Të nderuar miq e partnerë të huaj,
Të nderuar aleatë,
Të dashur miq e të ftuar,
Kjo është dita për të folur për vizionin tonë për Shqipërinë dhe për këtë parti të madhe të shqiptarëve. Kush jemi; çfarë na bashkon; si do të qeverisim.
Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin.
Secili prej jush ka me siguri shumë për të treguar për zhgënjimin, dëshpërimin, varfërinë dhe frikën që kanë pllakosur shpirtrat e njerëzve të zakonshëm kudo nëpër Shqipëri. Por, po ashtu, secili prej nesh ka shumë për të dhënë. Për një frymë të re shprese e besimi tek një Shqipëri si gjithë Europa.
Në zgjedhjet vendore të 8 majit të shkuar ne përjetuam dy ndjenja të forta: Fitoren e madhe me votat e Shqipërisë që paguan taksa dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e dhunshme e fitores sonë në Tiranë.
Fitorja na tregoi se sa pranë saj jemi në zgjedhjet e ardhshme politike. Zhgënjimi prej vjedhjes na gërryen me dyshimin se mund të mos e heqim dot qafe paqësisht këtë qeveri me votë. Çdo ditë posta ime është e mbushur me mesazhe që e shprehin fort këtë dyshim. Edhe plot ndër ju brehen nga ky dyshim. Janë të shumtë të rinjtë që më pyesin përditë pse duhet të votojnë. Janë të shumtë shqiptarët që nuk e besojnë që Saliu mund ta pranojë verdiktin e votës. Janë të shumtë ata që në rrugën time të arsyes pas shfaqjes televizive të vjedhjes së Tiranës, e quajnë rrugën e humbjes sonë. Ashtu siç nuk janë të pakët ata që rrugën tonë të rezistencës pas vjedhjes së qershorit 2009, e quajnë rrugën e interesit tim.
Sot dua t’ju flas shumë hapur të gjithëve. Troç sa të mundem. Me zemër dhe drejtpërdrejtë.
Edhe atyre që më nderojnë e japin krahë me mbështetjen e tyre të pakursyer; edhe atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre e jo nga gabimet e mia të mundshme; edhe atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim.
Atyre që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur për të bërë bashkë me ju Shqipërinë që duam përmes një Partie Socialiste ashtu siç i duhet Shqipërisë. Do të jem me ju, më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri. Për ta hapur Partinë Socialiste. Për të nxitur bashkë me ju një dallgë të re anëtarësimesh në Shqipëri, Greqi, Itali e kudo ku ka shqiptarë që duan ndryshimin e madh dhe të domosdoshëm. Për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar e shqiptare që kërkon ta heqë qafe këtë qeveri, bashkë me varfërinë e borxhet. Për ta ngritur besimin e dërrmuar nga padrejtësia dhe për t’i dhënë krahë bashkë me ju ambicies për një Shqipëri pa frikëra, pa borxhe, pa plehra, pa hajdutëri shtetërore, pa analfabetizëm, pa barbarizëm social. Do jemi të gjithë bashkë për një rilindje shqiptare. Të cilën dua ta projektojmë mbi bazën e programit të ri që e shpalosim sot, jo si fjalën tonë të fundit. Po si fillimin e një rruge të re ku do të bashkëbisedojmë, qytet më qytet e fshat më fshat, për të ripërtërirë besimin se po, Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet. Dhe do ta bëjmë ne të gjithë sëbashku me Partinë Socialiste, me Aleancën për të Ardhmen dhe më çdo shqiptarë e shqiptare që dëshiron tu lerë fëmijëve të vet Shqipërinë që është amaneti i të parëve tanë.
Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë. Drejtësia në krizë. Demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese. Me misionin e reformave radikale, që programi ynë i ri paralajmëron për Shqipërinë në rrugën e një rilindjeje pas një çorodie të gjatë njëzet vjet. Me misionin e një patriotizmi europian, që të gjithë të zgjedhurit e rinj në forumet tona, nga organizata deri në kryesinë e re, duhet të mishërojnë në sjelljen e tyre me publikun e në qëndrimet tona publike. Me misionin e një rilindjeje shqiptare, që nuk duhet kurrsesi të mbetet një projekt shpresëdhënës në letër, po duhet të marrë formë në realitetin jashtëzakonisht të vështirë të gjërave.
Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre u them se s’jam i pagabueshëm. Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Të gjithë e duam këtë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit. Sigurisht demokracia mund të funksionojë edhe më mirë, edhe brenda nesh. Por s’mund të mos e themi me kokën lart se kjo është e vetmja parti shqiptare që kryetarin dhe Kongresin e zgjedh me votën e drejtpërdrejtë të gjithë anëtarësisë së saj; që një të tretën e anëtarëve të zgjedhur të Kongresit i ka gra e vajza; që 30% të Asamblesë Kombëtare që do të rizgjedhim sot i ka po ashtu gra e vajza.
Ashtu sikundër s’mund të mos e çmojmë si virtyt të rrallë për një parti shqiptare bashkëjetesën tonë të pasur në mendime të ndryshme, e në debate të shpeshta. Le të bashkohemi ende më shumë për ta bërë demokracinë të funksionojë akoma më mirë edhe brenda Partisë Socialiste. Të gjithë jemi plotësisht të përkushtuar për këtë. Por të thuash s’ka demokraci, s’ka debat të lirë, s’ka respekt për zërin e pakicave në PS, është njësoj si t’u thuash shqiptarëve mos i besoni Partisë Socialiste. E kjo e pavërtetë e madhe, e thënë nga brenda PS-së, i shkon për shtat kundërshtarit në pushtet, jo qytetarit në opozitë. Sigurisht edhe puna në skuadër mund të bëhet më efikase. Por s’mund të ndjeheshim sot kaq mirë përpara shqiptarëve sikur, pikërisht falë punës në ekip, të mos kishim draftuar bazën e projektit ambicioz për një rilindje shqiptare. Le të bashkohemi në një mendje që gjithçka duhet bërë edhe më shumë që skuadra jonë të strukturohet dhe të bëhet më kolegjiale e më efikase. Të gjithë kemi çfarë të japim në këtë drejtim. Por të thuash s’ka ekip e kolegjialitet në PS është njësoj si tu thuash jo vetëm gjithë atyre burrave e grave që punuan me përkushtim, 3 muaj me radhë, për programin e ri të partisë dhe për dokumentin bazë të reformës organizative, ashtu siç punojnë përditë në disa fronte, se ata dhe puna e tyre s’kanë asnjë vlerë. E kjo qasje fyese për një shumicë dërrmuese që mendon ndryshe, që ka zgjedhur të punojë në ekip dhe të respektojë frymën e ekipit, nga cilido qoftë që nuk arrin të dallojë kufirin ku mbaron liria e tij e ku fillon liria e të tjerëve, s’mund t’i shkojë për shtat tjetërkujt veç propagandës shurdhuese të kundërshtarit.
Le ta shohim të vërtetën në sy. Sot Partia Socialiste e ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët tek kryetarët e partisë në territore e deri tek kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Po askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete. Është koha e një kthese të fortë etike për një moral të lartë përfaqësimi të interesave të Partisë Socialiste dhe të popullit shqiptar. Është koha që shqiptarët të na vlerësojnë për atë që mund të jemi për ta, jo për atë që mund të tregojmë për veten. Të na dëgjojnë si flasim për ëndrrat, shpresat e hallet e tyre të mëdha, jo si ngremë zërin për synimet e interesat tona të vogla. Të na kenë pranë për të luftuar për më pak taksa e më shumë vende pune, jo të na shohin në televizor e gazeta si luftojmë për një vend për vete duke harruar të bëjmë punën e përbashkët, e deri duke tradhtuar si s’ka më zi familjen tonë politike – rasti i fundit i kryetarit të rrethit të Vlorës është turpi i tij, po detyrimi ynë për reflektim e për përgjegjshmëri.
