Të dashur miq,

Është kënaqësi të përshëndes këtë Konventë zgjedhore. Si mishërimi i një përpjekje përbashkuese, si një afrim i gjerë forcash politike të spektrit të majtës, të qendrës së majtë dhe të qendrës së majtë shqiptare, kjo konventë do t’i shërbejë mobilizimit të mëtejshëm të radhëve elektorale, me një objektiv të madh- realizmin e rrotacionit qeverisës, ndryshimit të ri politik. Kjo bëhet akoma më urgjente në këtë fazë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Pikërisht, për këtë arsye, kërkohet sot një dinamikë tjetër, një energji dhe freski qeverisëse që nuk mund të arrihet sot pas një konsumi pushteti në dy mandate të njëpasnjëshme, sidomos pas një stërlodhje të imponuar edhe nga pasojat e krizës ekonomike rajonale e europiane. Një situatë të tillë kritike mund ta kapërcejë vetëm ky koalicion i gjerë politik. Janë këto forca, brenda këtij koalicioni, që përballuan rindërtimin e vendit pas rënies së skemave piramidale; Janë ato që ia rikthyen Shqipërisë marrëdhëniet e shëndosha me partnerët strategjikë: SHBA-në dhe BE-në. Janë ato që hartuan e miratuan Kushtetutën demokratike të Shqipërisë; Janë ato forca që në përputhje me bazat e saj realizuan ndarjen e pushteteve dhe kontroll – balancimin e tyre; Janë ato që, dhe në kushtet e një opozite bojkotuese që “ushqente” me vite rrugën, ndërtuan jo pushtet të shumicës, por një qeverisje demokratike me vullnet politik për të respektuar e ndërvepruar me pakicën; Janë ato forca që bënë Shqipërinë strehën e mbijetesës së shqiptarëve të Kosovës, që vunë në dispozicion të trupave të NATO-s gjithçka, tokën, detin, ajrin në realizimin e operacioneve të saj kundër regjimit kriminal të Millosheviçit, politikës së tij të pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Nuk ka dyshim se uniteti dhe harmonia janë qëllime të larta të çdo shoqërie, pra dhe të shoqërisë shqiptare, pse jo dhe të këtij koalicioni. Por, nuk ka dyshim që ky unitet dhe kjo harmoni nuk arrihet pa besim, devocion e dialog të hapur, pa rindërtuar shpresën përballë vështirësive, pa garantuar qetësinë e jetën kundrejt pasigurisë, pa realizuar mbrojtjen sociale e kohezion social në kushtet e një kapitalizmi ende të ashpër shqiptar. Mbi të gjitha, kërkohet një vendimmarrje e përbashkët politik për çështje kyç; sidomos për ato ekonomike, të punësimit, taksave, deficitit e borxhit publik, energjisë, edukimit, shëndetësisë, mjedisit etj, që nën darën e krizës, kanë një ndikim të fuqishëm në jetën tonë.

Domosdoshmëri e ditës është, po ashtu rindërtimi i vlerave qytetare mbështetur në një klasë të mesme në rritje, rigjallërimi i dinjitetit europian të një kombi që nuk u mposht nga fashizmi e diktaturat, që hodhi poshtë prirjet pseudo-demokratike të autokracisë së re, fuqizimi i integritetit individual dhe zhvillimi i identitetit kulturor në përballje me depresionin social, papunësinë e varfërinë;mbi të gjitha, për t’iu rikthyer vlerave të qëndrueshme të familjes, për të përballuar sfidat e përbashkëta të një jete normale, larg dallimeve partiake dhe dallimeve të tjera. Pra, Shqipëria sot ka nevojë për një politikë të tillë. Sidomos, perspektiva e afërt europiane e Shqipërisë, fati i përbashkët e imponon bashkëveprimin politik midis kampeve kundërshtare, aq më tepër që asnjë koalicion, parti apo individ nuk mund të ketë monopolin e fuqisë dhe dijes, që asnjë demokraci nuk mund të ushqehet e shëndetshme pa kontributin e të gjithë palëve, pa mirëkuptim, lëshime e kompromise të ndërsjellta. Këtë nuk e arriti qeverisja e kaluar, madje, përkundrazi ajo e nxitit të kundërtën, përplasjen dhe armiqësinë! Prandaj bëhet akoma më e domosdoshme vota e shqiptarëve për të realizuar rrotacionin qeverisës, për t’u ofruar qytetarëve një bazë qeverisëse më solide, me kërkesa të larta edukative, shëndetësore e mjedisore. Pse jo, dhe të mos lejuar, që gjoja në emër të globalizmit, ky vend të “helmohet”, të shndërrohet në një varrezë plehrash e mbeturinash! Pikërisht, një përgjegjësi të tillë qeverisëse ka shfaqur bërthama e këtij koalicioni dhe vite më parë!

Unë besoj në atë që quhet qytetari. Ajo është zemra e humanizmit, solidaritetit e progresit social; ajo shpreh brendësinë e demokracisë, reflekton detyrimet dhe detyrat e ndërsjellta qeveri-qytetar. Në këtë kuptim, a mund të jetë njerëzore apo qytetare që një qeverisje që lejon hedhjen në rrugë të familjeve të tëra, si në rastin e fundit në Tiranë?!

Natyrisht, unë e di se një qeveri, pra dhe qeveria e këtij koalicioni nuk do të mund të zgjidhë menjëherë të gjithë problemet e qytetarëve, por ama jam i sigurt se qeveria e ardhshme nuk do të jetë ajo burimi i problemeve dhe shqetësimeve, tensioneve e përplasjeve. Prandaj dhe jam para jush, më i bindur se më parë për këtë rrotacion qeverisës; jo sepse programet e partive të përfaqësuara këtu u japin përgjigje të gjitha pyetjeve, por sepse sfidat e sotme kërkojnë një përafrim tjetër, më tepër vullnet politik, një mendim më të kualifikuar në vendimmarrje. Mbi të gjitha, kërkohet më tepër hapësirë demokratike brenda institucioneve dhe partive politike, një reformim i gjithanshëm i tyre, në respekt të integritet individual dhe kolektiv, solidaritetit dhe lirisë, barazisë gjinore e alternimit të moshës, kolegjialitetit, karrierës e meritokracisë. Edhe pse ky udhëtim i përbashkët nuk do të jetë i lehtë, pritshmëria dhe shpresat mbeten shumë të mëdha, sidomos në rindërtimin e shpresës së qytetarëve. Po ashtu, në rrugën e përbashkët për një qeverisje efektive, për një anëtarësim të shpejtë në BE, thelbësore është që të ecet së bashku, duke tërhequr e mbështetur njëri tjetrin, pa firo të panevojshme dhe mbi të gjitha duke mësuar nga gabimet e ndërsjellta, nga përplasjet e keqkuptimet e së kaluarës së largët dhe të afërt, duke i minimizuar ato. Ky duhet të jetë bashkim-betimi i kësaj konvente. Është ai që bën fuqinë, është ai që përbën thelbin e fitores zgjedhore; është ai që duhet të jetë dhe zemra e qeverisjes sonë. Ai duhet zhvilluar dhe ruajtur!

Për këtë betim, për rrotacionin politik! Besim dhe Fitore!