FMN: Shqipëria s'është ende gati për Amnistinë Fiskale! Ibrahimaj: Papunësia u ul me 11.6% në 6 muajt e parë të 2022, 4.3% më shumë vende pune se 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i BSH, Genti Sejko dhe përfaqësues të Misionit të FMN po zhvillojnë një konferencë për situatën ekonomike gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022. Pavarësisht ndikimit të luftës në Ukrainë që ishte negativ, Ibrahimaj thotë se ekonomia pati performancë pozitive dhe solli ulje të papunësisë me 11.3% në krahasim me 2021.

‘Lufta në Ukrainë, ndikim negative në ekonominë tonë. Por pavarësisht problemeve në pjesën tjetër të botës ekonomia shqiptare performoi pozitivisht. Në 3 mujorin e tretë ekonomia me ritme me të larta se 3 mujori i dytë.Gjatë gjysmës së parë të vitit, papunësia u ul me 11.3% ndërsa punësimi u rrit e 4.3% në krahasim me vitin e kaluar’- tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj u shpreh se inflacioni në vend është shkaktuar nga goditja e ofertës globale për disa mallra bazë. Ibrahimaj u shpreh se inflacioni në vendin tonë krahasuar me vendet e rajonit ka qenë ndjeshëm më i ulët. Ministrja nënvizoi se për këtë vit parashikohet që të ketë një nivel mesatar inflacioni nën nivelin 6.5%. Sa i takon vitit të ardhshëm, Ibrahimaj u shpreh se inflacioni do të jetë në rënie dhe parashikohet që në 2023 të jetë 3%.

‘Gjatë kësaj periudhe çështja kryesore ka qenë inflacioni i lartë i goditur nga oferta globale e disa mallrave bazë. Në vendin tonë krahasuar edhe me vendet e rajonit ka qenë ndjeshëm më i ulët. Vlerën më të lartë e ka pasur në muajin gusht me 8%. Ne parashikojmë që gjatë këtij viti të kemi një nivel mesatar inflacioni në nivelin 6.5. Ky është nxitur nga goditja e ofertës dhe besojmë se nuk ka baza të forta që të vazhdojë në rritje besojmë se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një reduktim të ndjeshëm të inflacionit. Parashikojmë një normë inflacioni në rënie me 3.6 %. Duke u mbyllur në dhjetor të vitit 2023 me 3%. Situata është në kontroll, mbetemi vigjilent  për amonitozuar dhe jemi përgatitur për disa skenar alternativ. Gjatë periudhës janar gusht të ardhurat buxhetore janë rritur me 16%.’- u shpreh Ibrahimaj.

Përfaqësuesja e FMN, Sun ka shprehur edhe njëherë shqetësimin e të gjithë ndërkombëtarëve për Aministinë Fiskale. Ajo u shpreh se Shqipëria për arsye teknike si dhe të mos zhvillimit në disa elementë nuk është gati për këtë projektligj.

Kujtojmë se në projektligj thuhet se çdo qytetar shqiptar, rezidentë në Shqipëri, por edhe emigrantët do të mund të përfitojnë nga amnistia fiskale deri në shumën 2 milionë euro. Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim publik, për të marrë mendimin e individëve dhe grupin e interesit. Për këtë projektligj ka pasur një sërë pakënaqësish nga ndërkombëtarët, të cilave kryeministri Rama u është përgjigjur se do miratohet. Sa u përket kritikave që të huajt kanë bërë për projektligjin e amnistisë fiskale nuk janë të sinqerta, sepse sipas tij këto vende kanë bërë të njëjtën gjë në kohë të ndryshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:33
Përfaqësuesit e FMN: Kemi rekomanduar që paketa e Rezistencës Sociale të prekë ata që janë në nevojë, jo të gjithë

 

Përfaqësuesit e FMN, duke iu referuar paketës së rezistencës sociale thanë se i kanë rekomanduar qeverisë që të ndihmojnë shtresat më në nevojë, jo të gjithë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale dhe në kushtet financiare që janë në shtrëngim e sipër, kemi rekomanduar që paketa të jetë më e shënjestruar që ta marrin ata që kanë më nevojë, jo të gjithë. Ka njerëz që edhe çmimin e energjisë e përballojmë. Të shkohet drejt ruajtjes së energjisë”, tha Sun.

Ora 10:45
FMN: Shqipëria nuk është gati për Amnistinë Fiskale, konsiderohet si ‘kartë’ për të dalë nga burgimi i faturimeve

 

Përfaqësuesja e FMN, Sun ka shprehur edhe njëherë shqetësimin e të gjithë ndërkombëtarëve për Aministinë Fiskale. Ajo u shpreh se Shqipëria për arsye teknike si dhe të mos zhvillimit në disa elementë nuk është gati për këtë projektligj. Duhet një nivel sipas Sun që të kapërcehet drejt kësaj amnistie në mënyrë që të shmangen rreziqe si pastrimi i parave dhe terrorizmi.

'• Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor.

 • Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor.  Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë "dalje nga burgu" për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore.

 • Një PDV duhet të zbatohet vetëm kur plotësohen disa kushte.  (i) Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, dhe kjo aftësi i është demonstruar publikut për të siguruar që ka një rrezik të besueshem zbulimi.  Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një PDV të mëtejshme;  (ii) një kornizë efektive per luften kunder pastrimit te parave dhe luften kunder financimit te terrorizmit LPP/LFT që është në gjendje të zbusë rreziqet e PDV.

 • Në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta, parakushtet për një PDV të suksesshme nuk përmbushen. Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Pergjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare.  Shqipëria ende ka mangësi strategjike për LPP/LFT.'- tha përfaqësuesja e FMN-së. 

Ora 10:40
FMN parashikon inflacion të rritur për vitin 2023: Duhet mbështetje fiskale për kategoritë në nevojë

 

Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë konferencës së përbashkët me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj si dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, foli në lidhje me situatën ekonomike në Shqipëri. Shefja FMN-së në Tiranë, Yan Sun, u shpreh se ekonomia shqiptare ka pësuar dëme të mëdha që prej periudhës që prej 2020, por vendi i ka kaluar mirë.

‘Më lini paraprakisht t’iu shpreh mirënjohjen të gjithëve për bashkëpunimin e afërt dhe bisedat konstruktive gjatë 2 javësh të vizitës sonë në Shqipëri. Ekonomia shqiptare ka pasur dëme të mëdha që prej periudhës 2020, por i ka kaluar mirë. FMN parashikon që 3.7% të jetë rritja ekonomike që pritet të jetë në 2022 falë aktivitetit të lartë e fuqishëm në turizëm, pasuri të paluajtshme e shërbime por “kjo rritje parashikohet të ngadalësohet me 2% në 2023 ndërkohë që inflacioni është rritur ndjeshëm dhe është bërë me bazë të gjerë'.  Norma e inflacionit mbetet e lartë e do të kthehet në objektivin e caktuar nga BSH me 3% vetme në 2024. Inflacioni është në kahun rritës, rritja e ekonomisë është në kahun e uljes.

Me deficitet dhe borxhin e lartë Shqipëria përballet me rritjen e çmimeve, me çmimet që janë rritur në tregun ndërkombëtare që ka të ngjarë të vazhdojnë si të tilla dhe me një ngadalësim të zhvillimit ekonomik në Europë. Ne rekomandojmë për 2023 që të ketë një bilanc primar në 0 dhe të synojë të vazhdojë konsolidimin me një bilanc primar me 1.5% të PBB. Të finalizojë dhe të zbatojë pa vonese strategjinë afatmesme të të ardhurave. Mbështetja fiskale duhet të jetë e shënjestruar ndaj kategorive në nevojë dhe të jetë e përkohshme. Mbështesim politikat monetare të BSH-së. Sistemi bankar është përballur mirë pas goditjeve të njëpasnjëshme. Bankat janë ekspozuar ndaj normave të interesit dhe zhvillimeve që lidhen me kursin e këmbimit.  Iu bëjmë thirrje për një vigjilencë të shtuar për të ruajtur stabilitetin financiar. Autoritete duhet të shtojnë përpjekjet e tyre sa u takon reformave strukturore.’- u shpreh Sun.

Ora 10:29
Sejko: Lufta në Ukrainë ka ndikuar në sfida serioze, inflacioni do jetë i lartë për 2 tre mujorët e ardhshëm

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka ripërsëritur edhe njëherë se inflacioni do të vazhdojë të jetë i lartë për 2 tremujorët e ardhshëm.

‘Sikundër jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare kanë qenë të angazhuara në diskutime intensive me misionin e FMN-së, të kryera në kuadër të Artikullit IV. Këto diskutime kanë pasur në fokus të tyre si sfidat aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare, ashtu edhe reformat strukturore të cilat do të mundësonin një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit në planin afatgjatë. Duke përfituar nga rasti, më lejoni – në radhë të parë – të falënderoj Misionin e FMN-së për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve dhe diskutimet e frytshme dhe transparente. Në tërësi, konstatoj se Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja kanë ndarë opinione të ngjashme mbi sfidat e zhvillimit që kemi përpara. Rritja e shpejtë e çmimeve në tregjet botërore, pas sulmit të paprovokuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, i ka përballur ekonomitë dhe shoqëritë e të gjithë vendeve të globit, përfshirë dhe Shqipërinë, me sfida serioze ekonomike e sociale.

Inflacioni në vend shënoi vlerën 8% në muajin gusht, duke shfaqur një rritje të shpejtë dhe duke pasur një bazë të gjerë. Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, në gjykimin tonë, inflacioni i lartë përbën kërcënimin kryesor mbi stabilitetin makroekonomik dhe mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Ky inflacion gërryen fuqinë blerëse të familjeve, rrit pasigurinë për të ardhmen në çdo qelizë të ekonomisë, nxit volatilitetin në tregjet financiare dhe dëmton perspektivat afatgjata të zhvillimit. Për këtë arsye, fokusi prioritar i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave të koordinuara për zbutjen e kostove të inflacionit dhe kontrollin e kthimin e tij në objektiv, në një periudhë sa më të shpejtë dhe me kosto sa më të ulëta.

Bazuar në këto konsiderata, Banka e Shqipërisë është angazhuar në normalizimin gradual të politikës monetare. Ky normalizim është një proces simetrik me atë të ndërmarrë nga të gjitha ato banka qendrore, në rajon dhe në botë, të cilat po përballen me fenomenin e inflacionit të lartë. Ai nënkupton një rritje progresive të normës bazë të interesit, duke ndryshuar gradualisht natyrën e qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni aktual, i cili ka qenë dhe mbetet stimulues, drejt një pozicioni më neutral që ofron një mbështetje më të qëndrueshme për rritjen afatgjatë të vendit.

Gjatë bisedimeve të dy javëve të fundit, kemi konstatuar me kënaqësi se ky këndvështrim i yni ndahet edhe nga Misioni i FMN-së dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë se inflacioni do të vijojë të mbetet në nivele të larta edhe gjatë dy tremujorëve në vijim. Më tej, stabilizimi i çmimeve në tregjet e huaja dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare do të induktojnë një reduktim progresiv të inflacionit, deri në kthimin e tij në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Paralelisht me të, projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet përgjatë horizontit afatmesëm. Ndonëse aktiviteti ekonomik do të vuajë pasojat negative të inflacionit, rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv. Rritja ekonomike do të vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm ekonomik dhe financiar i vendit, nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, si dhe nga vijimi i mbështetjes me kredi e instrumente pagese nga sektori bankar.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se sektori bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme që kemi ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar. Kredia për sektorin privat ka shënuar një përmirësim progresiv të normës së rritjes, duke kulmuar në nivelin 13.7%, në muajin gusht. Gjithashtu, ajo shfaq një mbulim të mirë të nevojave të biznesit e të familjeve për financim afatgjatë apo për mjete likuide. Rritja e qëndrueshme e kredisë si dhe cilësia në rritje e portofolit të saj, janë indikatorë të rëndësishëm të mbështetjes që ky sektor ka dhënë dhe po jep në procesin e rimëkëmbjes së vendit.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë intensivisht në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes së kujdesshme të aktivitetit bankar, të zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave, të promovimit të stabilitetit financiar të vendit, si dhe të rritjes së shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare të publikut. Ndonëse sfidat që kemi përpara nuk mungojnë, jam i bindur se industria bankare do të vijojë të jetë një partner i besueshëm i biznesit dhe familjeve shqiptare.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon ruajtjen e vëmendjes drejt reformave strukturore. Tashmë kjo agjendë reformash gjen një ankorë të fortë në procesin e negociatave që po zhvillojmë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Investimi i vazhdueshëm në reforma të cilat nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, si dhe zhvillimin e gjithanshëm të infrastrukturës, është rruga e vetme drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social. ’- tha Sejko

Ora 10:17
Ibrahimaj: Presim që borxhi publik të ulet nën nivelin 70% të GDP deri në fund të këtij viti

 

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se qeveria pret që të ulet niveli i borxhit publik në 70% si dhe synon që të kalohet në balancë primare pozitive që prej vitit të ardhshëm.

“Nga ana tjetër, kemi qenë mjaft të vendosur për të ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike. Në rishikimin e fundit të buxhetit në korrik kemi ulur deficitin e GDP në 4.1%. Ne presim që deficit fiskal në 2022 të jetë më i ulët se kufiri ligjor i rishikiuar. Presim që borxhi publik të jetë nën nivelin 70% të GDP deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte në fund të 2021.

Sa i përket objektivave kryesore, mbetemi të përkushtuar në uljen e borxhit publik në përputhje me rregullat fiskal, synojmë të kalojmë në balancë primare pozitive nga viti i ardhshëm dhe nga 2024 bëhet detyrim ligjor që e bën të detyrueshme arritjen e një balance pozitive.

Brenda kufijve që na lejon hapësira fiskale, mbetemi të përkushtuar për të zbutur ndikimin e krizës në shoqërinë tonë”, tha Ibrahimaj.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lala: 10/10/2022 14:18

    Lindem ne krize.u rritem ne krize.u martuam ne krize.po rrisim femijet ne krize.tani a ja vlen ti lejm femijet tane te rrisim te tyret ne krize perseri?jam i pari QE Po e Reis femijen me frymen e largimit sepse sdua te bej gabimin e babait Tim QE me ushqeu me mendimin QE nje dit to te behet me mir.kshu QE zona ministre a na ha mutin se Ste beso njeri ca thuaj duke qen se Po e vuajm vet ne kurriz mbijetesen.u bo 40 vjet qe jetojm ne genjeshtra

    Përgjigju
  • Emigranti Modern jo nga varferia: 10/10/2022 11:59

    Iken njerzit, jo se eshte ulur papunesia ,uroj te jem une gabim dhe jo qeveria !!

    Përgjigju
  • Bravo: 10/10/2022 10:26

    U ul papunësia se po ikin të gjithë. Bashkia Tiranë hapi 100 vende punë, aplikuan 13 vetë, s'ka më shqiptarë, a do bëjmë diçka?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion