tre blloqesh kërkimi, në një total prej 4 mijë kilometrash katrore në Berat, në malin e Shpiragut.

Zbulimi i naftës në sasi premtuese në Shpirag, i pari pas afro 30 vitesh mungesë zbulimi pusesh nafte në tokë në Shqipëri, ishte i rëndësishëm edhe për kompaninë gjigande të naftës. Marc Gerrits, Zëvendës/President Ekzekutiv i Kërkimeve të Naftës në Shell, deklaroi se “Ne jemi të kënaqur që këto teste fillestare kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim me padurim rritjen e biznesit tonë në Shqipëri”.

Mali i Shpiragut, Berat

Pas tre vjetësh e një muaji, kryeministri ynë ripohon se jemi në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm në tokë të gazit dhe naftës që, jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por në këto rrethana të veçanta, do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës. Shell ende nuk ka dhënë shifra për sasinë e naftës që mendohet të jetë në qindra metra thellësi nën malin e Shpiragut. Tre vite më parë, kompania pohoi se testi i prodhimit shumëditor në pus u krye siç pritej, me një potencial prurjeje prej disa mijëra fuçi naftë në ditë. Sipas Shell, struktura e brezit naftëmbajtës është me porozitet të lartë, duke e bërë nxjerrjen e naftës më të lehtë dhe më pak të kushtueshme. Mirëpo, përdorimi i naftës së Shpiragut për qëllime tregtare dhe prodhimi mbetet ende për t'u përcaktuar, nëpërmjet aktivitetit të mëtejshëm të vlerësimit.

Është Shpiragu një Val D’Agri i dytë?

Ndoshta kryeministri ynë ka të dhëna se këto ditë apo javë, Shell do të japë sihariqin se do të investojë për nxjerrjen e naftës në Berat. Raporti 60 me 40 që ai përmendi ka të bëjë me 40 përqind që do të jetë pjesa e shtetit shqiptar, në rast se zbulohet mjaftueshëm naftë për qëllime industriale.

Tabela 4. Është Shpiragu një Val D’Agri i dytë?

·         Në njoftimin për shtyp të 24 majit 20219, Shell cilëson se “Zbulimi i Shpiragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues”

·         Si Shell ashtu edhe paraardhësja e saj Petromanas, theksojnë në raportet e tyre se formacioni gjeologjik i Shpiragut është “ekuivalent” me zonën naftëmbajtëse të Val D’Agrit në Itali.

·         Val D’Agri gjendet në zonën e Salernos në Italinë e jugut dhe është zbuluar në vitin 1989.

·         Zona naftëmbajtëse e Val D’Agrit u vu në shfrytëzim në vitin 1996 dhe aktualisht prodhon 100 mijë fuçi në ditë në 24 puse

·         Nëse Shpiragu në Shqipëri është i tillë, kompania shfrytëzuese do të ketë të ardhura prej rreth 10 milionë dollarësh në ditë dhe mbi 3.6 miliardë dollarësh në vit, me    çmimet aktuale të naftës. Të ardhurat në buxhetin tonë të shtetit mund të shkojnë mbi 600 mln euro në vit.

·         Shqipëria prodhon aktualisht rreth 20 mijë fuçi në ditë dhe nëse kjo bëhet realitet, prodhimi i vendit do të gjashtëfishohet.

Burimet: https://www.shell.al/media/2019/shell-confirms-potential-of-significant-oil-discovery-in-albania.html

https://en.wikipedia.org/wiki/Val%27d_Agri_oil_field

Fusha naftëmbajtëse në Val D’Agri, Salento, Italia e Jugut

Duke u përpjekur të interpretojmë kryeministrin në ato që thotë, i bie që në këta tre vjet nga zbulimi i naftës në pusin Shpiragu-4, Shell në Shqipëri të ketë kryer hapa të suksesshëm të programit të vlerësimit të vendburimit Shpirag, të cilat të çojnë në shpimin e më shumë puseve të vlerësimit dhe, më tej, në zhvillimin e mundshëm të plotë në terren, në varësi të marrjes së një vendimi përfundimtar investimi.

Jemi të gjithë me sytë nga Shpiragu, pasi, pas këtyre muajve të nxehtë të verës dhe kulmit të parave nga turizmi veror, do të ndodhemi në një gjendje shumë të vështirë nga mesi i shtatorit e më vonë, me konsumin që do të bjerë fort. Tani nuk po e ndjejmë, por importojmë mesatarisht 4 milionë euro energji elektrike në javë, me çmime të tregut ndërkombëtare në nivele të frikshme të 335 eurove për megavat. Jemi kthyer në shoqëri dhe ekonomi kondicionerësh në këto ditë tejet të nxehta dhe kjo simfoni e shtrenjtë do të vazhdojë deri në fund të gushtit.

Nëse Shell përfundon se ka zbuluar mjaftueshëm naftë në Shpirag dhe prodhimi e nxjerrja e saj është me përfitim, kjo do të thotë se të paktën nga viti i parë i prodhimit, që do të mund të jetë, me shumë shpresë, viti i ardhshëm ose viti 2024, të ardhurat shtetërore(40 përqindëshi) mund të jetë në nivele deri 400-600 milionë euro. Nëse brezi i naftës është i rëndësishëm edhe për vetë Evropën e kufizimeve dhe sanksioneve të naftës dhe gazit rus, sipas deklaratës së kryeministrit tonë, i bie që nafta që do të përcaktohet në Shpirag të jetë të paktën dy herë më e madhë në sasi, nga nafta e zonës naftëmbajtëse Marinzë-Patos apo e Kuçovës, të zbuluar që në vitin e largët 1927 nga kompania italiane Agip dhe pionieri i naftës shqiptare, gjeologu martir polak Stanislav Zuber.

Urojmë me gjithë shpirt të kemi një histori të tillë të suksesshme të naftës së nëntokës shqiptare përpara nesh.  

  

 

 

S.C/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale