Fjala e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për buxhetin

Të nderuar studentë dhe pedagogë,
Është kënaqësi e veçantë që ritakohemi pas një viti, por këtë herë jo në “Qytetin Studenti”, siç ndodhi një vit më parë, por pikërisht këtu në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar përsëri për projektbuxhetin ri për vitin 2016. Por përpara se të vazhdoj, meqenëse kemi të bëjmë me studentë dhe me “Qytetin Studenti” , do të dëshiroja, edhe pse ndoshta me pak vonesë, t’ju uroj gëzuar “8 Dhjetorin”, Ditën e Rinisë, ditën e lëvizjes studentore, ditën e demokracisë.
Natyrisht që demokracia ka problemet e saj dhe një nga problemet e saj është edhe borxhi. Por nuk është problemi se borxhi është ndonjë tabu, por duhet parë si një instrument për zhvillimin, për rritje ekonomike, për punësimin.

Para se të vija këtu isha në një diskutim për çështjen e projektbuxhetit dhe nuk shikoj askënd që të jetë i lumtur me projektbuxhetin e ardhshëm. Në fakt, kështu ka ndodhur edhe kur rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë 7-8 për qind. Profesor Angjeli ka qenë edhe Ministër i Financave, sepse gjithmonë kërkesat janë shumë të mëdha. Ne jemi ende një vend në zhvillim, vijmë nga një prapambetje e jashtëzakonshme dhe në këtë kuptim, është mjaft e rëndësishme t’i shërbejmë të ardhmes dhe të jemi sa më realistë. Prandaj, meqenëse u kthyem tek çështja e borxhit, dihet që vendi ynë ka një borxh shqetësues. Këtu u përmend edhe paralajmërimi i agjencisë së njohur ndërkombëtare “MOODY’s” lidhur me hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për uljen e borxhit në mënyrë që ai të mos ekspozojë më tej vëmendjen dhe financat tona drejt rreziqeve më të mëdha që do të kompromentonin rritjen ekonomike në të ardhmen.

Ndaj unë dua të them se ky projektbuxhet, pavarësisht nga disa vërejtje dhe kritika që i bëhen dhe që do t’i bëhen, ka disa elementë pozitiv. Së pari garanton një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të vendit. Së dyti, garanton përmes një vendosmërie për të realizuar konsolidimin fiskal, një rritje të qëndrueshme ekonomie, jo vetëm për vitin që vjen, por dhe në vitet e mëpasshme dhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Lidhur me konsolidimin fiskal, mendoj se është evidente që për herë të parë kemi një ulje të borxhit publik, pavarësisht se nuk është e lehtë, por për herë të parë kemi një ulje. Së dyti, kemi gati një përgjysmim të deficitit buxhetor. Së treti, pas disa vitesh për herë të parë kemi shfaqjen e suficitit primare dhe pse kjo përsëri në mënyrë modeste.

Pra, këto janë disa elementë pozitiv dhe inkurajues për të ardhmen. Natyrisht që ky është një buxhet që ka disa risi. Një nga risitë kryesore është raporti i tij me pushtetin vendor dhe kjo ndodh për shkak se ky është viti i parë financiar kur kemi të bëjmë me vitin e parë do të thosha edhe financiar të bashkive të reja të krijuara si rezultat i reformës administrative-territoriale. Dhe sikurse e keni vënë re, shënon një hap të rëndësishëm përpara në reformën e decentralizimit, pasi jo vetëm këtyre bashkive kalojnë mjaft kompetenca dhe përgjegjësi e shërbime, sidomos në fushën e arsimit, në fushën e bujqësisë, në fushën e infrastrukturës, të mjedisit, por njëkohësisht u kalojnë edhe fondet për realizimin këtyre shërbimeve.

Pra, në këtë kuptim ky është një buxhet që mbështet disa reforma të rëndësishme të cila do të një impakt jo thjesht 1-vjeçar, por afatgjatë për të gjithë zhvillimin e vendit dhe për shërbimin ndaj qytetarëve. Ashtu sikurse mbështet edhe reforma të tjera përsa i takon tregut të punës dhe formimit profesional, pasi dihet që investimi në kapitalin njerëzor është ai më i rëndësishmi për një shoqëri që dëshiron të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme e cilësore, por edhe reforma të tjera në fushën e arsimit të bujqësisë e kështu me radhë.
Buxheti është dokument shumë i rëndësishëm juridik, financiar, ekonomik edhe social ku mpleksen dhe ndërthuren interesat e të gjithë faktorëve të shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve të gjithë grupeve të interesave të ndryshëm dhe në një farë mënyrë është një kompromis për më të mirën e mundshme për zhvillimin e të gjithë shoqërisë dhe vendit. Por buxheti nuk është gjithçka përsa i takon zhvillimit ekonomik të një vendi pavarësisht se është një instrument mjaft i rëndësishëm që ndikon në mënyrë vendimtare.

Por po kaq vendimtare është edhe cilësia e zbatimit të buxhetit, sidomos cilësia e shpenzimeve jo vetëm atyre korrente, por sidomos atyre kapitale dhe është mjaft e rëndësishme njëkohësisht që buxheti të monitorohet përgjatë gjithë vitit. Edhe në kuadër të transparencës më të madhe ndaj publikut, ndaj qytetarëve ndaj grupeve të interesit, Kuvendi ka vendosur që ky monitorim të ndodhi jo vetëm një herë në vit kur paraqitet buxheti faktik, por të ndodhë të paktën çdo tre muaj për të ndjekur ecurinë e zbatimit të tij në bazë të gjithë zërave.

Por ajo që unë doja të theksoja më shumë, vendimtare për zhvillimin është sidomos përmirësimi i klimës së biznesit. Në këtë drejtim sigurisht ë buxheti së bashku edhe me paketën e re fiskale që ai shoqërohet, jep ndikimin e tij, por absolutisht një ndikim shumë të rëndësishëm i jep gjithë raporti i qeverisë, i administratës, i institucioneve me biznesin në tërësi, në kuadër të rritjes së transparencës, të thjeshtimit të procedurave, të luftës kundër korrupsionit në mënyrë që të rritet më tej liria ekonomike në vend dhe të inkurajohet biznesi vendas dhe ai i huaj për të investuar më shumë në Shqipëri për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkt.

Ju më të drejtë theksuat se për të përmirësuar klimën e biznesit ka shumë rëndësi edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve që i ofrohen biznesit. Natyrisht që ky buxhet ka përsëri vështirësitë dhe kufizimet e tij, por mendoj që në këtë drejtim ekzistojnë mundësi ende të pashfrytëzuar sa duhet për t’u mbështetur akoma më fortë në të ardhmen te partneritetit publik-privat për ë nxitur investimet më të mëdha në infrastrukturë në mënyrë të veçantë që do t’i shërbejnë gjithë zhvillimit të vendit, por do t’i shërbejnë një klime dhe infrastrukture më të mirë edhe për zhvillimin e biznesit.
Natyrisht që të gjithë do të donin një buxhet më të mirë, por të jemi realistë edhe për kufizimet që ka ekonomia jonë, sepse jemi një ekonomi tashmë e integruar dhe integrimi ka përfitimet e tij, por ka edhe sfidat e tij dhe në këtë drejtim të mos harrojmë se dy partnerët tanë kryesor ekonomikë dhe tregtarë, që janë Italia dhe Greqia, kanë qenë nga më të prekurat e të gjithë krizës financiare dhe ekonomike, të mos harrojmë që gati gjysma e eksporteve tona shkon vetëm në drejtim të Italisë dhe natyrisht që në këto kushte do të ishte jorealiste të pretendonim një rritje ekonomike shumë më të madhe se sa ajo që kemi planifikuar për vitin që vjen. Por është e rëndësishme të ecim në këtë drejtim, kjo është një rrugë e vështirë, por është një rrugë e qëndrueshme dhe njëkohësisht i kemi të gjitha mundësitë për të përgatitur një rritje akoma më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për të ardhmen.

Prandaj unë dua t’ju falënderoj për vëmendjen që ju i kushtoni këtij debati dhe besoj se gjithnjë e më shumë të gjithë qytetarët, por sidomos të rinjtë e kuptojnë që buxheti nuk është më një çështje e Kuvendit, aq më tepër e qeverisë, por është një çështje e të gjithëve.

Unë besoj se ky debat i shërben transparencës së Kuvendit, në raport me qytetarët, grupet e interesit. Ky është një proces që duhet ta thellojmë akoma më tej, pasi në këtë mënyrë rriten përgjegjshmëria e Kuvendit, qeverisë, rritet dhe llogaridhënia, por natyrisht informimi i qytetarëve është i rëndësishëm për të bërë vlerësimin më të mirë për institucionet që ata krijojnë me votën e tyre.
Meqë e filluam me festën e 8-dhjetorit po e mbyll duke ju uruar festën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Shpresojmë që pavarësisht nga skepticizmi i palës kundërshtare, opozitës të kemi mundësi që të realizojmë rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm në 3.4%, por jam i bindur se dhe po u tejkalua nuk do të ketë vërejtje.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës