Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure një takim me presidentin e Republikës, Ilir Meta, në zyrën e këtij të fundit. 

Në fokus të takimit mësohet të ketë qenë finalizimi i marrëveshjeve me Greqinë si Pakti Detar, shfuqizimi i Ligjit të Luftës si dhe çështjet lidhur me të drejtat e emigrantëve atje. Report Tv ka mësuar se takimi mes shefit të ekzekutivit dhe kreut të shtetit ka zgjatur rreth 40 minuta dhe është zhvilluar në orën 18:00.

Shqipëria dhe Greqia kanë vendosur si afat përfundimtar për firmosjen e marrëveshjeve muajin qershor. Moment ky i cili korrenspondon edhe me vendimin e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ku Athina zyrtare ka premtuar mbështetje në favor të Tiranës.

Edhe ky vendim i pritshëm i Brukselit është diskutuar nga Rama dhe Meta. Më herët presidenti Ilir Meta ka kërkuar angazhim të plotë të qeverisë dhe institucioneve për të përmbyllur me sukses këtë objektiv të rëndësishëm, që i hap rrugë anëtarësimit në bllokun europian.

Meta te Ambasada britanike pas takimit me Ramën
Presidenti Meta, i pranishëm në një festë te Ambasada Britanike në Tiranë, ka thënë për përfaqësuesit e medias se ka pasur një takim me Ramën këtë pasdite, por pa dhënë detaje shtesë.

"Ishte një takim me kryeministrin Edi Rama. Nuk preferoj të jap detaje". 

Është përgjigjur shkurtimisht Ilir Meta