Fjala e Kryeministrit Rama në Sesionin e 10-të Plenar të (PAM)

Dua ta nis këtë përshëndetje duke shprehur kënaqësinë e posaçme që kjo Asamble Parlamentare me këtë prani kaq mbresëlënëse në një moment kaq kyç për Mesdheun, mbahet sot këtu, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Viti që lamë pas ishte një vit sfidash kolosale që janë edhe përpara nesh, të gjithëve së bashku, si një familje e madhe që lundron në një bark të përbashkët mbi tallazet e një deti që na bashkon më shumë sesa na largon prej njëri-tjetrit, detit tonë, mare nostrum, Mesdheut.

Kam bindjen që, duke ndjekur vokacionin e vet të përbashkët, kjo Asamble Parlamentare në Tiranë mund të vendosë një tjetër gur në murin e bashkëpunimit shumë më intensiv konkret dhe të frytshëm për vitin që kemi përpara dhe për vitet që vijnë.

Viti që lamë pas mbaroi dhe fatkeqësisht edhe viti ku jemi filloi me pamje të dhimbshme që vijnë nga ishujt e Greqisë, nga ujërat pranë Italisë, në afërsi të Libisë, apo rrugëkalimet e Turqisë, ku qindra refugjatë humbën jetët e tyre në detin tonë të përbashkët.

Për fat të keq eksodi i qindra-mijëra njerëzve nuk është ndalur as nga kushtet e papërshtatshme të dimrit. Të dhënat zyrtare të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, vetëm në 6 javët e para të këtij viti, flasin për 409 jetë të humbura në Mesdhe. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë numri i refugjatëve që tentojnë të kapërcejnë detin është 10-fishuar.

Prandaj sot, më shumë se asnjëherë, nevojitet një koordinim dhe një platformë e përbashkët për të luftuar shkaqet që bëjnë që ky oqean njerëzisht të pashpresë të vijë duke fryrë muaj pas muaji.

Të njëjtat shkaqe që çojnë në lulëzimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe nëpërmjet tij në triumfin e skamjes dhe të injorancës. Shkaqe, të cilat mund të adresohen, padyshim, vetëm përmes një bashkëpunim më të madh mes të gjithëve ne, por edhe përmes një Europe strategjike, të gatshme për tu përballuar së bashku sfidat që kurrsesi nuk mund të lihen në shpatullat e Greqisë, të Italisë, apo edhe të Turqisë.

Ne jemi një vend i vogël, por shumë i vetëdijshëm për barrën e madhe të sfidave të kësaj kohe dhe shumë të gatshëm për të dhënë kontributin tonë që të rritet bashkëpunimi midis vendeve tona për të përballuar së bashku këtë dramë që çdo ditë kthehet në një tragjedi jetësh njerëzore përpara syve tanë.

Ne nuk jemi prekur nga fluksi i madh i refugjatëve, sepse nuk jemi pjesë e korridorit përmes të cilit ata synojnë të mbërrijnë zemrën e Europës, por kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm që të japim kontributin tonë dhe të bëjmë gjithçka mundemi, apo do na takonte në kushtet kur askush nuk mund të bëjë sikur s’kupton dhe për më tepër kur është e pamundur që çka po ndodh të lihet në shpinën e vendeve që e përballin për shkak të pozicionit të tyre gjeografik.

Ne jemi shumë të habitur nga sjellja e disa vendeve të Bashkimit Europian dhe po ashtu edhe shumë të bindur që refuzimi për të ndarë barrën e përgjegjësisë nuk shpëton askënd nga pasojat e mos marrjes përsipër së bashku të kësaj barre.

Ne do ta mbështesim gjithmonë fuqimisht këtë organizëm dhe nëpërmjet kësaj Asambleje Parlamentare ne jemi te bindur se mund të gjenden mënyra të reja për të ngritur më tej nivelin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët për Mesdheun dhe jo vetëm në përballimin e kësaj krize të madhe historike, për këtë territor dhe hapësirë të përbashkët, por edhe për energjinë, ujin dhe mjedisin, për përmirësimin e klimës së biznesit, për rritjen e rrugëve të komunikimit, transportit zhvillimit ekonomik dhe social, arsimit të lartë, mësimdhënies dhe faktorit fetar si një element që domosdoshmërisht duhet ta shikojmë të lidhur me detyrimin tonë qysh në hapat e para të edukimit të fëmijëve.

Duke mirëpritur këtë vit Asamblenë Parlamentare të Mesdheut, Kuvendi i Shqipërisë, përtej përmbushjes së një detyrimi që ndoshta është formalisht statusor, dëshmon edhe një herë vetëdijen vullnetin dhe angazhimin ndërkombëtar të një institucioni që ka forcën tërheqëse të ligjit, të demokracisë dhe sovranitetit popullor, në mbrojtjen e çdo politike dhe ne çuarjen përpara të çdo përpjekjeje për vizoni shoqëror afatgjatë.

Së fundi, duke uruar që kjo Asamble këtu në Tiranë të dalë me sa me shumë frymë të re për të vazhduar dhe për të forcuar bashkëpunimin, ju uroj gjithashtu që të dilni sa më të kënaqur nga kufiri i Shqipërisë, pasi të keni kaluar ditë dhe orë sa më të këndshme këtu në Tiranë, ku, pa as më të voglin dyshim, jemi krenarë për cilësitë e mikpritjes sonë, për cilësitë e ushqimit tonë dhe për cilësinë e humorit tonë. Një gjë është e sigurt, Shqipëria ka shumë probleme, por nuk është asnjëherë një vend i mërzitshëm, ndoshta ngaqë nuk jemi akoma anëtarë të Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk