Padyshim që mes jush ka jo pak fëmijë familjesh të varfra, fëmijë familjesh në nevojë, fëmijë familjesh të zakonshme që përpiqen me mund të madh që të sigurojnë jetesën por, ju jeni shembulli që provon se vështirësitë nuk janë një arsye për tu dorëzuar, as një arsye për tu ndjerë i dëshpëruar dhe i paralizuar, dhe aq më pak një arsye për të vajtuar. Vështirësitë janë një arsye më shumë për të luftuar dhe për të sprovuar veten në kapërcimin e tyre.
Mua gjithmonë më kujtohet një fjalë e bukur e Nënë Terezës që thoshte, “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiq një qiri”. Sigurisht, një qiri nuk e mund të gjithë errësirën, por është një pikë drite në errësirë. Nëse çdo kush do të ndizte qiririn e dritës së vetë, atëherë errësira shoqërore, errësira e përgjithshme do të mundej. Ju jeni një shembull i madh dhe shumë i respektuar në këtë aspekt sepse ju provoni me 10-tat tuaja dhe me faktin se jeni më të shkëlqyerit se është jo vetëm e mundur, por është edhe rruga më e sigurt drejt dritës, që në vend që të mallkosh errësirën dhe t’i dorëzohesh dëshpërimit që shkakton errësira, të ndezësh një dritëz të vogël dhe të kërkosh me mund e me vendosmëri, rrugën tënde drejt dritës së madhe.
Ka një fjalë tjetër që kam dëshirë ta ndaj me ju, që thotë, “Edukimi është pasaporta e lirisë për gjithsecilin”. Sa më të arsimuar, sa më të ditur, aq më të lirë për të bërë zgjidhje të forta, dhe për të përballuar sfida të mëdha.
Përpara disa ditësh unë isha në Izrael dhe e kam akoma në vesh si kumbim të gjithë fjalën që dëgjova nga ish Presidenti i Izraelit dhe një nga themeluesit e shtetit të Izraelit, fitues i çmimit Nobel për Paqen, Shimon Peres. Nuk do të përsëris fjalën e tij, sepse nuk e përsëris dot, realisht, për thellësinë dhe bukurinë e saj, por do të nxjerr nga fjala e tij, një element që e forcon këtë që po përpiqem të them.
Ai tha: “Ne ndërtuam më në fund mbas shumë përpjekjesh dhe sakrificash shtetin tonë. U gjendëm në një shtet që nuk kishte asgjë përveç historisë së vet, me një lumë që kishte më shumë histori sesa uji, me një tokë që ishte joprodhuese, mes shkretëtirës, ku nuk kishte asnjë pikë ujë. Me dy dete, një det që quhet Deti i Vdekur dhe një det tjetër që është duke vdekur. Të rrethuar nga të tjerë që nuk e kishin dashur kurrë ekzistencën e shtetit tonë dhe me të cilët ishte e pamundur të vendosnim marrëdhënie për të bashkëpunuar, që të ndërtonim shtetin tonë. Bëmë shumë përpjekje në fillim, bëmë shumë eksperimente dhe kaluam nëpër shumë rrugë për të gjetur rrugën e prosperitetit, derisa e kuptuam.” Dhe solli edhe një shembull: “Unë kam qenë pjesë e një grupi në Universitetin Bujqësor, kur arritëm në pikën të mendonim që duke i ujitur ullinjtë me ujë të ngrohtë, ato do të rriten më shpejt. Të gjitha, përpjekje për të mbijetuar në kushte që thoshin “jo”; Në kushte që na provonin çdo ditë që ëndrra jonë për të pasur shtetin tonë dhe për të ndërtuar prosperitet në shtetin tonë ishte mision i pamundur. Derisa zbuluam pasurinë tonë më të paçmuar, që ndërtoi rrugën e prosperitetit. Zbuluam dijen. Kuptuam që i vetmi kapital që kishim në dispozicion ishte kapitali njerëzor dhe i vetmi kapital që ne mund të shtonim ishte kapitali njerëzor. Çdo zgjidhje për problemet tona të mbijetesës nuk ishte as nëntokë, as mbi tokë. Ishte në mendjen tonë”.
Sot, Izraeli është një shembull i shkëlqyer i të vërtetës së madhe se vendet nuk dallohen nga ato që kanë, por nga ato që dinë. Ka vende që nuk kanë si Izraeli, po duke ditur shumë, atëherë, popujt e tyre janë ta kamur. Ka vende që kanë shumë si Shqipëria, por duke ditur pak, popujt e tyre janë të varfër. Shembulli më spektakolar është fakti që Izraeli nuk ka asnjë pikë uji të pijshëm, të dhuruar nga Zoti apo natyra dhe në Izrael kanë sufiçit të ujit, sepse kanë arritur të bëjnë dy gjëra të pamendueshme më parë. U bënë ata pionierët e këtyre sy risive, që më pas sollën transformime të mëdha edhe në shumë vende të tjera që janë edhe të pasura me ujë; Se pari, shkripëzuan ujin e detit dhe e kthyen në ujë të pijshëm. Së dyti, bën të mundur që 95% e ujërave të zeza të mos shkojnë dëm, por të shkojnë për ujitje. Sot, Izraeli është një nga vendet më të zhvilluara bujqësore dhe ka sistemin më modern, më të sofistikuar dhe më efikas të ujitjes. Është vendi ku çdo rrënjë luleje dhe peme ujitet me pikatoren e vet dhe ku për çdo pikë uji ka një sistem efecience të plotë që asnjë pikë uji të mos derdhet kot dhe nga çdo pikë uji të merret produkt.
Po ne që jemi vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë, mbas Norvegjisë, që jemi me pasuri hidrike të pafundme, që kemi ujë të pijshëm dhe burime të ujit të pijshëm me një cilësi shumë të lartë, me përmbajtje shumë cilësore kripërash minerale, që kemi gjithë ato lumenj e burime hidroenergjetike kaq të mëdha, si shpjegohet që mbas 20 e kusur vitesh vuajmë ende për ujë të pijshëm? Vuajmë ende për ujë për të vaditur tokën? Vuajmë ende për energji elektrike? Dhe jo vetëm kaq, por një nga armiqtë më të mëdhenj sot kemi ujin që na përmbyt. Na përmbyt si një hakmarrje e madhe e natyrës ndaj padijes tonë dhe paaftësisë tonë, që këtë pasuri që na ka dhënë Zoti apo natyra ta kthejmë në mirëqenie dhe që me këtë pasuri kemi bërë batërdi.
Çfarë e ka sjellë këtë batërdi? Mungesa e dijes; Mungesa e kapitalit njerëzor; Mungesa e aftësisë që përmes rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmes dijes të mund t’i kthejmë pasuritë natyrore në mirëqenie.
E nëse do kthehesha përsëri tek ju, ju jeni shembulli i një modeli për të gjithë. Edhe për mua. Ju jeni të shkëlqyer, unë nuk jam i shkëlqyer. Unë nuk e bëj detyrën time në mënyrë po kaq të shkëlqyer, saç e bëni ju dhe e them këtë pa asnjë modesti të shtirur, por me bindje.
Do të doja shumë që t’i merrja të gjitha 10-ta për çdo gjë që bëj, por nuk i marr. Besoj që ju jeni shembull për të gjithë ne që merremi me punët e shtetit. Jeni shembull edhe për të gjithë ata që ankohen, që e kanë shumë më të lehtë t’i shpenzojnë edhe ato pak para që kanë për Facebook, ku derdhin gjithë dëshpërimin e tyre, apo për celular ku të vrasin kohën dhe të shpenzojnë energjitë e tyre, duke u ankuar e duke vajtuar që këtu nuk bëhet gjë, këtu është e pamundur etj.. Ndërkohë që ju jeni prova që këtu jo vetëm bëhet, por këtu mund të shkëlqesh. Sepse, siç tregojnë brezat dhe siç tregojnë vitet, apo siç tregojnë rezultatet e atyre që kanë qenë këtu një vit më parë dhe që sot janë në shkolla nga më të mirat në Europë, ju nuk jeni të shkëlqyeshëm vetëm për këtu. Ju jeni në gjendje të shkëlqeni kudo që shkoni. Siç tregon e vërteta se prej vitesh, studentët shqiptarë janë studentët më të mirë të huaj në Itali. Siç tregon e vërteta që studentët shqiptarë në çdo fakultet janë të spikatur. Para pak javësh, sëbashku me ministren, ne vizituam një ndër universitetet më të mëdha të Turqisë, që është në top listën e universiteteve të botës. Aty patëm kënaqësinë që të takojmë 5 vajza që ne i ndihmuam të shkojnë dhe të fillojnë studimet, pasi kishin dalë me rezultate të shkëlqyera këtu dhe të kenë të gjitha kushtet për të bërë shkollimin me një bursë të dhënë nga universiteti. U mrekulluam nga fakti që kishin dalë më të mirat. Ishin këto të pesta, pastaj vinin të tjerët, në të gjitha testimet e bëra. Historia e çdonjërës prej atyre vajzave është historia e Shqipërisë që mund të bëhet, historia e varfërisë që nuk prodhon domosdoshmërisht dëshpërim dhe dështim, por që sfidohet me ëndrra të mëdha dhe me vullnet të madh, sepse tre prej tyre vijnë nga familje të varfra, me shumë fëmijë. Me të gjitha 10-ta. Edhe atje ishin më të mirat.
Nga ana tjetër, ju këtu jeni një shembull jo vetëm për atë që lexoni dhe atë që përsërisni, mbasi e keni lexuar. Më falni nëse ndjeheni të prekur që them përsërisni, se unë e di që ju nuk mësoni përmendsh, - por edhe për ata që ju jeni në hapësirën e programit tonë të shkollës- qendër komunitare. Më vjen mirë që vajza e përmendi në fjalën e saj këtu. Më pëlqeu shumë fjalimi i saj, përveç pjesës që më bëri qejfin mua, jo se nuk më pëlqen të dëgjoj edhe fjalë të mira, pasi, përgjithësisht, fjalët që dëgjoj janë të këqija, por më pëlqeu për pjesën kur foli për shkollën-qendër komunitare. Fole shumë bukur dhe nëse do të të mërzitet shkolla, mund të merresh me politikë dhe me kaq sa ke mësuar tani, me siguri mund të japësh mend edhe në parlament sot.
Ne duam ta vazhdojmë projektin, ta çojmë përpara. Por, pasi kemi pilotuar 60 shkolla, për të arritur në 350 shkolla brenda viti 2017, nuk është një rrugë e lehtë. Përsëri duheni ju, duhet historia e suksesit të 7 mijë nxënësve me 10-ta, të cilët ju i përfaqësoni sot si maturantë, sepse nëse do t’i ftonim të gjithë, mund të na akuzonin për miting. Është fat i madh që një vend kaq i vogël, me kaq shumë vështirësi, të ketë 7 mijë nxënës të shkëlqyer. Dhe ky i juaji është një shkëlqim i vërtetë, sepse vjen jo si rezultat i një sistemi ku çdo gjë blihej, çdo gjë falej, sipas rastit, kush nuk kishte mundësi ta blinte, nuk e merrte, ose kush njihte dikë, i falej, por i një sistemi që është larg së qeni i përsosur, është larg së qeni ai që ne duam, për hir të së vërtetës dhe ai që ne duam nuk është i përsosur, - përsosmërinë nuk mund ta arrijmë kurrë, prandaj thotë një fjalë e mençur “mos u tremb asnjëherë nga përsosmëria, se në të gjitha rastet nuk do ta arrish dot”, - por është një sistem që ka filluar të funksionojë dhe po jep rezultatet e para. Rezultate që duken nga matura shtetërore, nga konkurset e vërteta që organizohen, nga ecuria e mëtejshme e studentëve, por mbi të gjitha provohen katërcipërisht nga fakti që nxënësit me 10-ta, kur bëhen studentë jashtë, janë prapë tek më të mirët, përgjithësisht.
Ajo të cilën duhet të bëni ju është që të investoheni edhe më shumë tek pjesa e edukimit që është më shumë se arsimimi, tek pjesa që ju bën juve, por që ndihmon përmes jush edhe të tjerët që të bëhen qytetarë të mirë, të përgjegjshëm dhe të angazhuar.
Ju faleminderit për komplimentet që bëtë për klasat dixhitale. Ne kemi sot 120 klasa dixhitale, prej të cilave përfitojnë 45 750 nxënës gjimnazistë dhe do t’i shtojmë. Por nuk jam unë që duhet t’jua them, ju e dini vetë, librin, librin dhe librin mos e lini asnjëherë dhe mos e harroni për asnjë çast. Atë që të mëson libri nuk ta mëson dot asnjë ekran, sado i mrekullueshëm që të jetë. Kombinimi i të dyjave është kombinimi perfekt.
Ne duam që të vazhdojmë të përmirësojmë më tutje burimin, tekstet. Sot 74 mijë nxënës kanë filluar të mësojnë me tekste të standardeve më të lartë të Bashkimit Europian, të Oksford, Pearson, Kembrixh dhe janë çliruar nga gjithë barra e tmerrshme e atyre qindra teksteve të mbushura me gabime, me gafa e marrëzira, që i morën frymën nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Brenda harkut të tre viteve, ne duam që kjo skemë të mbyllet dhe të gjithë nxënësit në Shqipëri, pavarësisht se ku jetojnë, në qytet apo në fshat, kanë në dispozicion tekstet më të mira që janë në dispozicion të bashkëmoshatarëve të tyre në Britaninë e Madhe dhe që konsiderohen nga tekstet më të mira sot, në Europë.
Ashtu sikundër, duke çuar më tej shkollën dixhitale, duam që përmes inovacionit të mos ketë fëmijë që të mbetet mbrapa për pamundësi ose për distancë të largët.
Nga ana tjetër, ju e dini më mirë se unë, se ju jeni me 10-ta dhe një nxënës a nxënëse me 10-ta nuk është asnjëherë i lumtur me mësuesin që ka, edhe sikur mësuesin ta ketë pasur me të gjitha 10-ta. Edhe puna e mësuesit është një përpjekje më vete, sepse mësuesi ka nevojë për motivim, për mbështetje dhe kujdes, që të bëjnë atë që ne duam dhe që të japin atë që mund të japin. Një sistem që demotivon mësuesin, që figurën e mësuesit e kthen nga një autoritet moral në klasë në një karikaturë të një disipline të pakuptimtë dhe boshe është një sistem që i demotivon të gjithë.
Për këtë arsye, ne jemi investuar në një trajnim intensiv të mësuesve. Brenda viti 2017, ne duam që 290 mijë nxënës të shkollohen dhe 35 mijë mësues të trajnohen brenda një sistemi shkollor që i përket shekullit të 21-të të Europës ku jetojmë sot. Nuk është e lehtë, nuk është një fjalë goje, por është plotësisht e mundur dhe ju jeni një inspirim, jeni shembull dhe model që është e mundur. Gjithsekush nga ju mund të gjente jo një, por 101 justifikime për të mos pasur 10-ta. Të gjitha justifikime të pranueshme si “kam mamin pa punë”, “babin pa punë”, “i kam të dy prindërit pa punë”, “njërin nga prindërit e kam sëmurë”, “nuk kam shtëpi, jetojmë në shtëpi me qira”, “nuk paguajmë dot qiranë”, “jemi me ndihmë ekonomike” etj.. Të gjitha këto janë arsye të mëdha, që përbëjnë edhe justifikime të mëdha për të mos marrë 10-ta, për të mos luftuar për të qenë më i miri, por ajo që bëni ju është një provë gjigande për këdo që ka sy për të parë dhe dëshirë për të kuptuar se fuqia e ëndrrave dhe forca e brendshme për të ndjekur ëndrrat bëjnë diferencën.
Unë e di shumë mirë që gjendja ekzistuese e shkollave është përmirësuar, por është larg së qeni aty ku duhet. Ka ende shumë shkolla që janë në kushte mizerabël, ka ende shumë klase ku është shumë vështirë të bësh mësim normal për shkak të kushteve, ka ende shumë shkolla ku përveç klasave nuk ka asgjë tjetër, as një oborr e jo më komplekse sportive. Ne kemi marrë si fillim masat për të rindërtuar shkollat në rrezik shembjeje. Nga analiza e parë që bëmë, rezultoi se ishin shumë shkolla në rrezik shembjeje. Ashtu sikundër kemi ndërtuar edhe shkolla të reja dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë shkolla të reja. Me reformën administrative-territoriale, me bashkitë e reja dhe me forma të reja financimi, ne do të bëjmë të mundur një bum në infrastrukturën shkollore dhe jo vetëm klasa, por edhe laboratorë, palestra dhe komplekse sportive. Kemi ndërtuar 44 komplekse sportive, do të vazhdojmë të ndërtojmë të tjera.
Kemi transformuar Fondin e Ekselencës dhe kemi hyrë në një fazë të re ku gjimnazet rankohen në bazë të rezultateve. Ata që ankohen nuk munguan të më ankohen, - kuptohet me fjalë jo shumë të zgjedhura, të drejtpërdrejta, - për faktin pse qeveria shpërbleu nxënësit më të mirë dhe jo të gjithë nxënësit, pse qeveria shpërbleu mësuesit më të mirë dhe jo të gjithë mësuesit. Ndërkohë që unë besoj se nuk është thjesht dhe vetëm 5 mijë lekëshi që ju merrni, por më shumë sesa shuma, me të cilën mund të blini libra apo bëni qejf, dëshira suaj, është nevoja për t’ju thënë faleminderit, sepse jeni burim inspirimi, burim force në momente të vështira. Ju jeni shembull kuptimplotë, atëherë kur duket sikur ata që ankohen, kanë të drejtë dhe kur duket sikur ata që thonë s’bëhet, kanë të drejtë. Dhe ka edhe momente të tilla. Por shembulli juaj thotë: Jo, nuk kanë të drejtë! Janë të justifikuar, por nuk kanë të drejtë.
Nga ana tjetër kemi sot që flasim 734 shkolla dhe 1403 mësues që janë pjesë e një rrjeti europian të binjakëzimit. Për 129 studentë kanë filluar shkëmbimet e para dhe ne dua t’i intensifikojmë, në mënyrë që kush është në një shkollë në Shqipëri të ketë mundësinë që brenda këtij rrjeti binjakëzimi të shkëmbejë eksperiencën, të shkëmbejë mënyrën e të parit të gjërave me bashkëmoshatarë në shkolla europiane.
Një shkrimtar i madh amerikan thotë “Qëllimi kryesor i edukimit është që pasqyrën ta bëj dritare”. Besoj që ju i keni bërë pasqyrat dritare, aty ku të tjerët qëndrojnë përpara dritares dhe shikojnë një pasqyrë ku flasin me vete dhe i thonë vetes “nuk ka gjë përpara, është vetëm pamja ime e ngrysur dhe e dëshpëruar”, ju shikoni veten si do jetë, ku do jem, çfarë do bëj mbas 10, 20 apo 30 vjetësh. Me fuqinë e një ëndrre që ju bën të merrni të gjitha 10-ta dhe me fuqinë e një ëndrre që do ju çojë shumë larg.
Unë jam i bindur që një ditë, bashkë me Linditën, me Norën, në kohën kur do të kujtohemi për gjërat, me siguri do jemi shumë të lumtur që kemi qenë në këto pozicione, kur disa nga ju këtu që sot janë fëmijë, do jenë njerëz që do kenë bërë gjëra të mëdha. Gjëra të mëdha jo këtu, por kudo qoftë. Njerëz që do t’i shikojmë e do t’jua dëgjojmë bëmat, edhe pse askush nga ju nuk do kujtohet për ne dhe mirë është të mos kujtoheni, ne do t’i themi vetes, një ditë, dikur i mbanim fjalime kësaj apo këtij dhe sot shiko ku janë. Do shkoni larg dhe ndjesë, nëse ne nuk bëjmë dot, aq sa ju meritoni. Bëjmë sa mundemi, por jo sa ju meritoni. Është e pamundur që të bësh aq sa ju meritoni, sepse meritoni aq shumë, sa ne nuk kemi mundësi.
Shumë faleminderit! Viti 2016, - tani vjen kjo pjesa e tmerrshme e shiritit të magnetofonit që e kanë të gjithë në fyt para Vitit të Ri, - të jetë sidoqoftë, një vit që ju t’i jepni sa më shumë gëzime prindërve tuaj. Për vete gëzohuni sa të mundni, por çdo gëzim që i jepni prindërve tuaj është një investim i madh, që të jeni të sigurt do t’ju kthehet shumëfish nga jeta përpara.