Fjala e ministrit Saimir Tahiri gjatë shqyrtimit të projektligjit për regjistrimin e emigrantëve

Është bërë ritual (aspak i hijshëm në fakt) i çdo të enjteje që i marrim kohë shqiptarëve me një shfaqje të pakuptimtë këtu në Parlament.
E kemi filluar që në mëngjes me dy projektligje mjaft të rëndësishme.
Njëri, për shërbimin dhe standardin e shërbimit ndaj qytetarëve, i cili zgjidh një herë e mirë
• mënyrën si shërbehen qytetarët shqiptarë nga administrata;
• standardizimin e transparencës;
• standardizimin e luftës ndaj korrupsionit;
• standardizimin e cilësisë së shërbimit;
• standardizimin e shpejtësisë së shërbimit
... e këtu vetëm për këtë nuk u fol! U fol për shumë gjëra, shumë prej të cilave është për të ardhur turp që dalin nga kjo foltore.
E të mendosh se ka breza të rinjsh jashtë këtij Parlamenti, që s’e kanë aspak gabim të presin ende të frymëzohen nga dijetarët dhe mendimtarët e mëdhenj që ulen në këtë tryezë, tavolinë e foltore, medemek për të zgjidhur hallet e mëdha të popullit... e kur vjen puna flasim për “banditë”, “kriminelë”, “kopukë”, “bastardë”, për “Dil jashtë se ta tregoj unë!”, për “Pusho ti, se ta tregoj unë!”, e historira pa fund që nuk i bëjnë pikën e nderit askujt në këtë sallë.

Dhe një projektligj i dytë, po aq i rëndësishëm në fakt, që ka të bëjë me regjistrimin e emigrantëve (e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë), të cilët janë po aq (në mos më) të mirë se ata që jetojnë këtu. Për shkak të sakrificave. Për shkak të kontributit historik për vendin e tyre. Për shkak të zgjidhjeve që i kanë dhënë të ardhmes së fëmijëve, duke bërë ç’është e mundur të përballen me realitete krejtësisht të huaja, pa mbështetje e mbi të gjitha me vështirësi të shtuara, për shqiptarët e larguar në vitet ’90 e që largohen edhe sot në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, të mbytur nga paragjykimi i shoqërive që herë i pritën mirë e herë i paragjykuan padrejtësisht.
Kolegu Blushi tha më parë që largohen ende shqiptarë. Është e vërtetë.

A është fenomen shqiptar? Ikin grekë nga vendi i tyre, ikin italianë nga vendi i tyre, ikin maqedonas nga vendi i tyre, ikin shtetas kosovarë nga Kosova, ikin serbë nga Serbia... është fenomen që shkon përtej kufijve të Shqipërisë! Sepse, në një botë të tillë, të kërkosh fatin aty ku e gjen më të kollajtë është normale. Është e ligjshme. Por dhe mua më pëlqen të ushtrohemi këtu me njëri-tjetrin e të pyesim veten “Për çfarë ikin shqiptarët?”
E para, një korrigjim: shifrat që shpesh thuhen këtu janë të pavërteta.

E dyta: një pikëpyetje për të gjithë bashkë për atë që nuk kemi bërë në 25 vjet, duke i dhënë shqiptarëve mundësinë ta kenë më të lehtë të jetojnë jashtë sesa këtu.
E në fakt ky vend nuk po zbraset nga njerëzit. Po zbrazet nga njerëzillëku. Nga qytetaria.
Ky vend nuk po zbraset nga njerëzit. Po zbrazet nga mirësjellja.

Ky Parlament, kjo seancë sot, janë treguesi më i mirë i çfarë do të thotë që dhe Parlamentin ta kthesh në një batërdi ku vlerat nuk mungojnë (për disa) e shkelen me këmbë (nga një pjesë tjetër).
Është kjo arsyeja përse (çdo të enjte në Parlament, e në çdo foltore partie, e në çdo emision, debat e deklaratë) të dëgjosh për “banditë”, “kriminelë”, “hajdutë”, “vrasës”, sigurisht ka pak vend në Shqipëri për njerëzit e mirë. Nuk po zbrazet nga njerëzit Shqipëria. Po zbrazet nga morali, ndershmëria, vlerat! Nuk po zbrazet nga njerëzit, po zbrazet nga drejtësia e pabërë në 25 vjet! Dhe nuk i vlen askujt në këtë sallë të numërojë njerëzit (a thua se janë inventar magazine). Ne na vlen t’i mbrojmë vlerat e t’i promovojmë! E këtë ta bëjmë duke besuar.

E nëse këtu, siç shoh, ka deputetë opozite që tundin kokën, zgërdhihen, zbardhin dhëmbët kur dëgjojnë për “vlera”, “ndershmëri”, “dinjitet”, “drejtësi”- ja, ky është parlamenti që nuk duan shqiptarët! Nëse këtu nga ju ka njerëz që s’e besojnë që kjo Shqipëri duhet të jetë më e drejtë dhe t’i japim vend Shqipërisë dhe shqiptarëve që realisht besojnë te e drejta - ja ,ky është motivi! Megjithatë bëni durim.

Në fakt pyetja që qytetarët shqiptarë bëjnë përditë është normale: “A është kjo Shqipëri më e drejtë?”, “A është Shqipëria sot më e edukuar, më e bukur, më e kulturuar, më e arsimuar?”. Këto janë pyetjet që bëjnë shqiptarët. E këtu nuk është problemi nëse këtë pyetje e shtroj unë, e përgjigjen e jap unë apo dikush tjetër. Këtu problemi është: “Cila është përgjigjja që duhet të jepni ju, klasa politike në tërësi, për qytetarët shqiptarë?” Kjo është e rëndësishme për ata që dëgjojnë në shtëpi e mbi të gjitha për ata që dëgjojnë jashtë Shqipërisë. E mira e kësaj pune është që unë s’ju marr leje kur flas, dhe ju s’jeni të detyruar të më dëgjoni.

Është një moment historik për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, që kanë mbi 20 vite që jetojnë jashtë Shqipërisë, që ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë, dhe që Shqipëria (dhe çdo qeveri deri më sot) u ka një borxh historik. Borxh historik për t’u kthyer shqiptarëve që janë jashtë Shqipërisë shërbime më të mira, shërbime cilësore, shërbime në kohë dhe pa degdisur emigrantët që të shkojnë e të rropaten radhëve nëpër ambasada për të pritur një certifikatë legalizimi, një aplikim për pasaportë, shërbime që i meritojnë me të drejtë.

Sot që flasim, të regjistruar në letrat e shtetit shqiptar janë 4.4 milionë shtetas. Por nuk janë kaq brenda kufijve të Shqipërisë. Një pjesë jo e vogël kanë ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë. Dhe ne nuk dimë ku janë këta. Nuk dimë ku kanë ndërtuar të ardhmen e tyre. Nuk dimë as t’u shërbejmë këtyre njerëzve për sa kohë i degdisim të harxhojnë kohë, parà, të lënë punën e tyre e të shkojnë të kërkojnë shërbime nëpër zyrat konsullore e ambasada për të marrë shërbime që (me plot të drejtë) u takojnë t’ua japë shtetit shqiptar.

Ne nuk dimë edhe një gjë tjetër që është akoma më e rëndësishme. Sot ne kemi në regjistrin e Gjendjes Civile mbi 4.4 milionë shtetas shqiptarë, kemi mbi 740 mijë ndërtesa, por nuk dimë “kush banon ku” brenda Shqipërisë. Jo më të dimë kush e ku banon jashtë Shqipërisë! Ne sot jemi i vetmi vend dhe të vetmit qytetarë që pyetjes “Sa jeni?” i përgjigjemi me “Afërsisht...”. Kush nga ju nuk është gjendur në siklet kur pyetjes së një turisti të huaj “Sa shqiptarë jetojnë këtu?” i është përgjigjur “Afërsisht 2 milion, afërsisht 3 milion”, pa dhënë kurrë të dhëna të sakta!

Dhe kur këto të dhëna i mungojnë shtetit sigurisht është e pafalshme. Por kur këto të dhëna kanë ekzistuar deri në një moment dhe pastaj ka degraduar kjo histori, atëherë na duhet domosdoshmëërisht të kthehemi mbrapsht e të bëjmë regjistrimin e plotë të shtetasve dhe të adresave. Ky është procesi i popullimit brenda kufijve të Shqipërisë.
Jashtë kufijve të Shqipërisë ne jemi të detyruar të regjistrojmë emigrantët shqiptarë si një detyrë të cilën nuk po e shpikim ne. E kanë bërë të tjerë para nesh. Ka vende plot në Europë (e jashtë Europës), që kanë ecur nëpërmjet këtij procesi për të regjistuar shtetasit e tyre. Sepse shteti ka detyrimin t’i shërbejë shtetasve shqiptarë kudo ata janë.
Dhe në qoftë se ju sot jeni kundër këtij procesi, dilni thuajeni këtu. Por në qoftë se deri dje keni bërë fushata elektorale duke premtuar votën e emigrantëve, fjalime politike pa fund në emër të votës së emigrantëve, platforma politike dhe elektorale në emër të emigrantëve, pse sot jeni kundër për këtë projektligj? Kush nga ju këtu është kundër që ne t’u shërbejmë emigrantëve në shtëpi?

Kush nga ju është kundër që emigrantët të mos rropaten nëpër dyert e ambasadave, të mos paguajnë ryshfete, sekserë e çdo lloj njeriu që del e u merr lekë vetëm e vetëm që ta marrin shërbimin më shtrenjtë? Kush nga ju është kundër që emigrantët shqiptarë ta kenë shtetin në shtëpinë e tyre? Kush nga ju është kundër që emigrantët shqiptarë të votojnë? Kush nga ju është kundër që emigrantët shqiptarë të kenë mundësi të ndikojnë për të ardhmen e vendit të tyre?
E nëse duam të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, ku emigrantët shqiptarë të vijnë dhe të zhvillojnë jetën e tyre apo të hapin një sipërmarrje apo biznes, që ta bëjmë këtë së pari duhet t’u garantojmë shërbim aty ku janë. E nënëse kjo duhet të ndodhë, duhet ta fillojmë nga regjistrimi i emigrantëve. Që të bëjmë regjistrimin e emigrantëve duhet të ecim nëpërmjet këtij procesi që nuk e ka bërë askush më parë. Që ju as e keni imagjinuar kur ishit në qeveri (jo më ta bënit). Dhe që sigurisht sot jeni kundër.
Në këtë pikë nuk duhet të ndaheshim. Emigrantët nuk janë as pasuri e PS-së, as pasuri e PD-së. Emigrantët, po të doni, votojnë edhe këtej, edhe andej, sipas preferencave politike. Ne nuk mund (dhe nuk duhet) të ndahemi kur vjen puna te shërbimet që duhet t’u japim emigrantëve. Ata janë shtetas që meritojnë të gjithë mirënjohjen e shtetit shqiptar. Dhe ne duhet t’u kthejmë borxhin historik që u ka shoqëria dhe shteti në 25 vjet.

E dëgjova kolegun Dule kur tha “Pse duhet të regjistrohen emigrantët, kur në rast se regjistrohen humbasin të drejta që i kanë këtu, deri edhe të drejtën e votës që kanë këtu”. Kam dëgjuar edhe kolegë të opozitës ta shprehin të njëjtin shqetësim edhe nëpër komisione. Në fakt shqetësimin e zotit Dule nuk e kuptoj, dhe as e mirëkuptoj. Ka shtetas grekë në Shqipëri, quajini minoritarë po të doni, që janë të regjistruar në shtetin e tyre. Athina zyrtare i ka në regjistra dhe jo vetëm: u shërben. Dhe jo vetëm u shërben, por edhe i paguan. Dhe jo vetëm i paguan, por ne i lejojmë të bëjnë edhe aktivitet politik.

Dhe jo vetëm të bëjnë aktivitet politik, por ju jeni produkt i të drejtës kushtetuese për të bërë aktivitet politik dhe për të zhvilluar jetën poltike në vendin e tyre. Nuk ka asgjë të keqe në fakt, unë jam shumë dakord, por pse kjo nuk duhet të ndodhë me shqiptarët që jetojnë në Greqi? Pse kjo nuk duhet të ndodhë me shqiptarët që jetojnë në Itali?
Pse kjo nuk duhet të ndodhë me shqiptarët që jetojnë në çdo cep të botës? Fundja çdo shqiptar që është sot me vendbanim jashtë Shqipërisë, ka të drejtën të ketë mundësinë të ndikojë për fatin e vendit të tij. Ka të drejtën të ndihet i shërbyer dhe i begenisur nga shteti i tij. Që kjo të ndodhë duhet me patjetër t’i regjistrojmë dhe të dimë ku janë.

Unë e quaj të pa arsyeshme që ky parlament të ndahet për çështje kaq minimale për emigrantët, për shtetasit shqiptarë, që kanë ndikuar me parà dhe jo vetëm për vendin e tyre. Ata kanë kontribuar me model, me modelin e sakrificës që kanë dhënë për vendin e tyre. Me modelin e mbijetesës nëpër mijëra vështirësi, duke punuar dhe sakrifikuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Që kjo të ndodhë edhe në vendin tonë dhe akoma më shumë të bëhemi një vend aq i mirë sa të kthehen këtu, ne do të na duhet shumë mund, që nis minimalisht me regjistrimin e tyre.

Unë nuk kam asnjë dyshim që të gjithë ata që folën këtu sot apo edhe në komisionet parlamentare për mohimin e të drejtës së votës, do të kenë mundësinë të rimendohen dhe ta kuptojnë që ky projektligj nuk ka lidhje me mohimin e të drejtës së votës për emigrantët.
Nëse është kështu, i bie që deri më sot ua paskemi mohuar të drejtën emigrantëve! Nëse është kështu, i bie që listat e posaçme zgjedhore për ata që ushtrojnë profesione të veçanta, apo që janë në kushte të veçanta ditën e zgjedhjeve, qenkan gati (quasi) mohim i së drejtës së votës. Përkundrazi ky ligj garanton hapin themelor që edhe emigrantët të votojnë një ditë.

Ky ligj garanton hapin e parë themelor që qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, të kenë mundësinë:
a- Të shërbehen nga shteti i tyre;
b- Të kenë standarde në shërbim;
c- T’u garantohet e drejta themeltare për të ndikuar në fatet e vendit dhe kjo është e drejta e votës.
Nëse na duhet të jemi më shumë patriotikë sesa thirrja “o sa mirë me qenë shqiptar!”, hajde t’ia nisim në këtë seancë me “o sa mirë me qenë shqiptar”, por votojeni këtë projektligj, se kështu është “o sa mirë me qenë shqiptar”.
Patriotizmi nuk është duke rrahur gjoksin apo duke ngritur flamurin në ndeshjet e kombëtares. Patriotizmi është të votosh dhe të punosh për të drejtat e emigrantëve dhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ejani ta bëjmë bashkë këtë punë se ua kemi borxh atyre njerëzve.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk