TIRANË-Të gjitha institucionet publike, të rëndësisë së veçantë, bizneset e mëdha, si dhe bizneset me aktivitet gjatë natës janë të detyruara të pajisen me kamera sigurie.

Afati për bizneset që të instalojnë kamera është fundi i vitit, më pas do të gjobiten. Ministri i Brendshem Saimir Tahiri u bëri thirrje bizneseve që t'i përgjigjen kërkesës për rritjen e masave të sigurisë.

"Unë sot kam firmosur një udhëzim në zbatim të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, dhe ka të bëjë me të gjitha detyrimet që do kenë subjektet private për të ofruar më shumë siguri për gjithë qytetarët. Në zbatim të këtij udhëzimi, çdo kategori e subjekteve përkatëse do të marrë masa, shoqëruar me Policinë e Shtetit, deri më 28 Dhjetor. Dhe pas 28 Dhjetorit çdo inspektim i policisë do pasohet me sanksione financiare për ata që nuk marrin masat e sigurisë që duhet".

Ai është shprehur se siguria nuk duhet të jetë vetëm përpjekja e Policisë së Shtetit, por e të gjithëve.
 
Në kuadër të këtyre masave, Tahiri bëri me dije konkretisht disa prej prej këtyre masave.
 
Ai u shpreh se subjektet që transportojnë fëmijët, duhet të pajisen me GPS dhe me kamera në ambientet e brendshme të mjeteve të transportit.

Ministri shtoi gjithashtu se edhe lokalet e natës, do të kenë shtim të masave të sigurisë, ku të gjitha lokalet e natës do të pajisen me kamera. 

Një tjetër shtim të masave të sigurisë do të kenë edhe shkollat, ku Tahiri tha se në të gjitha ambientet e tyre do të ketë kamera me rezolucion të lartë. 

"Subjektet që ushtrojnë aktivitetin e transportit publik të udhëtarëve, nxënësve, studentëve, autobusë, taksi, duhet të instalojnë në automjetet që shërbejnë për transportin e udhëtarëve sistem GPS; të instalojnë në ambientet e brendshme sistem me kamera të sigurisë. Ndërkohë që subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë natës, (si lokale nate, disko pub-e e kështu me radhë) detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Instalojnë sistem me kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e tyre, pajisin punonjësit e sigurisë në hyrjet e lokaleve të natës me detektorë. Kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike, ku përveç punonjësve në hyrje duhet të kenë patjetër dhe një punonjës për çdo 40-50 konsumatorë apo për çdo 25 metra katrorë".

Tahiri theksoi se "do marrim çdo masë që punonjësit e Policive Private të paguhen aq sa e kërkon ligji – dhe asnjë lek më pak.Ashtu siç do marrim çdo masë që të garantojmë se infrastruktura e policive private i përgjigjet nivelit të sigurisë që kërkohet".

Në zbatim të këtij udhëzimi, çdo kategori e subjekteve përkatëse do të marrë masa deri më 28 Dhjetor. Tahiri tha se pas 28 Dhjetorit çdo inspektim i policisë do pasohet me sanksione financiare për ata që nuk marrin masat e sigurisë që duhet.

Ligji përjashton Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit, burgjet, pasi keto ruhen nga Policia e Shtetit.