Fituam apo humbëm?

Fituam apo humbëm?
Privatizimi i Furnizimit dhe Distribucionit të KEK-ut nuk duhet të vështrohet vetëm përmes çmimit të shitjes, por me efektet e përgjithshme që mund të sjellë ai. Çmimi i ofruar vërtet është i ulët, por investimi i 200-300 milionë eurove në rrjet mund të ndryshojë panoramën energjetike të Kosovës.

Opinioni kosovar duket të jetë i befasuar me ofertat e dhëna për privatizimin e Furnizimit dhe të Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës -KEDS. Është e dhimbshme kur përballë del një realitet, i cili duket larg nga pritjet dhe shpresat.

Madje, me kontraste të këtilla vështirë është të gjendet një mes, i cili më shumë reflekton ambientin real sesa atë të imagjinuar.

Sa para vlen KEDS-i ? Përgjigja në këtë pyetje nuk është aq e thjeshtë. Ai lehtë mund të gjendet, nëse flasim vetëm për pasurinë e paluajtshme të tij- pajisjet, stabilimentet, objektet...Dihet çmimi i tregut, plus shkalla e amortizimit dhe del një shifër që paraqet pasurinë e ngrirë të kompanisë. Mirëpo, kjo llogaritje mund të jetë mashtruese, poqë se nuk merren parasysh dy elemente: a është fjala për mallrat (hekurishtet) që duhet të përfundojnë në shkritore, apo për pajisjet që kërkojnë investime për rritjet të efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve. Aplikimi i këtyre elementeve jep një shifër tjetër.

Pas hapjes së ofertave për shitjen e KEDS-it u përmenden dy shifra. E para – 26,3 milionë euro, sa ofron oferta e konsorciumit “Limak & Calik” dhe e dyta – 300 milionë euro, sa thuhet se vlen kjo kompani. Përderisa shifra e parë është ofertë zyrtare, e dyta më shumë është imagjinare. Nuk dihet se kush ka vlerësuar këtë pasuri, cilat elemente ka marrë për bazë, sa është i kualifikuar për këtë punë dhe çfarë referencash ka. Apo është shifër që buron nga nostalgjia për KEK-un e madh dhe të tërë popullit. Kjo nuk ka lidhje as me metodologjitë shkencore për caktimin e vlerës së asetit, por as me parimin se tregu identifikon vlerat.

Qeveria e Kosovës si bartëse e të drejtave të pronarit të kësaj nuk ka caktuar kushte rreth çmimit bazë, e as për detajet e tjera që duhet të përmbajë oferta. Është thënë se fituese është oferta që ka çmimin më të lartë. Pra, nuk e ka definuar nivelin më të ulët të tij. Sigurisht se në dokumentacionin tenderues ka përmbledh edhe fakte të tjera – investimet e nevojshme, situatën në treg, raportet me furnizues dhe me konsumatorë, numrin e punëtorëve dhe të ardhmen e tyre, çmimin, ndoshta edhe nevojën për subvencionim të pjesshëm... Në fund, që të gjitha këto determinojnë çmimin e privatizimit të KEDS-it, e jo vetëm kesh-i që paguhet në buxhetin e Kosovës.

Privatizimi dhe tarifat: Pas privatizimit do të shtrenjtohet energjia elektrike, madje deri në masën sa konsumatorët nuk do të kenë fuqi ta paguajnë! Një deklaratë frikësuese, ndonëse pa dyshim se do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Por, nëse çmimi për një kilovat shkon përtej fuqisë blerëse që ka konsumatori, atëherë këtu ka një defekt, meqenëse energjia në rrjet ka vetëm një destinim- tregun. Ajo do të shitet, qoftë edhe në eksport, por pasi të plotësohen kërkesat e tregut të brendshëm. Mirëpo, për kushtet, çmimin dhe tarifat vendos Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila të njëjtat kompetenca ka edhe tash, kur prodhimi dhe distribucioni janë në pronësi publike.

Ndërkaq, në kosto mund të ndikojë edhe shuma e investimeve. Rrjeti kërkon 200 -300 milionë euro investime, që nuk i ka KEK-u e as Qeveria e Kosovës. Investuesi që jep këto para, pret edhe kthimin tyre. Në fund konsumatori paguan këtë kthim, numrin e punëtorëve për të cilët duhen siguruar pagat si edhe shpenzimet e tjera. Tash kosovarët paguajnë energjinë më të lirë në rajon. Në Shqipëri kilovati është 44 për qind më i shtrenjtë se në Kosovë, kurse në Maqedoni - 28 për qind. Mirëpo, ky fakt nuk duhet të jetë arsye për ngritjen e tarifave. Nga ana tjetër, kjo pasqyrë e dëshmon se çmimi aktual në Kosovë përfshin edhe elemente sociale. Në të ardhmen ato do të jenë minimale, përkatësisht vetëm deri në masën sa pranon Qeveria e Kosovës. Konsumatorët do të përballen edhe me një situatë tjetër kur është në pyetje pagesa për energjinë e shpenzuar.

Pronari i ardhshëm do të insistojë që të arkëtojë tërë energjinë që bart në rrjet, prandaj duhet të investojë që të mos i humbë 17 për qind të energjisë e as të mos i vidhet 21,37 për qind e saj. Pra, rryma duhet të paguhet ose mbeteni pa të.

Privatizimi dhe punëtorët: Kontratat e punëtorëve garantohen për tri vjetët e ardhshme. Këtë obligim e ka pranuar edhe blerësi i KEDS-it. Por, kush e garanton atë se punëtorët e të gjitha profileve do të qëndrojnë në këtë kompani derisa të skadojë kontrata ? Kjo qasje duket absurde, por investuesi mund të kërkojë edhe garanci të këtilla, meqenëse ai nuk do të sjellë punëtorë nga Turqia, por do të punojë me kosovarët. Ai do të ketë problem nëse i ikin inxhinierët apo profilet e tjera kreative, të cilët e njohin sistemin “në gishta”. Pa marrë parasysh këtë çështje, problemi kryesor është botëkuptimi anakronik ndaj kontratës së punës. Ka kaluar koha e kontratave të përhershme, sado që ligji nuk ia mohon këtë mundësi punëdhënësit.

Është normale që kontratat e punës pas një kohe të caktuar të rinegocohen, meqenëse mund të krijohen rrethana të reja. Të kemi një qasje pak më pozitive- ndoshta pas tri vjetësh punëtorët mund të përfitojnë paga më të larta!? Për këtë arsye garancia trevjeçare është përfitim, ndërsa kontrata edhe mund të humbet, nëse dikush nuk i përmbahet asaj.

Privatizim i keq apo i mirë: As detajet e përmendura nuk japin përgjigje të saktë. E vërteta do të vjen me kohën, atëherë kur vërtet ndodh privatizimi i KEDS-it.

Por, sa për krahasim po përmendim rastin e Shqipërisë, e cila këtë punë e ka kryer para krizës globale financiare. Kompania çeke CEZ për 102 milionë euro pati blerë 76 për qind të shpërndarësit shtetëror të energjisë elektrike me një milion konsumatorë si edhe të investojë 200 milionë euro. Mirëpo, qeveria shqiptare kishte marrë përsipër obligime, kryesisht financiare që ndërlidhen me kompensimin e borxhit të paarkëtuar apo të një përqindjeje të tarifave. Do të thotë se ky segment pjesërisht ende mbetet barrë për buxhetin. Për dallim, Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë obligim, pos atij për subvencionimin e importit që do ta bëjë KEK-u.

Megjithatë, suksesin e privatizimit nuk duhet vlerësuar përmes çmimit, por edhe ajo se sa do të ketë investime në stabilimente dhe a do të kemi furnizim të rregullt dhe cilësor. Në këto çështje ka dështuar Qeveria e Kosovës, meqenëse furnizimi me energji elektrike ende mbetet problem kryesor për zhvillim ekonomik. Prandaj, privatizimi së paku sjell një shpresë të re.
Marre nga Ekspress
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime