Fjala e plotë e Kryetarit tëi Kuvendit Ilir Meta

I nderuar Ambasador i Sllovenisë z. Bertoncelj,

Të nderuara Zonja Kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë dhe të Kosovës,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi që në emër të Kuvendit të Shqipërisë të falënderoj organizatorët dhe në veçanti Ambasadën e Republikës së Sllovenisë për organizimin e këtij aktiviteti sëbashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku do të ndahen përvojat më të mira në procesin e organizimit, menaxhimit dhe mbikëqyrjes së zgjedhjeve si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor.

Është e qartë se shoqëria jonë gjatë këtyre viteve ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në rrugën e konsolidimit të sistemit demokratik në vend.

Por anëtarësimi në NATO dhe miratimi i statusit të vendit kandidat për anëtarë në Bashkimin Evropian, ka bërë që jo vetëm aktorët politikë, por edhe të gjithë qytetarët të kenë pritshmëri shumë më të larta për sa i takon garantimit të pavarësisë dhe integritetit të tërë procesit zgjedhor, dhe në veçanti të institucioneve që e administrojnë atë.

Parimet themelore kushtetuese kanë përcaktuar se zgjedhjet në një sistem demokratik janë shprehje e sovranitetit të popullit. E drejta e qytetarëve për të votuar dhe për t’u zgjedhur në zgjedhje demokratike periodike, të përgjithshme dhe vendore janë të drejta njerëzore ndërkombëtarisht të njohura.

Zgjedhjet demokratike të drejta, të lira dhe të barabarta janë thelbësore për konsolidimin e stabilitetit institucional në vend dhe për legjitimimin e qeverisjes, si dhe për përmbushjen e sfidave që kërkon përshpejtimi i rrugës së integrimit evropian.

Në këtë aspekt, procesi zgjedhor nuk mund të jetë ekskluzivitet dhe përgjegjësi vetëm e institucioneve zgjedhore, por edhe rezultat i kontributit të përbashkët pozitiv e ligjor i të gjithë aktorëve dhe forcave politike.

Adoptimi dhe zbatimi i parimeve bazë të trashëgimisë zgjedhore evropiane, duke i vendosur në kontekstin e kuadrit të brendshëm ligjor, është me rëndësi thelbësore për konsolidimin e demokracisë në vendin tonë, i cili aspiron të bëhet anëtar me të drejta të plota i familjes evropiane.

Respektimi i këtyre parimeve do të garantojë në çdo fazë besueshmërinë e procesit zgjedhor, qëndrueshmërinë dhe efektshmërinë e rregullave proçeduriale dhe standardin e synuar në të gjithë procesin.

Në çdo hap, të gjithë faktorët dhe aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, duhet të orientohen nga respektimi dhe zbatimi i ligjit, i Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, nga parimet e trashëgimisë zgjedhore Evropiane, nga përmbushja e rekomandimeve të OSBE ODIHR-it për zgjedhjet në vendin tonë, si dhe nga njohja, shfrytëzimi dhe vënia në jetë e përvojave dhe praktikave më të mira të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si në rastin konkret të përvojës sllovene, apo më gjerë.

Megjithëse kanë kaluar mbi 20 vjet në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve pluraliste në vendin tonë, ku janë eksploruar përvoja të ndryshme në lidhje me organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor, sërish vendi ynë konsiderohet me përvojë të pamjaftueshme në këtë drejtim.

Për këtë arsye, ngritja me ligj dhe funksionimi i një Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, të pavarur dhe të paanshëm, është kusht i domosdoshëm në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet ligjore të brendshme, si dhe me “trashëgiminë zgjedhore Evropiane”.

Në këtë drejtim, besoj se politika jonë në bashkëpunim me shoqërinë civile në mënyrë të veçantë ka punuar për të reflektuar në ligjin zgjedhor krijimin e një institucioni të pavarur për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore.

Kështu, me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2012, u riformatua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke futur një risi në zgjedhjen e Kryetarit, i cili nuk propozohej nga forcat politike në Kuvend, por përzgjidhej si rezultat i një procesi transparent të shpalljes së vakancës dhe të vetofrimit të kandidatëve që plotësonin kushtet e kërkuara nga ligji.

Ligji zgjedhor, ka garantuar ndër të tjera, parimin më të rëndësishëm për funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, atë të pavarësisë institucionale, që sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, konsiston në: pavarësi funksionale, pavarësi organizative dhe pavarësi financiare.

Megjithatë, proceset zgjedhore diktojnë ndryshime në ligjin zgjedhor edhe përsa i përket mënyrës së funksionimit të KQZ-së. Angazhimi ynë duhet të jetë që këto ndryshime të mbajnë gjithnjë në konsideratë standardet evropiane të kërkuara dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.

Kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore që mazhoranca e sotme ndryshe nga tradita e hidhur në të kaluarën, nuk bëri ndryshime në ligjin zgjedhor lidhur me ndryshimin e formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pra u hoq dorë nga ai parimi i deklaruar, por i pashkruar që mazhoranca ka përgjegjësi për zgjedhjet, duhet ketë gjithmonë edhe mazhorancën në KQZ, gjë që ishte në kundërshtim me vetë kuptimin e ndryshimeve që u bënë në ligjin për krijimin KQZ-së.

Kjo mazhorancë, duke besuar se vetëm transparenca, paanshmëria dhe pavarësia në funksionimin dhe vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të sigurojnë administrimin e rregullt të procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, garantoi edhe një herë respektimin e parimit të qëndrueshmërisë së këtij institucioni të pavarur.

Duke ju uruar suksese në shkëmbimin e përvojave më të mira në drejtim të forcimit të pavarësisë të organeve që menaxhojnë procesin e zgjedhjeve demokratike, të cilat në fund të fundit duhet të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut, dua të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë , por edhe të partnerëve të tjerë evropianë në përpjekjet tona të përbashkëta për ngritjen e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.

Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

‘Mos lejojmë askënd të na e ul flamurin’, Rama: Ta rreshtojnë në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar europiane