Fjala e Kryeministrit Rama në darkën me mësuesit e spikatur në gjithë vendin

Siç e shikoni kam ardhur i përgatitur me letër, sepse sinqerisht besoj se është shumë e vështirë të flasësh përpara jush se përpara deputetëve, aq më tepër që jeni ajka e shkollës sonë, pasi jeni këtu në bazë të rezultateve dhe jo të përzgjedhur në rrugë të tjera.

Është një ndër privilegjet më të posaçme të të qenit në krye të qeverisë së vendit tënd, mundësia për të mikpritur dhe falënderuar mësuesit më të dalluar. Ja pse sonte unë ndihem i privilegjuar të jem mikpritësi juaj dhe sinqerisht, me gjithë zemër dua t’ju falënderoj për përkushtimin, për punën, por mbi të gjitha për shembullin tuaj të shkëlqyer. Shumë faleminderit!

Një mësues i mirë është ndriçues i pazëvendësueshëm i rrugëve të pafundme të imagjinatës së fëmijëve të një kombi. Motivator i pazëvendësueshëm i çdo nxënësi, për të thelluar dijen, kuptuar botën dhe vlerësuar njeriun. Fuqizues i pazëvendësueshëm i kurajës për të guxuar dhe këmbënguljes për t’ia dalë mbanë.

Fëmijët nuk vijnë në shkollë vetëm për të mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë, të numërojnë dhe të përllogarisin, të formojnë konceptet mbi shkencat dhe të përfitojnë dituritë mbi historinë, gjeografinë dhe me radhë. Ata vijnë në shkollë për t’u edukuar si individë dhe si qytetarë, për të ndërtuar raportet e tyre me të mirën dhe me të keqen, me njëri-tjetrin si të ndryshëm dhe si të barabartë, me shoqërinë ku jetojnë dhe me botën që i rrethon.

Sot më sugjeruan t’ju tregoja shumë gjëra lidhur me çka qeveria jonë, ministria juaj dhe dikasteri që ajo drejton me kurajon, vullnetin dhe vizionin e një lideri reformator ka bërë gjer më sot, apo do të bëjë më tutje për ju. Por unë zgjodha të flas me ju për një temë që më shqetëson posaçërisht, në fakt gjithnjë e më shumë. Një temë e jetës sonë të përditshme, ku jemi të gjithë të përfshirë, pa përjashtim, ne, ju, nxënësit, prindërit, shoqëria si e tërë.

Dua të ndaj me ju shqetësimin për kulturën e kriminalizimit të njerëzve, të ideve, të vendimeve, të punëve, që në këtë vend identifikohen të gjitha së bashku me tjetrin dhe kur tjetri nuk na pëlqen, e sulmojmë me gjithsej, për të asgjësuar me çdo kusht idetë e tij, vendimet e tij, punën e tij. Unë nuk e kam vënë re sot këtë fenomen. Politika e ka krijuar këtë fenomen prej shumë kohësh dhe duke qenë brenda saj, është më e lehtë ta shohësh dhe ta ndiesh përditë. Por vërej me shqetësim të madh se sot, ky fenomen i ka prekur që të gjithë ata që kanë një zë dhe po godet përditë, përmes çdo zëri, veshët, mendjet, zemrat e gjithkujt që jeton në këtë vend, madje edhe të të huajve që gjenden në këtë vend.

Është një sëmundje e përhapur ngado, që i merr energji të pafundme organizmit të shoqërisë sonë, e cila duket sikur ka mbetur pa sistem imunitar, pa sens kritik dhe vetëkritik, ndërkohë që sensi kritik ia ka lënë vendin kundërshtimit histerik, ndërsa ai vetë kritik është zëvendësuar nga vetëmbrojtja instiktive. Këtu nuk e kam fjalën për atë që ndodh thjesht dhe vetëm në arenën e politikës, po të ishte kështu, nuk do të flisja këtu, për këtë, sot. Por e kam fjalën për atë që ndodh kudo ku ka një komunitet, kudo ku ka një bashkësi njerëzish, kudo ku ka dy shqiptarë që i bëjnë rrethanat bashkë, por që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri.

Nuk dua të bëj një diskutim filozofik të mërzitshëm, por do të përpiqem ta konkretizoj shprehjen e shqetësimit tim, duke folur për arsimin dhe sigurisht, çka mund të thuhet duke folur për arsimin, mund të thuhet duke folur për gjithçka tjetër, për shëndetësinë, për ekonominë, për kulturën, për sportin, për gjithçka.

Ne kaluam në Kuvend një reformë shumë të thellë, në këndvështrimin tim, historike të arsimit të lartë, me një proces që, pa bërë asnjë ekzagjerim, ishte shembullor. Konsultime, dialog, analiza, ekspertizë, ndërveprim për më shumë se një vit rresht. Megjithatë, ajo çka u shfaq ishte e njëjta gjë, sëmundja për të cilën po flas, një epilog konfliktual, me një proces kriminalizimi të reformës që e përshkroi të gjithë epilogun; gënjeshtra, shpifje, akuza, falsifikime të hatashme të thelbit të kundërshtisë.​

Unë nuk e kam me kundërshtinë, por e kam me mungesën e cilësisë së saj dhe nuk e kam me thjesht dhe vetëm politikën, por e kam me faktin që sëmundja që lindi nga politika dhe që preku politikën, sot i ka prekur të gjithë. Ka prekur çdo hapësirë ku ka mundësi për një debat dhe po asgjëson aftësitë tona për të bërë debat.

Në vend të debatit, ne bëjmë luftë dhe lufta nuk i ngjan asnjë forme konvencionale të luftës ku ka disa rregulla, ku ka disa mjete dhe ku ka sjellje të përcaktuara, edhe pse njerëzit në luftë vrasin njëri-tjetrin. Ne nuk vrasim njëri-tjetrin, por ne vrasim shpresën, ne vrasim përpjekjet për të përçuar ide që mund të jenë krejt të ndryshme, mund të jenë krejt të kundërta, mund të jenë edhe krejt të çmendura, por që në një shoqëri të shëndetshme respektohen si shprehje e domosdoshmërisë për të respektuar tjetrin, të ndryshmin, respektohen si shprehje e vetëdijes së shoqërisë për të ruajtur dhe zhvilluar burimet e veta të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve.

Ajo që ne po humbasim dhe që unë besoj se duhet ndarë me ju, pasi ju keni një përgjegjësi më të madhe, sesa ajo që është e përshkruar në gjithë përshkrimin e punës suaj, që ka të bëjë pikërisht me edukimin e fëmijëve si individë dhe si qytetarë.

Është fakti se në vend të kundërshtisë së shëndetshme që i çon njerëzit përpara, që i çon komunitetet përpara, që i çon shoqëritë dhe vendet përpara, ne jemi të gjithë të kërcënuar nga histeria kundërshtuese që zëvendëson objektin e diskutimit me përplasjen mes individëve, që zëvendëson dialektikën e ballafaqimit me nevojën për të asgjësuar jo mesazhin, por mesazherin, jo atë që thuhet, por personin që e thotë.

Kur ne morëm detyrën, morëm një mandat shumë të qartë për të ndërprerë zgjatimin e të shkuarës dhe besoj se kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë, për të krijuar një tjetër përditshmëri që vetëpastron atë çka e shkuara na ka trashëguar si plagë, por edhe si dobësi. Si plagë në formën e pengesave për sektorët që të funksionojnë, por edhe si dobësi në formën e paaftësisë së sistemeve që kemi ngritur për t’i larguar këto pengesa.

Konkretisht, para meje folën dy mësuese që janë dëshmitare të një eksperience të re. Një eksperience të re që ka nevojë për t’u përsosur natyrisht, por që është provuar si ilaçi i duhur për të kuruar plagën e thellë të korrupsionit politik, apo thjesht të ryshfetit banal në rekrutimin e mësuesve.

Një korrupsion që bëri që shumë mësues të jenë sot dëshmitarë historish shumë të trishtueshme, të jenë sot në gjendje të tregojnë ngjarje të papranueshme për shoqërinë e një vendi në mes të Europës, në shekullin XXI. Të larguara nga puna arbitrarisht, të marrë në punë arbitrarisht, të spostuar, të transferuar, të ngritur e të ulur në detyrë arbitrarisht, nën shtysën e vazhdueshme 20 e ca vjeçare të korrupsionit, që erdhi duke u bërë gjithmonë e më i pranishëm dhe gjithmonë e më brutal në sistemin tonë arsimor.

Me bindjen se nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, por është sistemi që i korrupton njerëzit dhe se për të luftuar korrupsionin nuk mjafton, përkundrazi, mund të mos japë asnjë rezultat ndryshimi i njerëzve, duhet në fakt ndryshuar sistemi, ne krijuam sistemin e portalit.

Një sistem që i dha mundësi të gjithë atyre që ishin në pritje, në një pritje shumë të gjatë si mësuesja që foli pak më përpara, prapa dyerve të Drejtorisë Arsimore, për të treguar sesa vlejnë. Po ashtu një sistem që në bazë të vlerësimit bën një klasifikim jo kot, por si instrument për Drejtoritë Arsimore për të rekrutuar mësuesit në të gjitha lëndët dhe për çdo pozicion ku ato kanë nevojë, duke iu referuar jo partisë, as parave, por pikëve të marra.

Sigurisht që nuk është një sistem i përsosur. Përsosmëria nuk ekziston dhe ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar, por pa dyshim është një sistem që na bën sot të jemi më të qetë në ndërgjegjen tonë, me të gjithë ata që meritojnë të jenë pjesë e trupës mësimore dhe më në fund kanë mundësinë ta tregojnë përmes vlerësimit të dijes së tyre sesa meritojnë dhe në bazë të meritës të marrin atë që u takon.

Dy vjet më parë, sistemi arsimor ishte i tëri i kapur dhe në kushtet e një kolapsi financiar. Sot është larg së qenit sistemi arsimor që unë ëndërroj si një ëndërr të mundur, jo si një ëndërr me sy mbyllur që avullon sapo hap sytë, por ajo që shoh me shqetësim është se e njëjta gjë mund të thuhet në rastin e portalit, kriminalizim i vazhdueshëm, gënjeshtra, akuza, shpifje, falsifikime, për t’iu thënë njerëzve se jo vetëm që nuk është e vërtetë, ajo që në fakt ndodh në jetën e shumë mësuesve sot, por përkundrazi, është fundi i botës. Asnjë debat, asnjë ide, asnjë propozim se si mund të përmirësohet.

35 milionë dollarë borxhe kishte sistemi arsimor përpara dy vitesh. Nuk janë pak, janë shumë, po të llogarisim sesa është fondi që shpenzon mesatarisht çdo qeveri për arsimin prej të paktën dhjetë vitesh. Mbi katër mijë mësues pa arsimin përkatës, ose që jepnin mësim jashtë profilit. Ju keni njohur të tillë, i keni pasur kolegë, ka ende tek-tuk në shkolla shumë periferike dhe të largëta, për shkak të mungesës së kushteve për t’i zëvendësuar me ata që janë më të mirë, por që nuk marrin përsipër të shkojnë dhe kanë të drejtë, për shkak arsyesh financiare, deri në skajet më të largëta.

Kanë prodhuar jo pak, por 177 mijë nxënës me dije të deformuara. Efekti zinxhir i korrupsionit që i solli në sistem, duke lënë jashtë sistemit mësues dhe mësuese si dy zonjat që folën pak më parë, preku 177 mijë nxënës. Ashtu sikundër, mijëra e mijëra të tjerë u prekën seriozisht nga 18 universitete private dhe një universitet publik, plus një sërë degësh në universitetin publik jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe cilësor.

Një realitet shumë i mjerë dhe një përgjegjësi shumë e madhe për ne, për ta ndryshuar këtë realitet. Nuk ka receta të përsosura dhe as ilaçe magjike. Ka vetëm reforma dhe masa që mund të hanë diskutim çdo ditë, çdo orë, por që pa as më të voglin dyshim janë të domosdoshme. T’i shmangësh do të thotë të pranosh inercinë e një agonie, ku faktikisht ishte futur i gjithë sistemi jonë arsimor.

Për të bërë shkollën që ne duam, shkollën që t’iu ngjajë të gjithëve ju që jeni këtu, do të duhet ende kohë, por është e sigurt se një nga betejat më të rëndësishme dhe armiku më i rrezikshëm që ne kemi si shoqëri në gjithë këtë proces është tulatja e çdo shqise për të bërë një debat të shëndetshëm dhe largimi i përditshëm nga një parim themelor i bashkëjetesës, respekti për tjetrin.

Për këtë arsye, roli juaj është i jashtëzakonshëm dhe është historik në këtë fazë, për të mos lejuar që ajo çka ndodh përditë të prekë dhe të cenojë vizionin dhe kuptimin e fëmijëve dhe të nxënësve për botën ku jetojmë, për shoqërinë që kemi zgjedhur të ndërtojmë, për realitetin që duam të transformojmë. Për të mos lejuar që ndasia e madhe që krijon jo mes ideve dhe alternativave, por mes njerëzve, kjo sëmundje, të trashëgohet, sepse kjo do të ishte fatale për zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor, ekonomik të këtij vendi.

Unë jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që, - siç tha drejtoresha e shkollës së Urës Vajgurore, të cilën e përgëzoj, sepse nga vlerësimi i bërë ka dalë shkolla më e mirë në Qarkun e Beratit, çka është një provë e shkëlqyer që tregon se edhe në realitete shumë të vështira mund të krijohen histori të shkëlqyera suksesi, - shkolla të ndihet e çliruar nga presioni i politikës.

Besoj që kjo ka ndodhur, pasi në kolektivat e mësuesve ka filluar të krijohet kompaktësi dhe një ndjenjë e domosdoshme e respektit për figurën e mësuesit, që nuk është një leckë që mund ta marrësh dhe ta nxjerrësh jashtë, sipas tekave, apo sipas nevojave të pushteteve mbi shkollën. Sepse në fakt i vetmi pushtet mbi shkollën duhet të jetë pushteti i mësuesit.

Për mua personalisht, përtej domosdoshmërisë për të luftuar korrupsionin në këtë sistem dhe për ta çliruar procesin e rekrutimit dhe vlerësimit të mësuesve nga korrupsioni, ka rëndësi edhe më të madhe fakti që duke bërë këtë, ne rrisim autoritetin e figurës së mësuesit. Një figurë që në këndvështrimin tim duhet  të luftojmë të gjithë sëbashku ta bëjmë të paprekshme. Një figurë përpara të cilës jo vetëm nxënësit apo prindërit drejtpërdrejtë të interesuar për nxënësit, por çdo autoritet publik duhet të qëndrojë me respekt, ashtu siç ndodh në vendet të cilave ne duam t’ju ngjajmë, ku mësuesi nuk preket dot, ku nuk ka forcë politike dhe nuk ka pushtet institucionesh që mund të prekë mësuesin, por ku është konkurrenca dhe merita që përcaktojnë pozicionin e çdo mësuesi në sistemin e shkollës.

Për këtë arsye, ne jemi investuar tani që të kualifikojmë mësuesit, duke arritur që çdo mësues të ketë kartën dhe kreditet e tij dhe kreditet e mësuesit sot, nesër, pasnesër, ikën një qeveri e vjen një qeveri, të jenë po aq të paprekshme, sa janë paratë në një bankë ku askush nuk mund të të mohojë dot se sa ke. Figura e mësuesit të konsolidohet në pikën ku askush të mos guxojë ta shohë hapësirën e shkollës si një mjedis ku mund të gjejë shesh për të bërë përshesh, duke marrë nëpër këmbë dinjitetin, jo thjeshtë të njerëzve, por të mësuesve.

Edhe për këtë duhet të punojmë sëbashku. Duhet të punojmë sëbashku për ta forcuar çdo ditë mesazhin që ne përpiqemi të përcjellim. Nuk jam i bindur që mesazhi ynë përcillet me sukses dhe me të njëjtën cilësi në të gjithë shkollat. Jam i bindur që ka ende sot, drejtues shkollash që nuk meritojnë të jenë drejtues shkollash. Ka ende sot drejtues më të lartë sesa drejtuesit e shkollave që nuk e meritojnë të jenë aty ku janë, por jam po ashtu i bindur që në këtë proces, suksesin dhe qëndrueshmërinë e suksesit nuk e përcaktojnë as të parët, as të dytët, por e përcakton trupa e mësuesve, kompaktësia e trupës dhe krijimi i një bashkësie vlerash, ku asnjë mësues të mos mund të cenohet nga asnjë lloj drejtuesi, sado i lartë që të jetë dhe ku cenimi i qoftë edhe një mësuesi të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për atë drejtues, si rezultat i reagimit të gjithë bashkisë së mësuesve. Jo për të mbrojtur qeverinë, as për të mbrojtur bashkinë, as për të mbrojtur këdo qoftë tjetër, por për të mbrojtur vlerat e figurës së mësuesit.

Ju e dini më mirë se unë se çfarë keni hequr me maturën shtetërore. Po ashtu jeni dëshmitarë se matura shtetërore është transformuar rrënjësisht. Mbase nuk është ajo që duam të jetë, por është pa asnjë dyshim, një tjetër produkt që kemi mundësi ta zhvillojmë, ta përmirësojmë dhe ta bëjmë të qëndrueshëm.

Sikundër tekstet. Ne nuk bëmë asnjë shpikje, thjesht kërkuam mendimin tuaj, mendimin e të gjithë mësuesve të Shqipërisë, që na rezultoi shumë më i vlefshëm sesa të gjithë komisionet e profesorëve dhe të ekspertëve të ashtuquajtur, që ishin ngritur në vite për të bërë vlerësimin e teksteve, duke e kthyer altertekstin në një tjetër tentakulë të korrupsionit në arsim.

Faktikisht, 600 tekste nuk janë më, u fshinë bashkë me gabimet, gafat dhe marrëzitë që kishin brenda, falë një referendumi të mirëfilltë që u bë me votën e të gjithë mësuesve. Ndërkohë që sot, 74 000 nxënësit e parë përdorin tekstet e Oxfordit, të Pirsonit, të Kembrixhit, njësoj si çdo nxënës në Bashkimin Europian. Proces që do të bëjë që në tre vjet, në gjithë sistemin tonë parauniversitar të bëjmë të mundur që çdo nxënës të punojë me këto tekste. Nga tekstet, ju e dini, nuk kanë shpëtuar vetëm nxënësit, shpëtuat edhe ju. Se ishin tekste të pakuptueshme për nxënësit, të pakuptueshme për prindërit, të pakuptueshme për ju. Të gjithë nxënësit bënin sikur mësonin, ju bënit sikur i mësonit, prindërit bënin sikur i kontrollonin dhe të gjithë bashkë bënit sikur çonit përpara arsimin shqiptar.

Ka edhe një sërë të tjerash që mund të thuhen, por unë dua të qëndroj një moment tek shkolla si qendër komunitare. Ky është një projekt që do të kërkojë kohë më të gjatë sesa mandati i një qeverie, apo dy mandate të një qeverie, apo ndoshta dhe më shumë, por është i vetmi projekt që do të na garantojë lidhjen midis arsimit dhe edukimit; Lidhjen midis nevojës për t’i mësuar nxënësve abetaren, gjuhën shqipe, historinë, gjeografinë, shkencat e me radhë dhe domosdoshmërisë për t’i bërë ata, individë që dinë cili është roli i tyre në shoqëri dhe qytetarë që kuptojnë se të jesh një njeri i mirë, të mos i biesh në qafë tjetrit nuk mjafton. Duhet të jesh edhe një kontribuues i mirë i komunitetit ku ti jeton.

Sëbashku duhet të bëjmë çmos që të ndërtojmë prita, pengesa e mure, për të mos lejuar që sëmundja për të cilën fola të prekë më të vegjlit. Për të mos lejuar që edhe fëmijët të sillen si deputetët. Për të mos lejuar që edhe fëmijët të marrin anën e gabuar, që shpeshherë, me vetëdije a pa vetëdije marrin prindërit e tyre, duke mos pranuar të debatojnë dhe duke kundërshtuar në mënyrë histerike. Që do të thotë të dashur mësues dhe mësuese, se shkolla ka mbi të gjitha detyrën të kultivojë sensin kritik, t’i japë mundësi nxënësve që të kuptojnë dhe të veprojnë për ditë në funksion të krijimit të bindjeve të tyre, duke mos shkuar pas berihait, por duke qenë të vëmendshëm, për të verifikuar atë që dëgjojnë dhe duke qenë kurajoz për të kundërshtuar atë që ju mësohet.

Unë kam një eksperiencë modeste, por 10-vjeçare si pedagog dhe e di që është shumë e vështirë që mësuesi të pranojë të sfidohet nga nxënësi. Por vetëm duke i dhënë mundësi nxënësit të na sfidojë, ne i krijojmë atij kushtet që të bëhet një individ i guximshëm dhe duke e sfiduar atë, ne e ndihmojmë që të bëhet një qytetar i mirë.

Ju jam shumë mirënjohës për të gjitha, jo më pak edhe për durimin me të cilin më dëgjuat. E di që nuk është e lehtë, se nuk më dëgjoni për herë të parë. Fatkeqësisht, ju duhet të më dëgjoni edhe kur nuk doni, se keni televizorin ndezur dhe kush këtu ka dhe edhe detyrën heroike që t’i shërbejë burrit kur shkon në shtëpi, të bëjë për të ngrënë, të kujdeset që burri të mos dalë i rrëmujshëm nga shtëpia dhe i qëllon shpesh që të më dëgjojë dhe mua ndërkohë. E besoj që shpesh herë kjo është e tepërt, prandaj edhe për këtë, unë jam shumë mirënjohës që sot më dëgjuat me vëmendje. Ndërkohë që nuk shpresoj, por jam i bindur që do ja vlejë koha që do kalojmë sëbashku në vazhdim, sepse tani fillon pjesa po aq seriozisht festive.

Gëzohuni dhe gëzuar Vitin e Ri! Qoftë një vit sa më i mbarë për ju, për familjet tuaja, për nxënësit tuaj, për prindërit e tyre dhe të jeni të bindur se në çdo hap, ne do të bëjmë më të mirën dhe edhe nëse do të bëjmë gabime, do të jenë gabime me zemër.

Faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)