Filozofia praktike e Kantit

Filozofia praktike e Kantit
Immanuel Kant (1724-1804), gjatë gjithë jetës së tij âsht mundue të gjejë nji syzim midis racionalizmit dhe empirizmit. Këto dy rryma filozofike kanë mbizotnue në filozofinë moderne. Në Kantin mund të dallojmë dy pikëpamje të filozofisë: kemi nji filozofi për studentë, studiues e specialist të saj, ai ketë e quan filozofia e shkollës ajo që mësohet nëpër aula skolastike.

Kjo âsht filozofia për ata që duen të stërvisin inteligjencën e tyne. Bashkë me ketë kemi dhe nji filozofi për njeriun në përgjithësi e botën e tij, pra për njeriun e thjeshtë që dëshiron të dij rreth disa të vërtetave themelore që janë: çka âsht njeriu, çka âsht e keqja, vuejtja, dashnia, liria, çka ndodhë mbas vdekjes, e sidomos rreth ekzistencës së Zotit. Ai e quen ketë filozofi, kozmopolite. Koncepti kozmik në filozofi, për Kantin, ká si qëllim vlerat jetësore, urtinë për gjanat e fundit të jetës së njeriut. Kërkon ti japë përgjigje atyne pyetjeve që e shqetësojnë njeriun në të gjitha aspektet e jetës së tij.

Filozofi, nuk âsht teknik i arsyes por ligjëvuesi i saj. Tekniku i arsyes ká si qëllim dijen spekulative, pá marrë parasysh se sa ndikon ajo në arsyet e fundit të njeriut. Filozofi praktik, me shikim në të perditëshmen, âsht mësuesi i urtisë dhe nëpërmjet mësimit kthehet shembull autentik i filozofit të mençun për njerëzimin. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 18) Kanti mundohet të jap nji përcaktim të filozofisë. Për të filozofia âsht: idea e nji urtie të përkryeme që na tregon qëllimet e fundit të arsyes njerëzore. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 18).
Bash tue u nisë prej kuptimit të dytë të filozofisë, asaj kozmopolite, Kanti rreshton katër pyetje themelore se si e koncepton ai filozofinë dhe së cilave pyetje, ajo duhet tu japë përgjigje:
 
Çka mund të njoh?
Çka duhet të baj?
Çka më lejohet të shpresoj?
Çka âsht njeriu?
 
Filozofia duhet të shihet në ketë marrëdhanje të saj, si kërkim i vazhdueshëm në shërbim të qëllimeve të fundme të arsyes njerëzore, pra me ato që merret filozofia kozmopolite. Janë këto pyetje themelore që ajo duhet të dij tu jap përgjigje, sepse janë pyetjet e njeriut në të gjitha kohët. Deri ku mbërrin njohunia ime, si duhet të veproj në jetë, a duhet të shpresoj, e cka âsht njeriu në vetvete, e shqetësojnë Kantin, e natyrisht krejt njerëzimin.

Mâ tej, Kanti shton se, pyetjes se çka mund të njoh i përgjigjet metafizika, ndërsa se çka duhet të baj njeriu merret morali, dhe se çka duhet të shpresojë merret religjioni e në fund se çka âsht njeriu duhet të merret antropologjia. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 19) Kanti mendon se kush dëshiron të bahet filozof, duhet të ushtrojë vet-arsyen e ta përdorë atë lirisht. Jo vetëm të përdoret arsyeja në funksion imitues, pra me fjalë të tjera duhet të mësojmë idetë e të tjerëve, por ato duhet të na ndihmojnë që të funksionojë arsyetimi i jonë e jo thjeshtë të tregojë idetë e tjerëve.

Filozofia, âsht dija nëpërmjet koncepteve, ose dija e koncepteve a priori, pá pas nevojë për përvojën empirike. Filozofi duhet të dij dhe: 1) cilat janë burimet e dijes njerëzore; 2) deri ku mund të mbërrij njohunia e njeriut; 3) cilat janë kufizimet e arsyes. Mbasi të kemi përcaktue këto pyetje kryesore, nuk mbetet veçse, ai që filozofon, të përdorë kulturën dhe shkathtësitë e tij për çdo qëllim të fundëm të njeriut dhe të përdorë me çdo kusht çdo mjet të tillë për këto qëllime.

Kush nuk filozofon me mendje të vet, ai nuk mund të quhet i tillë. Por të bash filozofi, për Kantin do të thotë të mësosh që të përdorësh vetëm arsyen autonome. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 19) Krejt historia e filozofisë duhet të shërbejë për ketë qëllim: të ushtrojmë lirisht e në mënyrë të pavarun, prej asnji sistemi a doktrine, arsyen tonë e kështu të krijojmë sisteme të reja mendimi për të mirën e njerëzimit.

Por duhet të kihet parasysh se çdo filozof, nëse do të kthejë në filozofi sistemin e tij, duhet ta ndërtojë në rrënojat e nji sistemi tjetër, dhe se asnji sistem filozofik nuk âsht i përkryem, i përfunduem e i përsosun në vetvete. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 20). Cilido që dëshiron të filozofojë duhet të konsiderojë sistemet filozofike si histori e përdorimit të arsyes e si mundësi e ushtrimit të talentit të tij filozofik. (I. KANT, Logica, 6° ed., Editori Laterza, Roma-Bari, 2010, f. 20). Filozofia âsht përherë në kërkim të qëllimeve të fundme për të cilat mendja e njeriut mundohet të gjej përgjigje. Filozofia e Kantit, paraqitet shumë aktuale edhe për njeriun e kohës së sotme.

Pyetjet që i parashtron Kanti janë kuptimplote edhe për boten e sotme. Ndryshojnë mjetet e jetesës, por njeriu në brendësi mbart me vete po të njëjtat pyetje që e kanë shqetësue shekuj mâ  parë, që në të shfaqunit e tij në ketë botë, qysh se âsht krijue. Njeriu âsht në kërkim të pse-ve të tij në ketë botë. Fillimisht, né duhet të kuptojmë kufijt e njohunisë sonë, deri ku mund arrij dija jonë dhe cilët janë objektet që ajo mund ti përkufizojë. Me fjalë të tjera, duhet të njohim subjektin mendues e funksionet e intelektit.  

Jeta e përditshme na paraqet dimensione të panjohuna të njeriut, e si rrjedhojë shohim se ai nuk âsht vetëm intelekt por i përbamun me ndenja, pasione, dëshira për jetën. Kërkon që të jetë i dashun prej të ngjashmëve të tij. Natyrisht lind pyetja se si duhet të veproj në marrëdhanje me botën e jashtme, pra me të tjerët. Si duhet të sillem, për Kantin âsht pyetje sa legjitime aq dhe e drejtë sepse rrjedhë prej racionales. Njeriu duhet të jetë i virtytshëm e të ketë neveri për vesin e të dëshmojë gjithmonë të vërtetën në çdo rrethanë. Por njeriu, si kenie, âsht e vetmueme dhe sado marrëdhanje të mira të ketë me njerëzit e tjerë, atij nuk i hiqet vetmia.

Filozofi françeskan Duns Skoti, e ká quejt njeriun si ultima solitudo, gjëndje ontologjike, që e ban njeriun mâ të përgjegjshëm ndaj të tjerëve dhe të hapun ndaj trashendendes. Njeriu kërkon ta mbush ketë gropë nëpërmjet dimensionit religjioz e të Zotit, në jetën e tij. Religjioni, besimi dhe ekzistenca e Zotit, bajnë pjesë në sistemin filozofik të Kantit. Njeriut i duhet të shpresoj. Janë disa çështje ekzistenciale të njeriut që shkenca nuk mund t’u japë përgjigje. Këto çështje tejkalojnë dimensionin e përvojës së përditëshme, të shfaqunit e tij (phainómenon), sepse njeriu ká edhe nji dimensione tjetër atë shpirtnor.

Tw shfaqunit e tij si natyrw trupore e relacionale âsht  objekt shkencor, ndersa dimensioni tjetër i tij ai shpirtnor nuk njihet. Njeriu si qenie  karakterizohet prej lirisë. Kanti thotë se njeriu nuk âsht vetëm mjet me u përdorë por qëllim në vetvete. Liria, dashnia, e keqja, vuejtja, etj., nuk perceptohen vetëm me anë të arsyes se ajo shumë herë nuk i kupton ato, prandaj lypet nji dimension tjetër në jetën e tij, dimensioni religjioz. Njeriu, dëshiron të përkufizojë dijën e tij, të gjej nji udhëzues për veprat e tij e të shpresojë, pra ai duhet të dij se kush âsht në të vërtetë. Cili âsht shpirti i tij, psikologjia, pasionet, ndenja, etj.

Njeriu âsht vetëm trup, apo âsht vetëm shpirt? Cfarë marrëdhanje kanë trupi me shpirtin? Për me kuptue kenien njerëzore duhet të kuptojmë dhe ndikimin e pasioneve e të ndjenjave në shpirtin e tij. Dashnia dhe urrejtja, kënaqësia dhe neveria, çfarë roli luejn në intelektin tonë, përcaktues apo ndikues? Përgjigjet e këtyne pyetjeve né mund ti gjejmë, shkruen filozofi gjerman, tue hulumtue komponentin njerëzor në totalitet.

Aty kah fundi i Kritik der reinen Vernunft (Kritika e arsyes së kullueme) Kanti, shprehet se krejt interesin e arsyes spekulative e asaj praktike (etike e morale) e ká përqëndrue në këto tri pyetje:
Çka mund të njoh?
Si duhet të veproj?
Çka mund të shpresoj?
 
Njeriu i sotëm ká mbetë nëpër rrugët pá fund të teknologjisë moderne, i kthyem pothuejse në robot âsht tue humbë çdo shije të jetës. Nuk din se çka me njoftë sepse nuk ká mâ memorie. Gjindemi përballë turmash të shumta njerzish që e kanë humbë aftësinë kritike ndaj mjeteve të epokës moderne, ndaj mesazheve të përditshme që i ofrohen pá asnji kontroll. Njeriu modern nuk din se si me u orjentue në jetën e përditshme, për faktin se nuk ká asnji princip bazë të jetës. Por, mâ tragjikja âsht se njeriu i epokës dixhitale nuk din me shpresue e âsht i burgosun në vetminë e tij.
 
 Shkodër, Shkurt 2014

Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar