Fjala e Rames në prezantimin e projektit për regjistrimin e emigranteve shqiptarë

Ky është një moment tjetër që mendoj se meriton të çmohet si historik në rrugën e reformave, pasi ne i hapim rrugë, pas 25 vitesh si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda, por edhe jashtë atdheut, për ta jetuar atdheun, në radhë të parë, si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij.

Ky është një proces fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash. Jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktat vende të botës, me një sistem ku tjetërkund je, tjetër kund banon, tjetërkund shfaqesh. Një sistem që është shëmbëlltyra më domethënëse e mungesës së shtetit dhe e boshllëkut që ka lënë shteti në përmbushjen e detyrës së vet më parësore, të dijë ku i ka njerëzit e vet dhe t’u mundësojë të gjithë atyre, shërbimet që meritojnë.

 “Toka lulëzon, sepse ushqehet nga shumë burime”, thotë një fjalë e mençur. Mbi të gjitha ushqehet nga kulturat dhe traditat e popujve e të komuniteteve, si dhe nga ndërveprimi mes tyre. Kudo në botën normale, të cilës rëndom propagandohet gabimisht se ne i përkasim, ata që migrojnë në kërkim të një ëndrre, në përpjekje për të realizuar një shpresë dhe sigurisht, me nxitjen e brendshme se do të gjejnë një jetë më të mirë, janë një pasuri që asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk ka luksin ta lërë jashtë inventarit.

Shqipëria, edhe për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarit. Shqiptarët jashtë atdheut janë trajtuar njësoj si shtetas të huaj. E di çdo shqiptar jashtë atdheut se çfarë ka hequr 25 vjet, për të marrë dokumentin më elementar, dokumentin që vërteton se ekziston, certifikatën. Duhet t’i çonte një prokurë familjes - kjo vazhdon edhe sot, - familja duhet të shkonte në Prefekturë; nga Prefektura duhet të gjente përthyes të autorizuar; mbas përkthyesit të autorizuar duhet të shkonte në Ministri të Jashtme; nga Ministria e Jashtme duhet të merrte pëlqimin që pastaj të shkonte në gjendje civile. Njësoj si një i huaj, madje më keq, në kohën kur në Shqipëri kërkohej vizë. Dy muaj i kushtonte një të huaji, koha e pritjes që të merrte përgjigje nga regjimi i Enver Hoxhës se a hynte, apo nuk hynte dot në Shqipëri. Dy muaj i kushton një shqiptari jashtë atdheut që të marrë përgjigje që ekziston apo s’ekziston, një copë letër, një certifikatë. Kostoja e tij dhe e familjarëve të tij, përveç kohës dhe humbjeve që mund t’i shkaktonte kjo kohë, për shkak se certifikata në emergjencë mund t’i duhej në vendin ku jeton, ishte 48 euro.
Atëherë, me çfarë kuraje mund të thonë ata që qeverisën Shqipërinë 23 vjet, se kanë bërë shtet, se kanë ndërtuar Shqipëri europiane!
 “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”, thoshte Konica.

Konica nuk e jetoi tranzicionin, por jam i bindur që të gjithë ata që e kanë jetuar, e kanë parë Shqipërinë në 20 e kusur vite si të lindur nga Zoti, që e ka shpëtuar rastësia, kur politikanët e kanë vrarë.

Shqiptarët nuk e njohën emigracionin kur ra regjimi komunist. E kanë njohur prej kohësh, janë sprovuar prej shekujsh me fatin dhe e kanë kërkuar tokën e premtuar si emigrantë në çdo fazë të historisë së tyre, kur historia i ka përballur me vdekjen, për shkak të politikanëve të tyre. E kanë kërkuar në çdo cep të tokës, për të projektuar atë çka në vendlindje nuk e gjenin dhe gjithmonë me ëndrrën që atë që do të gjenin, ta rikthenin në vendlindje.
Fshatrat e jugut të Shqipërisë janë një nga shprehjet më të bukura të asaj që ka sjellë në vendin tonë, kultura e emigrantëve. Gjirokastra është po ashtu një nga shprehjet më të bukura të asaj që ka sjellë në vendin tonë, kultura e emigrantëve. E me radhë.

Po të krahasojmë atë që ndërtonin në jug, katragjyshërit tanë, me atë që ndërtuam ne në këto 20 e kusur vite, që me demek jemi më të ditur, kemi më shumë mundësi, kemi edhe më shumë diploma, dimë edhe më shumë gjuhë të huaja, është një katastrofë.

Duket sikur epoka e barbarëve është epoka jonë dhe epoka e njerëzve të kultivuar është epoka e tyre, fatkeqësisht. Pa llogaritur faktin që katragjyshërit tanë kurrë nuk ndërtuan në shtratin e lumit, kurrë nuk ndërtuan duke iu hequr fëmijëve të tyre tokën e bukës, kurrë nuk ndërtuan njëri këtu e njëri atje, por krijuan fshatra, krijuan komunitet. Racionalizuan shpenzimet. Ne ndërtuam një Shqipëri që duket sikur i është vënë bomba fshatrave dhe nga ciflat kanë lindur shtëpitë lart e poshtë.
Sot, në vendin tonë kemi një regjistër kombëtar të gjendjes civile ku popullsia e Shqipërisë është 4.4 milionë banorë. Do të duhej një konferencë e tërë për të kuptuar pse dhe si ka mundësi që ne shqiptarët, një komb vazhdimisht i kërcënuar nga asimilimet, nga aneksimet, nga goditjet e armiqve tanë, një komb që jeton sot i ndarë, asnjëherë këtu në Shqipëri nuk kemi parë si prioritet, jo që ta rrisim artificialisht numrin e popullit që jemi, siç bëjnë popujt e tjerë, - nuk dua të përmend se cilat shtete, marrin shqiptarët dhe i numërojnë sikur i kanë të vetët. Ndërkohë që ne, 20 e ca vite, pa llogaritur periudhën më përpara, asnjëherë nuk bëmë një përpjekje për të numëruar sa jemi dhe gjithmonë e mbajtëm kufirin tre milionë.

Kjo ka një thelb që është shumë turbullues dhe shqetësues. Por, do të duhej vërtet një refleksion i thellë se çfarë e ka prodhuar këtë politikë armiqësore dhe këtë rezultat që ka ngulitur nga njëra anë, në mendjen e të gjithëve se ne jemi 3 milionë dhe që nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për të numëruar popullin e vet.
Në fund të fundit ka një dallim shumë të thjeshtë midis vendeve që funksionojnë dhe vendeve që nuk funksionojnë. Vendet që funksionojnë janë vende me adresa. Vendet që nuk funksionojnë janë vende pa adresa.

Besoj se të gjithë kemi parë filma dhe është interesant që në shumë filma që lidhen me kriminalitetin, ose në fillim ose gjatë filmit shfaqen pamje e dëgjohen zëra helikopterësh, makinash policie, radiosh policie që komunikojnë adresa. E kjo lidhet jo thjeshtë me të drejtën e njerëzve për të marrë shërbime, por edhe me detyrimin e çdokujt për të respektuar rregullat e bashkëjetesës dhe për të qenë në një marrëdhënie normale me shtetin.

Ne kemi vetëm një të dhënë të besueshme. Edhe 4.4 milionëshi është përsëri i paprovuar statistikisht dhe shkencërisht, përsa i përket shqiptarëve që jetojnë jashtë. E vetmja e dhënë statistikisht e provuar është që nga viti 1990 deri më sot, jashtë Shqipërisë kanë lindur 300 000 bebe.
Atëherë, për ne, ky ka qenë që në fillim një prioritet. Kjo është një reformë, puna për të cilën ka filluar që në ditën e parë dhe është një tjetër reformë që vlen për të parë se për t’i bërë gjërat me themel, kërkohet durim, kohë dhe punë këmbëngulëse. Nëse i bëjmë gjërat me themel, atëherë duhet të respektojmë çdo hap. Nëse jemi të pastrehë, duhet të ndërtojmë një shtëpi nga themeli. Që do të thotë se nuk mund të mbrohemi dot nga shiu, era apo bora që ditën e parë në shtëpinë tonë, sepse pastaj, ajo nuk është shtëpi, por një çadër mushamaje.

Kështu ka qenë për fat të keq, në shumë sektorë, ajo çka është ndërtuar në gjithë këto vite. Janë ndërtuar çadra mushamaje, duke shitur iluzionin se këto janë shtëpi, në kuptimin e ngrehinave të sistemeve në të gjithë sektorët. Ne këtu nuk mund të ndërtojmë një tjetër çadër mushamaje, për të thënë se “ja, i përfshimë dhe shqiptarët që jetojnë jashtë”.
Ne po ndërtojmë një proces që synon që brenda 2 vitesh, vendi ynë të bëhet normal, një shtet që ka të regjistruar çdo individ, që ka çdo adresë për çdo frymë të gjallë, brenda dhe jashtë vendit.

Kjo sigurisht është ekonomi, përveç të tjerave. Është ekonomi, sepse përbën një kapërcim epokal në një epokë tjetër, ku qoftë shërbimet që shteti jep, qoftë detyrimet që shteti merr, janë të barabarta dhe ku barra ndahet midis të gjithëve. Vetëm për shkak të sistemit të adresave, jo për shkaqe të tjera, është përsëri një pjesë e popullit, që është e regjistruar dhe ka të identifikuar vendin ku rri, e cila mban kostot edhe për pjesën tjetër të popullit, që jo për faj të vet është i paidentifikuar dhe s’dihet ku jeton.
Ky projekt që ka marrë emrin “Popullimi” do të bëjë të mundur që çdo individ të ketë një numër unik personal dhe të kemi një sistem adresash, ku përmes këtij numri të kemi të përputhur personin, vendin e tij të banimit dhe pozicionin e tij gjeografik, në raport me kontributet. Numri personal përfitohet në lindje dhe humbet kur personi ndërron jetë, por nuk ndryshohet, nuk ngatërrohet, nuk i merret njërit dhe t’i jepet tjetrit. Kjo ndalon që për një njeri të ketë një numër dhe papritur të shfaqet edhe një tjetër me të njëjtin numër. Pra, është një markë origjinale e çdo individi që lind si shqiptar dhe që vdes si shqiptar.

 “Popullimi” nënkupton të kemi një regjistër të integruar shtetasish dhe adresash, që do të përmbajë edhe markën origjinale të çdo shtetasi, por edhe adresën. Sot, ne kemi 2 regjistra. Një regjistër për njerëzit, një regjistër për adresat. Pra, për analogji, një regjistër për delet, një regjistër për stallat, pastaj, se kush hyn në stallë dhe se kush humbet në mal nuk i është dashur kurrë njeriu, sepse ky popull është parë gjithmonë si një tufë delesh, edhe kur nuk është thënë, apo edhe kur nuk është menduar, por, praktikisht, sjellja e shtetit dhe e qeverive ka qenë një sjellje prej spektatorësh që e shikojnë nga larg realitetin dhe popullin që supozohet se janë zgjedhur të qeverisin.
Është e paimagjinueshme që 20 e ca vite nuk është bërë asnjë përpjekje, Zero!, për të regjistruar shqiptarët me banim jashtë vendit. Normal që duke i lënë rrugëve si dele të humbura, kur shfaqen nëpër konsullata trajtohen si të huaj dhe duhet të sjellin të gjithë llojet e letrave, të angazhojnë të gjithë llojet e prokurave dhe të noterëve, që të provojnë që janë shqiptarë dhe që të provojnë se ekzistojnë. Pa llogaritur shërbimet thelbësore, elementare e jetike, që shtetasit e tjerë, të popujve të tjerë i marrin si “bukë me djathë”, pavarësisht se jetojnë apo s’jetojnë në shtetin e tyre dhe që shqiptarët nuk i kanë.

Ne kemi punuar gjithë këtë periudhë, për të identifikuar praktikat më të mira ndërkombëtare, por edhe për të vënë në dispozicion të këtij projekti, teknologjinë e re, teknologjinë dixhitale, që të mos i vëmë qytetarëve tanë, një barrë më të rëndë, qoftë fizike, qoftë kohore, qoftë financiare, se ç’është e nevojshme.
Sipas këtij projekti, që tanimë është një projektligj, shqiptarët jashtë vendit do të kenë mundësi të regjistrohen thjesht nëpërmjet internetit, duke shfrytëzuar një portal të blinduar për nga pikëpamja e sigurisë, i cili po ndërtohet vetëm për këtë qëllim, ashtu siç e kanë të gjitha shtetet normale. Qytetari do të regjistrojë të dhënat e tij, do të deklarojë adresën jashtë Shqipërisë dhe që nga ai moment, ai do të jetë një shqiptar i regjistruar, me një konsum kohor 90 sekonda. Pas kësaj, autoritetet e gjendjes civile do i dërgojë në atë adresë nëpërmjet postës normale, një kod alfanumerik unikal që do jetë vetëm kodi i tij. Në atë moment, shtetasi do ta vendosë kodin e tij në portalin përkatës dhe shteti që nga ajo sekondë aktivizohet menjëherë ndaj këtij individi, i cili që nga ai moment meriton të gjitha shërbimet, njësoj siç i kanë të gjithë të tjerët.
Është e para herë në historinë e shtetit pas ’90-s, por faktikisht edhe më përpara, që merret një nismë nga një qeveri për të regjistruar shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve.

Ky është një turp që do ta mbajnë ata që e kanë dhe le ta ndajnë si të duan, pjesë-pjesë, pasi patën në dorë mundësinë për të qeverisur vendin edhe me mbështetjen e shqiptarëve jashtë atdheut, që erdhën me autobusë, vetura, erdhën me familje për të votuar dhe që kurrë ndonjëherë nuk u panë si shqiptarë. U panë vetëm e thjesht si numra kur ishin zgjedhjet dhe më pas u harruan si të huaj midis dy zgjedhjeve.
Ky projektligj nuk pengon që të regjistrojnë adresën, edhe të gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë, të cilët duan ta bëjnë regjistrimin fizik drejtpërdrejtë në zyrat konsullore.
Kjo është pjesë e një reforme të emigracionit, që kur flasim për këtë temë i referohemi një sistemi që përfshin një angazhim të drejtpërdrejtë, serioz dhe efektiv të shtetit, për të vënë drejtësi në trajtimin e çështjeve të njerëzve që jetojnë jashtë vendit. Nga njëra anë janë shqiptarët jashtë vendit, të cilët ne jemi mësuar t’i quajmë emigrantët dhe duke i quajtur emigrantët, faktikisht i kemi trajtuar si “të ikurit”, të cilët po nuk u kthyen, nuk janë përgjegjësia jonë dhe po u kthyen, është përgjegjësia e tyre. Në qendër shteti dhe në anë tjetër, baza kushtetuese ligjore të Republikës së Shqipërisë, që shteti duhet të garantojë si një urë midis shqiptarëve jashtë atdheut dhe lirive dhe të drejtave që ju jep baza kushtetuese dhe ligjore e Republikës së Shqipërisë. 

Çfarë do të sjellë drejtpërdrejtë regjistrimi?
Do të sjellë që institucionet shtetërore apo private do të kenë mundësi reale të kontaktimit të personit dhe personi do të ketë mundësi reale të kontaktimit të tyre. Folëm për certifikatën, por, sikur të shikojmë se çfarë ndodh me shqiptarët jashtë vendit që kanë probleme pronësie, ata nuk marrin kurrë një thirrje apo një informacion nga seancat gjyqësore. 

Po të shikojmë në gjithë katrahurën e krizës së pronës, më të dëmtuarit, - jo të vetëm se gjykatat në këtë vend kanë dëmtuar pa dallim dhe në këtë pikë të gjithë jemi emigrantë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, në raport me sistemin e drejtësisë dhe trajtohemi në gjykata si emigrantët në shtetet e huaja dhe e dimë mirë si janë trajtuar sidomos në vitet ’90-të, - janë ata që jetojnë në emigracion, që kanë humbur të drejta pronësie, në mungesë, pa pasur mundësinë jo të paraqiten, por as ta marrin vesh. Ka pasur raste plot që e kanë marrë vesh që kanë humbur të drejtën e pronësisë, kur ju është vrarë ndonjë i afërm, si rezultat i konfliktit që ka krijuar padrejtësia e gjykatës.
Sigurisht, edhe zgjedhjet janë pjesë e këtij procesi. Është hata e madhe. I keni dëgjuar të gjithë kur janë bërë fushata që nga viti ’92-të, në Greqi, në Itali apo gjetkë: “Zotohemi se do të garantojmë që herën tjetër, ju do të votoni në Shqipëri”. Ikën një palë zgjedhje, sërish “Zotohemi se po na mbështetët herën tjetër, do t’ju garantojmë...” Ikën edhe një palë zgjedhje të tjera dhe prapë “zotohemi... e zotohemi...”
Sigurisht që, ky nuk është një proces i lehtë. Por pyetja është shumë e thjeshtë: Si ka mundësi që askush që mori pushtetin nuk bëri asnjë hap për t’i regjistruar?! Si do të votojnë, kur nuk dihet kush janë dhe ku janë?!

 “U plakën, lindën, u rritën, por s’e harruan atë prag”, thoshte Dritëroi në një poezi.
Por, faktikisht, ajo që ata nuk harruan dhe nuk harrojnë është një Shqipëri që asnjëherë në 20 e kusur vite nuk mendoi për ta. Asnjëherë!
Është lehtë sot të ngrihesh e të bërtasësh “po ikin shqiptarët”, a thua se për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët morën rrugën dhe ikën jashtë shtetit mbas zgjedhjeve të fundit. Është e lehtë po ashtu të thuash se u zgjodhët ju, prandaj po ikin shqiptarë. Ndërkohë që arsyet e ikjes së shqiptarëve janë shumë më të thella në histori dhe janë shumë më të thella në këtë periudhë 20 e ca vjeçare. Padyshim, përgjegjësia themelore për faktin që ikin apo nuk ikin, ata nuk janë trajtuar si të barabartë, por janë trajtuar si të gjallë e të vdekur, i takon atyre që kanë pasur detyrimin t’ju njohin ekzistencën dhe t’i trajtojnë si të gjallë përsa kohë janë gjallë dhe t’i respektojnë si të vdekur kur vdesin dhe jo t’i marrin numrin njërit e t’i japin tjetrin. Vdes njëri, i marrin numrin, ia japin tjetrit dhe dalin dy të vdekur.

Unë jam shumë besimplotë që ky proces është një kthesë historike. Objektivi ynë është që ta përmbyllin brenda dy viteve. E kemi nisur me qëllim që ta përmbyllim në katër vjet, dy vjet kaluan, kemi edhe dy të tjerë. Por këtu ka rëndësi shumë të madhe edhe pjesëmarrja, përfshirja. Nëse deri dje, shqiptarët nuk e kanë pasur mundësinë të përfshihen, - edhe kur kanë dashur të përfshihen, nuk kanë pasur rrugë, kanë qenë të rrethuar me murin e braktisjes dhe të indiferencës, - ne ju hapim një rrugë shumë të thjeshtë, me këtë projekt dhe u japim mundësinë që të fillojnë të regjistrohen. A do ta realizojnë apo jo, përfshirjen e tyre në zgjedhje që në zgjedhjet e ardhshme, kjo është një përgjigje që duhet ta japim bashkërisht. Nuk mund ta japë qeveria apo shteti, se qeveria dhe shteti nuk mund të regjistrojnë për llogari të asnjë individi, por janë individët që duhen të regjistrohen.

Pak por e sigurt është që ky proces përbën një kthesë të madhe dhe që në 10 vitet e ardhshme, ekonomia, rendi ligjor dhe fuqia shoqërore e këtij vendi do të jetë shumë më e madhe dhe shumë më e qëndrueshme se do të jetë tërësia e pranisë shpirtërore dhe e mundësive reale të të gjithë shqiptarëve që të mund të marrin pjesë.
Parafytyroni sikur edhe kjo reformë të ishte bërë 20 vjet përpara. Si të gjitha reformat që po bëjmë ne, janë reforma të vonuara, të zvarritura, ta harruara që do të kishin përcaktuar një fat krejt tjetër për gjeneratën e atyre që sot janë 25 vjeç. Është një rast konkret për të parë se reformat nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme, nuk përcaktojnë as cilësinë e jetës sot për nesër, por përcaktojnë fatin dhe cilësinë e jetës së një gjenerate. Nëse ne nuk do të bënim sot këto reforma dhe do të përpiqeshim të përpëliteshim, siç janë përpëlitur të tjerët për të zgjatur thjesht jetën fizike mbi karriget e pushtetit, ata që sot janë 25 vjeç dhe që kanë lindur në vitin e ndryshimit do të bëheshin 50 dhe nuk do ta shikonin ndryshimin që projektoi kalimi nga regjimi komunist në një rrugë të re tranzicioni drejt Europës.

Kjo është një përgjegjësi historike që ne e kemi marrë përsipër dhe do ta mbajmë me këmbënguljen, dinjitetin dhe durimin më të madh. Do të durojmë me qetësi, nganjëherë edhe duke shtrënguar dhe dhëmbët, të gjitha llojet e marrëzive dhe të gjitha llojet e sulmeve të padenja e të padrejta që na bëhen.

Ne kemi vetëdijen e plotë se ka vetëm një mënyrë që të mos bësh asnjë gabim, që të mos zgjohesh kurrë nga gjumi. Fli gjumë, mos u ço kurrë dhe je njeriu më i pagabueshëm në botë. Po u zgjove dhe fillove një punë do të bësh edhe gabime. Rëndësi ka që ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë për t’u përmirësuar çdo ditë. Ashtu sikundër nuk kemi asnjë kompleks edhe për faktin se kemi bërë apo mund të bëjmë gabime, por, pa as më të voglin dyshim, ne do të lëmë pas një trashëgimi politike që do të shënohet si një moment që askush nuk do ta fshijë dot, në historinë e shtetndërtimit në Shqipëri.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës