Besimtarë ortodoksë nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit, janë mbledhur në Manastirin e Shën Joan Vladimirit për të përkujtuar dhe nderuar shenjtorin. Qindra pelegrinë vizituan këtë të mërkurë fshatin Shijon, ku ndezën qirinj, morën pjesë në lutje dhe u përfshinë në ceremonitë fetare të organizuara me rastin e kësaj feste.

Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andoni, u ndal te mesazhi dhe rëndësia shpirtërore e kësaj dite, duke theksuar se figura e Shën Joan Vladimirit bashkon besimtarë përtej kufijve kombëtarë. I pyetur nga gazetarët edhe për debatin e fundit mbi terapinë hormonale, një çështje që ka shkaktuar reagime dhe protesta në vend, ai dha qëndrimin e tij lidhur me këtë temë.

“Sot është një ditë e bekuar. Kanë ardhur besimtarë jo vetëm nga Shqipëria por edhe Mali i Zi dhe Maqedoni. Shën Joani është shembull i imirë i një udhëheqësi dhe prijësi që ishte gati të sakrifikonte jetën e tij për të mos dëmtuar të tjerët” tha Imzot Andoni- Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit

Për besimtarët, festa e Shën Joan Vladimirit mbetet një traditë e rrënjosur ndër vite dhe një moment i veçantë reflektimi e frymëzimi shpirtëror.

 “Jam  nga Serbia dhe kjo është hera e parë që unë vij këtu. Jam shumë e kënaqur. Mbrëmë isha pjesë  eceremonisë së organizuar nga Mitropoliti.Ndjesia e parë që mu dha sapo erdha  ishte gëzim, lumturi dhe një ndjenjë e bukur me  njerëz të frymëzuar në këtë manastir. Patjetër që do rikthehem sërish” tha një grua nga Serbia .

“Jam nga Mali i Zi. Është hera e parë që vij këtu dhe vizitoj Manastirin. Është një vend i mrekullueshëm frymëzues . Jam i nderuar që jam këtu, kjo ishte një ëndërr.Për ne malazezët shenjti Shën Joan Vladimiri është si krishti. Këtu njerëzit janë shumë të mirë, ndjehem si në shtëpi” tha një besimtar malazez

“Jam nga Mali i Zi, jemi këtu për të festuar ditën e shenjtorit Shën Joan Vladimirit. Është hera e parë që vijmë këtu. Është e mrekullueshme. Ne erdhëm që mbrëmë dhe u bëmë pjesë  e liturgjisë. Në vendin tonë ka shumë  respekt për shenjtorin. Jam shumë e lumtur, edhe njerëzit këtu jan shumë të mrekullueshëm” tha një grua malazeze.

Kremtimet për nder të Shën Joan Vladimirit organizohen çdo vit më 4 qershor, ndërsa aktivitetet fetare dhe liturgjitë nisin që në mbrëmjen e ditës pararendëse.

Shën Joan Vladimiri nderohet në mënyrë të veçantë në Krajën e Malit të Zi, vendin e origjinës së tij, si dhe në Shijon të Elbasanit, ku ruhen eshtrat e shenjtorit. Pikërisht në këtë vend u ndërtua më vonë manastiri që mban emrin e tij.

Sipas burimeve historike, Shën Joan Vladimiri u vra gjatë përplasjeve me bullgarët. Në nderim të figurës së tij, princi Karl Topia ndërmori rindërtimin dhe zgjerimin e manastirit, duke e shndërruar atë në një nga qendrat më të rëndësishme të besimit ortodoks në këtë zonë.