Fjala e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në prezantimin e vizionit për planin urbanistik

Siç e keni parë edhe nga dita e djeshme, apo ditët më përpara, në Tiranë nuk ka asnjëherë ditë të mërzitshme. Që kur ka nisur tranzicioni apo ndoshta që kur jemi themeluar si komb kemi një dozë drame konstante, dhe besoj se kjo e bën më interesante dhe sfiduese punën që ekipi juaj ka marrë përsipër. Ne e çmojmë jashtë mase prezantimin e sotëm, mënyrën dhe hartën se si do të ecim në këtë proces. Ajo që më pëlqen është nguti pozitiv, për t’i bërë gjërat në kohë. Unë besoj se nuk e kemi më luksin për të pasur një tjetër kryetar bashkie që pas katër vitesh të thotë: “lashë një vision”, ndaj më vjen mirë që kalendari nuk është 4 vjet, por kalendari është në këtë verë, çka përkon edhe me vitin tonë të parë të kësaj administrate, që më pas të shpenzojmë tre vitet e tjera për ta zbatuar këtë plan në të ardhmen. Ju falenderoj shumë dhe jeni super të mirëpritur në Tiranë dhe mezi pres që ky produkt i përbashkët mes ekspertëve më të mirë evropianë dhe ekipit tonë në Bashki të jetë një histori e vërtetë suksesi.
 
Është po ashtu shumë e rëndësishme të kuptojmë pak kontekstin ku po ndodhin gjërat. Krahasoni këtë takim sot, fytyrat që shikoni në këtë takim, përkushtimin e njerëzve në këtë takim, CV e secilit që është këtu, që pavarësisht se nuk ndan të njëjtat bindje me ne në të gjitha gjërat, vjen sepse në mënyrë civile, të sjellshme, me të lutem, faleminderit, mundohet të komunikojë pikën e vet të vështrimit! Krahasoni këtë me atë që pamë dje, me skena që Tirana po mundohej t’i harronte nga disa muaj më parë, me skena që na kujtuan prishjen e famshme te “Zogu i Zi”, një vandalizim i pashoq që mund të kishte zgjidhur një ndër problemet e mobilitetit në Tiranë, me skenat e dhunës që në fakt nuk janë një mënyrë se si komunikohet sot.
 
Unë sapo jam kthyer nga Londra me lajme shumë të mira që BERZH dhe disa institucione financiare do të investojnë miliona euro për Tiranën, se do të ecë përpara ambicia jonë e shkollave, për t’u larguar nga një qytet i cili ka 92 shkolla, nga të cilat 87 janë me dy turne, angazhime të tjera financiare për infrastrukturën, për t’u siguruar që pas fazës së parë të 6 muajve të emergjencës, ne realisht ta kthejmë Tiranën në një kantier total të transformimit urban të lëvizshmërisë.
 
Nuk e bëjmë dot këtë me dhunë! Do ta bëjmë me komunikim dhe platforma e sotme ishte një platformë për t’ju ftuar të gjithëve në komunikim, në komunikim paqësor, ku “muskuli” është tek ideja e mirë, jo tek dhuna, thyerja, prishja, ndotja. Para 6 muajsh njerëzit na besuan me një diferencë të madhe votash këtë vizion për qytetin, këtë vizion që po e “mbjellim” sot. Ne nuk besojmë në një qytet autoritar, ku të gjithë duhet të mendojnë njësoj, por gjithashtu nuk besojmë në një qytet ku një pakicë e zhurmshme dhe e dhunshme i imponohet një qyteti që do të shohë punën e vet, do të ecë përpara, do të rrisë fëmijët.
 
Sot u botua një studim i para disa muajve për cilësinë e jetës në qytet, i cili e nxorri Tiranën një ndër qytetet me cilësinë më të ulët të jetës. Ku? Në këto gjëra që po flasim sot, në faktin që trashëguam shkolla me dy turne, që fëmijët nuk kanë ku të luajnë dhe në faktin që politika merr vendime që në fakt duhet t’i marrin ekspertët, arkitektët. Ku është diferenca me vitet ’80, ’70, ’60, me vitet më të zeza të komunizmit? Nëse partisë nuk i pëlqente një këngë, festivali mbyllej, shkonin të gjithë në burg; nëse partisë nuk i pëlqente dizajni i një projekti, arkitekti, Maks Velo apo kushdo qoftë, shkonte në burg; nëse nuk i pëlqente një ide, Ngjela, kushdo qoftë, ai shkonte në burg; nëse nuk i pëlqente një shkrim, libri censurohej. Po ku është diferenca sot? Do të jenë ekspertët ata që do të na thonë se ku duhet të jenë gjërat, si do i bëjmë gjërat dhe nga ky diskutim të prodhojmë ide të mira apo do vazhdojnë partitë të na diktojnë dhe nëse një gjë nuk është sipas shijes totalitare që mund të ketë një parti, atëherë kjo do të dhunohet?! Taksat e qytetarëve do të prishen, do abuzohen?!
 
Unë jam këtu me një bindje që sot e kam më të fortë se ç’e kisha dje: Që shumica e heshtur, por e mençur e qytetit, do që Tirana të shkojë përpara dhe të shkojë në drejtimin e duhur. Kjo është ajo shumica e heshtur që ndoshta nuk bën potere çdo ditë, nuk ndyn gojën çdo ditë për të theksuar oponencën e vet, nuk përdor fjalë të turpshme që askush nuk do të donte t’i dëgjonte nga fëmijët e tij, për të treguar që mendon ndryshe nga ne; nuk prish pronën publike, e cila na kushton kohë që ta rigjenerojmë, ta mirëmbajmë, ta investojmë.
 
Unë besoj te kjo lloj Tirane dhe besoj se Tirana e mirë, e mençur, është shumë herë më e madhe se vizitorët e dhunshëm që pamë dje. Pashë vizitorë të dhunshëm që zbrisnin nga autobusët e rretheve nga i kishin sjellë dhe pyesnin njerëzit, ku i bie ky liqeni?! Ka legjitimitet kjo? Patjetër, nëse sot Kamza do të ishte histori suksesi dhe ne të gjithë do të shkonim t’i çonim fëmijët apo të afërmit tanë për të dalë shëtitje në Kamzë, sigurisht mund të kishin një fuqi morale për të na imponuar histori suksesi, por të zbresësh në Tiranë, të pyesësh njerëzit se ku i bie liqeni dhe ku është targeti që do të shkatërrojmë, e të drejtohesh nga deputetë që si fuqi të tyre duhet të kenë ide, propozime; të shkosh e të dhunosh ndërtesën e Bashkisë që nuk është pronë e Erion Veliajt, është pronë e këtij qyteti, paguhet nga taksat e këtij qyteti, është ndërtuar ndër vite nga ky qytet!
 
Shoh këtu djem e vajza që janë djem e nipër të kryetarëve të Bashkisë të 100 viteve më parë, të këtij qyteti. Mund të kesh diskutime politike, mund të dalësh në parlament e t’i thuash ato dhe mund të përpiqesh më shumë herën tjetër që të fitosh më shumë vota dhe të implementosh, por është e patolerueshme që ata që për katër vite e kishin atë zyrë dhe kishin mundësi që nga ajo zyrë të drejtonin transformimin e qytetit, kthehen tek zyra e tyre dhe shkatërrojnë vendin ku në fakt duhej të punonin katër vjet.
 
Ne do të vazhdojmë me parkun e liqenit për fëmijë, sepse unë besoj se ky qytet është i të gjithëve, është edhe i të rriturve, edhe i atyre që kanë akses në media, edhe i atyre që kanë para e që sigurohen që influenca e tyre të ndihet. Unë besoj se një qytet demokratik është edhe i të vegjëlve, edhe i atyre që ndoshta nuk kanë akses, ndoshta nuk votojnë, nuk paguajnë taksa se janë të vegjël, por janë njësoj aksionerë të qytetit tonë dhe duke qenë se janë njësoj aksionerë duhet të kenë aksionet e tyre edhe në këtë investim.
 
Për parkun e liqenit, vetëm për atë projekt, kemi bërë 24 dëgjesa për buxhetin dhe në çdo dëgjesë kemi treguar atë projekt, projektin e Pazarit të Ri, projektin e Unazës së Vogël sistematikisht. I mirëkuptoj ata që thonë, s’isha në ato takime. Bëjmë prapë takime, edhe për ata të shoqërisë civile që ndoshta nuk i kushtuan rëndësi 24 dëgjesave që bëmë për projektet e këtij viti, i buxhetuam dhe i kaluam në Këshill Bashkiak. I mirëkuptoj, vijmë prapë nesër, por jo me dhunë! Dhuna nuk është argument dhe sa të drejtoj unë qytetin e Tiranës, dhuna nuk do t’u imponohet ideve për transformimin e qytetit.
 
Dje ishim në Londër, ku ka një debat shumë të madh për qëndrimin ose jo në BE, një debat që ka ndarë politikën dhe disa parti politike në mes. Nuk shkon njeri të dhunojë e të grisë flamujt e BE, por presin një proces demokratik që do të vendosë. Nëse ne kemi procese demokratike si ky që propozojmë sot, që ne të fillojmë e të ndërtojmë mbi të ardhmen e qytetit, me idetë tona që kemi më të mira dhe nëse kemi një mandat nga qytetarët, bazuar mbi këto premtime, mbi këtë punë, mbi këto koncepte, bazuar mbi këto projekte që i treguam me detaje se ku do ishin, sa do kushtonin, mbi faktin që po mundohemi që financat modeste të Bashkisë së Tiranës t’i kompensojmë me fonde nga Fondi i Zhvillimit, me fonde ndërkombëtare, me fonde të qyteteve me të cilat po bëjmë binjakëzim, me fonde të BE. Po mundohemi çdo ditë që Tiranës të mos i mungojë asgjë dhe pas katër viteve, të mos renditemi prapë qyteti i parafundit më i keq për të jetuar, kryeqyteti më i keq për të jetuar në Evropë. Nuk na shkon, e morëm dëftesën me këtë rezultat të sotëm, se çfarë Tirane trashëguam. Kjo duhet të ndryshojë!
 
Për të gjithë ata që kanë një dyshim, i shoh sot në sy dhe u them se unë do të jap dorëheqjen, nëse në datën 1 qershor, kur të inaugurohet parku i fëmijëve, aty do të ketë kafene, restorant apo çfarëdo lloj ndërtese. Në datën 1 qershor, kur të inaugurohet parku i fëmijëve, nëse aty ka kafene apo restorant, unë nuk do të jem më kryetari i Bashkisë suaj, por nuk pranoj gjuhën e dhunës, sidomos tek ata që po ai vend nuk janë prononcuar ende për një pallat 17 katësh në digë e sot bëjnë sikur nuk e shohin, mundohen të gjejnë një qime në syrin e kësaj administrate dhe evitojnë traun që kanë në syrin e tyre.
 
Ende sot nuk ka një prononcim, Bashkia e Tiranës është ende në gjykatë dhe po mundohemi të luftojmë këtë sistem drejtësie që kemi, që ta fitojmë atë betejë. Nuk vijnë kur kemi këto beteja, nuk vijnë kur kemi mbjellë 6 mijë pemë për 6 muaj, 1 mijë në muaj, e gjitha e certifikuar.
 
Ju bëj një sfidë tjetër: Nëse aty do të pritet qoftë edhe vetëm një pemë, unë prapë në datën 1 qershor nuk do jem Kryetari i Bashkisë të Tiranës. Ne duhet të ecim përpara dhe ne duhet të gjejmë mënyra se si me shoqëri civile të dialogojmë. E kuptoj sensin e protagonizmit të disave. Disa prej tyre i kisha në garë, e kuptoj gjithashtu faktin që ndoshta, pasi kemi bërë 24 dëgjesa në dhjetor, ku mund të kenë pasur punë të tjera, tani duan më shumë informacion. Dera ime është e hapur, me shumë prej tyre jam takuar disa herë, për çështje të tjera, si do modernizojmë gjithashtu parkun e aviacionit, se si do bëjmë disa parqe të tjera, në Laprakë, në Kombinat, në Kinostudio.
 
