Në një botë të ndarë me kufij, luftë e mosmarrëveshje, letërsia mbetet urë komunikimi midis popujve, duke treguar që përvojat janë të ngjashme, pavarësisht se ku dhe kur kemi jetuar. Ky mesazh është në thelb të Festivalit Evropian të Letërsisë, që këto ditë po zhvillohet në Tiranë, për herë të parë.
Një nismë e përbashkët e Delegacionit të BE-së dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Festivali është konceptuar si një projekt i hapur për bashkëpunim me ambasadat që dëshirojnë të sjellin autorë nga vendet e tyre, me synimin për të pasqyruar diversitetin e letërsisë dhe gjuhëve evropiane në program.
“Pas diskutimeve me Alessandron, që donte të organizonte diçka, me fokus në letërsinë italiane vendosëm ta zgjerojmë me tre ditë dhe ideja ishte të sillnim autorë evropianë në Shqipëri si mundësi për të promovuar mirëkuptimin e përbashkët të traditave të vendeve të ndryshme evropiane, që është në logjikën edhe të asaj çfarë ndodh politikisht, pasi procesi i zgjerimit, ka të bëjë me afrimin e Shqipërisë me BE. Mendoj se në këtë proces nuk duhet të harrojmë aspektin njerëzor. Është gjithashtu mundësi për të sjellë autorët evropianë dhe për t’u treguar çfarë është sot Shqipëria sepse kuptoj që disa herë kur u flas miqve për Tiranën dhe Shqipërinë nuk e njohin. Arsyeja e tretë është se gjithmonë kam konsideruar që kultura dhe arti në përgjithësi janë vlera mjaft të fuqishme për të përëçuar mesazhe të rëndësishme për sfidat që përballemi si shoqëri.”, - shprehet Silivio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
“Fillimisht mendova të organizoja një festival të letërsisë italiane, siç Silvio tha. Por më pas ramë dakord për një festival më të gjerë, evropian. Konsiderimi i Italisë si një kulturë e vetme është një lloj paradoksi dhe për më tepër, në botën bashkëkohore nuk mund t’i konsiderosh kulturat kombëtare si të izoluara. Filloi nga një vëzhgim. Duke konsideruar dimensionet e vendit, Shqipërisë, ka vërtet një jetë vërtet vibrante dhe të gjallë të përkthimeve letrare: shumë shtëpi botuese, Panairi i Librit ka shumë pjesëmarrje dhe mendova që duhet të punojmë në letërsi dhe të krijojmë rast të prezantojmë mundësinë për shkëmbime dhe bisedime dhe ramë dakord që duhet të ketë një përbërës të fortë shqiptar, përveç pjesëmarrjes së autorëve evropianë”. , - thotë Alessandro Ruggera, Drejtues i Institutit Italian të Kulturës
Autorja e parë që prezantoi veprën e saj ishte ajo irlandeze Catherine Prasifka, e cila foli për romanet e saj: “Asgjë nga këto nuk është serioze”” dhe “Kështu e kujtoj unë atë”.
“Kur përpiqesh të jesh shkrimtare është vetëm pasioni për të shkruar dhe për letërsinë. Studiova letërsi. Nuk kisha shumë besim kur fillova të shkruaj dhe ndodhi gjatë pandemisë kur nuk kisha çfarë të bëja. Që atëherë kam qenë në udhëtim që nuk dija ku do të shkoja, por jam shumë e lumtur që jam këtu.”, - vëren Prasifka.
Një tjetër autor i pranishëm gjatë ditës së parë të festivalit ishte edhe autori grek Christos Armando Gezos. Ai ka prezantuar romanin e tij “Balta”, si dhe poezitë e tij që pasqyrojnë kultura e gjuhë të ndryshme.
"Sa herë që vij në Tiranë ndihem në një vend familjar. ‘Balta’ është romani im i parë. Është përkthyer në shqip dhe në frëngjisht. Bën fjalë për një burrë të ri, anarkist, që kërkon të gjejë vendin e tij në botë.”, - thotë Gezos.
Festivali do të zhvillohet nga data 12 deri më 14 dhjetor 2024, duke promovuar në Shqipëri autorë bashkëkohorë dhe vepra letrare nga e gjithë Europa, me vëmendje të veçantë atyre të përkthyera dhe botuara në gjuhën shqipe.