Fatos Kongoli: Nga rinia
trashëgoj ende naivitetin 

Fatos Kongoli: Nga rinia<br />trashëgoj ende naivitetin 
TIRANE- Në 70-vjetorin e lindjes së tij, Fatos Kongoli nuk ka hequr dorë nga naiviteti i rinisë (që për gati gjysmë shekulli e ka lënë pas). Megjithëse ndihet i trishtuar për moshën, atij thellë-thellë, duket se i pëlqen ta ruajë “fëmijërinë” që ka gjithmonë brenda vetes. S’ka aspak komplekse për këtë “të metë” njerëzore. Të sheh drejt e në sy dhe ti kupton se ai ka fituar tashmë një ndjesi paqeje me veten. Personazh interesant në mjedisin e letrave shqipe, Fatos Kongoli me një sinqeritet gërryes e fantazi të pashtershme i përcjell vitet e jetës së tij me penën në dorë. I pangjashëm me ndonjë tjetër për nga karakteri, stili, imazhi, ai është një nga shkrimtarët më prodhimtarë e më të talentuar të letërsisë shqipe.

I lindur më 12 Janar 1944 në Elbasan, autor i një vargu librash, i botuar edhe në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, etj, Fatos Kongoli ka pasur jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha evropiane (“Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Der Tagesspiegel”, etj). Tri herë ka fituar çmimit për prozën më të mirë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002). Është fitues i çmimit Velia (2000), i çmimit “Ballkanika”-2002;, i çmimit më të lartë letrar “Penda e Artë” (2004), “Shkrimtari i vitit” për 2006-n. Dhe të mos harrojmë se romani “Lëkura e qenit” u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Ka botuar këtë vit romanin “I humburi”, të cilit lexuesi i vë shpejt pikën mbi i me shprehjen: “I mrekullueshëm. Kongoli gjithmonë shkruan bukur…”

Fatos Kongoli ka një vetëdije të qartë për talentin që i dha zoti si romancier, por nëse e dëgjon zërin e gjatë regjistrimit në këtë intervistë tingëllon qartë pengu që nuk u bë dot poet. “Unë nuk u bëra poet”, -thotë dhe tingëllon si pengu i ëmbël i një dashurie të parealizuar. E megjithatë nuk i sjell trishtim, sepse ka ditur të heq dorë, ndoshta prej përuljes dhe dashurisë që ka për poezinë.

Ndërsa në prozë duket i mësuar tashmë me shijen e suksesit të kolanës së 15 veprave, shkruar me një stil të prerë “kongolian”, për të cilin kritika e huaj e ka më të lehtë të thotë se është kamyan apo kafkian. Ka bërë shumë vepra, por edhe sikur të jetojë 100 vjeç, Kongoli do të shkruante. Tashmë shkrimtari nuk të habit më, kur thotë se çfarëdo të ndodh me kohën, me jetën është i sigurt se “do të vazhdojë të jetë vetvetja e asgjë tjetër”. Ja ç’rrëfen ai për gazetën “Shqiptarja.com” për atë që po ndodh me të në këtë 70-vjetor...
 
Çfarë është 70-vjetori i lindjes për shkrimtarin Fatos Kongoli?
-Dëgjo, është një moment që do mbetet në kujtesën time, domethënë, në një pikëpamje, është e trishtueshme të mendosh që u bëre 70 vjeç. Kur je i ri duket diçka e largët që s’do vij kurrë, por ja vjen një moment dhe ti je 70 vjeç. Nuk e beson as vet këtë, edhe kur vetja të duket i ri, sepse 70 vjeçët i ke brenda. Megjithatë po e festoj me gëzim. Kjo festë është një shenjë vlerësimi e botuesit tim, “Toena”-s për mua dhe unë i jam shumë mirënjohës.
 
 Pse ç’të keqe ka të kesh iluzionin se je ende i ri, nëse ndjehesh vërtetë ashtu? Zakonisht njeriu e ka tagrin të jetojë 100 vjeç. Çfarë do të thoshe pas 30 vjetësh të tjera?
-Asaj nuk i dihet, sa do jetoj unë. Nuk është në dorën time, por nëse ndodh, unë nuk do të bëjë gjë tjetër, për aq sa më mbetet. Mendoj se do të vazhdoj të jem vetvetja. Nuk mendoj gjë tjetër.
 
Duke kujtuar ikjen e viteve ju, u shprehët se “brenda teje mbetet fëmijëria”. Çfarë ju ka mbetur e përhershme nga rinia në karakterin tuaj?
-Naiviteti
 
Dhe ju  nuk jeni thyer ndonjëherë, nuk keni hequr dorë nga naiviteti juaj, edhe kur jeta është treguar e ashpër?
-Unë nuk dal dot nga vetja, por kjo nuk besoj se ndodh vetëm me mua. Në fakt, njeriu nuk del dot nga vetja. Individi në thelb dëshiron të jetë ai që është, duke marrë parasysh edhe vështirësitë.
 
Po mbresa të moshës së rinisë keni?
-Mbresat janë 70 vjetët e jetuara. Ato nuk mund të numërohen.
 
Në cilën moshë e keni ndjerë veten të veçantë, special për krijimtari?
-Nuk kam menduar kurrë se jam një individ i veçantë, ose special. Jam përpjekur të bëj gjëra të veçanta, por nuk mendoj se jam një individ special, nuk e kam menduar asnjëherë këtë. Mund të them vetëm kaq, që në fëmijëri kam pasur qejf të vargëzoj, të bëj poezi, vjersha, dhe vjershën e parë e kam shkruar në klasën e katërt fillore.
 
Për çfarë bënte fjalë vjersha juaj e parë?
-Është një vjershë naïve. Ishte për trimat partizanë që luftonin nëpër malet me borë dhe luftonin kundër pushtuesit. Por kjo ishte fantazi libreske, më erdhi nga leximet.
 
Pra kishit aftësi të vargëzonit?
-Unë s’u bëra poet.
 
Keni shkruar, megjithatë...?
Kam shkruar shumë poezi në rini, por nuk u bëra poet. Nuk botova asnjëherë poezi. Poezinë e vlerësoj shumë. Më pëlqen të vlerësoj edhe sot e kësaj dite, por nuk jam unë vet poet.

Por nga poetët cilët pëlqeni më tepër?
-Nuk bëj dallime. Shqipëria ka shumë poetë, ka edhe poetë të mirë ndërkombëtarë, por edhe poetë shqiptarë ka shumë të mirë...
 
Në romanet që ju keni shkruar, cili është një nga personazhet më të dashur?
– E kam të vështirë të bie në dashuri me personazhet  mi, por një personazh që mendoj se është arketipi i gjithë personazheve të mi, është personazhi kryesor i romanit “I humburi”, inspektori Sabit Kurti. Ai mbetet si arketip personazhi për mua.
 
Flasim gjithë kohën për ju si shkrimtar, për jetën personale nuk dimë asgjë të veçantë.
-(Heshtje)
 
A je bërë gjysh?
-Jo, akoma. Shpresoj të bëhem së shpejti.
 
Po cilat janë projektet e tuaja të ardhshme?
-Të shohim. Kam projekte për disa përkthime të tjera, por të shohim. Sigurisht që kam ca gjëra në tryezën time të punës. Në mendjen time vijnë shumë ide, sepse unë vazhdimisht shkruaj, punoj. Por më konkretisht nuk mund të flas. Si mund ta flas unë pa e mbaruar ende një punë...
 
Edmond Tupja: Jam “kongolizuar”, duke përkthyer Fatos Kongolin
 Përkthyesi i shkrimtarit Fatos Kongoli në gjuhën frënge ka krijuar një simbiozë metaforike me shkrimtarin, sepse ai ka përkthyer 9 vepra të tij. Ja ç’tregon Edmond Tupja për gazetën “Shqiptarja.com”: “Kur përkthej Fatos Kongolin harroj gjithë telashet  e ditës. Është një mrekulli e vështirë. Sa më lodh, sepse s’është e lehtë të përkthesh Kongolin, por aq edhe më mrekullon, sepse hyj në një botë fantastike, sa harroj gjithë hallet e mia.

Dhe ndodh që them shpesh me veten time sa egoist që jam. Dua të them se Kongoli është shkrimtar në të gjitha parametrat, nëse do jemi objektiv, përveç miqësisë gjysmëshekullore që kam me të. Kam përkthyer nëntë romane të tij, nga të cilët tetë janë botuar në Francë. Mediumet letrare të Francës, kritika ka folur pa fund për librat e tij. Është cilësuar shkrimtar origjinal me nuanca kafkiane, kamyiane”. Pasi tregon se duke përkthyer 9 libra me afër 250 faqe, kundrejt kësaj “llogarie” përkthyesi Tupe me humor shprehet se “Jam “Kongolizuar” dhe e kam për nder”.
 

 Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane