Shkarkime në PD, Alibeaj: Luftë të shkuarës, Berisha ka hall! Tabaku: S'duhej të vinim në këtë pikë! ‘Ndërhyn’ Meta: Të përjashtuarit ‘reflektuan’, duan Salianjin

Lajmin e publikuar në media se në grupin parlamentar të PD ka një nismë për mbledhje firmash për shkarkimin e Enkelejd Alibeajn si kryetar grupi deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e sheh si një pikë të ulët që nuk e ka pritur se partia që përfaqëson do të arrinte deri këtu. Në prononcimin për mediat, Tabaku thotë se këto nisma ndikojnë në copëzimin e mëtejshëm të opozitës, e cila sot sipas saj gëzon besueshmëri më të ulët se qeveria.

“Besoj që të gjithë më keni ndjekur në diskutime e mia në këtë periudhë në PD që kam qenë konstruktive. Nuk më ka thirrur askush për mbledhje grupi, nuk kam asnjë dijeni për mbledhje firmash dhe proces tjetër.  Qëllimi im është ta bëjmë PD-në alternativë dhe forcë fituese. Është e papranueshme sot që opozita është më pak e besueshme sesa qeveria. Unë do të punoj çdo që kjo të ndodhë sa më shpejt. Asnjëherë se kam menduar që PD të shkojë në këtë rrugë. Ka një kryetar grupi që mirë apo keq po e bën punën e tij. Copëzimi i mëtejshëm nuk e ndihmon PD-në”, tha ajo. 

Ndërkohë që nga Saranda, kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se lufta me të shkuarën do të vijojë, duke iu referuar Sali Berishës. Nga një aktivitet ku ka marrë pjesë me rastin e themelimit të degës së PD Sarandë, Alibeaj është shprehur se ai është përfaqësuesi i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare.

Në këtë debat ka ndërhyrë edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët Meta tha se përjashtimi i 4 deputetëve nga grupi parlamentar i PD është një prej manovrave të Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga skandalet e tij. Madje, edhe me pak ironi, Meta tha se të katërt kanë reflektuar sepse kërkojnë që të vendosin Salianjin në krye të grupit parlamentar, i cili ishte pjesë e grupit të Bashës në luftën e 8 janarit 2022 në Selinë blu. 

2 ditë më parë Enkelejd Alibeaj ka njoftuar se ka përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë që janë mbështetës të Sali Berishës. Më konkretisht bëhet fjalë Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi. Një vendim i tillë sipas njoftimit zyrtar vjen pasi 4 deputetë nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit. Ato ishin pezulluar më herët nga Basha, e ndërsa me firmën e Alibeaj janë përjashtuar nga grupi. 

Përjashtimi i 4 deputetëve që zyrtarisht u argumentua nga Enkeleid Alibeaj se nuk reflektuan për dhunën ndaj selisë blu 8 janarin e vitit të kaluar, por në fakt sipas grupit të Berishës është një vendim që vjen pasi Ervin Salianji nisi mbledhjen e firmave për ta shkarkuar dhe për të marrë vetë ai drejtimin e grupit parlamentar të PD. Një fakt të tillë, e konfirmoi edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili nuk e pati një përgjigje se sa firma janë mbledhur deri më tani për shkarkimin e Alibeajt.

Ashtu si Tabaku sot edhe deputeti Ferdinand Xhaferri nga radhët e deputetëve që mbështet Alibeajn, tha se nuk ka firmosur për përjashtimin e kolegëve. Vijimi i luftës brenda grupit parlamentar të PD, ka prodhuar edhe distancime. Deputeti Petrit Doda, që zëvendësoi mandatin e Alfred Rushajt, ka vendosur të mos bëhet pjesë e lojës së grupimeve në PD dhe mësohet se në Kuvend do të regjistrohet si deputet i pavarur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Përjashtimi i 4 deputetëve nga grupi, Alibeaj: Jam drejtues i PD pas largimit të Bashës

 

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj thiotë se ai është drejtuesi i Partisë Demokratike.

Nga një aktivitet ku ka marrë pjesë me rastin e themelimit të degës së PD Sarandë, ku është takuar me një grup mbështetësish të grupimit brenda PD, Alibeaj është shprehur se ai është përfaqësuesi i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare.

“Gjej rastin të ndodhem mes demokratëve të Sarandës jo vetëm për të festuar, por edhe për të diskutuar gjendjen dhe situatën politike së pari në Sarandë, sfidat që na presin, por edhe për zhvillimet lart në qendër. Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës. Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni. Është hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë kanë arsye hallet e tyre personale.’- tha Alibeaj.

Mes te tjerave ai shtoj se është dakord qe demokratet te shkojnë bashke ne zgjedhje.

Ora 14:07
‘Luftë shkarkimesh’ në PD, ‘ndërhyn’ Meta, 4 deputetët e përjashtuar 'reflektuan', duan të zgjedhin Salianjin! Ishte me Bashën më 8 janar 2022

 

Për Kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përjashtimi i 4 deputetëve nga grupi parlamentar i PD është një prej manovrave të Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga skandalet e tij. Madje, edhe me pak ironi, Meta tha se të katërt kanë reflektuar sepse kërkojnë që të vendosin  Salianjin në krye të grupit parlamentar.

“Të gjitha përpjekjet për të shpërqendruar debatet nga çështje të rëndësishme, sidomos nga skandalet që dalin çdo ditë nga oborrët, oxhakët dhe dyshekët e rilindjes. Por 14 maji do të jetë dita e ndryshimit. Qëndrimi im se kush është Partia Demokratike është i qartë dhe është i marrë nga shqiptarët më 6 mars. Unë respektoj vullnetin e popullit.

Lidhur me këtë çështje për përjashtimin, këta 4 deputetët e përjashtuar që janë edhe shembullorë dhe korrekt, paskan bërë një super reflektim për ngjarjen e 8 janarit, kanë firmosur për të pranuar si kryetar grupi një njeri që më 8 janar ka qenë në anën tjetër, në të kundërtën e ‘Foltores’. Por unë them që çdo manovër e Edi Ramës është një përpjekje për të hequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit të tij”, tha Meta. 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë