Në fronin ‘mbretëror’ të globit në futboll, Spanja është rikthyer në shtëpi. Heronjtë spanjollë mbërritën në Madrid, ku në aeroportin Barajas u prit nga mijëra tifozë mes flamujve, këngëve dhe ovacioneve.

I pari kapiteni Rodri, zbriti me Kupën e Botës në duar, trofeun që kurorëzon një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe rikthen Spanjën në majën e futbollit botëror pas 16 vitesh. Atmosfera ishte elektrizuese.

Jo vetëm festë por edhe takime zyrtare. Kampionët e botës u pritën nga Mbreti Felipe VI në Pallatin Zarzuela, ndërsa më pas zhvilluan një takim në selinë e qeverisë, La Moncloa, ku kryeministri Pedro Sánchez i përgëzoi për suksesin historik.

Më pas gjithçka u takon tifozëve. Futbollistët udhëtuan me një autobus të hapur nga La Moncloa drejt sheshit simbolik Cibeles, mes dhjetëra mijëra tifozëve që mbushën rrugët dhe bulevardet e Madridit për të festuar së bashku me kampionët e tyre.

Por si heronj nuk janë pritur vetëm kampionët. E njëjta pritje u është rezervuar edhe nënkampionëve, argjentinasve, edhe pse ata nuk mundën ta merrnin kupën në shtëpi.

Kombëtarja argjentinase u prit shumë mirë në atdheun e saj, duke u kthyer në Buenos Aires me një fluturim çarter nga Nju Jorku.

Në aeroportin e kryeqytetit ishin mbledhur qindra tifozë për t'u dhënë një pritje të ngrohtë nënkampionëve. Në pistë, ishte shfaqur një mesazh falënderimi: fjala "Gracias" u përhap në një zonë prej 150 metrash, një homazh për ekipin.

Megjithatë, një mungesë shumë e madhe. Lionel Messi nuk ishte në bord, pasi kishte mbetur në Shtetet e Bashkuara së bashku me disa lojtarë të tjerë, ose për të shkuar direkt në klubet e tyre përkatëse ose për të filluar pushimet e tyre.

Megjithatë ndryshe nga spanjollët për argjentinasit nuk do të ketë festime zyrtare, ndërkohë që nuk munguan edhe momente tensioni mes tifozëve të mbledhur për të shprehur mirënjohjen idhujve të tyre, dhe autoriteteve policore.