Le ta bëjmë këtë reflektim me qetësi, kthjelltësi e vendosmëri dhe le tu përcjellim të gjithëve një mesazh të qartë:
Mandatet tona janë tuajat dhe ne do t’i përdorim ato vetëm për ta bërë më të mirë vendin tonë e jetën tuaj.
Ju të dashur delegatë e delegate jeni zgjedhur drejtpërdrejtë nga 57.140 socialistë e socialiste. Lejomëni t’ju uroj nga zemra për besimin e marrë përmes një shprehjeje kaq demokratike të vullnetit sovran të anëtarësisë së partisë. Por lejomëni gjithashtu t’ju bëj thirrje sot në ditën e parë të punës suaj fisnike në përfaqësimin e gjithë atyre që ju kanë zgjedhur dhe dua të bëj këtë thirrje në emër të gjithë anëtarëve e mbështetësve të Partisë Socialiste, që mandatin e marrë ta mbani me nderin e dinjitetin që ky Kongres kërkon sot nga çdo përfaqësues i Partisë Socialiste në ushtrimin e vullnetit të zgjedhësve. Pa etikën e lartë të përfaqësimit, që na distancon qartë nga pazari i gjësë së gjallë së politikës së vjetër, ku valon korrupsioni e korruptimi i shpirtrave të dobët dhe i mendjeve të cekëta, ne s’mund ta ngjisim dot Shqipërinë në majën ku duam. Pa një sjellje që të jetë modeli i qytetarisë që duam për Shqipërinë, brenda nesh e me ata që na kanë zgjedhur, ne s’mund të krijojmë dot energjinë e madhe pozitive që lypset për rimëkëmbjen, në radhë të parë morale, të kësaj shoqërie. Pa forcën e shembullit që mishëron patriotizmin, qytetarinë, interesin publik dhe aspiratën tonë europiane, ne s’mund ta krijojmë frymëzimin shoqëror për rilindjen shqiptare që kemi projektuar në programin tonë bazë. Ky është një program që do ta quaja të përvojës së madhe e të ideve të reja të shumë njerëzve. Nga ata me eksperiencë të gjatë tek ata me pasion rinor. Ky është programi i të tria gjeneratave të Partisë Socialiste. Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella. I vullneteve të bashkuara për t’i dhënë shoqërisë një shtysë të re përpara. I kurajos për të rikrijuar vetveten, siç i takon një partie të madhe si organizëm i gjallë që jeton me kohën.
Ky është programi i vetëdijes kombëtare për rrezikun që i kanoset Shqipërisë së zhytur në borxh, varfëri, batakçillëk qeverisës. I vetëdijes politike për stuhinë alarmante që po i afrohet financave publike të këtij vendi, jo vetëm për shkak të krizës globale, po në radhë të parë të keqqeverisjes duke e fshehur krizën. Është programi i dallimit të qartë, të prerë, rrënjësor, mes nesh dhe atyre që sot e qeverisin Shqipërinë nga e djathta, por e rrjepin e shkatërrojnë përditë nga të katër anët. Ky është programi i partisë më të madhe të shqiptarëve. I socialistëve e progresistëve i shqiptarë. I vlerave e parimeve të socializmit europian. Më vjen natyrshëm në këtë moment falenderimi për Ermelinda Meksin. Të cilës do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për kontributin njëzetvjeçar dhe përkushtimin e pandryshuar njerëzor në ditë të mira e në ditë të këqija të kësaj familjeje politike.
Dikush më mori nga Mallakastra në telefon pardje e më tha: Dëgjo këtu komandant, ne të duam po po nuk i kërkove falje Ermelindës ne të zbuam! Kishte lexuar gazetat e oborrit që pasi e lajmëruan nja shtatë herë të thyer këmbën e Gramozit me shqelmin tim, shpikën sherrin me Ermelindën. Po kur e pyeta pse i lexon ato palo gazeta e dini si më tha? Po s’kemi as punë as moshë për filma me lakuriqa o komandant dhe zbavitemi ngapak me shpifjet e larove të Saliut! Po e keqja është se shpifin kaq shumë sa edhe na çorodisin nganjëherë.