Lëvizja politike për të rrëzuar Edi Ramën me një lëvizje qytetare solli së paku në fazën e parë, përballjen e protestës me një mazhorancë politike të gatshme për tu përballur nga njëra anë. Përkatësisht, përveç rastit të neomalësores, që ishte një “provë me nëndetësen 105” nuk pati një thyerje të legjionit politik të armatës politike të PS-së.

Por nga ana tjetër, ajo që u vu re nga krahu i protestës, është se kemi një ridimensionim të trupave në betejë. Rënia e dimensionit qytetar masiv, dhe mosorientimi i grupeve të ndryshme që sponsorizuan protestën, nxorën në dritë aktorët e mëdhenj politik, që janë edhe furnizuesit më të mëdhenj të saj. Që nga PD-ja e Sali Berishës, grupet që qëndrojnë pas Ilir Metës, partitë e vogla opozitare, e natyrisht grupet e OJF-ve, të cilat kanë qenë dhe janë aktive, pasi kanë pasur furnizimin e duhur me projektet për ta ndezur revoltën kundër Edi Ramës.

Asnjëri prej këtyre grupeve nuk ka arritur të marrë nismën për të krijuar një fuzion të udhëheqësisë së lëvizjes, sepse askush nuk mundet. Ngaqë dirigjentët e vërtetë që janë dhe lojtarët e mëdhenj nuk e kanë nisur betejën për të bashkuar palët e për të ngritur një lëvizje. Ata e kanë bërë këtë lëvizje për të rrëzuar Edi Ramën, i cili nga ana e tij, nuk e la vetën të marrë goditje, por është hedhur që ditën e parë në kundërgoditje. Duke ngritur dy mure rreth kështjellës së tij. Një mur rreth kështjellës së njerëzve që e sulmojnë nga brenda dhe një mur rreth atyre që e sulmojnë nga jashtë.

Kjo skemë klasike, e përdorur me mjeshtëri nga Jul Çezari në Alesia, është kthyer në një lëvizje e njohur në të gjithë kohrat më pas. Qëllimi në këtë rast është që të mos bashkohen dy palët siç ndodhi në ditët e para, kur fuqia e bombardimit nga Lindja dhe nga Perëndimi, kryesisht me direktet e mediave të mëdha ndërkombëtare, prodhoi efektin masiv, edhe pse në rrjete u teprua me hiperbolizimin.

Me lëvizje të forta diplomatike, duket u arrit që disa copa të mëdha të “armiqve të jashtëm” të ndahen, duke lënë aktivë disa prej tyre.

Lëvizje që nxori në sipërfaqen e ujit mbështetësit e mëdhenj vendor, në krye të të cilit qëndron Sali Berisha me të gjithë superstrukturën dhe infrastrukturën.

Ky detachment, i cili natyrisht e quajnë ende veten “flamingo” pasi me vete kanë dhe grupin e OJF-ve që nga strategët e mëdhenj të rrëzimit të Ramës u janë kthyer sulmeve ndaj gazetarëve që nuk mbështesin protestën, po përdor prej ditësh një gjuhë të egër ndaj të gjithë opinionit që s’e mbështet protestën.

“Burg 1 vit për ata që shkuan në koncertin e Kanye West”, u tha në protestë, duke e quajtur edhe si “ligji i sufllaqes”. Një term i stërpërdorur që nga revolucionet me xhel të Lul Bashës me çadrën e 2017, e akoma insistohet edhe pse nuk ka dhënë efekt.

Edhe pse ka irrituar e çuditur mjaft, gjuha e egër, kërcënuese dhe shantazhuese nuk i drejtohet atyre që marrin pjesë në këtë debat publik, por me të tjerët që nuk braktisin pozicionin për të mos marrë pjesë në protest.

Logjika e burgut, vrasjeve, bullizimit dhe sharjeve, është kthyer në një model politik tashmë në të gjithë botën. E përdorin prej 2016-ës të gjithë ata që e quanin vetën antiestablishment por që sot janë dekonspiruar si njerëzit më të ngjitur pas establishmentit të vjetër.

Ndërkaq në Shqipëri është një metodë e stërpërdorur nga supermjeshtri i gjuhës së urrejtjes: Sali Berisha, prej 1991. “Komunistët në litar, pensionistët në hanxhar”. “Socialistët do t’I heqim nga puna”. “Do shkatërrojmë gjithçka sepse do na vijë çeku i bardhë” etj etj. Çeqet nuk se kanë munguar, por thjesht për ata që rrëzuan, e jo për të tjerët, ndaj gjasat janë që shoqëria ka krijuar immunitet nga populistët e akshamit, apo “pentastelate di ultimo giorno”. Që kërkojnë të implantojnë në “Flamingo Revolution” manualin që e kanë marrë copy paste nga Movimento 5 Stelle e Beppe Grillo-s e 2010. Por sot Grillo i shkretë është vrarë politikisht pasi ja mori lëvizjen njeriu që bëri kryeministër në 2018-n, Giuseppe Conte.

I cili sot tenton të bëhet lideri i së majtës, duke ngritur në qiell Vladimir Putinin, i cili sipas tij nuk është armiku Perëndimit, por një aleat i tij. Ishte ai që kur ishte kryeministër i futi në mes të Covid-it trupat ushtarake ruse të veshur si mjekë. Ndaj dhe BE u mobilizua për ta larguar./TemA