I mirëkuptoj, më vjen keq që janë keqpërdorur, por jam gati që nesër në bashki, të flasim prapë, edhe 24 herë të tjera, se kam fare problem këtë. Por jo me dhunë, jo në këtë qytet që aspiron të jetë një qytet europian dhe ashtu siç e tha Boeri, i ka të gjitha dhuntitë nga Zoti dhe nga natyra, si në burimet njerëzore, si në harmoni dhe bashkëjetesë kulturore-fetare, që të jetë një histori suksesi.
 
Megjithatë, edhe debatet e sotme në mëngjes na kthejnë vëmendjen se çfarë është publike. Sot pashë prapë disa miq të mi, Nikollaq Neranxin, Arbër Çepanin, të cilët ndoshta sot erdhi koha t’i sqaroj edhe publikisht: Vetëm për biznesin e madh që vë dhjetra tavolina në hapësira publike, por marrin 50 lekë për tavolinë. Fakti që hapësira është publike nuk do të thotë që është pa pronar. Pronari janë të gjithë qytetarët e Tiranës, të hapësirës publike. 50 lekë për një tavolinë që ka zënë trotuarin ku kalon një grua me karrocë, 50 lekë për një tavolinë, e cila ka bllokuar një vend kalimi, një rrugicë, ku një i moshuar me patericë, me shkop, duhet të ecë, ku një person me aftësi të kufizuara duhet të kalojë.
 
Në Tiranë ka sot të regjistruara 10 mijë kafene. Bashkia e Tiranës në një turn ka 100 policë bashkiakë. Si mendoni, si mund të bëhen zap nga 100 policë bashkie 10 mijë kafene të Tiranës?! Është e pamundur! Ndaj dhe ju kemi kërkuar, hapësira publike është pronë e qytetit, e atyre 90% që nuk janë pronarë kafenesh. Ajo lloj tarife që ju përmenda është vetëm për zonën A, zona kryesore e Tiranës, në Bllok. Një kokteil në Bllok është 8 mijë lekë. Nëse tavolina jote, me të cilën ke zënë një trotuar, nuk nxjerr as 50 lekë, liroje. Nuk është taksë me detyrim, është sipas hapësirës që ke zënë.
 
Një privati i futesh dot në shtëpi pa ja paguar? Pse publikut ja bën? Pse lulishten e merr, pse trutuarin e zë, pse fushën sportive e kthen kafe? Nëse nuk ke aq xhiro, mban 100 tavolina bosh vetëm nga tafmaja dhe lakmia për të pasur mbi kurrizin e publikut vetëm qarin tënd privat. Dikush vetëm sepse vijnë dhe e intervistojnë mediat apo ka para mjaftueshëm për të organizuar një rrëmujë, ka të drejtë? Atëherë çfarë duhet të bëjnë të tjerët, ata që s’kanë muskuj, që s’njohin të fortë, që s’kanë shokët politikanë, që nuk i kanë këto mundësi për të bërë këtë lloj rrëmuje, çfarë duhet të bëjnë?
 
Unë jam zgjedhur këtu si avokat i shumicës që forcën e vet e gjen te respekti ndaj lirisë së tjetrit, jo i një pakice që imponohet nëse të pasurit nuk paguajnë 50 lekë dhe këtu flas vetëm për biznesin e madh, në zonën A, që është zona kryesore e Tiranës, me çfarë do ta bëjmë Tiranën?! Të gjithë kemi kërkesa, të gjithë duam që këto gjëra të ishin bërë dje, jo sot, me çfarë? Do t’ i paguajnë ata që jetojnë me ndihmë ekonomike? Taksat ata i kanë zero! Do t’ i paguajnë pensionistët? Taksat pensionistët në Tiranë i kanë zero. Do t’ i paguajnë bebet? Jo vetëm që s’paguajnë taksë, ne u japim atyre, për herë të parë kemi rikthyer çekun e bebes, për të gjithë të sapolindurit në Tiranë, pas 4 vitesh.
 
Vërtet i kemi kushtet financiare të vështira, por themi se duhet të kemi solidaritet për më të dobëtit. Nëse pasanikët nuk paguajnë kaq pak, kush do ta mbajë barren? Mendoni se ka një makineri që pret paratë me gërshërë? Nuk ka! Paratë nuk rriten as në pemë, sigurisht që mblidhen nga taksat. Në qoftë se ndërtuesit ankohen për rritjen e taksës së ndërtimit, ju them se është ende më e ulët se në Shkup, por kjo shpjegon ndoshta se pse Shkupi është përpara nesh; se në Podgoricë, se në Beograd, dhe e vetmja gjë që po themi, në një qytet ne duhet të kemi një sistem progresiv. Ai që ka më shumë duhet të japë pak më shumë. Ai që ka zënë trotuarin, le ta japë një 50 lekësh për trotuarin që ka zënë. Nëse nuk ka punë që të nxjerrë as 50 lekë tavolina, të na e lirojë, mund të luajnë fëmijët aty, mund të ulet një e moshuar. Të na e lirojë, ne nuk kemi dëshirë të kthehemi në një shtet policor. Por, na duhet që për lirinë e të gjithëve t’ i detyrojmë të tjerët të respektojnë kufijtë e lirisë sonë të përbashkët.
 
Mënyra se si zhvillohet qyteti nga ana e urbanistikës, s’është e gjitha njësoj. Në disa zona ne do duhet të fokusohemi tek industria dhe tek hapja e vendeve të punës, do jenë zona industriale, në disa zona të tjera do të jenë zona rezidenciale.
 
Tirana, pavarësisht situatës së vështirë, ende mbetet qyteti më i mirë për të jetuar në Shqipëri. Do të thotë se lëvizja demografike nuk parashikohet të ndalojë shpejt. Do të kemi gjithmonë një fluks të njerëzve që do të dojë të jetojë në Tiranë, sepse këtu është edhe numri më i madh i punëve, i mundësive. Kjo do të thotë që edhe këtu duhet të marrin disa vendime. Por, është shumë e rëndësishme që këto vendime t’i marrim bashkë, që t’i marrim si qytetarë, që t’i marrim duke propozuar ide dhe duke garuar me ide dhe jo me dhunë, jo me shkatërrim.
 
Është shumë e vështirë të jesh në Londër, siç ishim dje me Kryeministrin dhe t’ju kërkosh investitorëve të vijnë, kur sa kishim marrë ato pamje nga Tirana. Nuk vjen njeri në qytet! Dje isha në Londër kur po ngarkohej vepra e artit që po vjen në Tiranë, Reja, një nga veprat urbane më të rëndësishme të Londrës. Sigurisht, njerëzit tremben kur shikojnë se si ne vandalizojmë gjënë e bukur dhe se si i zgjidhim mosmarrëveshjet me dhunë, me vetgjyqësi, si njëherë e një kohë, kur nëse ty nuk të pëlqen një gjë nuk ka rëndësi Prokuroria dhe Gjykata.
 
Ndaj dhe miqtë e mi, eja ta shikojmë këtë si një mundësi, sepse koha nuk është pa limit. Siç e thashë, ne do donim të kishim një draft të parë, në vitin tonë të parë, pra kur të mbushim 1 vit nga zgjedhja jonë në detyrë dhe pastaj të kemi 3 vite të tjera që të implementojmë disa nga këto projekte. Nuk na mungon asgjë, nuk na mungojnë idetë, ka njerëz këtu që kanë bërë mrekullira, në secilën prej punëve apo profesioneve të tyre. Shqipëria është bërë atraktive, Tirana është rikthyer, është bërë atraktive për t’u financuar nga institucione ndërkombëtare. Na duhet vetëm pak vullnet i mirë, jo stërkëmbësha, jo thika mbas shpine, jo gjuhë e urrejtjes, jo inkurajim i vandalizmit.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Morën peng një 22-vjeçar pasi u përplasën me makinë, në pranga 2 autorët në Tiranë (EMRAT)