Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka hedhur poshtë akuzat e organizatës "Judicial Watch" se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri. “Judicial Watch”, një organizatë konservatore, e cila vëzhgon abuzimet e mundshme të buxhetit federal në Shtetet e Bashkuara, i bazon akuzat mbi dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit të siguruara përmes së drejtës së informimit.
“Judicial Watch” thotë se fonde prej rreth 9 milionë dollarësh të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) i janë kaluar fondacionit Soros në Shqipëri gjatë vitit 2016, që sipas “Judicial Watch”, synonin t’i jepnin qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi.
“Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri. Por kundrejt këtyre akuzave, ambasadori amerikan Donald Lu ka reaguar për Zërin e Amerikës duke hedhur poshtë akuzat në adresë të tij.
“Ne nuk kemi ofruar financime për Fondacionin Shoqëria e Hapur dhe as kemi marrë financime prej saj”. Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF".
Donald Lu, ambasador i SHBA në Shqipëri
“Kritikët e reformës në drejtësi, thekson Ambasadori Lu, i kanë etiketuar veprimet e ambasadës si të frymëzuara nga Sorosi”. Reforma e gjyqësorit, thekson më tej Ambasadori Lu, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, pasi me një “sistem gjyqësor të pastër Shqipëria do të jetë një aleate më e fortë në NATO dhe më pranë anëtarësimit në BE”.
Reagimi i plotë i ambasadorit Lu për Zërin e Amerikës:
"Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF.
Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë.
Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë".