Filipi i INSTAT: Ja e vërteta e dy
shifrave për numrin e të punësuarve

Filipi i INSTAT: Ja e vërteta e dy<br />shifrave për numrin e të punësuarve
TIRANE - Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës, në fund të tremujorit të tretë 2014, ka 78 mijë e 844 persona të punësuar më shumë se viti 2013. Ndërsa sipas të dhënave administrative, për të njëjtat periudha përkatëse, rritja vjetore e numrit të të punësuarve (në vlerë absolute) ishte rreth 36 mijë persona.

Në një intervistë Gjergji Filipi, drejtor i përgjithshëm i INSTAT, shpjegon ndryshimet në dy metodologjitë e matjes së punësimit në vend si dhe jep detaje lidhur me tendencat e punësimit në vend.

Më poshtë intervista me Gjergji Filipin, drejtor i përgjithshëm i INSTAT:

Ju publikoni të dhënat administrative dhe ato të Anketës së Forcave të Punës. Ku qëndron ndryshimi dhe cila është një referencë më e saktë?
Të dhënat administrative për punësimin dhe për punëkërkuesit e papunë publikohen nga INSTAT çdo tre muaj që nga viti 1990. Të dhënat administrative sigurojnë të dhëna për punësimin (vende pune) në ndërmarrjet të cilat deklarojnë tatimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, punësimin në sektorin shtetëror dhe papunësinë e regjistruar.
Anketa e Forcave të Punës kryhet pranë familjeve që nga viti 2007. Anketa ka një metodologji të standardizuar që zbatohet nga Eurostati, dhe që e ka bazën në rezolutat e miratuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Për matjen e punësimit dhe të papunësisë, Anketa e Forcave të Punës konsiderohet si burim më i mirë dhe më gjithëpërfshirës pasi,
-ka një shtrirje gjeografike më të mirë;
-bazohet në një metodologji të standardizuar ndërkombëtarisht gjë që lejon krahasueshmërinë e të dhënave statistikore me vendet e tjera;
-nëpërmjet anketës vlerësohet sa është oferta e punës dhe sa është forca potenciale e punës;
-në mungesë të të dhënave administrative për punësimin në sektorin e bujqësisë, Anketa e Forcave të Punës është i vetmi burim i këtij informacioni.
Numri i të punësuarve që deklarohet nga ndërmarrjet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nuk mund të krahasohet me numrin e të punësuarve vlerësuar sipas Anketës së Forcave të Punës për arsyet e mëposhtme:
Anketa është një vrojtim statistikor që kryhet në zgjedhje prej 5040 familjesh, ku intervistohen të gjithë personat e moshës 15 vjeç e lart. Të dhënat raportohen për një periudhë të dhënë reference që, sipas metodologjisë së anketës, është java e plotë kalendarike para datës së intervistës.
Anketa në dallim nga të dhënat administrative mundëson vlerësimin e numrit të popullsisë ekonomikisht jo-aktive (e cila përbëhet nga nxënës/studentë, pensionistët, të papunët e dekurajuar, shtëpiakët, etj.). Por sipas metodologjisë së anketës, një student apo një person në moshën e pensionit që deklaron se në javën e referencës ka punuar në një punë (qoftë dhe për një orë) klasifikohet si i punësuar. Në DPT nuk deklarohet grupi i personave që punojnë në biznesin e tyre familjar, si të punësuar pa pagesë. Kjo kategori, sipas vlerësimeve të Anketës së Forcave të Punës, zë rreth 32% të punësimit total.


Sipas të dhënave administrative, në fund të tremujorit të tretë, rritja vjetore e numrit të të punësuarve (në vlerë absolute) ishte rreth 36 mijë persona, ndërsa sipas anketës shtimi i forcës së punës për të njëjtën periudhë ishte rreth 78 mijë persona. Pse ky ndryshim kaq i madh dhe sa ndikon kjo në besueshmërinë e këtyre statistikave?
Të dy burimet janë të besueshme por jo të krahasueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndryshimi mes burimeve qëndron në mënyrën e matjes së punësimit. Nga burimet administrative, baza e informacionit është deklarimi nga ana e ndërmarrjeve për vendet e punës. Nga anketa e forcave të punës kemi deklarimin e individëve për statusin e aktivitetit të tyre ekonomik. Pra kemi në njërën anë numrin e vendeve të punës dhe, nga ana tjetër, individë të punësuar që vetëdeklarojnë se kanë punuar në një periudhë reference. Rrjedhimisht diferenca do të ketë mes dy burimeve, përderisa ato masin dy gjëra të ndryshme të cilat, në gjuhën e përditshme, ne i emërtojmë me të njëjtin emër.
Ajo çfarë mund të krahasohet në të dhënat e këtyre dy burimeve është tendenca. Në tremujorin e tretë të këtij viti vihet re se të dy burimet tregojnë se kanë të njëjtën tendencë në rritje të punësimit.


Cilët janë sektorët dhe veçanërisht nënsektorët që po rrisin vendet e punës këtë vit dhe nëse mund të jepni një opinion tuajin, sa e qëndrueshme është kjo tendencë?
Sipas Anketës së Forcave të Punës, rritja e numrit të të punësuarve (në terma relativë) është më e madhe në sektorin e industrisë përpunuese (ku përfshihen përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi i pijeve, përpunimi i tekstileve dhe i lëkurës, prodhimi i letrës, etj.). Sektori i shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë e pakicë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, etj.) renditet i dyti ku në terma relativë vjetor ka një rritje të të punësuarve prej 10,7%.
Sektori i ndërtimit në vitet 2012-2013 ka pasur një tendencë në rënie. Por në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2014 në këtë sektor ka filluar të ketë një rritje të lehtë të numrit të të punësuarve.


A mund të bëni një ndarje nga kjo rritje në punësim, se sa ka ardhur nga formalizimi i tyre dhe sa nga gjenerimi real i vendeve të reja të punës?
Rritja e vendeve të punës nuk matet me anë të anketës së forcave të punës. Ky informacion mund të merret vetëm nga ndërmarrjet. Informacioni që marrim nga burimet administrative për numrin e të punësuarve në ndërmarrjet që deklarojnë në DPT vjen i përmbledhur në një numër total dhe jo i ndarë sipas aktiviteteve ekonomike. Për të bërë një ndarje të pjesës së të punësuarve për herë të parë apo të deklaruar për herë të parë nga ndërmarrja do të na duhej të kishim të gjithë stokun e ndërmarrjeve për çdo muaj të vitit. Nga Anketa e Forcave të Punës theksojmë dhe një herë që INSTAT mat punësimin e shprehur në të punësuar dhe jo në vende pune.

Si po ecet me rishikimin e metodologjisë së llogaritjes së papunësisë, prezantuar pak kohë më parë?
INSTAT është duke bashkëpunuar ngushtësisht me Organizatën Ndërkombëtare të Punës për të mundësuar tranzicionin nga standardet që po përdoren aktualisht nga Shqipëria, si dhe të gjitha vendet e tjera për matjen e punësimit, të papunësisë dhe popullsisë ekonomikisht joaktive, në zbatimin e standardeve të reja të miratuara në tetor 2013. ONP ka draftuar metodologjinë që i përshtatet rezolutës së re dhe në vitin 2015 do të bëjë testimin e metodologjisë për të vlerësuar ndikimin e standardeve të reja në matjen e punësimit, papunësisë, nënpërdorimit të punës dhe forcës potenciale të punës. Kjo pasi vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës shërbejnë jo vetëm për të matur treguesit kryesorë të tregut të punës, por ato përbëjnë dhe një komponent të rëndësishëm për Llogaritë Kombëtare. INSTAT ka treguar gatishmërinë dhe angazhimin për të qënë një nga vendet pilot për zbatimin e rezolutës së re dhe shumë shpejt presim miratimin për financimin dhe zbatimin e standardeve të reja të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Sektorët që po udhëheqin rritjen e vendeve të punës:
-Përpunimi i produkteve ushqimore
-Prodhimi i pijeve
-Përpunimi i tekstileve dhe i lëkurës
-Prodhimi i letrës
-Tregtia me shumicë e pakicë
-Akomodimi dhe shërbimi ushqimor
-Transporti

"Marrë nga Revista Monitor"

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Kremtohet 115-vjetori i bandës frymore ‘Afërdita’, parada në Elbasan mbledh vendas e të huaj

Kremtohet 115-vjetori i bandës frymore ‘Afërdita’, parada në Elbasan mbledh vendas e të huaj