Tirana mirëpret në edicionin e 24-të Festivalin Ndërkombëtar të Filmit- TIFF (Tirana International Film Festival). Festivali sjell një program të pasur filmash shqiptarë e ndërkombëtarë, masterclass-e dhe ekspozita, nën temën “Humanography”, një pyetje e hapur mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njeri sot.

Çelja e festivalit u shoqërua edhe me hapjen e ekspozitës fotografike “Italia që ëndërronim” në kinema “Millennium”. E kuruar nga Brunella Garavini dhe Elton Koritari, nën organizimin e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës së Italisë, kjo ekspozitë sjell një udhëtim magjepsës përmes imazheve të prapaskenave të kinematografisë italiane të shekullit XX.

“Cesena ka një bibliotekë historike, bibliotekën publike më të vjetër në botë, Bibliotekën Malatestiane, e cila megjithatë nuk ruan vetëm libra të vjetër, por edhe arkiva modernë. Një nga këta është arkivi më i madh, një nga arkivat më të mëdhenj të fotografive të skenës të kinematografisë italiane, me pothuajse një milion imazhe të të gjithë regjisorëve kryesorë italianë: Fellini, Pasolini, Visconti, Bertoluçi. Dhe ne jemi të lumtur këtë mbrëmje të shfaqim në Tiranë një përzgjedhje të vogël, por shumë të bukur të këtyre fotografive.”, tha për “Report TV” Camillo Acerbi, këshilltar për kulturën i bashkisë së Cesenës.

Një pjesë e ekspozitës është e çelur edhe pranë rezidencës së ambasadorit italian, ku janë ekspozuar fotografi të filmave modernë.

“Kemi zgjedhur kinematografinë si një nga shprehjet më të bukura të bashkëpunimit me Shqipërinë. Festivali i Filmit në Tiranë është një moment i rëndësishëm dhe ne kemi dashur ta vlerësojmë me praninë e filmave italianë, por edhe me këtë ekspozitë fotografike të prapaskenave, të një Italie që dinte të ëndërronte dhe që me Shqipërinë do të ndërtojë ura të reja.”, tha ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.

Tema e këtij viti e festivalit, “Humanografia", vendos në qendër të vëmendjes njeriun e zakonshëm dhe sfidat e tij ekzistenciale. Jo rastësisht sipari i festivalit u hap zyrtarisht me filmin “Mother” të regjisores Teona Mitevska, i cili erdhi në Tiranë pas premierës në Festivalin e Venecias.

“Filmi i parë simbolizon pikërisht humanografinë, vë në qendër Nënë Terezën, që është humanistja më e madhe e shekullit të kaluar dhe ka lidhje shpirtërore me Shqipërinë. Por në të gjithë filmat gjen kudo nga pak humanografi.”, tha drejtori i TIFF, Agron Domi.

Filmi, realizimi i të cilit kërkoi 18 vite punë kërkimore, sjell ditët e Nënë Terezës përpara se ajo të bëhej figura që njeh e gjithë bota.

“Faleminderit. Jemi shumë krenare si maqedonase që kemi 'Nënën' që po e promovon me aq shumë përkushtim kulturën. Sonte do të shihni një film shumë të veçantë.”, tha producentja Labina Mitevska.

“Ky është një film për një grua shqiptare nga qyteti im, nga Shkupi, një grua që e admiroj pafundësisht: e fuqishme dhe rebele. Nëse prisni të shihni një biografi klasike, nuk është kjo. Janë ditët para se ajo të bëhet Nënë Terezë.”, tha regjisorja Teona Mitevska.

Gjatë ditëve të festivalit, motrat Mitevska do të mbajnë edhe masterclass-e, ndërkohë që në ekran do të shfaqen një sërë filmash të vlerësuar ndërkombëtarisht, mes të cilëve edhe filmi i Visar Morinës, “Shame and Money”.